Nga ARTUR AJAZI/
Pak ditë më parë Rama mori në analizë dhe renditi arritjet e qeverisjes së tij, duke nxjerrë me rradhë ministrat për të lexuar raportet e parashkruara. Dhe viti i pare dhe mbiviti i qeverisë në fakt është i mbushur me ngjarje, të cilat janë padyshim përcaktuese për vlerësimet që japin qytetarët, dhe veçanarisht votuesit e majtë. Mendoj se çdo shqiptar kërkon dhe shpreson të shohë bërjen e shtetit ligjor, duke nisur nga komponentët e tij kryesorë, drejtësia, e cila merret me zbatimin e ligjit, dhe ekonomia e cila është tregues i mirëqenies. Shteti forcohet me zbatimin e ligjit dhe zhvillimin ekonomik. Bërja e shtetit ngjason me një proces organik, ku komponentët përbërës janë të lidhur ngushtësisht me njëri-tjetrin. Të bësh shtetin ligjor,nuk mjafton dëshira dhe pasioni, por duhet vullneti dhe bashkëpunimi me të gjithë faktorët përbërës duke zbatuar ligjet. Kjo është logjika e shtetit solid, me të cilën kanë ecur ata që kanë bërë shtetin në Europë apo dhe përtej Atlantikut në SHBA. Bilanci i arritjeve të deritanishme tregoi se fragmentizimi problematikave si KLD apo reformimi sistemit të drejtësisë mbeten për momentin sfidat me të cilat nuk është e lehtë të ndeshesh. Shumica e analistëve politikë mendojnë se situata në Shqipëri, kërkon imediatisht njerëz të kualifikuar dhe pasionantë në politikë, dhe të tillë ka sot.Ka mbi dy dekada që Shqipëria dhe klasa e saj politike ka treguar se nuk di të bëjë shtet, dhe se moda dhe parade e “sukseseve” ka rezultuar e dështuar. Më shumë se çfardo tjetër, shqiptarëve u intereson se çfarë do të rendisë kjo qeveri pas 1460 ditëve, kur mbaron edhe mandati i fituar nga vota e 23 qershorit. Çdo 4 vjet, me shqiptarët bëhen eksperimente, jepen premtime, dhe çdo qeveri betohet për “300 ditët e para”. Por realiteti 300 apo 900 ditëve është i mbushur me ngjarje të cilat shpesh shqiptarët drithërohen kur i kujtojnë. Të kesh rezultate në qeverisje nuk do të thotë të largosh patjetër çdo vartës të gjetur në zyrat e shtetit dhe të emërosh militantë, numërues votash. Në 2 vitet e para të kësaj qeverie, veç bilanceve pozitive që përmendi Rama dhe ministrat, janë edhe ato që kanë hidhëruar qindra e mijëra familje shqiptare. Janë të larguarit nga puna, janë të rrënuarit e biznesit të vogël që u përballën me rritjen 15 per qind të taksave, apo ata që nuk po shohin mbajtjen e premtimeve elektorale si heqja e TVSh nga faturat e energjisë, shëndetsia falas, ulja e çmimeve etj. Shqipëria dhe shqiptarët nuk kanë kohë për të humbur, nuk meritojnë më eksperimente, nuk duan më premtime , ata duan angazhim, transparencë, dhe rezultate të prekshme pozitive për jetën e tyre. Shqiptarët nuk duan më justifikime , nuk duan më fjalime dhe përbetime, ata meritojnë më shumë, meritojnë një klasë politike të moderuar dhe jo të llastuar. Vetëdija e shqiptarëve sot është ajo e çdo qytetari tjetër të Europës, emancipimi i tyre është sot garancia për të mos lejuar askënd të qëndrojë gjatë në pushtet në rast se nuk e meriton . Pyetësorët tregojnë se shqiptarët nuk u kënaqën as me 300 ditët e para, as me vitin e pare e më tutje dhe besojnë se edhe pas 1460 ditëve ( deri në fund të mandatit) zor se do të jenë të kënaqur me recitimet e çdo ministri të këtij kabineti qeveritar, që padyshim sërish do të dëgjojmë të rendisë arritje, arritje dhe vetëm, arritje. A thua vallë se për “arritjet dhe sukseset” e qeverisë ka nevojë i papuni, ai që nuk ka bukën e gojës, ai që ka mbetur mes katër rrugëve pasi është larguar nga detyra, ai që jeton mes çadrave të plastmasit, apo ai që çdo ditë mbush fletoret e dyqaneve me ushqime me listë ?