
Dr. Dorian Koçi/
Një Nobel për apokalipsin, por edhe për besimin se arti është forca e fundit që mund të shpëtojë njeriun.
Letërsia e Krasznahorkait është si një pasqyrë e përthyer e botës moderne — ku absurdi, frika dhe shpresa bashkëjetojnë në një harmoni të sëmurë. Ai shkruan sikur bota të ishte në rënie të përhershme, por brenda këtij apokalipsi të heshtur ai kërkon ende një dritë shpëtimi: artin, mendimin, fjalën e lirë.
Në epokën tonë të fragmentuar dhe të zhurmshme, fjalitë e tij të pafundme janë një akt rebelimi kundër shpejtësisë dhe sipërfaqshmërisë. Ai na kujton se kuptimi i jetës nuk gjendet në lajmet e ditës, por në rrjedhën e pandërprerë të ndërgjegjes njerëzore që përpiqet të kuptojë vetveten përballë kaosit.
Në një botë që e përtyp çdo ide në 15 sekonda, Krasznahorkai na detyron të ndalemi, të mendojmë, të përballemi me ankthin, me humbjen, me bukurinë e errët të ekzistencës.