![](https://gazetadielli.com/wp-content/uploads/2024/06/448398747_872462291588961_34061667277273460_n.jpg)
Përkthyer nga AP, Rafael Floqi/
Propozimi i fundit për një armëpushim në Gaza ka mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe pjesës më të madhe të komunitetit ndërkombëtar, por Hamasi nuk e ka përqafuar plotësisht atë dhe, siç duket, as Izraeli.
Hamasi këtë javë pranoi përmbledhjen e gjerë të parimve, por kërkoi “amendamente”. Kryeministri Benjamin Netanyahu ka kundërshtuar publikisht aspekte të planit, duke ngritur pikëpyetje në lidhje me angazhimin e Izraelit ndaj asaj që SHBA thotë se është një propozim izraelit.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, i cili është në vizitën e tij të tetë në rajon që nga sulmi i Hamasit më 7 tetor që shkaktoi luftën, u tha gazetarëve në Katar të mërkurën se negociatat do të vazhdojnë.
Por ai tha se Hamasi kishte kërkuar ndryshime “të shumta”, duke shtuar se “disa nga ndryshimet janë të zbatueshme; disa nuk janë.”
Blinken nuk pranoi të shtjellonte, por deklaratat e fundit nga zyrtarët izraelitë dhe të Hamasit sugjerojnë se ata mbeten të ndarë për shumë nga të njëjtat çështje që ndërmjetësit janë përpjekur të kapërcejnë për muaj të tërë.
Për t’i dhënë fund luftës
Hamasi ka këmbëngulur se nuk do të lirojë pengjet e mbetura nëse nuk ka një armëpushim të përhershëm dhe një tërheqje të plotë të forcave izraelite nga Gaza. Kur Presidenti Joe Biden njoftoi propozimin e fundit muajin e kaluar, ai tha se ai përfshinte të dyja.
Por Netanyahu thotë se Izraeli është ende i përkushtuar për të shkatërruar aftësitë ushtarake dhe qeverisëse të Hamasit dhe për të siguruar që nuk mund të kryejë më kurrë një sulm të stilit të 7 tetorit. Një tërheqje e plotë e forcave izraelite nga Gaza, ku lidershipi i lartë i Hamasit dhe pjesa më e madhe e forcave të tij janë ende të paprekura, pothuajse me siguri do ta linte grupin nën kontrollin e territorit dhe në gjendje të riarmatosej.
Kjo është pjesërisht sepse Izraeli nuk ka paraqitur ende një plan për qeverisjen e pasluftës së Gazës dhe ka refuzuar një propozim të SHBA-së që ka mbështetje të gjerë rajonale, sepse do të kërkonte përparim të madh drejt krijimit të një shteti palestinez.
Zëdhënësi i Hamasit, Jihad Taha, tha për një gazetë libaneze të mërkurën se “ndryshimet” e kërkuara nga grupi synojnë të garantojnë një armëpushim të përhershëm dhe një tërheqje të plotë izraelite.
Hamasi po kërkon gjithashtu lirimin e qindra palestinezëve të burgosur nga Izraeli, duke përfshirë liderë politikë dhe militantë të lartë të dënuar për orkestrimin e sulmeve vdekjeprurëse ndaj civilëve izraelitë. Por është e paqartë nëse palët kanë rënë dakord për një listë se kush do të lirohet, apo nëse ata do të lirohen në Gaza, në Bregun Perëndimor apo do të dërgohen në mërgim.
Si arrihet në fazën e dytë të planit
Plani i armëpushimit kërkon një fazë fillestare gjashtë-javore në të cilën Hamasi do të lironte disa pengje – duke përfshirë gra, të moshuar dhe të plagosur – në këmbim të një tërheqjeje izraelite nga zonat e populluara. Civilët palestinezë do të mund të kthehen në shtëpitë e tyre dhe ndihma humanitare do të rritet.
Si armëpushimi i përkohshëm do të bëhej i përhershëm
Të dy palët supozohet të përdorin atë periudhë gjashtë javore për të negociuar një marrëveshje për fazën e dytë, e cila tha Biden do të përfshijë lirimin e të gjithë pengjeve të mbetura të gjallë, duke përfshirë ushtarët meshkuj, dhe tërheqjen e plotë të Izraelit nga Gaza. Armëpushimi i përkohshëm do të bëhej i përhershëm.
Por vetëm nëse të dyja palët bien dakord për detajet.
Hamasi duket i shqetësuar se Izraeli do të rifillojë luftën sapo të kthehen pengjet e tij më të cenueshme. Dhe edhe nëse nuk e bën, Izraeli mund të bëjë kërkesa në atë fazë të negociatave që nuk ishin pjesë e marrëveshjes fillestare dhe janë të papranueshme për Hamasin – dhe më pas të rifillojë luftën kur Hamasi t’i refuzojë ato.
Ambasadori i Izraelit në OKB, Gilad Erdan, tha se Izraeli do të kërkojë në këto negociata që Hamasi të hiqet nga pushteti. “Ne nuk mund të pajtohemi që Hamasi të vazhdojë të jetë sundimtar i Gazës, sepse atëherë Gaza do të vazhdojë të përbëjë një kërcënim për Izraelin,” tha Erdan për CNN të hënën “The Source”.
Izraeli gjithashtu duket i kujdesshëm ndaj dispozitës së planit që armëpushimi fillestar të zgjatet për sa kohë që negociatat vazhdojnë për fazën e dytë. Erdan tha se kjo do të lejonte Hamasin të “vazhdonte me negociata të pafundme dhe të pakuptimta”.
Zgjidhja e mosbesimit mes armiqve të vjetër
Ka çështje të tjera që mund të zbërthejnë përpjekjet për armëpushim, duke filluar me mungesën e plotë të besimit midis Izraelit dhe Hamasit, të cilët kanë zhvilluar pesë luftëra dhe janë të përkushtuara për shkatërrimin e njëri-tjetrit.
Pastaj janë presionet e forta dhe të kundërta ndaj Netanyahut, të cilat mund të shpjegojnë sinjalet e tij të përziera në lidhje me propozimin.
Mijëra izraelitë, duke përfshirë familjet e pengjeve, kanë protestuar muajt e fundit për të kërkuar që qeveria t’i kthejë robërit në shtëpi, edhe në kurriz të një marrëveshjeje të gabuar me Hamasin.
Por partnerët e ekstremit të djathtë në koalicionin gjithnjë e më të ngushtë të Netanyahut kanë hedhur poshtë planin e mbështetur nga SHBA dhe kanë kërcënuar se do të rrëzojnë qeverinë e tij nëse ai i jep fund luftës pa shkatërruar Hamasin.
Ata duan të ripushtojnë Gazën, të inkurajojnë “emigrimin vullnetar” të palestinezëve nga territori dhe të rindërtojnë vendbanimet hebraike atje. Aleatët ultranacionalistë të Netanyahut kanë më shumë ndikim mbi të se në çdo kohë që nga fillimi i luftës pasi Benny Gantz, një kundërshtar politik centrist, dha dorëheqjen të dielën nga kabineti i luftës i Izraelit.
Është e vështirë të imagjinohet që Izraeli apo Hamasi të heqin dorë tërësisht nga bisedimet. Për Izraelin, kjo ka të ngjarë të nënkuptojë braktisjen e shumë pengjeve që ende mbahen në Gaza. Për Hamasin, kjo do të zgjaste vuajtjet e palestinezëve në Gaza dhe do t’i jepte Izraelit më shumë kohë për të asgjësuar militantët.
Negociatat nuk do të vazhdojnë pafundësisht
Por Blinken la të kuptohet se negociatat nuk do të vazhdojnë pafundësisht.
“Në një moment në një negociatë, dhe kjo ka shkuar përpara dhe me radhë për një kohë të gjatë, ju arrini në një pikë ku nëse njëra palë vazhdon të ndryshojë kërkesat e saj, duke përfshirë bërjen e kërkesave dhe këmbënguljen për ndryshime për gjërat që ajo tashmë ka pranuar, ju duhet të pyesni nëse ata po ecin me mirëbesim apo jo.”