Nga Frank Shkreli/
Zyra për Informim e Universitetit Shtetëror të Tetovës (USHT) njoftoi se fund javën e kaluar më 21 nëntor, në njërën prej hapësirava të këtij universiteti u promovua versioni shqip i librit, “Çlirimi i Kosovës –Diplomacia këmbëngulëse dhe ndërhyrja e SHBA-ve”, e autorit amerikan David L. Phillips, përkthyer në gjuhën shqipe nga Mr.sc. Gjyla Çeliku. Njoftohet se në promovimin e librit mori pjesë edhe Profesori Phillips, Drejtor i Programit për Paqë dhe të Drejta të Njeriut në universitetin e njohur amerikan Columbia të New York-ut si dhe një numër personalitetesh vendase të botës politike dhe akademike, përfshirë profesorë dhe studentë të universitetit.Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Vullnet Ameti paraqiti autorin David Phillips , “si një mik, koleg dhe intelektual me përmasa globale”, librin e të cilit përkthyer në gjuhën shqipe e përurojmë tha ai, me krenari, “Në ambientet tona, tashmë të shëndërruara në arenë të avancimit të vlerave të mirëfillta shkencore, kulturore dhe kombëtare.” Rektori i USHT, Prof. Ameti, duke folur për jetën dhe veprimtarinë e autorit David Phillips, tha se ndonëse ai është amerikan, ai njëkohsisht, “është një shqiptar që ia kalon cdo shqiptari”, pasi për më shumë se dy dekada të jetës së tij, David Phillips ia ka kushtuar çështjes shqiptare, i cili me shkrimet e tija ka sensibilizuar opinionin amerikan dhe atë botëror, mbi padrejtësitë historike dhe shoqërore si dhe për shtypjet e pa para politike dhe ideologjike kundër shqiptarëve. Sipas njoftimit të zyrës së informimit të USHT, me këtë rast folën edhe personalitete të tjera të botës akdemike dhe politike, përfshirë recensentin e vëllimit, Prof. Dr. Fehari Ramadani i cili theksoi se libri, “Çlirimi i Kosovës -diplomacia këmbëngulëse dhe intervenimi i SHBA-ve”, i autorit David L Phillips, e përkthyer në gjuhën shqipe me një mjeshtri të madhe nga Mr.sc. Gjyla Çeliku, përmban të dhëna mjaft interesante dhe sjell dëshmi të rëndësishme për vorbullën e luftërave që çuan në shpërbërjen përfundimtare të Jugosllavisë.” Në këtë libër, vazhdoi ai, “ne gjejmë shumë informacione dhe tema me interes, të cilat vazhdojnë të mbeten aktuale edhe në ditët e sotme”. Autori, sipas Prof. Dr. Fehari Ramadani, është treguar shumë i kujdesshëm në paraqitjen e ngjarjeve dhe të fakteve. Për më tepër, shtoi ai, ky libër bazohet në përvojën personale të autorit, i cili ka punuar për çështjen shqiptare për më shumë se njëzet vjet”, u shpreh Prof. Dr. Fehari Ramadani.
Në këtë promovim, njofton Zyra e Informimit e USHT, ishte i pranishëm edhe ish ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Maqedoni, Arben Çejku, i cili duke folur për veprimtarinë e David Phillips, u shpreh se për kontributin e tij që ka dhënë gjatë gjithë jetës për çështjen shqiptare, David L. Phillips “meriton të jetë ambasador i popullit shqiptar në SHBA”. Ai e cilësoi David L. Phillips, si një njeri i cili “nuk i le të zënë pluhur dosjet e çështjeve dhe të problemeve shqiptare”, theksoi ndër të tjera, ish ambasadori i Shqipërisë në Republikën e Maqedonisë, z. Arben Çejku.
Ndërsa përkthyesja e këtij vëllimi në gjuhën shqipe, Mr.Sc., Gjyla Çeliku tha gjatë promovimit se libri, i autorit David Phillips, “Çlirimi i Kosovës – Diplomacia këmbëngulëse dhe intervenimi i SHBA-ve”, pasqyron në hollësi rolin e diplomacisë amerikane karshi zhvillimeve dhe ngjarjeve në Kosovë. Të gjitha këto të dhëna të përfshira në libër, nënvijoi ajo, “dëshmojnë se autori ka qenë një nga aktorët kryesorë që ka realizuar një agjendë intensive me autoritetet politike të kohës, si në rajon ashtu edhe në arenën ndërkombëtare”, tha përkthyesja e këtij libri, Mr.Sc. Gjyla Çeliku.
Ndërkaq, David L.Phillips më dërgoi kumtesën që kishte mbajtur me rastin e promovimit të versionit shqip të librit të tij mbi Kosovën në USHT. Në fjalën e tij, profesori Phillips u ka thënë të pranishmëve tha se librin, “Çlirimi i Kosovës”, ai ia kishte dedikuar ish-ambasadorit amerikan, të ndjerit Richard Holdbrooke. Sipas David Phillips, roli i ambasadorit Holbrooke ka qenë aq i madh dhe aq vendimtar sa që pa ndihmën e tij, tha Phillips, Kosova nuk do ta arrinte kurrë pavarësinë e saj. Andaj, tha ai, vdekja e Riçard Holbrooke ishte një humbje e madhe për të gjithë botën dhe se librin “Çlirimi i Kosovës” ia kishte dedikuar ish-Ambasadorit Holbrooke për kontributin e tij ndaj lirisë dhe pavarësisë që gëzon sot Kosova. “Holbrooke ishte i dedikuar për të mbrojtur viktimat e konflikteve me dhunë”, shtoi Phillips.
Libri “Çlirimi i Kosovës” është mbi të gjitha një histori e diplomacisë, pohoi autori, në të cilin pasqyrohen aktet terroriste të regjimit brutal të Millosheviçit, ndërhyrja e NATO-s më 1999, pavarësia e Kosovës dhe roli që kanë luajtur për Çlirimin e Kosovës, dyzina zyrtarë amerikanë dhe ndërkombëtarë, përfshirë edhe kontributin e komunitetit shqiptaro-amerikanë gjatë asaj periudhe. Autori Phillips u tha të pranishmëve në Universitetin Shtetëror të Tetovës se përsa i përket atij, ai “Është shumë krenar që Shtetet e Bashkuara hynë në luftë kundër Serbisë për të mbrojtur Kosovarët. Ndërhyrja e NATO-s e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara ishte një moment i madhërishëm si për Amerikën ashtu edhe për Kosovën”, nënvijoi ai. Phillips foli në universitetin e Tetovës edhe për rolin obskurantist të Rusisë në lidhje me situatën në Kosovë atëherë, ashtu siç po luan edhe sot të njëjtin rol obskurantist në Siri në mbrojtje të regjimit kriminal të Bashar Al Assad-it. Phillips tha se, në fushën diplomatike dhe ushtarake, Kosova na ka dhënë mësime me rëndësi se si fitohet paqa dhe foli mbi gjëndjen e tanishme dhe mbi sfidat me të cilat po përballet Kosova. Ai tha se, “Mungesat dhe dështimet e politikanëve të sotëm të Kosovës “Nuk duhet të përdoren nga disa qarqe kundër pavarësisë së Kosovës dhe as për të penguar Kosovën që të zëjë vendin që i takon në familjen e kombeve.”
“Megjithëse Kosova është një demokraci e re”, tha ai, “kjo nuk është arsye për të përdorur gazin lotësjellëssi protestë me qëllim që të pengohet mbledhja e Kuvendit të Kosovës. Në një demokraci, politikanët i zgjidhin ndryshimet midis tyre nepërmjet negociatave e dialogut dhe jo me dhunë”, u shpreh autori i librit, Çlirimi i Kosovës dhe njohës i mirë i problemeve të Kosovës. Gjatë fjalës së tij në Universitetin Shtetëror të Tetovës, David Phillips sikur fajësoi udhëheqsit e tanishëm të Kosovës, pozitë dhe opozitë, për problemet e atij vendi ndërsa u shpreh se “Kosova ka nevojë për udhëheqës të ri…të cilët janë të pastër, të pa korruptuar dhe të cilët i kushtohen shërbimit publik dhe atij kombëtar”. Ai u shpreh se dialogu midis Kosovës dhe Serbisë është i rëndësishëm, por theksoi ndërkaq se marrveshja e prillit ishte një marrveshje e keqe për Kosovën prej të cilës ajo nuk përfitoi asgjë, madje as liberalizimin e vizave, tha David Phillips. Phillips tha se qëllimi i Millosheviqit ka qenë gjithmonë ndarja e Kosovës dhe ndarja e Kosovës në baza etnike mbetet gjithnjë objektivi i Serbisë. Prandaj, shtoi ai, është e rëndësishme që Kosova e tërë dhe e lirë të integrohet sa më pare në institucionet euro-atlantike dhe të bëhet anëtare Kombeve të Bashkuara.
Ai tha gjithashtu se është shqetsues fakti se shumë të rinjë e të reja po largohen nga Kosova dhe u shpreh se shfaqja e islamit radikal në radhë të shqiptarëve është tepër shqtesuese. Llogaritet, shtoi ai, se 1200 shqiptarë nga Kosova, Maqedonia dhe Shqipëria i janë bashkuar Shtetit Islamik në Siri. Rinia shqiptare ndihet e dëshpëruar dhe e pa përspektivë, tha Phillips. Ai u bëri thirrje Shteteve të Bashkuara të bëjnë më shumë për të përforcuar partneritetin me Kosovën dhe njëkohsisht t’i dërgojnë një mesazh popullit të Kosovës se Shtetet e Bashkuara janë pranë tij. Afrimi i shqiptarëve me Perendimin është mënyra më e mirë për të kundërshtuar ekstremizmin e dhunshëm, tha David Phillips, gjatë promovimit të versionit shqip të librit të tij , “Çlirimi i Kosovës.
Më në fund, autori i librit “Çlirimi i Kosovës” tha në Tetovë se sfida e ardhëshme për shqiptarët është krijimi i asaj që ai quajti, “një fqinjësi (neighborhood) më të afërt të shqiptarëve anë e mbanë Ballkanit Perëndimor”, duke shtuar se nuk po fliste për “Shqipërinë e Madhe”, por për një serë aktivitetesh, përfshirë ato tregtare, arsimore dhe ambientale, të cilat do të përbënin një solidarizim interesash të përbashkëta, theksoi David Phillips.“Është krejtë normale”, shtoi ai, “që Shqiptarët të krijojnë një komunitet të vërtetë mbarëkombëtar në Ballkanin Perëndimor.” Duke përmendur përsëri emrin e Richard Holbrooke si historian dhe diplomat, të cilit ia dedikoi librin, “Çlirimi i Kosovës”, David Phillips, u tha të pranishëmve në Universitetin Shtetëror të Tetovës se, rasti i Kosovës nuk është as hera e parë as e fundit që Shtetet e Bashkuara futen në luftë për të ndaluar gjenocidin kundër njerëzimit. Ai u shpreh se shpreson që diplomatët e ardhëshëm amerikanë të mësojnë nga përvoja e Kosovës, një përvojë, hollësitë e së cilës janë të dokumentuara në librin, “Çlirimi i Kosovës – Diplomacia këmbëngulëse dhe intervenimi i SHBA-ve” — tashti edhe në shqip – dhe promovimi i së cilës u bë fund javën e kaluar në Universitetin Shtetëror të Tetovës.