NGA ALMA LIÇO/
E vendosur në dalje të fshatit, në pamjen e parë, ajo dukej një kodrinë si gjithë të tjerat. Ishte qershor, dhe bari i blertë e mbulonte atë anë e kënd. Njëtrajtshmërinë e atij gjelbërimi mahnitës, e ndërprisnin aty këtu pllaka të gurta që dalloheshin prej së largu. Në pjesën fundore të asaj kodrine ishin vendosur varresat e fshatit. Në mënyrë të pashmangshme, ata gurë të heshtur i jepnin asaj mrekullie një pamje të trishtë. Kudo mbretëronte qetësia. Asnjë blegërimë deleje, asnjë e lehur qeni apo thirrje entuziaste e ndonjë fëmije. Heshtje drithëruese që pasonte lamtumirat që mbeteshin përjetësisht aty. Jetë të ndërprera në mënyrë të natyrshme apo mizore, ashtu siç ajo përpiqet të rrjedhë me misteret dhe surprizat e paparashikueshme të saj.
Por ajo ditë ishte e pazakontë për atë vend ndarjeje pa rikthim. Ai që po përcillej për në banesën e fundit ishte një fëmijë vetëm njëmbëdhjetë vjeç. Trupi i pajetë prehej në një arkivol të vogël, me ngjyrë të bardhë, i cili kishte mbërritur atë mëngjes në aeroportin e Rinasit, nga shumë larg. Fati e solli të isha prezente në atë kortezh të përvajshëm dhe tragjik. Teksa shihja qindra persona të trishtuar, mendoja se të gjitha përjetimet që shënojnë rrugët e jetës, kanë gjuhët e tyre. Por dhimbja e humbjes së një fëmije, flet kurdoherë me gjuhën e lotëve. Ato bulëza të kristalta rrëshqasin mbi fytyra të drobitura e tkurrura nga dëshpërimi, apo tentojnë të gëlltiten mes gulçimave që gati mbyten në pellgun e tyre.
Në mes të qindra të afërmve dhe banorëve të atij fshati, tërhiqnin vëmendjen dy prindërit e djaloshit të pajetë. Ata qëndronin të ngrirë e kërrusur mbi atë arkivol. Ishin zhytur e ngecur në një botë të akullt, e cila kishte paralizuar çdo qelizë të tyre. Çfarë kishte ndodhur vallë? Në ç’mënyrë ishte ndërprerë jeta e atij fëmije të pafat???
Teksa i shihja të shkatërruar nga dhimbja, mundohesha të kuptoja sa ndikonte ndërgjegjia e vrarë në përjetimin cfilitës të asaj gjëme. Në një farë mënyre, ai fëmijë ishte braktisur prej tyre. Varfëria dhe pasiguria e së nesërmes i kishte orientuar ata prindër drejt atij veprimi ekstremisht të dhimbshëm. Fenomeni që largonte të miturit nga gjiri i familjes, po përhapej si nje epidemi çfarosëse. Në kërkim të një jete më të denjë, një arsimimi dhe të ardhmeje më të sigurt, qindra prindër endeshin rrugëve të Europës, në kërkim të Qendrave sociale të përkujdesjes për fëmijë, duke i braktisur ata pranë mureve rrethuese të tyre.
Kësisoj, pas një udhëtimi të gjatë, ai baba i dëshpëruar, në pamundësi për të ushqyer katër fëmijë, e kishte braktisur atë, të vetëm, si një zog të trembur, në portën hyrëse të një Qendre të tillë. Vogëlushi ishte fëmija i parë i familjes. Në “mënyrë të suksesshme” të njejtin rrugëtim kishin ndjekur qindra bashkëqytetarë. E pse të mos e provonte dhe ai? A nuk ia kishin përplasur derën në fytyrë institucionet shëndetësore, kur kishte kërkuar ndihmë ekonomike për bashkëshorten e sëmurë dhe në pamundësi për të punuar?
Sakaq, strukturat sociale të këtyre Qendrave, i merrnim ata vogëlushë të vetmuar menjëherë në mbrojte, duke iu siguruar atyre çdo nevojë imediate të jetës. Të gjorin fëmijë, prindërit e kishin detyruar të thoshte e përsëriste pothuajse përmendësh, se teksa endej në atë qytet në kërkim të një miku të familjes, pakuptuar ishte shkëputur nga sytë e të atit. Si të thuash, kishte humbur. Në prani të një përkthyesesje, më pas, kishte vijuar të identifikonte veten dhe të afërmit me emra të sajuar. Pesha e gënjeshtrave i rëndonte në qepalla, pa guxuar të shihte askënd në sy. Kësisoj, mundësia e kontaktimit të familjeve dhe e rikthimit të atij vogëlushi në gjirin e saj, ishte pothuajse e pamundur.
E përfytyroja atë të mitur, të ndrojtur e të ndrydhur nën peshën e braktisjes e të gënjeshtrës, të frikësuar nën trysninë e së panjohurës, të rrethuar nga të huaj, të cilët me gjithë përkujdesjen, mbeteshin persona të panjohur për të. Për më tepër, nuk njihnin aspak gjuhën e tij.
Vallë, si kishin arritur ta detyronin atë fëmijë, se duhej të pranonte të rritej larg dashurisë dhe vëmendjes së prindërve? Një kompromis i dhimbshëm për vogëlushin. As që e kuptonte. Thjesht e kishin mësuar se duhej t’u bindej atyre. Fundja, ishin ata që vendosnin për të ardhmen e tij. Ai ishte vetëm një fëmijë dhe nuk mund ta dinte apo perceptonte çfarë ishte e mirë apo e keqe për të.
Ndërsa mendoja me zemër të vrarë për atë braktisje me përmasa tragjike, papritmas m’u kujtua një ngjarje të cilën e kisha lexuar diku. Protagonisti ishte gjithashtu një djalosh, i cili kishte patur fatin që një herë të vetme në jetën e tij, të përjetonte dashurinë dhe vëmendjen e të atit. Në të vertet , ajo kishte qenë një ditë e keqe për vogëlushin, pasi në përpjekje për t’u ngjitur në një peme, ishte rrëzuar e kishte thyer keqas këmbën. Aq shumë e kishte shijuar përkushtimin e të atit, sa pas kësaj ngjarjeje, fëmija i gjorë lutej me gjithë shpirt të thyente sërish ndonjë gjymtyrë…..Ehhhh…..Nuk e di pse më erdhi në mendje kjo histori….ndoshta për peshën e dashurisë prindërore të shqyer e copëzuar.
Për hir të së vërtetës, nuk kisha asnjë mëdyshje se djaloshi i pafat kishte jetuar gjithë përkujdesjen e nevojshme në atë Qendër, me përjashtim të asaj hyjnores, të pazëvëndësueshmes, asaj ngazëllyeses, dashurisë së familjes. Nuk mund ta dija sa herë ai vogëlush kishte ëndërruar ta zinte gjumi pranë së ëmës, teksa ajo i përkëdhelte flokët. Nuk mund të përfytyroja sa herë kishte imagjinuar të rendte në lëndinat e fshatit të tij, i ndjekur hareshëm nga vëllezërit më të vegjël. Nuk mund të mendoja sa herë i kishin munguar mësueset që flisnin gjuhën e tij dhe shokët e shkollës. Por, për fat të keq, ajo që dija ishte se disa muaj pasi kishte mbërritur në atë Qendër, një sëmundje e beftë vdekjeprurëse, e kishte shuar djaloshin fatkeq. I gozhduar në një shtrat spitali, mes aparaturave, ai kishte mbyllur sytë larg familjes dhe personave të tij të dashur.
Nuk kishte qenë aspak e lehtë të gjendej së cilës familje i përkiste vogëlushi. Teksa trupi i pajetë ishte vendosur në morg, proçedura e verifikimit të origjinës, kishte zgjatur rreth tre javë. Njëzet ditë pambarimisht të gjata për të përcaktuar banesën e tij të fundit.
….U shkëputa nga ai refleksion i dhimbshëm, dhe vështrimi im u ndal sërish mbi arkivolin e bardhë dhe dy prindërit e kërrusur mbi të. Sakaq rrezet e diellit ishin pasqyruar në sipërfaqën e tij të shndritshme, duke e ledhatuar lehtas. Ai shkëlqim ngjasonte me një lamtumirë të zbehtë që përpiqej të zbuste trishtimin e humbjes…….Lot….heshtje….dhe…sërish lot….Përmes vajtimit dhe ngashërimave, disa çaste më pas, arkivoli humbi në gropën gllabëruese për t’u prehur përjetësisht në kodrinën e gjelbëruar të fshatit ku kishte lindur. Disa grushta dheu nga toka e shkrifët, dhe gjithçka u duk sikur mbaroi…..
Vallë vërtet mbaroi????
Aspak. Peisazhi i dhimbjes dhe lotëve ishte prezent në fytyrat e te gjithë personave të pranishëm në atë ceremoni mortore. Bilanç rrënqethës. Një fëmijë i braktisur në një vend të panjohur. Një jetë e pajetuar, e shuar në një dhomë anonime spitali. Asnjë i afërm pranë, asnjë fjalë e ngrohtë, asnjë përkëdhelje. Dy prindër të dëshpëruar, plagët e të cilëve nuk do të mbyllen kurrë. Varfëri. Mungesë perspektive dhe shprese. Asnjë përpjekje serioze nga ana e shtetit për të luftuar urinë dhe garantuar minimumin jetik, dhe pasoja…….qindra të dëshpëruar që ndjekin të njejtën rrugë në labirintet e botës….
Deri kur do lejojmë që kjo të ndodhë???