Dr. Musa Ahmeti
Center for Albanian Studies
Budapest/
Me rastin e 562 vjetorit të shkrimit të Forumulës së Pagëzimit
Përkundër faktit se dorëshkrimi i Kodikut Ashb 1167 i Bibliotekës Medicea Laureziana të Firencës është studiuar, konsultuar e lexuar, duke kaluar nëpër duar të shumta të të interesuarve, mikrofilmuar, printuar në letër, apo si fotografi në dimensione të ndryshme; si dhe është skanuar, dorëshkrim i plotë i Kodikut, nuk është botuar asnjëherë në tërësi, deri më sot, përveç se në mënyrë fragmentare. Nga ky Kodik është botuar vetëm një dokument, përkatësisht dokumenti i parë: ku është “Formula e Pagëzimit.” Të 25 dokumentet e tjera, nuk janë botuar asnjëherë as në latinisht e as të përkthyera në shqip. Shqipatri i parë që ka pasur në dorë Dorëshkrimin e Kodikut Ashb 1167, sipas regjistrave zyrtarë nga Biblioteca Medicea Laureziana e Firencës është Át Agustin Ashiku, në vitin 1934, për t’u pasuar nga Át Justin Rrota në vitin 1939. Kopjen e parë të mikrofilmuar dhe të stampuar si fotografi, të tërë kodikut, e ka porositur Namik Resuli në vitin 1954. Kopjen e parë të mikrofilmuar në diapozitiv e ka sjellë në Tiranë Bujar Hoxha më 19 qershor të vitit 1967. Kjo kopje ruhet edhe sot e kësaj dite në Drejtorinë e Përgjithëshme të Arkivave të Shtetit, në Tiranë. Këtë kopje e ka shfrytëzuar për botimim të faksimileve edhe Kristo Frashëri në vitin 2005 dhe Ledi Shamku-Shkreli në vitin 2009. Të dy këta studiues kanë botuar vetëm faksimilet e dokumentit të parë, “Konstitucioneve” ku gjendet edhe Formula e Pagëzimit. Asnjëri nga këta nuk ka botuar transkriptimin në gjuhën latine, ndërkohë që Kristo Frashëri boton përkthimin në gjuhën shqipe të bërë nga Fatjon Balliu. Kopjen e parë të riprodhura në formë dixhitale – (të skanuar), të punuar nga stafi i “Laboratorit të Bibliotekës Laurenciane” të Firencës, e ka porositur autorja e këti libri, (siq mund të vërehet edhe do regjistri i emrave dhe faksimilet e dokumentave zyrtare të Bibliotekës), Etleva Lala, me nr. 467/2003.
Të shkruash për historinë është privilegj dhe përgjegjësi e madhe. Në dorëshkrimin e tij, Lufta e Shkodrës, Marin Barleti thotë që mosbalancimi i fakteve të përshkruara mund të çojë lehtësisht në keqinterpretime nga lexuesit. Kjo frike e mosbalancimit të fakteve ishte një ndër frikërat më të mëdha të Barletit, të atij, që në mesjetën e vonë do të bëhej ndoshta best-selleri më i mirë i kohës së tij. Vepra e tij u përkthye në shumë gjuhë dhe vazhdon të jetë një monument i pazëvendësueshëm edhe sot e kësaj dite.
Hinc enim impietatis crimine damnari verebar, si postulanti patriae, quod iustum honestumque fuerat denegassem, inde temeritatis insimulari si rem tam preclaram adorsus et que longe me doctiorem scriptorem deposcere videretur audaculo quodam impetu aggressus in medio ipso cursu deficerem.
Në këtë paragraf, Barleti thotë që nga njëra anë kishte frikë se mos dënohehej me krimin e indiferencës, nëse do të kishte refuzuar thirrjen e atdheut për të shkruar historinë e tij, dhe nga ana tjetër kishte frikën e drejtë dhe të ndershme që duke nxituar të plotësonte këtë thirrje po merrte përsipër një kauzë kaq të rëndë sa lehtësisht mund të rrëzonte edhe shkrimtar më të ditur e më me përvojë se ai. Ai thotë se kishte frikë që duke bërë një hap tepër të guximshëm, do të dështonte në të njëjtën kohë. E megjithatë ne të gjithë i jemi mirënjohës sot Barletit që e mori guximin dhe shkroi, sepse vepra e tij na ka shërbyer dhe vazhdon të na shërbejë edhe sot e kësaj dite si një dritare e pazëvendësueshme në realitetin e asaj bote.
500 vite pas Barletit, në ditët tona është provuar ajo që shkruante Barleti. Vështirësia e të shkruarit të historisë qëndron jo vetëm në balancimin e ngjarjeve dhe të informacioneve, ashtu siç i mendon historiani, por edhe në faktin se historiani në hulumtimin e tij duhet të përdorë nga njëra anë vëzhgimin e drejtpërdrejtë të objektit, dhe nga ana tjetër duhet të jetë në gjendje të kuptojë dhe të deshifrojë edhe filtrat e atyre që e kanë krijuar dhe përdorur objektin, gjë që automatikisht e bën atë vëzhgues të rendit të dytë.
Nikola Jorga është i pari që bëri të njohur ekzistencën e Kodikut të Ashburnhamit me numër 1167. Edhe pse ky zbulim ndodhi para më shumë se 100 vjetësh, ai akoma nuk është botuar i plotë deri më sot. “Formula e Pagëzimit” që gjendet në të, është monumenti më i rëndësishëm i gjuhës dhe kulturës shqipe, duke qenë se përmban fjalët e para të shkruara në shqip, e megjithatë, kodiku i plotë nuk është botuar akoma as sot e kësaj dite.
Sigurisht që ka shumë studime të bëra enkas për formulën e pagëzimit. Studiues të fushave të ndryshme, janë përpjekur të hedhin sa më shumë dritë mbi gjuhën shqipe të asaj kohe duke u bazuar në këtë formulë, por studimet për një nga objektet e këtij dorëshkrimi, nuk mund të zëvendësojnë tërësinë e kodikut në fjalë. Botimi i plotë i dorëshkrimit ku gjendet formula është jashtëzakonisht mundëson të kuptuarit e kontekstit dhe të gjithçkaje që ka të bëjë me formulën e pagëzimit.
Në studimin tonë japim dy dimensione të kodikut ku gjendet Formula e Pagëzimit: nga njëra anë të përshkruajmë kodikun si objekt të ardhur nga mesjeta deri në ditët e sotme dhe si i tillë i papërsëritshëm dhe nga ana tjetër jemi përpjekur që përmbajtjen e tij ta bëjmë të lexueshme, të kapshme dhe të afërt për lexuesit. Këtu kemi parasysh jo vetëm lexuesit e specializuar, të cilëve u ofrojmë edhe faksimilet dhe transkriptimin e tekstit latin, por edhe lexuesin e thjeshtë, që dëshiron të dijë se çfarë shkruhej dhe për kë shkruhej në mesjetë në trojet shqiptare. Shpresojmë që përkthimi i tekstit në shqip të ndihmojë të gjithë të interesuarit për të kuptuar sado pak botën e shqiptarëve në mesjetë.
Dimensionet e Kodikut janë 14.2 x 21.8 cm. Trashësia e Kodikut është 1 cm, ndërsa dimensionet e tekstit të shkruar në pergamen janë: 9.2 x 15. cm.
Vula e rrumbullakët e Biblioteca Medicea Laurentiana e Firences [R. BIBLIOTECA MED. LAURE. FIRENZE,) në dorëshkrim është e vendosur gjashtë herë: në fillim të Kodikut, në faqen e parë të letrës para pergamenit, pastaj në pergamen, në f. 1r, 2r, 33r, 37r. Në të djathtë të vulës, poshtë, është shënuar edhe numri 216601 me laps plumbi dhe f. 40v.
Signatura/vendodhja e kodikut është e shënuar në kapakun e jashtëm dy herë dhe tre herë në brendësi. Në brendësi është shënuar në faqen e parë prej letre, pastaj në f. 1r të pergamenit dhe në faqen e parë të letrës në fund, pas mbarimit të pergamenit.
Gjuha e dorëshkrimit është latinishte mesjetare, përveç dy rreshtave në shqip që janë në faqen 4r.
Gjendja e dorëshkrimit është shumë e mirë me përjashtim të faqes 5r-v, e cila është e dëmtuar në fund, djathtas, dhe i është grisur një copë e vogël me dimensione: 8 x 9 mm.
Letra e përdorur në fillim dhe në fund të Kodikur Ashb 1167, nuk ka shenja filigrani.
Edhe pse kaq i famshëm në të gjitha trojet shqiptare, kodiku ku gjendet Formula e Pagëzimit jo vetëm që nuk është botuar kurrë i plotë deri më sot, por as përshkrimi i tij fizik, nuk është bërë me saktësi dhe korrektësi, shenjë kjo neglizhence për objektet e pakta, me vlera shumë të veçanta, që na janë ruajtur nga mesjeta. Edhe sikur të mos kishte fare rëndësi përmbajtja, vetë kodiku si objekt është është i prodhuar në një kohë që nuk kthehet kurrë më dhe si i tillë ka një vlerë të jashtëzakonshme.
Duke qenë se shumë informacione për të si objekt mungojnë, shpesh jo vetëm studiuesit, linguistët, historianët, por lexuesit mendojnë që është fjala për një kodik, që duhet të jetë një libër me përmasa të mëdha, gjë që është zhgënjyese kur vënë re që në fakt ai është një “libërth i vogël,” që ndoshta ishte praktik për t’u mbajtur në xhep apo në ndonjë çantë të vogël udhëtimi. Disa përshkrime përmbajtësore që janë bërë, nuk e zëvendësojnë kurrsesi përshkrimin e objektit fizik, që në fund të fundit, sjell në vëmendjen tonë një artifakt mesjetar, me rëndësinë e vet si i tillë, kështu që si i tillë mbart një vlerë të shtuar.
Kodiku ka kopertina të forta lëkure ngjyrë kafe, të cilat janë nga koha e krijimit të tij, përkatësisht nga fillimi i shekullit të gjashtëmbëdhjetë, dhe jo më vonë se viti 1512. Të dyja kopertinat kanë dekorime floreale. Përveç dekorimeve të tjera, në mes të dy kopertinave, në qendër, është një shqiponjë e vogël dykrenare, e cila vërehet vetëm po të shikohet me kujdes. I pari që e ka vërejtur deri me sot këtë shqiponjë është Lulëzim Lajqi, të cilin e falenderojmë për tërheqjen e vëmendjes në këtë element kaq të rëndësishëm.
Në kurriz të kodikut është shënuar numri 1167 lart dhe poshtë, në një etiketë të kuqe, që është zverdhur nga koha. Kodiku ka 43 fletë (86 faqe). 6 faqe janë letre: tre në fillim (e para është ngjitur në pjesën e brendshme të kapakut të kopertinës) dhe tre në fund (e fundit, e ngjitur gjithashtu në kapakun e kopertinës). 80 faqet e tjera janë në pergamen, nga të cilat 71 faqe janë të mbushura me tekst. Faqet boshe janë 9 nga ato të pergamenit.
Dorëshkrimi ka gjithsej 1562 rreshta tekst. Sipas faqeve numrat e rreshtave duken kështu: një faqe ka 13 rreshta tekst dhe dy faqe të tjera kanë nga 17 rreshta. Me 18 rreshta është vetëm një faqe, ndërkohë që tre faqe kanë nga 19 rreshta. Pesë faqe kanë nga 20 rreshta secila dhe tetë faqe kanë nga 21 rreshta. Me 22 rreshta secila janë tre faqe. Pjesa më e madhe e faqeve, respektivisht 43 faqe kanë nga 23 rreshta secila. Dy faqe kanë 24 rreshta dhe një faqe ka 25 rreshta.
Dorëshkrimi në 69 faqe është shkruar me stilin humanistik-kancelaresk-minuskulë italiane e fillimit të shekullit të gjashtëmbëdhjetë. Një faqe është e shkruar me stilin gotik (f. 20v) dhe në një faqe tjetër është shkruar, po me stilin humanistik (f. 33r, rreshti i fundit), por nga një dorë tjetër e faqeve të tjera. Kjo do të thotë, se në dorëshkrim kanë shkruar tre duar të ndryshme. Për stilin e parë, përkatësisht për 69 faqe, jemi të sigurtë se i ka shkruar Simon Dromasys, ndërsa për dy faqet e tjera, nuk kemi njohuri se kush mund t’i ketë shkruar. Në dorëshkrim ka 53 iniciale/nistore. Nga këto vetëm njëra është e dekoruar te f. 20v, ku është shkrimi i stilit gotik.
Në dorëshkrimin e Kodikut Ashb 1167, janë të përshkruara 26 dokumente si tërësi, fragmente, përmbledhje apo regesta. Studiuesit që janë marrë me Kodikun Ashb 1167 kanë dhënë numra të ndryshëm dokumentesh deri më sot. Disa nga studiuesit që kanë shkruar për këtë çështje janë Namik Resuli, Át Zef Valentini, Kristo Frashëri, Ledi Shamku-Shkreli, Aurel Plasari, Musa Ahmeti, etj. Në kapitullin e përshkrimit përmbajtësor, do flasim me hollësi për studimet e tyre. Po ashtu edhe për përmbajtjen e dokumentave të përshkruara, nuk ka një qëndrim të përbashkët të tyre, sepse studiuesit kanë shënuar tituj apo përmbajtje sipas dëshirës së tyre, duke mos respektuar dokumentet në dorëshkrimin e Kodikut.
Dorëshkrimi i Kodikut Ashb 1167 është përfunduar së shkruari më 14 qershor të 1503, sipas të dhënave që gjejmë në dokumentin njëzet e tre, f. 35v. Po kështu të njejtin shënim e gjejmë edhe në Këshillin e të Dhjetëve me datë 14 qershor 1503 [Item in eodem Consilio Decem, die 14. Junii 1503. similiter].
Ata që kanë shkruar për këtë Kodik, janë përqendruar në dokumentin e parë të tij që fillon me fjalët: Paulus Angelus, miseratione divina, archiepiscopus Durachiensis et Illiricae regionis. Ad perpetuam rei memoriam” (Pal Engjelli, me mëshirë Hyjnore kryeipeshkv i Durrësit dhe i krahinës së Ilirisë. I përjetshëm qoftë kujtimi i tij), që gjendet në faqet 2r-9v.
Përkundër faktit se dorëshkrimi i Kodikut Ashb 1167 i Bibliotekës Medicea Laureziana të Firencës është studiuar, konsultuar e lexuar, duke kaluar nëpër duar të shumta të të interesuarve, mikrofilmuar, printuar në letër, apo si fotografi në dimensione të ndryshme; si dhe është skanuar, dorëshkrim i plotë i Kodikut, nuk është botuar asnjëherë në tërësi, deri më sot, përveç se në mënyrë fragmentare. Nga ky Kodik është botuar vetëm një dokument, përkatësisht dokumenti i parë: ku është “Formula e Pagëzimit.” Të 25 dokumentet e tjera, nuk janë botuar asnjëherë as në latinisht e as të përkthyera në shqip.
Shqipatri i parë që ka pasur në dorë Dorëshkrimin e Kodikut Ashb 1167, sipas regjistrave zyrtarë nga Biblioteca Medicea Laureziana e Firencës është Át Agustin Ashiku, në vitin 1934, për t’u pasuar nga Át Justin Rrota në vitin 1939.
Kopjen e parë të mikrofilmuar dhe të stampuar si fotografi, të tërë kodikut, e ka porositur Namik Resuli në vitin 1954.
Kopjen e parë të mikrofilmuar në diapozitiv e ka sjellë në Tiranë Bujar Hoxha më 19 qershor të vitit 1967. Kjo kopje ruhet edhe sot e kësaj dite në Drejtorinë e Përgjithëshme të Arkivave të Shtetit, në Tiranë. Këtë kopje e ka shfrytëzuar për botimim të faksimileve edhe Kristo Frashëri në vitin 2005 dhe Ledi Shamku-Shkreli në vitin 2009. Të dy këta studiues kanë botuar vetëm faksimilet e dokumentit të parë, “Konstitucioneve” ku gjendet edhe Formula e Pagëzimit. Asnjëri nga këta nuk ka botuar transkriptimin në gjuhën latine, ndërkohë që Kristo Frashëri boton përkthimin në gjuhën shqipe të bërë nga Fatjon Balliu.
Kopjen e parë të riprodhura në formë dixhitale – (të skanuar), të punuar nga stafi i “Laboratorit të Bibliotekës Laurenciane” të Firencës, e ka porositur autorja e këti libri, (siq mund të vërehet edhe do regjistri i emrave dhe faksimilet e dokumentave zyrtare të Bibliotekës), Etleva Lala, me nr. 467/2003.