Poezi humoristike nga Rafael Floqi

Gjyshi dhe nipi dhe Shën Valentini
Në oborr nën hardhinë e vjetër,
ku dielli pi kafe tok me pulat,
nipçja me flokë si antenë Wi-Fi
i flet gjyshit me zë të ndryshuar.
— Gjysh, a e di ç’ është Shën Valentini?
Gjyshi kruan mustaqen si bari i korrikut,
hedh sytë nga mali, pastaj nga dhia,
dhe thotë me qetësi si gjeli majë furrikut:
— More bir, unë e di Shën Gjergjin,
di edhe Shën Kollin, dhe Shën Ndreun
po ky Valentini nga cili katund e kemi?
— Është dita e dashurisë! I tha nipçja
Dërgojmë zemra, lule, çokollata,
bëjmë “story”, “likes” “pëlqime”…
E gjyshi qeshi e tha se në kohën time:
— Ah, dashuria! Pse s’e the qysh në fillim?
Dashurinë e kam pas komshie.
Valentinin jo nuk kam njohur, por atë
me isharet shihja tek arën prashiste .
— Po si e prashit dashurinë, o gjysh?
— Me djersë, e mall zemre mor djalë.
Me bukë të ndarë përgjysmë.
Me një shall të thurur pёr një natë
kur bora si sheqer i zbardhte çatisë.
Nipi tund telefonin:
— Po dhurata, bëje mor gjysh?
Zemra kadifeje, arusha me fjongo?
Gjyshi nga dritarja sheh gjyshen,
që si dirigjente tund tepsinë:
— Dhurata? Ja i çova një herë një torbë miell,
Ajo ma ktheu me byrek gjithë gjalpë.
E kwsaj i thoni ju sot “ emoxhi”.
Ne i thoshim një kohe “e moj xhan”
Nipi qesh:— Po mesazh dashurie i ke dërguar ?
— Kam dërguar, more! E s’kam brenga
I thosha: “Mos harro të mjelësh lopën.”
Në atë fjali fshihej e gjithë kënga.
Nipi ngul këmbë:
— Pra ju s’e festonit Shën Valentinin?
Gjyshi merr frymë thellë me zor,
e tha si të mbillte një lule në kraharor:
— Bir, dashuria s’ka kalendar.
Ajo është si zjarri në behar :
po s’e ushqeve çdo ditë, në oxhak
ftohet që në prill pak nga pak.
Pastaj shtoi me sy që disi tinzar:
Nëse Valentini s’i di këto punë me zarar,
le të vijë një gotë raki me mu të pijë.
T’ja tregoj unë se çdo me thanë dashni
Nipi bën një “selfie” me gjyshin,
e poston me shkrimin:
“#DashuriVintage”.
E gjyshi s’e di se ç’është hashtagu,
po di si nga afër dhe në sy së largu
ta mbajë shtrënguar dorën e gjyshes,
si buka e fundit në sofrën e mëdyshjes.
Dhe në mbrëmje, pa zemra plastike,
pa fjongo e pa drita të mëdha neon,
në shtëpinë e vogël ndizet oxhaku
Dhe Shën Valentini, troket gjithmonë.
Kartolina e Zemrës
Në mëngjesin me erë çokollate,
vajza pesë vjeçe me bishtaleca si presje,
mban në dorë një kartolinë të kuqe
sa një mollë e vogël, e turpshme.
— Mami…mami…
kujt t’ia jap në kopsht
kartolinën për Shën Valentin?
Mami ndal lugën në ajër,
si një aeroplan që kërkon pistë,
dhe qesh: Kujt të dojë zemra, moj bijë.
Vajza ballim vrenjt si filozofe:
— Po zemra ime i do të gjithë…
Edin se më jep lapsin me ngjyra ,
Anën se më ruan vendin në rrëshqitëse,
Arlin që qan kur i marrin lodrën…
dhe edukatoren që ka një zë kënge.
Mami qesh lehtë:
— Atëherë paske zemër të madhe.
Vajza shikon kartolinën e kuqe:
një zemër me ngjitës që s’ngjit mirë,
me shkronja që kërcejnë si bretkosa:
“Gëzuar këtë Shën Valentin!”
— Po nëse ia jap vetëm njërit,
të tjerët a do mërziten? Apo jo?
Mami i rregullon fjongon dhe shton:
— Dashuria s’është karamele qё mbaron.
Ajo sa më shumë ta ndash,
aq më shumë të shtohet.
Vajza mendohet gjatë,
sa një pushim i madh
mes dy vizatimesh.
— Atëherë, mami…
po e pres në katër copa!
E gjeta zgjidhjen
— Po pse në katër? E pyet e ema.
— Se sot do jem në katër banka !
Do t’ua jap pak nga zemra të gjithëve.
Edhe atij që më shtyu dje…
se mbase sot s’ më shtyn prapë.
Mami e përqafon fort,
si të përqafonte
gjithë kopshtin njëherësh.
Dhe vajza del nga shtëpia me vrull heroik,
me kartolinën e prerë pak si shtrembër,
por me zemrën e plotë, e krejt pa frikë.
Dhe në grupin e kopshtit atë ditë
nuk pati vetëm një Shën Valentin,
por shumë copëza letre punëdore
që qeshnin nëpër duar të vogla prore.
Plaku “Ashik” dhe Shën Valentini
Në fund të fshatit, te porta qaramane,
rrinte Plaku Ashik me bastun prej thane,
e mustaqet si dallëndyshe i turfullon,
dhe zemrën si pranverë pa pension.
I thoshin djalë “ashik” qysh në rini,
se u binte syve si të ishin çifteli,
e fjalën e kishte si llokum me arra:
dhe sa qe i ri, u dilte vashave para.
Një ditë shkurti, mes erës e acarit,
e shpoi komshiu që përtej gardhit: ,
—O plak, a s’po e feston Shën Valentinin?
Ai zgjati veshët pёr t’ju përgjigj thumbit.
Plot ironi hoqi kapelën gjithë lezet,
si të përshëndeste një mikun e vet: ,
—Kush asht ky Valentini? Nga ç’fis vjen?
E çfarë e mirë kësaj ane po e bjen?
Është shenjti i dashnisë!—i gjegji komshija.
Plaku qeshi, aq sa iu drodhën thinjat:
— I dashnisë the. Mos ka ardh’ vonë ksaj here
Dhe zgjati kokën nga një penxhere.
E fshiu bastunin si të lustronte kujtime,
E shtoi:Vërtet s’kish Valentina në kohë time
Por kishte dritare që hapeshin mshehtas
dhe një shami që tundej pas perdesh.
— Po tani? e ngacmoi komshiu sërish.
— Tani a s’je më prapë plak ashik.
Plaku ngriti vetullën si mal me vërtik:
Dashuria s’del në pension, i tha mor mik.
Ajo vetëm numrin e syzevet ndryshon.
Ja më prit sa t’i çoj plakës çaj me rigon,
“Mos dil se ftohtë sot po bën” i them,
—Hajde brenda më thotë se bore po bjen
E kaq ashikni duhet për mua plakun
Kaq mjafton për ta ndezur oxhakun.
Nga dritarja u dëgjua zëri i plakës saora :
— O ashik, hajde brenda, se t’u ftoh kafja!
E plaku qeshi si djalosh me tesha të reja.
— E dëgjove? Ky Valentini im, po thotë eja.
Mjafton një zë që të thërret me emër,
edhe pas pesëdhjetë e kusur vjetësh.
Dhe ai hyn brenda avash, i prekur në sedër
si të hynte në buzë të një këngë të vjetër.
Në oborr mbeti vetëm i ftohtë shkurti,
që u skuq pak me frikë nga turpi
se e kuptoi se edhe ai Shën Valentin
nga ai Plaku Ashik mësoi dashurinë
.
Djaloshi që s’e gjente fjalën
Në bankën e fundit në një klasë,
rrinte një djalosh me gjuhë si guaskë,
S’e nxirrte dot atë fjalën e duhur jashtë
dhe sikur t’ia nxirrnin fort me mashë.
Sa herë vinte Shën Valentini, aty pari
fyti i lidhej si të ishte nyje marinari,
duart si dy zogj të trembur, pa hile
dhe fjalët mbesnin si pushime pa zile.
E pa vajzën në korridor dhe ngriu
me flokë që i binin e vareshin si shiu,
dhe zemra i trokiste e kërciste ajo fort
si kur gjëmonte një trokitje një portë.
“Thuaja sot”, i thoshte mendja.
“Thuaja me gojën plot.” shtonte zemra
Po fjala aty e ngecte si hapi në prag,
e zbathur, e turpëruar që nga larg.
Dhe bleu një kartolinë me zemër,
e mbajti tri ditë pa shkruar asnjë emër.
U ngroh, u rrudh, dhe u zhubravit,
dhe prej xhepit s’doli as pёr një vit.
Shokët e tij flisnin gjithë potere ,
e u hidhnin vajzave lule me erë.
hapat maste, e veten mbante me hatër,
një, dy, tre, dhe …prapaktheu katër.
Çdo mbrëmje, shihej para pasqyrës,
bënte prova si ta kishte para fytyrës:
“Të dua i thosh …si aktor pa publik
e domethënë, në fakt…po pse kam frikë!”
Pasqyra i buzëqeshte, si me dredhi
Se vajza s’qe aty. Por ja që dita erdhi,
Shën Valentini si postier në derë trokiti
dhe prapë ai i drojtur, heshti si meiti.
Vetëm i sa i zgjati kartolinën këtë herë
me dorën që i dridhej si fleta në erë.
Pa tinguj, pa zë, pa as edhe një fjalë.
Ajo e mori, e pa dhe e hapi ngadalë.
Brenda s’kishte poezi as ndonjë zemër,
Veç një fjali të shkruar disi shtrembër
as premtime me yje ,e hënë mes resh
Veç shkurt e troç “Më pëlqen kur qesh!”
Ajo buzëqeshi. Dhe djaloshit iu duk
se fjalët i dolën nga xhepi sënduk
e u ulën aty pranë saj, me dashuri.
se Shën Valentini e kish bërë magji
Se kështu ndodh në dashuri shpesh
ndjenja s’ kërkon fjalime përshesh
mjafton një fjali e vogël që dridhet,
por është e vërtetë, se gjuha të lidhet.