Nga Milena Gabanelli dhe Danilo Taino/ Përktheu Eugjen Merlika/Mbas pothuajse tetë muajsh pandemie numërohen dëmet: më shumë se një million të vdekur dhe një rënie ekonomike e përbotëshme. Në gusht World Economic Forum e vlerësonte ndërmjet 8 dhe 15 miliard dollarë, që në fund të vitit bëhen 17,3 simbas Australian National University. Një shifër e paracaktuar të rritet së paku deri sa të dalë vaksina. Shtimi I borxheve publike në Vëndet e përparuara qëndron në rreth 20 % të PPI, me një rritje po aq të rëndësishme në zhytjen në borxhe të qeverive. Ndërkaq në 37 Vendet e OSBE-s papunësia ka kaluar nga 5,3 % në 9,7 %. Në tremujorin e dytë tregëtia globale ka rënë me 18,5 %.
Kina rritet me eksportin e materialeve shëndetësore
Në Kinë gjërat shkojnë më mirë: në fund të vitit PPI do të shënojë 1,9 % më shumë. Para një viti e gjysmë një studim i Brookings Institution , vlerësonte se PPI i saktë ishte 12 % më i ulët se statistikat zyrtare, por të gjinden të dhëna më të besueshme është e pamundur. Eksportimet janë shtuar me 10,4 %, veçanërisht materiale shëndetësore dhe aparatura elektromjekësore, për të cilatbota ka dëshpërimisht nevojë. Me rënien e turizmit kinez në botë në Kinë janë shtuar harxhet e brëndëshme: kinezët blejnë në shtëpinë e tyre ato që më parë i blenin në Japoni dhe n’Evropë, veçanërisht sendet e lluksit. Grupi Kering (Gucci e YSL) ka shitur 40 % më shumë në tremujorin e dytë 2020. People Bank of China ka pakësuar rezervat që duhet të mbajnë bankat dhe ka futur në ekonomi 212 miliard dollarë. Papunësia është 5,6 %, por janë 8,7 milionë studentë të sapo dalë nga universitetet që duhet të gjejnë punë.
Një Vend më i veçuar
Sigurisht Vendi është më i veçuar e quhet më pak i besueshëm. Bota po rishikon marrëdhëniet ekonomike e politike me fuqinë që bart përgjegjësi të mëdha në krizën e përbotëshme nga virusi, e që vazhdon t’a mohojë. Presidenti Xi dhe të gjithë organizmat e Shtetit, të brëndëshme e të jashtëme, prej muajsh pohojnë se sa i jashtzakonshëm e i suksesëshëm ka qënë mbarështimi i Pekinit në vatrën e madhe të infektimit në Wuhan, si dëshmi e epërsisë së shëmbullit të qëndërsuar dhe autoritar kinez në krahasim me atë të demokracive që ende sot e kanë të vështirë të kontrollojnë shtimin e virusit. Ndërsa Kina është praktikisht Covid – free (së paku zyrtarisht). Sigurisht nënvlerësimi i rrezikut nga Brazili, Shtetet e Bashkuara e disa Vende evropiane është për t’u kritikuar por, pa dyshim, një detyrim energjik dhe veprues i lockdown-it, i mundur n’ato kushte vetëm në një Vend me regjim diktatorial, është i papërshtatëshëm në Perëndim, ku është e pamundur të kontrollohet çdo veprim vetiak. Mbrapa këtij tregimi Pekini fsheh së paku dy të vërteta.
Mohimi i përgjegjësive
E para është mungesa e tejpamjes mbi përhapjen e virusit në javët e para të pandemisë në Wuhan dhe mohimi i seriozitetit të gjëndjes, të përfaqësuar nga shtypja e paralajmërimeve të bëra publike nga doktor Li Wenliang: i ndaluar, i qortuar dhe i lënë mënjanë (më pas i vdekur nga shkaku i virusit). E dyta ka të bëjë me “tregjet e njoma” në të cilët shiten e ripen kafshë të gjalla. Këta tregje, të pranishëm në qytetet e mëdha kineze, të zmadhuara pa hesap në dy dhjetëvjeçarët e fundit, e tashmë të paditur për përhapjen e Sars 1 në 2002, duhej të ishin mbyllur. Në të vërtetë autoritetet nuk kanë ndërhyrë kurrë seriozisht. Pra a mund të mbetej kriza e kufizuar gjeografikisht në rajonin e Wuhanit, nëse autoritetet nuk do të ishin ngujuar në një qëndrim mohimi? Ndoshta po, por deri tani Pekini nuk ka pranuar t’i hapë dyert një hulumtimi ndërkombëtar të pavarur mbi origjinën e pandemisë, të kërkuar nga 194 Vende, madje edhe kërcënueshëm. Përgjegjësitë që Pekini vazhdon t’i mohojë me arrogancë kanë një efekt ekonomik e një efekt politik.
Shumëkombëshet: degë ndërmarrjesh të shpërngulura gjetiu
Shumë ndërmarrje, që e kishin bërë Kinën qëndër të zinxhirëve të tyre të furnizimit e të prodhimit, janë duke rishikuar rrezikun e të besuarit të plotë në sistemin kinez dhe janë të prirur të shpërngulin pjesë të industrive të tyre gjetiu. Shumëkombëshmja taivaneze Foxconn, që prodhon smartfona për Apple në Kinë, është duke vlerësuar mundësinë e shpërnguljes së disa prodhimeve në Amerikën e Veriut. Apple, Samsung, Hasbro, Nintendo, GoPro, La – Z – Boy i kanë çvendosur disa degë të ndërmarrjeve, më së shumti në Vietnam, në Taivan, në Meksikë. Nga ana tjetër tregu kinez është shumë i madh për të mbetur jashtë dore: Tesla, Bmw e Honeywell kanë njoftuar hapjen e impianteve të rinj në Kinë. Pasoja politike është që Pekini gjindet sot praktikisht “pa miq”, veçanërisht n’Azi. Ka “klientë” që i mban të lidhur me para e nëpërmjet huave të rrugës së Re të Mëndafshit: Pakistani, Myanmar, Kamboxha. Ka një lidhje të fuqishme me pak të besueshmen Rusi të Vladimir Putin-it. Por sa më pranë gjeografikisht të jetë një Vend ndaj gjigandit aziatik, aq më shumë shkëputet prej tij nga pikëpamja politike. Kundërveprimi i Xi-ut është ai i ashpërsimit të shtypjes së brëndëshme e agresivitetit të jashtëm me shtimin e tensionit në kufijtë me Hindinë dhe shtimin e militarizimit të Detit Kinez të Jugut, me “paralajmërimet” Taivanit dhe me një përdorim të paskrupulltë të diplomacisë.
Udha e Mëndafshit ngadalësohet
Gjëndja në fakt është shqetësuese për Xi Jinping-un: gjithënjë e më shumë qeveri ngurojnë të lidhen mbas Pekinit nëpërmjet projektesh strukturore e huazimi. Simbas shoqërisë së analizave Refinitiv në 2.951 projekte të Belt & Road, deri tani 666 janë kryer, 2.207 janë duke u sendërtuar, 43 janë pezulluar, 29 janë shtyrë e 6 janë fshirë. Investimet kineze jashtë, të shtuara mbas zgjedhjes së Xi-ut në 2013 në krye të Shtetit e të Partisë komuniste, deri në 255 miliardë dollarë më 2017, kanë filluar të ulen dhe në tetor 2020 arrijnë në 28 miliardë. Italia është në një kundërprirje të shkëlqyer dhe po u jep grupeve kineze Weichai e Cosco një pjesë të mirë të portit të Tarantos. Rruga e Re e Mëndafshit, projekti kyç i Xi-ut nëpërmjet të cilit Pekini ka ndërmënd të ndërtojë një rrjet infrastrukturash tokësore e detare që do të mbajnë të lidhur gjithë Eurazinë me qëndrën e Kinës, rrezikon të mbarojë në rërë. Sjelljet e Pekinit në përhapjen e pandemisë shkaktojnë ndruajtje edhe në Vendet që do të kishin nevojë për ndihmën kineze.
Kërkesa për dëmshpërblime
Shumë qeveri (jo vetëm Trump-i) kanë ngritur mundësinë e të kërkuarit të dëmshpërblimeve, por nuk ka institucione ndërkombëtare në fushën shëndetësore, që të mund të ngrihennë rangun e gjykatës në fushën e pandemisë: nuk ka një Gjykatë si ajo e Hagës, nuk ka një trup gjykues të tipit Wto për mosmarrëveshjet tregëtare. Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara, në të cilin Pekini ka të drejtën e vetos, nuk do të lëshojë asnjë dënim kundrejt Kinës. Në çdo rast Pekini ka një histori të mos pranimit të gjykimeve të lëshuara nga gjykata ndërkombëtare për mosmarrëveshjet mes Shteteve: në 2016 Gjykata e Hagës nxori një vendim në dobi të Filipineve në një kundërshti mbi ujrat territoriale, por Kina me qetësi nuk e njohu. Rastet që mund të hapen në gjykata kombëtare kanë më shumë rëndësi politike se sa penale.
Pika e mos kthimit
Çështja e përgjegjësive për katastrofa shëndetësore e e rregullave të përbashkëta në luftën për ndryshimet klimaterike, urdhërojnë si një obiektiv të menjëhershëm krijimin e një institucioni në të cilin të mund të gjykohen praktikat ndërkombëtare, së paku për t’i shtrënguar Vendet të lëvizin me përgjegjësi në belegët që na presin për mbijetesën e gjithë planetit. Ndërkaq çmimi që Kina do të paguajë për krizën e Covid – 19 do të jetë politik dhe ekonomik, nëse shumëkombëshet do të pakësojnë veprimtarinë e tyre në Vend. Janë këto çmimet që ndruan më shumë Xi Jinpin. Nuk është më vetëm Washingtoni që merr distancë nga Pekini: edhe takimi i nivelit të lartë ndërmjet Xi-ut dhe drejtuesve të BE pak javë më parë, që fillimisht do t’i vinte vulën një lidhjeje të thellë, i gjeti evropianët gjithënjë e më të bindur për t’a quajtur Kinën “një rivale strategjike”, me interesa, obiektiva e metoda të ndryshme nga ato të BE. Pandemia ka shënuar një pikë mos kthimi: Evropa, Shtetet e Bashkuara dhe pjesa tjetër e botës gjinden përballë nevojës për të kryer një zerim të marrëdhënieve me Kinën. Tepër e vështirë. Por e pashmangëshme.
“Corriere della Sera”, 4 tetor 2020 Përktheu Eugjen Merlika