Natalja Marolli, Long Island University of Brooklyn, në një bashkëbisedim me gazetarin Sokol Paja, analizon për Diellin e Federatës Mbarëshqiptare të Amerikës VATRA në New York, përjetimet e kategorive të ndryshme shoqërore në këtë kohë pandemie, transformimin e përditshmërisë së njerëzve dhe tronditjen psikologjike që Covid -19 solli në jetën e gjithësecilit prej nesh.
COVID -19 KAPËRCEU TERRITORET GJEOGRAFIKE
Covid -19 tronditi botën teksa kapërceu territoret gjeografike në një kohë rekord dhe u shpall Pandemi nga Organizata Botërore e Shendetësisë në Mars të vitit 2020. Pandemia ishte një koncept i padëgjuar për shumë njerëz dhe për shumë të tjerë një fjalë e harruar. Gripi Spanjoll dukej si një ngjarje e largët edhe pse miliona njerëz humbën jetën gjatë asaj periudhe. Pandemia shpesh përceptohej si diçka që nuk mund të përsëritej në shoqërinë e zhvilluar dhe moderne në të cilën jetojmë. Pavarësisht përceptimeve të gabuara, pandemia u bë pjesë e përditshmërisë sonë duke paralizuar jetën ekonomike, politike dhe sociale të të gjitha vendeve në mbarë botën. Jeta jonë ndryshoi rrënjësisht në një periudhë shumë të shkurtër kohore. Ndërkohë që numri i përsonave të infektuar dhe viktimave rritej në mënyrë marramendëse, paralelisht rriteshin dhe masat shtërnguese nga vende të ndryshme për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të virusit. Sirenat a ambulancave zëvendësuan zhurmat e trafikut monoton të qyteteve. Ekonomia botërore u gjunjëzua para virusit dhe statistikat e njerëzve që humbën punën u rritën frikshëm. Sistemet më të mira shëndetësore në mbarë botën pësuan kolaps dhe vërtetuan se sa të papërgatitur ishim për tu përballuar me këtë pandemi. Distancimi social u bë pjesë e përditshmërisë për të frënuar përhapjen e virusit. Njerëzit filluan të mos takohen, të mos përqafohen, hoqën dorë nga gjera të vogla të përditshmërisë por në të njëjtën kohë shumë domethënëse për ta.
VIRUSI VRAU JETËN SOCIALE
Virusi vrau jetën sociale, shtoi më shumë dyshimet dhe frikërat në jetën tonë të përditshme. Kishat dhe xhamitë mbyllen dyert dhe besimtarët kthyen sytë drejtë qiellit dhe menduan se apokalipsi ishte më afër se sa e kishin menduar. Lutje të thëna nën zë, heshtje dhe deri diku dyshim i ligjëruar për ekzistencën e Zotit që braktisi njerëzimin atëherë kur ata kishin më shumë nevojë për të. Të braktisur nga Zoti njerëzit filluan të ndihen të vetmuar e gjithnjë e më shumë të izoluar. Bashkë me gjithë ndryshimet e reja që ndodhën për t’ju përshtatur jetës së re, filluan të bien dhe këmbanat e para të shëndetit mendor. Ankthi, depresioni dhe stresi postraumatik u rritën në menyrë domethënëse gjatë kësaj periudhe dhe për fat të keq shumë pak vëmendje iu kushtua gjatë pandemisë. Distancimi social, kaq shumë i vlerësuar në këto kohë pandemie, anashkaloi rëndesinë e socializimit të qënies njerëzore dhe impaktin që izolimi social do të kishte në mirëqënien psikologjike të individit. Mungesa e informacionit dhe shpesh herë abuzimi i mediave me lajmet në lidhje me pandeminë gjeneroi më shumë panik tek njerëzit. Frika për humbjen e njerëzve të dashur, frika për shëndetin personal, frika për humbjen e vendit të punës dhe për më teper frika e të ardhmes së pasigurtë shkaktuan dhe vazhdojnë të shkaktojnë ende pasiguri.
KUSH E PËRJETOI DHE PO E PËRJETON MË KEQ PANDEMINË?
Më të rinjtë duket se janë disi më të shqetesuar për të moshuarit dhe shpesh virusi ju duket si diçka inekzistente. Të moshuarit mendojnë se sa keq ju vjen për brezat më të rinj që po kalojnë këto kohë të vështira. Të ngujuar brenda apartamenteve të tyre me sytë nga dritarja shpresojnë të kenë mundësinë të përqafohen sërish me nipërit dhe mbesat.
PO FËMIJET SI PO E PËRJETOJNË KËTË PERIUDHË?
Ata duken pak si më të shpenguar por sërish mund ta kuptosh e s’ke se si të mos e vësh re një trishtim të lehtë në vështrimin e tyre kur shohin këndin bosh të lojërave dhe shokët që mungojnë aty. Pastaj nuk është vetëm loja dhe shokët realë që mungojnë, po në pandemi ata mësuan se si të bëjnë mësim onlinë, duke u ulur ashtu para kompjuterit për orë të tëra dhe duke e zëvendësuar atë botën e tyre të bukur reale me botën e ftohtë virtuale.
BLUZAT E BARDHA, HERONJTË E HESHTUR
Herë pas here mendoj se sa e vështirë duhet të jetë të shohësh njerëz që mposhten, njerëz që dorëzohen dhe nuk ja dalin mbanë e ndërsa çdo ditë sheh pacientët e tu të vdesin, shpirtërisht vdes dhe ti, çdo ditë pak e nga pak bashkë me ta. Mendoj gjithashtu se sa e vështirë duhet të jetë të vendosësh në kushte të vështira se kujt do ti japësh respiratorin e fundit, kujt do ti japësh dorën dhe do ta ndihmosh dhe kujt për fat të keq nuk ja del ta ndihmosh. Mendoj edhe për agoninë në momentet e fundit të jetës së pacientëve. Të mposhtur nga virusi tinezak, rrethuar nga tuba dhe aparatura që ju mundësojnë të marrin frymë, rrethuar nga njerëz të huaj për ta që në mungesë të familjes ju shtrëngojnë duart dhe ju përgjërohen të mos dorëzohen. Për fat të keq vdekja triumfon, pacientët bëhen numra dhe numrat statistikë dhe beteja bëhet gjithmonë e më e vështirë ndërsa ditët kalojnë. Sa vështirë duhet të jetë të duash ti japësh lamtumirën e fundit njeriut të zemrës dhe të mos mundesh dot. E megjithatë jeta vazhdon, duhet të vazhdojë.
TEORI KONSPIRATIVE DHE MENDJE SKEPTIKE
Shpesh dëgjojmë se asgjë nuk do jetë si më parë pas kësaj pandemie. Kjo pandemi na ka ndryshuar, na ka bërë më vulnerable, na ka tjetërsuar. Izolimi social na ka bërë më të vetmuar dhe më dyshues. Njerëzit e kanë humbur besimin tek shkenca, tek humanizmi dhe në gjithë këtë situatë kaotike duket sikur teoritë konspirative japin gjithnjë e më shumë një shpjegim të kënaqshëm për mendjet më skeptike. Aludimet për kontrollin e njerëzimit nga të plotëfuqishmit e botës jehojnë në shtypin e ditës dhe ndërkohë njerëzit bëhen akoma dhe më shumë dyshues dhe irracionalja mposht arsyen. Sa të vërteta janë këto konspiracione? Jane këto konspiracione të frymëzuara nga një grup i caktuar njerëzish apo janë skenare të vërtetë të periudhës që po jetojmë? Dilema ka gjithashtu dhe në lidhje me vaksinimin dhe sigurinë e këtij procesi. Sa mundësi do të kemi të kthehemi sërish në normalitet? A do munden vendet e varfëra të vaksinohen në kohë? Për fat të keq askush nuk di të japë një përgjigje dhe shpresojmë që për herë të parë bota të solidarizohet dhe të kuptojë që për ironi të fatit, të varfër dhe të pasur jemi një dhe se vdekja nuk di të bëjë dallime. Ndërkohë që ende nuk dihet se kur kjo pandemi do përfundojë, duhet që në këto kohë të vështira të mos humbasim kurrsesi shpresën tek shkenca, tek ajo shkencë që udhëhiqet nga etika dhe humanizmi njerëzor. Besimi se do ja dalim duhet të na bashkojë të gjithëve më shumë se kurrë. Kemi kaluar ditë shumë të vështira, mbase do na duhet të kalojmë ditë të tjera dhe më të vështira. E megjithatë ka ende shpresë.
MALL PËR NDJESINË E LIRISË
Shpesh mendoj për ditët e bukura që lamë pas. Kujtimet e ditëve normale duken të largëta në këto ditë pandemie. Kam nostalgji për kohën kur mund të përqafoje nënen, kohën kur mund të kaloje orë të tëra në shoqërine e miqve dhe mund të ecje e shkujdesur rrugëve të qytetit pa patur frikën e distancës fizike. Më ka marrë malli për ndjesinë e lirisë që ndjen kur je në aeroport në pritje të udhëtimit të radhës apo kur rri e pret e përmalluar njerëzit që vijnë dhe të vizitojnë nga larg. Sa mall kam për të qënë sërish e lire, mall për tu rikthyer në normalitet. Ndërsa mendoj këto, kthehem sërish dhe mendoj rutinën e re, tashmë të përditshme. Klasa onlinë, takim me doktorin onlinë, intervista pune onlinë dhe për ta permbyllur ditën me pak argetim një vizitë në muzeum dhe kjo sigurisht onlinë. Të gjithë këto aktivitete ndodhin në tavolinën e punës nëpërmjet kompjuterit, a nuk duket paksa absurde? Megjithë shqetësimet dhe pyetjet që kam në kokë shpeshhere mendoj që sërish ka dritë në fund të tunelit. E në fund të fundit a nuk është e krijuar e tillë qënia njerëzore, të shpresojë edhe atëherë kur nuk ka shpresë? Dëshira për jetën më bën të shpresoj se do ja dalim, do mbijetojmë ashtu siç kemi mbijetuar që nga fillesat e jetës njerëzore. Çdo gjeneratë ka patur sfidat e veta dhe ne do na duhet të përballemi me këtë sfidë. “E gjithë kjo do kalojë” thotë një shprehje e vjetër persiane, çdo gjë është kalimtare dhe ne duhet të mos dorëzohemi. Ne mund të humbasim disa beteja por ne nuk do humbasim kurrsesi luftën.