COVID-19 po rrëmben në heshtje dhe personalitete të njohur.Një sociolog i njohur është shuar nga COVID-19 javën që shkoi.Ai ishte profesori i CITY COLEGE në New York, William Helmreich. Mediat njujorkeze, por dhe ato kombëtare, njoftuan se profesori i njohur vdiq në moshën 74 vjeçare të Shtunën në mëngjes me 29 mars 2020.
William Helmreich, ishte një sociolog i shquar, më i njohur për ecjen në këmbë dhe përshkimin e pothuajse të çdo blloku të New York City.
Helmreich shkroi 20 libra, duke përfshirë “New York Nobody Knows- Walking 6,000 Miles in the City”,”The Brooklyn Nobody Knows”,”The Manhattan Nobody Knows” etj. Ai kronikoi shëtitjet e tij nëpër New York City duke biseduar me banorët dhe duke sjellë informacione interesante dhe histori interesante.
Helmreich ishte i lindur në Zvicër dhe u përkiste të mbijetuarve të Holokaustit. Helmreich emigroi në New York City kur ishte foshnjë. Aty u rrit dhe u edukua derisa u bë profesor i sociologjisë në City College of New York.
Ai është përshkruar si ‘një institucion i vërtetë i Kolegjit të Qytetit’, nga Presidenti i CCNY, Vincent Boudreau.
Profesori Helmreich ishte një institucion i vërtetë i Kolegjit, një njeri me një kuriozitet të veçantë për njerëzit rreth tij, një hetues i pandërprerë dhe një tregimtar i etur, “tha Presidenti i CCNY Vincent Boudreau në një prononcim për CNN.
Helmreich e kishte bërë pjesë të jetës së vet shëtitjen, ecjen në këmbë në çdo bllok të qytetit, duke përshkruar në librat e tij pamje autentike të secilit dhe duke përshkruar jetën e përditshme dhe histori intersante.
“Ai besonte se të gjithë kishin një histori që ia vlente ta tregonte,” tha i biri, Jeffrey Helmreich për babanë e tij. “Çdo vend dhe çdo person ishte interesant për babanë tim. Dhe çdo person ndjehej interesant kur fliste me babanë tim.”
Ai ishte gati të përfundonte një vëllim të ri, një seri rreth pesë bashkive të New York-ut.
“Ai ishte në përfundim të përshkrimit të Staten Island”, tha djali i tij Jeffrey Helmreich.
“Ai ishte aq intensivisht njerëzor sa një studiues. Kishte aq shumë për të mësuar me këmbët e tij, me zemrën e tij, me intuitën e tij….”, tha Jeffrey Helmreich, i cili është profesor Universiteti në Kalifornia.
Pas testimit pozitiv për koronavirus, simptomat e Helmreich u duk se po përmirësoheshin, por ai vdiq papritur të Shtunën në mëngjes.
“Ne nuk ishim aspakgati për këtë ikje. Ne nuk i thamë as lamtumirën. Ne menduam se s’ishte koha për t’i thënë lamtumirë,” tha i biri Jeffrey Helmreich.
Familja e profesorit organizoi një ceremoni virtuale, me pak të ftuar. Ata nuk mundën ta vajtojnë së bashku në shtëpi – siç është tradita hebraike.
Punëtorët e shërbimit funeral me veshje mbrojtëse personale përcollën arkivolin.
E veja e Helmreich dhe një nga djemtë e tij morën pjesë në varrim duke qëndruar në këmbë gjashtë metra larg.
Pergatiti:Dalip Greca