Dr. Elmi Berisha/
Me Dalip Grecën kam punuar ngushtë dhe bashkëpunuar gjatë. Qe në fillim të njohjes sonë më ka lënë përshtypje të një njeriu dhe gazetari shumë të veçantë. Mënyra sesi pyeste, sesi ngrinte çështje për diskutim, sesi dëgjonte dhe mbante shënime, tregonte se ishte një njeri shumë i lexuar dhe shumë detajist. Dalip Greca do të kujtohet gjithmonë si një gazetar, patriot dhe njeri i respektuar i letrave e medias shqiptare në mërgatën e Amerikës. Ai jo vetëm që ka hyrë në histori, por ka shkruar me historinë, jetën dhe kontributin e tij të madh, historinë e tij dhe të shqiptarëve të Amerikës e trojeve tona etnike. Dalip Greca për vendin ku jetoi, punoi e shërbeu me profesionalizëm të lartë, ka ngjallur respekt të madh. “Vatra” është krenare dhe “Dielli” po ashtu për shërbimin, përkujdesjen dhe mirësinë që mori prej Dalip Grecës. Çdo herë do të ruaj të paharruara kujtimet dhe përshtypjet më të mira për Dalip Grecën, mikun, bashkëpunëtorin, njeriun që për 12 vjet i dha “Vatrës” dhe “Diellit” një dedikim dhe përkushtim të jashtëzakonshëm. Ai kishte pasion të madh dhe arriti që atë frymë e pasion ta përcillte kudo në “Vatër” e në “Diell” në komunitet e bashkësitë e tjera komunitare. Dalipi ishte një ekspert i lartë i mediave, ishte një profesionist i veçantë edhe në fushën e historisë, të letërsisë dhe albanologjisë. Mënyra sesi i ka trajtuar çështjet në mënyrë shterruese Dalip Greca e bëjnë atë një gazetar shumë të veçantë në diasporën e Amerikës. Me Dalip Grecën jam njohur që me ardhjen e tij në Amerikë e sidomos kur punonte te gazeta shqiptaro-amerikane Iliria. Pas ardhjes sime në krye të Vatrës lidhja jonë u forcua shumë dhe e them me bindje se kam pasur fatin ta njoh si profesionist dhe patriot. Dalipi ishte një gazetar dhe njeri shumë besnik, i përkushtuar, i ndershëm, i dashur dhe shumë kërkues. Dalipi kishte një aftësi specifike si njeri dhe si gazetar që t’u shkonte gjërave deri në fund. Kishte një vendosmëri të pa lëkundur që e gjen pak te gazetarët e sotëm. Ai ishte një gazetar rrace. Ai i realizonte të gjitha që i besonte. Kishte argument, stil të veçantë dhe angazhohej maksimalisht në realizimin e qëllimeve që i vinte vetes në sherbim të komunitetit e çështjes kombëtare, “Diellit”, “Vatrës” e komunitetit shqiptar në Amerikë e më gjërë. Dalip Greca nuk bënte kompromis asnjëherë dhe ngulmonte shumë për të bërë më të mirën e përbashkët kudo ku bëntë pjesë. Emri i Dalip Grecës do të jetojë përgjithmonë i lavdishëm në historinë e “Diellit” e të “Vatrës” si një patriot, profesionist, misionar i të vërtetës dhe dëshmitar i historisë së shqiptarëve të Amerikës e dishepull i përjetshëm i patriotizmës kombëtare shqiptare. Mirënjohje për përkushtimin e tij, i pa harruar.