Behlul Jashari/
Dalip Greca, emër që e njoha nga shumë shkrime të tij në media shqiptare, edhe para se tëemërohej nga Federata Pan-Shqiptare e Amerikës Vatra Editor i Gazetës së saj Dielli, e cila për shumë vite merrte e botonte shkrime të miat nga Agjencia Shtetërore-Zyrtare e Lajmeve e Shqipërisë e në shtypin shqiptar.
Komunikimin e parë e kishim në Ditën e Lirisë së Kosovës – 12 Qershor 2015, kur i shkruajta së pari enkas reportazhin me titull “Kosovës po i ndodhte liria dhe paqja para 16 viteve, NATO nisi të hynte në 12 qershor 1999 ora 05 e 17 minuta” – atë ditë kisha fatin historik që të jem në kolonën e tankeve të para të forcës ushtarake më të madhe planetare – shpërtimtare për shqiptarët e Kosovës…
“Me kënaqësi do bëja shkrime ekskluzivisht per ju”, theksoja mes tjerash në mesazhin që dërgova bashkë me reportazhin.
Dhe, e menjeherëshme ishte përgjigja:
“Ju falenderojmë shumë për bashkëpunimin.
Të fala
Editori i Diellit
Dalip Greca”.
Një nga komunikimet e shumëta kisha pasi lexova e rilexova në Gazetën DIELLI shkrimin e datës 30 Qershor 2001, ku Editori Dalip Greca paralajmëronte: Pas një rrugëtimi 12 vjeçar erdhi koha që të ndahem me gazetën e dashur të Vatrës ”Dielli”. Ka qenë një punë e bukur dhe e lodhshme njëkohësisht që jam përpjekë ta kryej me ndershmëri dhe pasion. Erdhi koha që të pensionohem…
Dhe mes shumë falenderimeve në shkrim ishin edhe këto: Në ikje e falenderoj Kryesinë e Vatrës,e cila pa përjashtim më ka mbështetur, Këshillin e saj, degët, të gjithë vatranët, kryetarët e degëve,bashkëpunëtorët e Diellit, lexuesit, korrespondentin në Prishtinë Behlul Jashari dhe shumë të tjerë…
Mesazhi im nga Kosova ishte ky:
Përshëndetje Dalip Greca
E lexova sot shkrimin tënd më të ri me titullin “Ndarje pa lamtumirë”.
Ju uroj edhe shumë vjet shkrime e bashkëpunime.
Ju uroj shëndet e gjithë të mirat Ty dhe Familjes Tuaj.
Ju përgëzoj për punën e madhe në Gazetën Dielli e në Vatër.
Ju falënderoj për bashkëpunimin e shkëlqyer që kishim në 12 vitet tuaja si editor i gazetës më të herëshme shqiptare – Diellit, organ i Federatës Panshqiptare Vatra në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në më shumë se gjashtë vjetët e shkrimeve të mia si korrespondent nga Kosova.
Urojmë së bashku që gazeta e Vatrës së shqiptarëve në Amerikë të mos shuhet kurrë e të shëndrisë gjithmonë ashtu si Dielli, emrin e të cilit e ka. Dhe për këtë vazhdojmë të punojmë e bashkëpunojmë…
Me shumë respekt,
Behlul Jashari
Prishtinë, 3 Korrik 2021
Përgjigja ishte kjo:
Edhe unë ju falenderoj dhe Ju shpreh mirenjohjen time të veçantë. Ka qenë gjithçka e shkëlqyer. Ju lutem vazhdoni bashkëpunimin përmes emailit: gazetadielli@gmail.com si dhe me gazetarin Sokol Paja.
Mbetemi në kontakt!
Shumë të fala
Dalip Greca
E në mëngjesin e sotëm në Prishtinë në Gazetën DIELLI lexova: SHUHET DALIP GRECA, IKONA E DIELLIT, VATRËS E MEDIAS SHQIPTARE NË AMERIKË, VATRA MESAZH NGUSHËLLIMI, ku Kryetari i VATRËSElmi Berisha mes tjerash shkruan:
Sot për familjen Greca, Vatrën, Vatranët, Shqiptaro-Amerikanët është një ditë zie dhe trishtimi.
Sot, më datë 16 Maj 2022, në orën 4.23 PM në New York, zemra e mikut tonë të çmuar Dalip Greca ndaloi përgjithmonë…
Mirënjohje për jetë të jetëve o Dalip Greca për gjithçka që po na lë pas ikjes sate në përjetësi.Pushofsh në paqen e amshuar, në mbretërinë e qiellit miku ynë i paharruar…
Lexova edhe LAMTUMIRË DALIP GRECA, ku Editori i DIELLIT Sokol Paja shkruan:
Zemra e Dalip Grecës ndaloi përgjithmonë, u shua një ikonë e Diellit, Vatrës e gazetarisë shqiptare në Amerikë…
Edhe unë shkruajta sot këto fjalë lamtumire, falënderimi e vlerësimi për mikun e njeriun e veprës së madhe jetësore – Dalip Grecën Emër i Pashuar…
Behlul Jashari
Gazetar-korrespondent i Gazetës DIELLI, i akredituar në Kosovë
Prishtinë, 17Maj 2022