Kastriot Fetahu/
Ese
Një popull me male, lumenj, pyje të përbashkët dhe jetë të ndarë, një popull në dy gjysma popujsh me emra të ndryshëm që kishin krijuar ngadalë një jetë duke grumbulluar javë, muaj, vite, madje dhe shekull pa njëra tjetrën.
Një botë njerkë dhe një popull jetim, që kishte lindur para saj…
Isha fëmijë, diku në klasën e tretë, kur një ditë në rrugën që shkon për në kalanë e Beratit rrugëtonin tre burra të ndjekur nga një numër kureshtarësh në distancë.
U afrova, pasi kurioziteti im është një aksesor i hershëm dhe pyeta dikë -Çfarë janë këta burrat?-
-Kosovarë thonë- më foli ai.
-Çfarë gjuhe flasin këta,- e pyeta përsëri.
Hajde, hajde afrohemi, se më duket se flasin shqip si ne- dhe më bëri shenjë me dorë.
U afrova më shumë nga ç’duhej dhe një “kostumgri” mu drejtua në një mënyrë kategorike -Largohu!-
Kosovarët e dëgjuan dhe, pasi folën pak fjalë që si kuptova qartë, buzëqeshën aq njerëzishëm.
Unë i shikoja ata sikur të ishin jashtëtokësorë që kanë sy të mëdhenj dhe fytyrë jo të ngjashme me ne, pasi bota matanë nesh ishte një deformim kubist në ndërgjegjen time.
Të gjithë ata që jetonin jashtë piramidave të kufirit tonë i imagjinoja barbarë, ca të pafat në geto dhe bandustane, që hanin mish të gjallë…!
Ky ishte takimi i parë me shqiptarët e Kosovës.
Në mbrëmje tregova ngjarjen tek shokët e mëhallës dhe njëri prej tyre, më i madh se ne të tjerët, na tha që ata banojnë në territorin e fisit Dardan, që sot është Kosovë.
Po emri i paketës së cigareve “Ardian” ka lidhje me Dardanët(?), e pyeta.
Ardianët janë një fis tjetër ilir në Jugosllavi, anës Adriatikut, na tha…
E kam pyetur veten se ku është qendra e gravitetit tonë kombëtar dhe… besoj të ma thotë dikush!
Tronditem kur e mendoj se çfarë ishte në gjendje të derivonte politika dhe diktatura tek unë, a thua se duhej të shikoja “NATIONAL GEOGRAPHIC” për të parë çfarë ishin dhe nga vinin këta njerëz, që e dinin se na bashkonte gjaku, gjuha dhe historia…
Nuk e kuptoja dot nëse i ishim arratisur njëri tjetrit, apo na kishin ndarë pa qenë vëllezër siamezë?
Dukej sikur I ngjanim atij personazhit të filmit italian “Vëllai im është djalë i vetëm” në sytë e dardanëve.
Më vonë me kalimin e viteve gjeta në bandën e stacioneve në një radio të prodhimit kinez me stampën “25 vjetori” në shtëpi, stacionin e radio Prishtinës.
E dëgjoja netëve i heshtur dhe i pangopur për të mësuar sa më shumë për atë botë që e konsideroja Perëndim, sepse Tito etiketohej revizionist dhe perëndimor nga Hoxha.
Mbaj mend mirë një këngëtar, që më dukej i paarritshëm me zërin e tij, kur këndonte “Ç’po dremit liqeni i kaltër” melodinë e të cilës një shok dhome, kur isha student, e kishte sinjal për të dashurën e tij.
Ishte Gazmend Pallaska dhe po ashtu Luan Hajraj, Pagarusha, Liljana Çavolli me “O zambaku i Prizrenit,” ishin shumë të dashur për mua!
Më tej mësova për “ Stari Tërg,” Trepçen dhe Mitrovicën, Azem Vllasin, Mahmut Bakallin, por admiroja veçanërisht Pajazit Nushin dhe doktor Ymer Jaka.
Po Kaçusha Jashari, që ishte në krye të Lidhjes Komuniste të Kosovës kur filluan protestat në 1988, është pozitive(?), më mundonte kjo pyetje…
Emrin e Rugovës e dëgjova për herë të parë si studiues letërsie dhe Fehmi Agani se di pse më dukej si Anteu i Kosovës, të cilin e admiroja, pasi i ngjante aktorit të madh francez Jean Gabin, që e pëlqeja aq shumë.
Të gjithë këta më dukej sikur jetonin me mitin e ilirëve, ndërsa ne jetonim me mitin e revolucionit botëror…
Ndërkohë gazetat e vendit më jepnin idenë se kishim të bënim me një gjysmëpopulli, i koleksionuar në arshiva lajmesh periferike, që kishte po aq interes sa Uganda e Idi Amin.
Më shumë kisha dëgjuar për historinë e baskëve dhe Sinn Fein e ngjarjet në Londonderry të Irlandës së Veriut se sa për Kosovën, që as nuk e hamendësoja dot se çfarë ndodhte, ishte sikur të vrisja mendjen për Kalkutën e Indisë…
Pse ne dëgjonim Pozdravin dhe Zdravko Çoliç me “Druzhe Tito mi ti se kunemo?”
Në romanin “Mallkuar qoftë ajo ditë” dy vëllezër, nga një nënë mulate dhe një baba “i bardhë,” Entoni me lëkurë të bardhë dhe Stivi me lëkurë në ngjyrë të zezë, jetonin të ndarë. Stivin e përndiqte policia e rregjimit të aparteidit në Pretoria, pasi ishte një aktivist në luftën e të drejtave të njerëzve me ngjyrë, derisa e arrestoi fshehur pas perdes në shtëpinë e vëllait!
Ndërsa Entoni jetonte në lagjen e të bardhëve, punonte si avokat, i cili në fund e mbron në gjyq Stivin dhe deklaron se janë vëllezër…
Dardanët përndiqeshin nga shovinizmi rankoviçian pse luftonin për flamurin kuqezi, ne dëgjonim… “Pozdravin.”
Dardanët gjithmonë “Stivi” edhe për ne.
Po ne a ishim “Entoni” për ata?
Hoxha në një kongres partie deklaroi “Vëllezërit tanë kinezë dhe miqtë tanë nga Kosova”…
Plaku i mënçur, rapsodi popullor Dervish Shaqja, këndonte këngën e Rexhës, e dëgjoja i menduar, sepse i doja kosovarët edhe pse isha mbrujtur me legjendën urbane se ata që arratiseshin nga Kosova për në Shqipëri ishin… spiunë të Titos.
Më intrigonte shumë kjo këngë, që të mësoja për Rexhën dhe fatin e tij në ditën e martesës kur e gjuajti kali me shkelma…
Jam pezmatuar deri në trishtim kur dëgjova se ulqinaku Kapllan Resuli, shkrimtari i novelës “Gjarpri” dhe romanit “Tradhëtia” u burgos si një spiun jugosllav.
Është momenti i parë që urreva diktaturën, pasi kisha qarë dhe isha lumturuar me atë djalin e vogël që shpëtoi jetën, në fund të novelës, nga gjarpri që jetonte në atë qypin me lakra turshi.
Aq e madhe ishte padija jonë, sa që çdo shqiptar në Jugosllavi e quanim kosovar.
Edhe atë fatorinon e linjës së autobuzave Berat -Qyteti Stalin, që një ditë më fali lekët e biletës kur po shkoja në Berat, e arrestuan më në fund si armik i popullit shqiptar, pasi spiunonte për Titon, një “Richard Sorge” që nuk mund ti shpëtonte sigurimit tonë më të fortit të botës në mendimin tim fëminor…
Gjuetia e shtrigave ishte më dinjitoze dhe njerëzore se gjuetia e kosovarëve që kalonin kufirin me shpresën se do ti shpëtonin Rankoviçit…
Po Millovan Gjilasi dhe Eduard Kardeli si Rankoviçi ishin, pyesja veten.
Dardanët e themeluan mbretërinë e tyre në shekullin e IV para Krishtit, ndërkohë që sllavët e Aleksandër Rankoviç u dyndën në Ballkan në gjysmën e parë të shekullit të VII të epokës sonë.
Në luftën e dytë botërore ushtria jonë shkoi deri në Vishegrad, por Hoxha i tërhoqi trupat edhe nga Kosova në 1945, duke e braktisur e lënë nën çizmen serbe Dardaninë.
Internacionalizmi proletar nuk e donte Kosovën përpara triumfit të revolucionit botëror!
Ëndrrat e revolucionarëve radikalë majtistë e kalojnë utopinë e Saint-Simon dhe Charles Fourier, Atdheu i tyre, ashtu si pushteti, ishte pa kufij…
Dardanë na mëshironi për këtë, se ndoshta vuajtëm më shumë se ju, na kishte marë peng vetvetja dhe udhëheqësit tanë nuk ishin as në nivelin e Rahman Morina e Sinan Hasani.
Se di pse më dukej se vesi ishte virtyt i maskuar tek ne…
Sa do të doja të takohesha, ti kërkoja falje dhe përqafoja ata tre burrat që shetisnin të ngazëllyer në rrugën e kalasë së Beratit, ata që Atdheun e dinin se ku formësohej, ndërsa unë shuaja kuriozitetin kozmonautik të paatdhe kur isha fëmijë!
Ata vazhdojnë të jenë plaga jonë që nuk rrjedh gjak.
Nuk e di, nëse akoma jemi për sytë e dardanëve “Vëllai im është djalë i vetëm?!”