



Sokol Paja/
Darka solemne e 110 vjetorit të Federatës Vatra u kthye në një darkë vlerësimesh, homazhesh e nderimesh për kontributorë të shquar e patriotë të flaktë të shqiptarizmës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Nën prezantimin brilant të Dr. Pashko Camaj dhe Kristina Camaj, këngëve e valle nga grupi “Rozafati” me koreografe Angjelina Nika “Mjeshtër i Madh” dhe muzika e drejtuar nga Gëzim Nika “Mjeshtër i Madh” së bashku me ekipin e tij të talentuar: Barnana Dini, Greta Tafa, Kristina Marku, Arbërie Hetemi, Ernest Muhaxheri. Darka festive filloi me një minutë heshtje në nder të President Bujar Nishanit dhe tre vatranëve e patriotëve të shkëlqyer që u ndanë prej nesh papritur: Zef Balaj, Dr. Gjon Buçaj dhe Dalip Greca. “Vatra është historia dhe identiteti kombëtar shqiptar në Amerikë. Vatra është organizimi më i vjetër patriotik, kulturor dhe atdhetar në mërgatën përtej Atlantikut. Vatra është regjistri historik, pasuria dhe vazhdimësia kombëtare e përpjekjeve për atdheun dhe shtetin shqiptar. Vatra është përbashkuese e kontributeve të çmuara e të pa harruara të shqiptarëve për Shqiptarinë e fortë, të pavarur, të zhvilluar e krenare krahas qytetërimeve, popujve e shteteve të tjera” tha në fjalën prezantuese Dr. Pashko Camaj. Pask këndimit të himneve kombëtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Republikës së Shqipërisë, Dom Ndue Gjergji nga Kisha Zoja Pajtore në Michigan bekoi darkën duke bekuar mbarë popullin shqiptar me cilësitë e tij të jashtëzakonshme që vetë Zoti i ka falë. Elmi Berisha, Kryetari i Federatës Panshqiptare të Amerikës Vatra në fjalën e mirëseardhjes u ndal te roli i jashtëzakonshëm që ka luajtur Vatra në formimin dhe konsolidimin e shtetit shqiptar e sidomos të liria e Pavarësia e Kosovës. Vatra në 110 vite ka bërë gjithçka për çështjen kombëtare dhe vazhdon edhe sot fuqinë e saj në dobi të çështjes dhe të mirës së kombit shqiptar, tha ndër të tjera z.Berisha. Z.Ilir Meta, Presidenti i Republikës së Shqipërisë në ditëlindjen e Vatrës deklaroi: “Federata Pan-Shqiptare “Vatra” eshte historia më e suksesshme e organizimit të shqiptarëve jashtë vendit. Përmes veprimtarisë patriotike, kombëtare dhe diplomatike, “Vatra”, që ditën e parë u bë promotore e lëvizjeve kombëtare dhe e shpalljes së pavarësisë, për të patur më pas ndikim të jashtëzakonshëm në ruajtjen e integritetit dhe sovranitetit të Shqipërisë. Gjatë diktaturës komuniste “Vatra” ishte shtëpia e shqiptarëve ku diskutohej për fatet e kombit, për lirimin dhe demokratizimin e Shqipërisë, por edhe për lirinë e shqiptarëve në ish-Jugosllavi e sidomos për Kosovën. 110 vite nga themelimi i saj, pozita e kombit tonë është më e mirë se ndonjëherë më parë dhe për këtë ka meritat dhe kontributet e patjetërsueshme edhe “Vatra”. Secili ‘vatran’ dhe shqiptar i SHBA meriton mirënjohje të veçantë për kontributin e dhënë për çështjen shqiptare” citoi ndër të tjera Presidenti Meta. Z.Përparim Rama, Kryetar i Komunës së Prishtinës në fjalën e tij deklaroi: “Hapësira shqiptare po ndërvepron, lidhjet shpirtërore po thellohen dhe komunikimi po intensifikohet e po shpeshtohet dita-ditës. Megjithatë, ne që jemi në Ballkan, gjithmonë mbetemi me njëfarë ndjesie se nuk po bëjmë sa duhet, se na presin edhe shumë punë, se urat lidhëse mes nesh munden e duhen me qenë më të shumta, se prirjet divergjente disi do të na shpërbëjnë. Prandaj ju, të nderuar bashkatdhetarë, anëtarë të federatës Vatra, duke qenë me seli në një kryeqendër aq të rëndësishme të globit, me tagrin që jua jep historia dhe emrat e mëdhenj të kombit tonë që Vatrën e themeluan dhe e udhëhoqën, ju e gëzoni edhe autoritetin moral që ta përhapni frymën tuaj përbashkuese e mbarëshqiptare edhe në Ballkan e në gjithë botën. Ne, si Kryeqytet i Kosovës, lidhjet me Vatrën duam me i mbajtë të përzemërta dhe gjithmonë e më të forta, sikurse me çdo organizëm tjetër mbarëshqiptar” tha ndër të tjera z.Rama. Z. Mark Gjonaj ish-Këshilltar në Bashkinë New York dhe Natalia Fernandez vlerësuan rolin e Vatrës dhe të komunitetit shqiptar në Amerikë si një komunitet model dhe që gëzon respektin më të madh nga amerikanët në shoqëri dhe institucione. David Phillips, Columbia University New York në rrëfimin e tij shpjegoi për të pranishmit lidhjen e tij te veçantë me popullin shqiptar dhe detaje të udhëtimit të tij të parë në Kosovë para 30 viteve. Gazetari Blendi Fevziu u ndal te figura e Kristo Dakos dhe roli i tij i jashtëzakonshëm në Vatër dhe mërgatën shqiptare të Amerikës, Deputeti i PD Belind Këlliçi foli për sfidat e Partisë Demokratike si forcë zhvilluese dhe përfaqësuese e shqiptarëve, ndërsa Ruki Kondaj aktivistja nga Kanadaja foli rreth rëndësisë së Vatrës dhe komunitetit shqiptar në Kanada. Mbrëmja vazhdoi deri në orët e para të mëngjesit me këngë e vallë duke e kthyer ditëlindjen e 110-të të Vatrës në një festë të paharueshme edhe në dekadat që do vijnë. Vatra e Dielli shprehin mirenjohje e falendrim per patriotet qe u bashkuan ne feste, organizatat, shoqatat e çdokend qe dha kontribut qe kjo feste te jete thjeshte e pa harruar.