
KOSTA NAKE/
Kjo poemë liriko-epike është një nga stolitë e letrave shqipe të fillimit të shekullit ’20 në Shqipëri, e shkruar me varg 8-rrokësh dhe me rimë të përputhur që e bën të perceptohet si bashkësi distikësh.
Tema e poemës është bibliko-kuranike, me ngjarje të lashtësisë që fokusohen te dy personazhe kryesorë: Jusufi – një nga 12 djemtë e Jakubit dhe Zelihaja – bashkëshortja e Azizit, ministër në pallatin mbretëror në Misir. Poema fillon me ëndrrën e Jusufit ku i shfaqet njëmbëdhjetë yje, dielli dhe hëna. I ati e këshilloi ta mbajë të fshehtë, po Jusufi ia tregon njërit prej vëllezërve.
“Po dolli nga buzët fjala
Meret vesh dhe zjen mëhalla…” (f.14)
Numri i djemve mund të jetë nga dy e lart, por zgjedhja e numrit dymbëdhjetë ka të bëjë me një konceptim teologjik dhe shkencor të lëvizjes periodike dhe qarkullimit natyror. Njëmbëdhjetë djemtë e tjerë të Jakubit janë të pakënaqur me të atin që e mban më afër Jusufin, prandaj ka një marrëveshje vëllazërore të tyre për të goditur të privilegjuarin. Pse ka ndodhur ky diferencim që bie në sy dhe kthehet në problem serioz? Sepse Jusufit i vdiq e ëma kur ai ishte vetëm dy vjeç dhe u rrit nën kujdesin e hallës. Po ky fakt, sado i dhimbshëm, i përket të shkuarës dhe nuk u thotë asgjë vëllezërve të tjerë. Propozimet e tyre në takimin e fshehtë janë të ndryshme: (Jusufi) do tërkuzën (= ta varim), ta lemë në shkretëtirë, (f.15), t’i hiqet shpata (=ta vrasim), të gjejmë një pus te fellë. (f.16) Mbeti propozimi i fundit. Ia mbushën mendjen babait për ta marrë me vete Jusufin në lojërat e tyre larg shtëpisë, e hodhën në pus ku mbijetoi për tri ditë pa gjumë, kurse të atit i treguan këmishën e përgjakur si dëshmi e përfundimit në gojën e ujkut.
“Sheh këmishën pa cënuar
Kupëtoj ç’kanë punuar.” (f.24)
Në kontekstin fetar, Jusufi u mor në mbrojtje nga Xhebrail Emini duke i ofruar aty brenda një gur si mjet shpëtimi. Një karvan ndalon për të pirë ujë dhe Jusufi kapet pas kovës që përdorën udhëtarët. Po vëllezërit rishfaqen aty si xhelatë të viktimës dhe Maliqi, një nga shpëtimtarët, ua ble vëllezërve për një zollotë. Kur arrijnë në Misir, Jusufi tërheq vëmendjen e egjiptianëve me bukurinë e vet dhe për marrjen e tij ofrohen torba me florinj. Po është Zelihaja që do ta dërgojë të shoqin ta marrë për një barrë me florinj. Zelihaja e merr si shërbëtor, por e do si një dashnor, kurse ministri Aziz e merr si skllav dhe e trajton si oborrtar
Letërsia botërore, duke filluar nga Helena e Trojës, e ka patur bukurinë e femrës si shkak të dueleve mes mëtuesve që marrin përmasa të paparashikueshme, deri te luftra midis popujve. Këtu ndodh e kundërta: Zelihaja, edhe pse është e martuar, e dashuron çmendurisht, kurse Baziaja, një tjetër vajzë bukuroshe vetëflijohet për të, pa përmendur vajzat e tjera të oborrit mbretëror që janë të gatshme të bëhen pjesë e haremit të tij. Është një artificë artistike që refuzimin e Jusufit e kthen në një akt të lartësimit moral, të shpalosjes së dinjitetit njerëzor dhe durimit islam. Dinjiteti ka në thelb vlerën e çdo qenieje njerëzore, pavarësisht nga origjina, rrethanat, mundësitë vetjake. Ai e mbron njeriun e ndjeshëm nga viktimizimi dhe kërkon që të tjerët ta trajtojnë me etikë, respekt dhe ndershmëri. Mund të përdorim dhe shprehjen “qëndrim dinjitoz” dhe kjo mund të karakterizojë jo vetëm individin, por edhe grupin dhe aparatin shtetëror që prodhon ligjshmëri, të drejta njerëzore dhe drejtësi shoqërore. Në këtë vështrim, poema ka vlera edhe për sot. Zjarri i dashurisë që është si diell për njerëzimin, befas ndesh një korracë morale që mbron të mirën përballë të keqes, të drejtën përballë të gabuarës; zjarri duhet të kalojë përmes një filtri që rregullon marrëdhëniet mes njerëzve.
Historia e Jusufit dhe Zelihasë ka qenë objekt i veprave letrare persiane, arabe dhe turke, mes tyre Firdeusi i famshëm i “Shahnameja”. Dashuria e zjarrtë e Zelihasë për Jusufin përkon me temat e dashurisë platonike, dashuri që kulmon me akuzë ndaj të dashurit që nuk jepet dhe përfundon në burg. Para se ta sillte Hafiz Ali Korça me këtë poemë, raportin që krijohet mes dashurisë dhe moralit e ka sjellë Pjetër Budi me thënien e bukur “të mos zilepnjësh gruan e tjetrit”, thënie që ngazëlloi kolegët e mi 40 vjet më parë pasuniversitarë kur ua thashë.
“Në gjumë m’është rëfyer
Zemër shpirt m’i ka rëmbyer,
Për të po më dredhin ethet,
Për të zemra po më ngjethet.
Për të sytë gjith më qajnë,
Për të bëj kujen dhe vajnë.
Për të s’më hahet s’më pihet,
Për të s’më flihet s’më flihet…
Më dogji shpirtin më piku
Më rëmbeu zemrën dhe iku.
Më s’e kam veten në dorë
S’fle tër natën, mas oborë…
Me ato flokët e tija
Janë lidhur ment e mija.” (f.29)
Një pikë tjetër kulmore është kërkesa e Zelihasë për vajzat e oborrit mbretëror që të bëjnë gjithçka për ta futur në mëkat Jusufin:
“Helmë në ju dhëntë, ta pini!” (f.49)
Shfrimi i ndjenjave të dashurisë ka karakter lirik subjektiv dhe nota dhimbjeje. Edhe peizazhi është shoqërues i atmosferës lirike.
“Qe një kopsht i bukur shumë
I shkonte përmes një lumë…
Javitur shkëmbenj me gurë,
Stolisur me lloje drurë,
Kishte çelur e gjethuar
Me trëndafilë rrethuar…
Sipër zoqtë ligjërojnë,
Përposh bimrat gjelbërojnë…
Pjergullat krahët lëshuar
Drurët i kanë gushuar…
Kërcente ujët përpjetë
Pej kollonit si shigjetë…” (f.48)
Mjediset e brendshme të pallatit po ashtu krijojnë imazhe të ngjashme me ato të natyrës:
(Dhoma) “e shtatë fort zbukuruar
Me kafshë, me zogjër shkruar,
Me lloje lule e drurë
Qëndisur tavan e murë,
Me një mjeshtëri të gjallë
Parajsi jashtë kish dalë.” (f.55)
Linja e dashurisë së Zelihasë pasohet me një degëzim tjetër domethënës: atë të Baziasë, një tjetër vajze të bukur, që “i ra në kokë rebeshi” me Jusufin pa e parë, vetëm nga ato që kish dëgjuar. Nëse refuzimi i Zelihasë mbështetej mbi një kod moral – mirënjohja ndaj bashkëshortit të saj që nga skllav e ngriti lart si të barabartë, për Bazianë nuk kishte asnjë pengesë dhe refuzimi i Jusufit ka pasoja tragjike, e bën vajzën të vetësakrifikohet.
“Plaçka, enë, shtresa, drithë,
Elmas, florinj, ç’pati gjithë
Nëpër të varfërit tërë
I ndau, s’mbajti gjilpërë…
Binte përmi pluhrat flinte
E kokën mi gurt e vinte…
Falej, lutej goc e mjerë,
Gjersa vdiq s’dolli njëherë…” (36)
Dashuritë e mëdha, prodhojnë drama dhe tragjedi të mëdha. Zelihaja dha urdhër të ngrihet një pallat për Jusufin dhe, kur të dy hyjnë në shtatë oda, ajo “i heth derës katinarë” për t’u fshehur nga sytë e botës, për të bërë që baruti të rrijë “tok me zjarrë”, “se po mori vesh Arizi/m’i nxjer petkat ngaj kurizi”. Por edhe ky investim është i padobishëm përballë durimit islam. Zelihaja humb edhe mundësinë e fundit për t’u lëshuar nga kuvlija e dashurisë, e etur për të si “një që për ujë zhuritet”. Jusufi largohet këmishëgrisur dhe të dy ndodhen befas para Azizit. Zelihaja kthehet në grua agresive dhe e akuzon të dashurin për të dalë nga situata e vështirë, rrjedhimisht bën që në sytë e Azizit Jusufi të kthehej nga ata njerëz që “ha kripën e shëmp kripaniknë/ si ngrohet fëlliq kllaniknë.” Po ka një detaj shpëtues te këmisha e grisur që një grua nga fisi i Zelihasë ia zbuloi Azizit:
“Përpara në qëntë çarë,
Zelihaja është e larë.
Prapa grisur po të jetë,
Fajnë djali do ta ketë.” (f.68)
Jusufi përfundon në burg për të mbyllur skandalin. Atje bëhet zbërthyes i ëndrrave. Aristoteli, duke patur parasysh pasojat negative në raportet njerëzore ka thënë: “Njeriu ideal duron aksidentet e jetës me dinjitet duke bërë më të mirën e rrethanave.” Pas njëmbëdhjetë vitesh shpjegon ëndrrën e mbretit me shtatë qe të majmë që dalin nga deti dhe pas tyre shtatë të dobët, shtatë kallinj të gjelbër dhe shtatë të thatë – bollëku dhe skamja, lulëzimi i natyrës dhe thatësira e madhe. Numri shtatë shfaqet edhe te numri i dhomave që porosit Zelihaja për pallatin e Jusufit. Në Islam numri 7 ka kuptim simbolik, përfaqëson plotësinë, pafundësinë dhe rregullin hyjnor. Shtata është pjesë e Haxhit me rrotullimin shtatë herë rreth Qabesë. Xhehnemi ka shtatë porta. Zbërthimi i ëndrrës së mbretit, jo vetëm e liron Jusufin nga burgu, por e vë atë në krye të punëve të mbretërisë për të siguruar ushqim për vitet e urgjisë që do vinin. Ndërkohë ministri Aziz largohet nga oborri mbretëror dhe familja e tij merr rrokullimën, Zelihaja varfërohet ekonomikisht dhe plaket fizikisht.
“Se ç’punon, ah, mokr’ e qjellit
Gjith i bije ndryshe fyellit. (f.89)
Zelihaja ra në gjendjen e Baziasë: ngrihej natën si bufi, hiqej zvarrë si gjarpri, u verbua së qari, u zverdh si fije bari, vinte plithar në vend të jastëkut, flinte jo vetëm përdhe, por edhe pa rrogoz. Por Zoti kishte rezervuar një fat të ndryshëm për të. Ajo gjen forca dhe del para Jusufit, kur ai kalëron aty pranë. Siç fali vëllezërit, Jusufi fali dhe Zelihanë, madje dashuria dhe kujdesi që tregoi për të, ia rikthyen asaj tiparet e rinisë. Fati ishte parashkruar dhe ishte shfaqur në ëndrrat e Zelihasë, por vjen dhe zbulimi i papritur: martesa e saj me Azizin ishte e pakonsumuar, Azizi nuk ishte në gjendje të bënte pjesën e vet për lindjen e fëmijëve dhe ajo kishte mbetur e virgjër. Tashmë s’kishte asnjë pengesë që Jusufi të martohej me Zelihanë.
“Njerës nuk m’u nqasnë kurrë,
Me elmas ta shponin gurë.” (99)
Pastaj ngjarjet përsëriten në kahe të kundërt:
“Çudi e madhe ka ngjarë
një nat’ e ka ngarë,
Ajo ngaj duart i iku
I ra pas e rroku miku,
Këmishës dorën ja shtiri,
Së mjerës ju gris pëqiri.” (101)
Skenat erotike ia lënë vendin kthimit në problemet e vendit dhe të familjes. Vitet e zisë së bukës sollën vëllezërit e Jusufit në Misir për të kërkuar ndihmë, pa e ditur sa lart ishte ngjitur vëllai i tyre i mohuar. Përballë xhelozisë së vëllezërve kemi tolerancën e Jusufit, mëshirën dhe mirëkuptimin. Nga takimi me vëllezërit Jusufi mëson se paska dhe një vëlla të vogël që ka mbuluar plagën e vjetër të babait dhe u vuri kusht që ta sillnin vëllanë e vogël, Benjaminin, për të përfituar ndihmë në vazhdimësi. Është Benjamini që mëson i pari se ndodhet para vëllait të humbur. Pastaj rizbulohet ajo që ndodhi 30 vite më parë mes vëllezërve. Në një nga udhëtimet e radhës drejt Misirit, ata sjellin një letër nga i ati ku zbulohet origjina me shpjegim biblik e kuranor. Futet në skenë një Judë dhe këmisha e përgjakur që Jakubi e njeh nga era se është e të birit. Është momenti kur duhet deklaruar përkatësia fetare.
“Jusufnë, – tha, – qysh e latë?”
“Është, – thanë, – mbret i lartë.”
“Rëfeni, si e ka fenë?”
“Fenë e ka islam…” (f.119)
Jakubi plak shkon për vizitë në Misir tek Jusufi mbret, një takim mallëngjyes.
“Buçet kujeja e vaji
Lott’ u venë si shi maji.” (f.120)
Vitet rrjedhin si lumi. Pas 24 vitesh të qëndrimit tek i biri, Jakubi duhet ta lërë këtë jetë. 23 vjet pas të atit, është radha e Jusufit të largohet si elegji e bukur me atë kërkesën prekëse për Zelihanë:
“Sillmani ta shoh njëherë
Se do mbetet fort e mjerë.” (f.123)
Skena e fundit për Jusufin:
“Xhibrili i jep një mollë.
Mollës buzët pa lëshuar
Drita që kur paske shuar.” (f.123)
Vdekja e Jusufit ishte e papërballueshme për Zelihanë, i shkaktoi një traumë të rëndë dhe një gjendje përhumbjeje të dhimbshme:
“Ç’ke që s’del e bukur hënë?
Ç’pate djellë, pse u zure?” (f.124)
Derisa vjen çasti i fundit edhe për të:
“Lot prej gjaku gjith i derdhej,
S’hante, s’pinte, ligej, zverdhej.” (f.125)
Fundi i lumtur i të dyja linjave: dashuria vëllazërore dhe dashuria burrë – grua, është në përputhje me moralin shoqëror dhe gjendet edhe te përrallat e të gjithë popujve; shoqëruar me një linjë ndodhish që përligjin rrjedhën e papritur të ngjarjeve. Metaforat dhe krahasimet, hiperbolat dhe enumeracionet që janë si qëndisma mbi subjekt, jo vetëm krijojnë atmosferë e mjedise, por edhe marrin ushqim prej tyre: dielli, hëna, qielli dhe yjet nga njëra anë dhe leksiku i mjedisit shtëpiak dhe botës së kafshëve nga ana tjetër janë brumi i përpunuar në magjen poetike.
Prej rënkimit dridhen malet, (f.36) Jam balt’ e këpucës tënde, (f.44) Se ç’punon ah mokr’ e qjellit, (f.89) Jusufi atje kur zbriti/Pandehnë se djelli ndriti, (f.27) Kush më sheh digjet si eshkë, (f.50), Merimaga ngrehu tendë/Si bujku që heq parmendë, (f.64) E nveshn, e ngjeshnë, e krehnë, (f.22) Kali i tij kur hingëllonte,/Mali edhe fusha lonte. (f.91) etj.
Poema ul siparin me vdekje të njëpasnjëshme të figurave kryesore si një deklarim për fatin e përbashkët të atyre që lindin dhe e dorëzojnë në duart e Zotit. Goditja që mori feja nga diktatura ateiste e proletariatit dhe mungesa e një mjedisi shqiptar në poemë e mbajtën atë të mbyllur në kasafortën e heshtjes.
(Poema “Jusufi me Zelihanë a më e bukura e ngjarjeve”, (1896)
Hafiz Ali Korça, Vepra 3, Shkup 2006)