Zëvëndës-presidenti i Shteteve të Bashkuara, Mike Pence dhe kandidatja demokrate për këtë post, Kamala Harris u treguan më të përmbajtur në debatin e tyre më 7 tetor.
Ata diskutuan për temat që përfshinin pandeminë e koronavirusit dhe kujdesin shëndetësor, ekonominë si dhe politikën e jashtme. Ata shmangën përplasjet të cilat e karakterizuan debatin e javës së kaluar, ndërmjet kandidatëve për president, të nominuarit nga ana e demokratëve, Joe Biden si dhe presidentit, Donald Trump.
Moderatorja e debatit, Susan Page, nga USA Today, shpesh duhej të paralajmëronte Pence për të folur më gjatë sesa koha e caktuar.
Debati u hap me pyetjen në lidhje me përgjigjen e administratës Trump ndaj pandemisë, të cilën Pence e mbrojti ndërsa Harris e kritikoi ashpër.
“Populli amerikan ka qenë dëshmitar i dështimit më të madh të çdo administrate presidenciale në historinë e vendit tonë”, tha Harris.
Pandemia ka shkaktuar më shumë se 211,000 vdekje në Shtetet e Bashkuara dhe ka infektuar më shumë se 7.5 milionë njerëz.
Pandemia gjithashtu ka shkaktuar një rritje të mprehtë të papunësisë për shkak të mbylljes së bizneseve dhe kufizimeve që synojnë të parandalojnë përhapjen e koronavirusit.
Pence mbrojti përpjekjet e administratës së Trumpit në luftën kundër sëmundjes COVID-19, që e shkakton koronavirusi, duke përmendur vendimin e Trumpit, i cili me këshillën e ekspertëve mjekësorë, në fund të janarit, kufizoi udhëtimet nga epiqendra e pandemisë në Kinë.
“Unë dua që populli amerikan të dijë se që nga dita e parë, presidenti Donald Trump e ka vendosur shëndetësinë në rend të parë në Amerikë”, tha ai.
Menjëherë pas debatit, Trump, shkroi në rrjetin social Twitter: “Mike Pence, fitore e madhe”.
Presidenti është ende duke u shëruar nga COVID-19. Përveç tij, në periudhën e fundit, janë infektuar edhe Zonja e Parë, Melania dhe zyrtarë të tjerë të administratës amerikane.
Më 7 tetor, përmes një videoje ai tha se po ndihet mirë dhe për këtë, sipas tij, meritë ka një trajtim me ilaçe eksperimentale. Pence është përballur me një presion për të ngritur nivelin e fushatës së Trumpit, të cilës i dha një goditje infektimi i tij me koronavirus. Në shumicën e sondazheve Trump qëndron pas Bidenit.
Si një shembull se si ka ndryshuar jeta në pandemi, e tregon edhe fakti se gjatë debatit, kandidatët për zëvëndës-president qëndruan 3.5 metra larg njëri-tjetrit dhe përpara kishin mburoja xhami.
Ndër çështjet që Harris ngriti – jashtë diskutimeve për pandeminë – kishin të bëjnë me ligjin e kujdesit shëndetësor dhe një raport të publikuar më parë që tregonte se Trump, si president, paguante shumë më pak në taksat federale të të ardhurave se shumica e amerikanëve.
Ajo sulmoi rezultatet e politikës së jashtme të tij, duke akuzuar Trumpin që u largua nga aleatët dhe u afrua me diktatorët në të gjithë botën.
Në anën tjetër, Pence tha se Biden do të rriste taksat e amerikanëve dhe do të përkrahte “Green New Deal” një propozim masiv mjedisor i mbështetur nga demokratët, i cili sipas tij, do të mbyllte vendet e punës.
Harris e mohoi këtë duke thënë se nuk do të kishte rritje të taksave për asnjë amerikan që fitonte më pak se 400,000 dollarë në vit.
Në politikën e jashtme si arritje ai përmendi vendimin e Trumpit që ushtria amerikane të shkatërrojë kalifatin e Shtetit Islamik dhe të mposht udhëheqësin e grupit militant, Abu Bakr al-Bagdadi. Por, gjatë debatit, tema e pandemisë rregullisht rikthehej në qendër të diskutimit, përfshirë zhvillimin e një vaksine potenciale, për të cilën Harris tha se do t’u besonte vetëm shkencëtarëve.
“Nëse mjekët na thonë se duhet ta marrim, absolutisht unë do të jem e para në radhë që do ta marr”, tha ajo.
“Nëse Donald Trump na thotë të vaksinohemi, unë nuk do ta bëj”, tha Harris.
Pence tha se “minimi i vazhdueshëm i Harris në besimin për vaksinën është i pandërgjegjshëm”, duke shtuar: “Unë thjesht ju kërkoj të ndaloni së luajturi politikë me jetën e njerëzve”.
Ai premtoi një vaksinë deri në fund të vitit.
Debatet për zëvëndës-president zakonisht nuk marrin shumë vëmendje, por mosha është një faktor në zgjedhjet e vitit 2020.
Pence, 61 vjeç, dhe Harris, 55, duhet të jenë më të përgatitur se çdo kandidat për zëvëndës-president para tyre, për të marrë presidencën duke pasur parasysh moshën e Trumpit dhe Bidenit – përkatësisht 74 dhe 77 vjeç.
Pavarësisht se cili fiton, Shtetet e Bashkuara do të kenë presidentin e tyre më të vjetër, gjatë katër viteve të ardhshme.
Ky është debati i vetëm që është planifikuar midis Harris, vajza e emigrantëve – babait të saj nga Xhamajka dhe nënës së saj nga India – dhe Pence, një i krishterë evangjelist dhe ish-guvernator i Indianas, i cili ka mbrojtur me vendosmëri Trumpin gjatë presidencës së tij.
Kortezi- Përgatiti: Kestrin Kumnova