Nga Pellumb KULLA/*
Unë e shpie Xha Jazon përditë në kafenetë e Arthur Avenysë.T’ëmën!.. Nuk e kam kuptuarë kurrë ce njerëzit nuku i duanë hiç të sklerozuarit. Mua më mbërthejnë historitë e çaprashitura të xha Jazos, që ka bërë një jetë aq larushe. Kujtesa e tij, si donjë dhi e egër, harbon në të gjitha skërkat e pllajat e jetës së plakut: partizan, oficer në ushtri, kryetar kooperative, pastaj i deklasuar… Harbon dhia, harbon, por gjene te pllaja e partizanit vete qëndron. Vërtet dolli malit ditëve të fundit, por ay partizan ka qejf të mbahet mend! Me që i biri, bëri atë gjëmën me arratisjen e tij nga Saranda, me not, Jazon e hoqnë pe kreut të kooperativës, e përzunë pe organizatës së komunistëve e pastaj e syrgjynosnë me gjithë familje në një fshat të Gorës.
Në Shqipëri është një kohë, kur tërë mundohen të gjejnë një gërvishtje nga diktatura. Jazua e ka brazdën të gjakosur dhe e le pa nxjerrë në dritë! Vete e lidhet pas të dalurit në mal! T’ëmën, se ç‘mban mbi kurriz ky rruzull!
Tashi, me të birë, atë të arratisurin, janë mbledhur bashkë.
Xha Jazos i pëlqen Nju Jorku, ujrat që e çajnë dhe përndajnë qytetnë, pleksja e metrove, rekllamat e stërmëdha. I duken të bukura dhe shpesh në bisedat e tij e fut përvojën e re në kukumalen e madhe të asaj të vjetrës, ashtu siç futet në një libër me shumë fletë, një fashikull tjetër, që nuku ka të bëjë hiç me atë libër.
Në historitë e tij Xha Jazua nuku gënjen. Skleroza nuk e njeh gënjeshtrën dhe bile ajo nuku ka fare nevojë për të. Xha Jazua thjesht rrëfen ngjarje që edhe mund të ndodhnin. Radha e kohëve i është kokolepsur, por plaku nuk e vret mendjen t’i shpleksë e t’i rreshtojë.
Ka një urrejtje të pashuarë kundër gjermanëve. Një ditë më tha, se Amerika duhet t’ia dinte për nder brigadës së tij, që arrivi të mos mbetej këtu në Nju Jork këmbë gjermani!
Më thëthivi mjaft me këtë thënie dhe unë e afrova karrekllën. Po pinim kafe në trotuaret e Arthur Avenysë. Pa arritur ta pyes, xha Jazua u kurdis.
– Po me t’i qërruarë gjermanët nga viset tona, i ndoqmë tutje. Brigada jonë, sëkur qe bërë vetëm për gjuetinë e tyre. Nxiri që këtu, qërroi që atje e bjeru prapa! Kur dëgjonin Brigadën e Pesëdhjetepesë, gjermanët i zinte tartakuti.
Unë nuku di të ketë patur brigadë me atë numër, por kjo është nga lajthitjet më të paka të plakut.
– Më dyzetepesën, ishnë mbledhur tërë gjermanët nga ishnë e nga s’ishnë, në Gjermani. Pe atje nuk kishmë pse t’i lomim nga vendi, ce ata ishnë futur në vathë të tyre. Pyet andej e pyet këtej: “more, na thoni, në ç‘vend të botës ka akoma gjermanë, t’u sulemi e t’u vemë drunë?” Hiç! S’vinin ankesa. Kur, na thanë: kanë mbetur ca në Nju Jork! Do të vemë, thamë, do vemë e t’i qërrojmë edhe pe andej! U mblodh edhe një herë brigada. “O burra”, thamë, dhe u nismë! E tërë brigada!
– Loj, bre xha Jazo, nga vendi! Po si u futtë në Amerikë? – nuk më ndënji goja mua.
– E do të vërtetën? – më tha. – Me viza fallco! E tërë brigada! Me pushkë e mitrolozë, me tërë armatimnë! Vimë këtu në aroport të Kenedit. Këtu kishnë ca nga ata aparatet, që të kontrollonin dëpër xhepa, për thika, për droga, për armë. Ishnë djegur këta të zestë, pe Njëmbëdhjetë Shtatorit, kur u shembnë Binjaket.
Mua gjene nuku m’u ndënj:
– Edhe Njëmbëdhjetë Shtatori u fut këtu-o?!.. Po si, bre, nuku ju a zunë armët?!
– Neve i mbamim lart, me të dy duartë mbi kokë, se ata dëpër trup kontrollonin. Aty nuku kishmë asgjë neve. Kaluamë të tërë. Asnjë batalon nuku na mbajtnë.Vimë neve, që thua ti, e të përhapemi atë natë dëpër këto kodrat rreth Nju Jorkut. E ndezmë zjarret tona. Llapsnin atë natë zjarret partizane, ca në Qafë Kuins, ca në korijet e Stejtën Ajlandit, ca në meratë e Bronksit e ca mbi stanet e Nju Xhërsit. Batalonit të fundit nuk i kishnë ardhur mortajat. Ishnë ngatërruar kur ndrruamë aropllanë në Zyrih. Por, Svisseri, – për shërbim që bëjnë, t’u pish dollinë, o në p.. të s’ëmës !, – u a solli mortajat të paprekura, po atë natë, me mikrobuse! Të fundit i pamë zjarret e tyre në pllajat e Bruklinit. E kishmë rrethuarë Nju Jorknë e gjermanët shëkonin zjarret tona e me siguri po i zinte data. Po ama, neve nuk e dimë hiç ku janë strukur. Gjatë natës erdhnë dhe informatat e sakta: në Nju Jork, thanë, nuk ka aq gjermanë sa të nderohemi. Kanë mbetur vetëm nja tridhjetë a dyzet, në Aveny të Parë, edhe ata dukej se punonin si zyrtarë të konsullatës gjermane. Erdhmë që erdhmë, thamë, le t’u futëm tmerrë dhe atyre dhe le të thyejnë qafën në Gjermani! Të nesmen, me formacion luftimi, me pesë kollona, mësymë Manhattanë! Drejt e në konsullatët gjermane!
– Me se shkuatë-o?
– Me sabuej, me metro. Intendenti na kish pajisur me ca metrokarda dhe o burra! Neve muarmë trenë B! Në vagon buçisnin këngët partizane, ore! Kur mo i kem tërë, të kishe qënë atje, nuku do mbaje mend gjë tjatër në jetën tënde! Me “ato maja rripa-rripa”, me “kuq ësht’ ku lind e ku perëndon”…
– Paaa! Nuk bezdisshin pasagjerët amerikanë? – e çpova plaknë.
– Jooo, ç‘ne! Intendenti jonë i kish marrë masat, oree: sejcili pe neve kish kufjet e tij në veshë e neve dëgjomim në to: “ato maja… seç gjëmojnë”. Amerikanët, ca studentë, ca zezakë, ca filipinas që shisnin bateri dëpër vagona, tërë kishnë kufjet e tyre. I tërë vagoni ish me kufje dhe pasagjerët tundçin nga ritmi. Po ashtu tundçin edhe ca partizanë nga tonët, ca të rinj, ca çunakë të pabindur. Ata me siguri kishnë vënë fshehur donjë këngë të Irma Libohovës. Se me “ato majat e rripa- rripat” nuk tundesh dot, de! Dukej, bre, nuku qe ay ritëm! E, nejse… Vemë në konsullatë të gjermanëve. Radhë e madhe atje, bre: ca për viza, ca për martesa. Zumë radhë edhe neve, ç‘të bëmim?! U zgjat radha, si mos o Zot! Kur erdhi sëra jonë, del një gjerman aty e na pyeti ce ishmë munduarë. “Kemi ardhur të çlirojmë Nju Jorknë”, – i thamë. “Nga kush?”- pyeti. “Nga ju, gjermanët!” – ia thamë copë. Kur i treguamë se ishmë Brigada e Pesëdhjetepesë, ay u bë dyllë i verdhë. Ashtu dyke iu dredhur zëri, na tha se duhet të mbushmim një formular e t’i bashkëngjitmim me kapce dy fotografi të brigatës. “Po më parë”, tha, “duhet të dorëzoni armët. Është rregull!”. Veç njerëzit e egër nuku binden. I dorëzuamë, ç‘të bëmim?! Nuku bëhej shaka me gjermanë! Nëne, nëne! Mbushmë formularë. Ne patmë çliruarë gjithata qytete, po me formular, jooo, nuku na kish bërë vaki t’i thyemim gjermanët. E mbushmë formularë, vumë dy fotografitë që kishmë që nga themelimi i brigadës dhe ua lamë në një sportel. Na thanë që kjo punë do të bëhet, por jo pa kaluarë pesëmbëdhjetë ditë. Ashtu ish rregulli. “Rregullin e respektojmë”, u thamë dhe ikmë. Detyrën e kryemë.
` – Po armët? – ia kujtova unë.
– Me armët na ndezi groshi, se ata nuku na i jepnin prapë e ne i lamë. Kumandanti i brigadës desh të na proçedonte për gjyq ushtarak, por pastaj erdh’ lajmi që edhe në Shqipëri, depot e armëve ishnë shkallmuarë, ushtria qe bërë lesheli, piramidat kishnë thyerë qafën e qënkësh formuarë Qeveria e Pajtimit Kombëtar e në atë valë, na zuri dhe neve amnistia.
Mua nisnë të më merreshin mëntë: partizanë, Njëmbëdhjetë Shtatori, piramidat, amnistirat… Po e mblodha shpejt tutkën.
– Po e çliruatë vërtet Nju Jorknë nga gjermanët? Dua të them, xha Jazo, a iknë ata pas pesëmbëdhjetë ditësh, siç ju thanë?
– Duhet të kenë ikur. As mos e bëj dëm pyetkën! Gjermani, qen bir qeni është, po fjalën e mban! Unë s’pata kohë ta marr vesh, ce më binte bretku katërmbëdhjetë orë në ditët, në punë të zezë. Një dibran më futi në restorant të tij, lanja pjata. Pa karta. Dibrani paskësh qënë me Ballin Kombëtar, po paskësh qëlluarë burrë i mirë. Sefte flinja në shtëpi të tij. I kënaqur unë, i kënaqur dhe ballisti, ce e quante fitore të frymës së Mukjes.
– Po ce nuk u këthyetë prapë në atdhe, pasi kryetë detyrën-o?
– Ce-o, budallenj ishmë ne-o?!- ma bëri. – Qejfi, or bir, ma kish të këthesha, po për ideal, xha Jazon e ke trokë. Si do të vija prapë në Amerikë unë, mo? Ku kisha, bre, unë, trembëdhjetë mijë dollarë, të kërkonja gjene pashaportë fallco, apo të bridhnja dëpër skafe?! Pasaj, ja, vjen e t’i bije skafit, donjë hundë motovedete italane! Unë nuk di as not, or’ i hëngsha t’ëmën!.. Kryesorja është që detyrën e kryemë.
– E kryetë në Nju Jork, po në Shqipëri ke akoma gjermanë!
– Po çne-o, ne e lamë vatanë pa këmbë gjermani!..
– Ju e latë, – i thashë, – po atje ka akoma. Janë në ambasadën gjermane në Tiranë. Pastaj, ca të tjerë kanë erdhur si specialistë… Turistë, varda…
– Ne e lamë Shqipërinë, kur i thonë, gjerman-frii! Brigada të tjera atje ka. Sytë t’u dalën e le t’i nxjerrën ato! Ce o, nga Pestepesa i presën të gjitha-o?! Lodra të politikës-mo, të këtyre qeveritarëve të soçmë. Këta i kanë tradhëtuarë idealet e luftës!- tha me mllef dyke pështyrë përdhe.
Pyetjet teme nuku kishnë fund. Më kënaqte xha Jazua me shashërditë e tij.
– Qëndruatë në Shtetet e Bashkuara, si brigadë?
– Pas fitores, u mblodhmë në Çentral Park, të gjithë batalonet, prapavija, ndërlidhja… Na foli komisari. Na përgëzovi për fitoren dhe na tha se, si shpërblim, shtabi kish vendosur që të na jepnin nga dhjetë vjet lejë, të pushomim, të gjemim këtu donjë të afërm, nga kurbetlinjtë e vjetër e të rinj. Ay, bile, na ftovi që të aplikomim për llotari grin kard. Tetë batalone i mbushnë aplikimet, kurse një batalon, i gjashti, kërkovi i tëri strehim politik! Ata e qelpnë fare! Kumandanti i tyre më vonë u shpall armik, me ata të kastës. Dukej, ajo! I tillë ishte qeni. U dënua me vdekje në mungesë. Tashi shëtit këtu me limuzinë, bën biznes me Shqipërinë, vete atje, ha dreka e darka me Nanon e nuku guxon qeni t’i rrëfejë Nanos se ç‘dënim i rri mbi kokë. Nanua po, s’ka kohë të hapë qitapet e vjetra! Neve këtu vazhdojmë e mblidhemi në përvjetorë, festojmë… Donjëherë Fajre Departmenti i zjarrfiksave, na jep lejë të ndezëm donjë zjarr partizan dhe na gjobit kur e ndezëm të madh. Neve tashi i bëjmë zjarret gjithnjë të veckël e më të veckël, bëjmë shuk tri katër gazeta Nju Jork Tajms bashkë, sa për të bërë adetnë, kujtojmë kohët e arta, ndezëm donjë Marllboro dhe e thëthijmë nga njëzë herë e ia kalojmë shokut, me radhë, si njëherë e një kohë, çmallemi, shkojmë të organizuarë në kazinotë e Atllantik Sitit… E kështu rjedh jetaaaa, or biiir!
2003.(Marre nga libri I Pellumb KULLES-Rrefenja nga Amerika)