-Duke uruar përvjetorin e 27-të, kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka përkujtuar Presidentin Rugova, Fehmi Aganin dhe të gjithë veprimtarët që kontribuuan në themelimin dhe fuqizimin e LDK-së, dhe që përmes LDK-së dhanë kontributin e tyre në arritjen e lirisë, pavarësisë dhe demokracisë në Kosovë/
-Gjatë manifestimit, artistë të dalluar të Gjakovës kanë përformuar pika të ndryshme artistike si dhe është lexuar biografia e Presidentit Historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova/
GJAKOVË, 2 Prill 2017-Gazeta DIELLI/ Me praninë e qindra qytetarëve dhe aktivistëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës, sot në Gjakovë u shënua 27-vjetori i themelimit të Degës së LDK-së në këtë Komunë.
Të pranishmëve të shumtë, me nga një fjalë rasti iu drejtuan kryetari i LDK-së, njëherësh Kryeministër i Republikës së Kosovës, Akademik Isa Mustafa dhe kryetari i Degës së LDK-së në Gjakovë, Luan Gola.
Duke uruar përvjetorin e 27-të, kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka përkujtuar Presidentin Rugova, Fehmi Aganin dhe të gjithë veprimtarët që kontribuuan në themelimin dhe fuqizimin e LDK-së, dhe që përmes LDK-së dhanë kontributin e tyre në arritjen e lirisë, pavarësisë dhe demokracisë në Kosovë.
Kryetari Mustafa, para të pranishmëve tha se ka vizituar sot edhe Aeroportin e Gjakovës, duke bërë të ditur se Qeveria e Kosovës do të shoh të gjitha mundësitë që ai të aktivizohet sa më shpejt. “Unë konsideroj se ajo që ne duhet të bëjmë sot është që pasuritë që i kemi trashëguar në Kosovë, edhe materiale edhe njerëzore, t’i vëmë në shërbim të këtij vendi”, tha Mustafa, duke shtuar se LDK ofron zgjidhjet më të mira për qytetarët dhe për të rinjtë, që ata të jetojnë më mirë, të kenë punë dhe perspektivë në Kosovë.
Kryetari Mustafa, po ashtu, ka thënë se tani është koha që të bëhet maksimumi që ato pasuri dhe kapacitete që i ka Kosova të vihen në funksion.
“Është fjala për një Aeroport të shkëlqyeshëm në Gjakovë, për një aset me vlerë të madhe që është arritur edhe me kontributin e ndërkombëtarëve dhe të cilin ne duhet ta shndërrojmë në një aset me të cilin do të mburret jo vetëm Gjakova por edhe e gjithë Kosova, duke qenë një aset tepër i rëndësishëm edhe komercial, edhe ekonomik, edhe i sigurisë”, tha kryeministri Mustafa, duke bërë të ditur se do të punohet që edhe shumë aseteve tjera ekonomike t’i zgjidhet statusi dhe të vihen në funksion të zhvillimit, të punësimit dhe të prosperitetit të Gjakovës.
Kryetari Mustafa theksoi po ashtu se në Gjakovë po investohet edhe në infrastrukturë, në energjetikë, në arsim dhe shëndetësi.
“Gjakova meriton shumë më shumë investime dhe shumë më shumë kujdesin e qeverisjes qendrore edhe tani edhe në të ardhmen për arsye se kontributi i Gjakovës në çlirimin e vendit dhe në shtetndërtim është i pamohueshëm. Ju e meritoni që ky kontribut të vlerësohet e të ndërtohet edhe më tutje si vlerë e jona e përbashkët”, tha kryetari Mustafa.
Më tutje, kryetari i LDK-së, ka folur për rolin e LDK-së në kuadër të Partive Popullore Evropiane dhe prezantimin e qëndrimeve dhe përkushtimit të Kosovës për forcimin e shtetit, zhvillimin ekonomik e demokratik, për rrugën integruese evropiane dhe për kontributin e Kosovës në stabilitetin dhe paqen në rajon.
“Ne duhet të bëjmë më shumë në Kosovë sepse Evropa nuk do të bëjë më shumë për Kosovën nëse ne nuk do të bëjmë për veten. Prandaj, disa vendime janë vendime tonat, të cilat ne duhet t’i marrim, për arsye se të tjerët presin që ne ta marrim pronësinë dhe përgjegjësinë për vendimet të cilat i marrim në Kosovë. Marrja e atyre vendimeve do të na hap rrugën e integrimeve dhe të përkrahjes së BE-së dhe SHBA-ve”, tha kryetari Mustafa.
Më tutje, Mustafa ka folur për dy lajme të kundërta që kanë ardhur për Kosovën duke iu referuar vlerësimit të sekretarit të NATO-s, Stoltenberg, se Kosova është shembull i luftës kundër terrorizmit në Ballkan dhe në këtë pjesë të Evropës dhe vlerësimit të kryetarit të Parlamentit Evropian për arrestimin në Itali të katër të dyshuarve për terrorizëm nga Kosova.
Lidhur me këtë të fundit, kryetari Mustafa tha se është shumë dëshpëruese se si ka mundësi që të diçka e tillë të ndodhë në një vend që e ka ndihmuar pavarësinë dhe lirinë e Kosovës.
Prandaj, kryeministri Mustafa ka kërkuar mobilizim të të gjithëve për ndërtimin e shtetit të Kosovës mbi vlerat e saj tradicionale dhe të përhershme.
“Ajo që sot kërkojmë është që t’i ngjeshim radhët tona, të jemi unik, të jemi bashkë si qytetarë të Republikës së Kosovës në rrugën tonë evropiane, rrugën tonë euroatlantike, sepse kjo është rruga e jonë e vetme. Ne, tjetër rrugë nuk kemi dhe këtu s’kemi dallime ndërmjet vete sepse ky është orientim i përbashkët i qytetarëve të Kosovës”, tha kryetari Mustafa.
Krejt në fund, kryetari i LDK-së, Akademik Isa Mustafa, i ka bërë thirrje të pranishmëve të shumtë në këtë tubim të LDK-së në Gjakovë, që bashkërisht të punojnë që të fitojnë në zgjedhjet lokale në Gjakovë, të punojnë në terren dhe të shpalosin vlerat dhe potencialin qeverisës të LDK-së.
Kryetari i degës së LDK-së në Gjakovë, Luan Gola, në fjalën e tij ka përkujtuar etapat kryesore të zhvillimit të LDK-së që nga themelimi 27 vjet më parë, duke përkujtuar veprimtarët, aktivistët dhe personalitetet që kanë vepruar në kuadër të kësaj dege duke dhënë kontribut të çmuar për Gjakovën dhe Kosovën.
“Dega e LDK-së në Gjakovë po përgatitet për hartimin e platformës politike për zgjedhjet lokale 2017. Krahas rekomandimeve që do të vijnë nga qendra, Dega do ta hapë këtë proces edhe në diskutim në nivel të nëndegëve, por kësaj radhe, ajo do të lëshohet edhe në vlerësimin e nevojave të secilit mes, në mënyrë që prezantimi i kërkesave të jetë sa më gjithëpërfshirës. Zgjedhjet e fundit për Forumin Rinor dhe Forumin e Gruas tregojnë për rritjen e interesimit në strukturat e LDK-së”, tha Gola, ndër të tjera.
Kryetari i Degës së LDK-së, Luan Gola, po ashtu, ka thënë se si parti e qendrës djathtë, pjesëtare e vetme nga Kosova në unionin e partive popullore evropiane, LDK elektoratit kosovar i ka ofruar gjithmonë politikën e integrimit evropian dhe ruajtjen e partneritetit me qendrat e vendosjes politike e në veçanti me SHBA.
“Kjo mund t’i hidhërojë oponentët tanë politikë, por ata duhet të kuptojnë se Qeverisja Mustafa në këto 2 vite e gjysmë ka dëshmuar përmes reformës fiskale vendosjen e Kosovës në një pozicion me stabilitet financiar duke mos harruara gatishmërinë e FMN-së për përkrahje që kalon shumën e 100 milionë eurove”, tha Gola, duke shtuar se tashmë të gjithë e pranojnë se klima e të bërit biznes në Kosovë është më e mira deri më tani në Kosovën e pasluftës.
Gola ka folur për Aeroportin e Gjakovës duke shprehur përkushtimin që t’i hapet udhë funksionalizimit të tij në përputhje me mundësitë e organizmit të komponentës ushtarake dhe civile, dhe në harmoni me partnerët dhe miqtë e Kosovës.
Në fund, kryetari Mustafa dhe kryetari Gola kanë shpërndarë mirënjohje për dhjetëra aktivistë të dalluar të LDK-së në Gjakovë.
Ndërsa, dhjetëra të rinj kanë pranuar librezat e anëtarësimit në Degën e LDK-së në Gjakovë.
Gjatë manifestimit, artistë të dalluar të Gjakovës kanë përformuar pika të ndryshme artistike si dhe është lexuar biografia e Presidentit Historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova./b.j/