Në aktivitetet e ditëve të para të shkurtit 2014 Presidenti shqiptar Bujar Nishani zhvilloi një sërë takimesh dhe aktivitetesh në Kongresin Amerikan dhe në mjedise të organizatave të ndryshme në Uashington DC në kuadrin e vizitës së tij zyrtare në SHBA.
Në aktivitetin e zhvilluar më datën 4 Shkurt 2014, Presidenti Nishani dekoroi “Komitetin Kongresional Amerikan për Cështje Shqiptare” dhe Kongresmenin Robert Aderholt (R, AL).
Në këtë aktivitet merrnin pjesë përfaqësues të Kongresit Amerikan , përfaqësues të ambasadave të ndryshme si dhe përfaqësues të komunitetit Shqiptaro-Amerikan.
Dega e VATRES në Uashington DC përfaqësohej nga Kryesia dhe nga disa anëtarë.
Mbas fjalëve të rastit dhe dekorimeve, Presidenti Nishani u takua dhe u përshëndet me pjesëmarrës të ndryshëm në aktivitet. Në këto përshëndetje presidenti Nishani u takua edhe me përfaqesuesit e VATRES. Ai , njoftojnë VATRANET nga DC, i përcolli Dr.Bucaj-t, President i “VATRES”, kryesisë së Federatës dhe gjithë VATRANEVE përshëndetjet e tij vëllazërore dhe urimet e tij më të përzemërta.Para largimit Presidenti Nishani pozoi me shqiptaro-amerikanët dhe disa miq amerikanë për kujtim nga kjo vizitë. Vatranët morrën pjesë edhe në aktivitetin me Komitetin Hebraik Amerikan, shkrimi për të cilin është më vete. (korrespondent i Diellit)