NGA MARJAN CUBI*/
Në festa të tilla, siç është kjo e Pavarësisë së Kosovës, ne festojmë, por edhe analizojmë se çfarë kemi arritë dhe çfarë mbetet të bëjmë për të ardhmen e Kosovës tonë dhe trevave të tjera etnike, kombëtare. Fatkeqësisht, çështja Kombëtare Shqiptare, përgjatë një shekulli, ende nuk është zgjidhur. Pavarësia e shtetit amë, e shpallë me 28 Nëntor 1912, i gjeti trojet tona të zhytura në kaos, në flakë, shkaktuar prej fqinjëve grabitqarë, që kërkonin të zmadhoheshin, duke zhvatë tokat shqiptare. Kombi nisi të tkurret më shumë gjatë Konferenës së Londrës. Aletatët tanë Austro-Hungarezët nuk arritën ti bindnin të mëdhejtë në Londër për të pranuar kufijtë e shtetit shqiptar sipas parimit etnik. Fqinjët sllavë kishin një avokat të fuqishëm-Rusinë, që luftonte për ta. Fuqitë e Mëdha të Evropës ranë dakord më 22 Mars të vitit 1913, që ta ndanin Shqipërinë në dy pjesë; Pjesën e Lirë dhe pjesën e robëruar. Kjo do të thoshte që gjysma e territorit i hiqej Kombit në mënyrë arbitrare dhe u jepej: Serbisë, Malit të Zi e Greqisë.
Më duhet të theksoj këtu se shqiptarët e Amerikës me VATREN, luajtën një rol të jashtzakonshëm, për të shpëtuar nga grabitja,pjesë të Trojeve Etnike, veçanërisht në Jug:Korçë – Gjirokastër, dy krahinat më të rrezikuara nga Greqia. Protestat e mëdha në Boston, Peticionet, Telegramet e protestës, të udhëhequra nga Vatra, arritën që t’ia ndalin dorën Konferencës së Londrës. Gjithësesi me 22 mars të viti 1913, Konferenca e Ambasadorëve vendosi përfundimisht që Shkodra me rrethinat e saj t’i mbetej Shqipërisë, ndërsa Rrafshi i Dukagjinit, Kosova dhe pjesët e tjera të trevave lindore, ku binin pjesë Manastiri, Shkupi, Kumanova e Presheva t’i mbeteshin Serbisë dhe Malit të Zi.
Gjatë Luftës së Dytë Botërore shqiptarëve iu shtuan shpresat se do të rilindëte Shqipëria Etnike, por ëndrrat u shuan në fundin e Luftës, ku ata që i ushqyen këto ëndrra të shqiptarëve, dolën humbës të Luftës. Shqipëria amë ra në dorë të komunistëve, të cilët bënë alenca vëllazërimi me sllavët dhe e lëshuan Kosovën. Hap pas hapi Kosova u gjend nën okupim. Katër dekada pas Luftës së II Botërore gjendja e shqiptarëve ishte zi ma zi, si në Shqipëri, ashtu edhe në trojet e okupuara: Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, Luginën e Preshevës, e Çamëri. Popullsia shqiptare nuk gëzonte liritë elementare, diskriminohej, përndiqej dhe burgosej. Fatkeqsisht Diaspora shqiptare ishte e paorganizuar, konfuze, e përçarë prej politikës së Beogradit, Athinës dhe Tiranës komuniste. Agjenturat e UDB dhe Sigurimit komuniste Shqiptar, përpiqeshin që të fusnin grindjet në diasporën e Amerikës, me qëllim që ajo të mos merrej me problemet e vendlindjes. Gjithësesi pjesa më e shëndoshë e Diasporës nacionaliste, nisi të organizohej dhe të trokiste në dyert e politikës amerikane.
Shteti ateist shqiptar i vetëizoluar në aventurën komuniste, fatkeqsisht herë lidhej me Beogradin, herë me Moskën e herë me Pekinin, por jo me Amerikën. Si për ironi të fatit ish aleatja e Shqipërisë Komuniste, Jugosllavia, që diskriminonte Kosovën, ishte e përkëdhelura e Uashingtonit. Në këto kushte ishte shumë e vështirë për të ngritur zërin e protestës.Diaspora shqiptare nacionaliste në Amerikë: Federata Vatra, Balli Kombëtar, Organizata e Legalitetit, Blloku Kombëtar Indipendent, Komiteti Shqipëria e Lirë, përpiqeshin që ta kundërshtonin duke u organizuar në protesta kundër komunizmit në Shqipëri dhe kundër komunizmit sllavo-Orthodoks, që ushtronte dhunë e terror, burgosje e vrasje, në trojet Etnike Shqiptare, veçanërisht në Kosovë.
Shqiptarët e Amerikës e kishin kuptuar se nuk kishte liri në Trojet Etnike pa ndihmën e Amerikës. Nisën kështu kontaktet me senatorë e Kongresmenë. Amerikanët ishin të interesuar për fatin e popujve nën komunizëm. Amerika i shihte me respekt e konsideratë shqiptarët e Amerikës, që ishin punëtorë të mirë, të suksesshëm në biznes, dhe jo problematikë në raport me ligjet e këtij shteti, ishin qytetarë të respektuar. Hap pas hapi shqiptarët e Amerikës përmes kontakteve arritën të tërhiqnin vëmendjen e senatorëve dhe Kongresmenëve për atë çfarë ndodhte në Kosovë. Represioni serb po shtohej derisa në Mars të vititit 1989 diktatori Milosheviq, ia hoqi Kosovës autonominë.Kosova reagoi me protesta dhe rezistencë. Natyrisht që rezistencën e pagoi me gjakun e bijëve të vet. Koha nxori në krye birin e Kosovës, intelektualin e shquar, Kryetarin e Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Kosovës, dr. Ibrahim Rugovën. Ai me guxim kundërshtoi represionin, doli në mbrojtje të të drejtave të shqiptarëve, ngriti zëri e protestës, dhe u vu në krye të rezistencës. Dr. Rugova ishte udhëheqës me vizion Perëndimor. Ai të gjitha shpresat i kishte tek Amerika, e cila në krye të shekullit XX i pat ardhë në ndihëm Kombit shqiptar me anë të presidentit Wilson.
Fati e deshi që në Tetor të vitit 1989, me Ftesë të Kishës Katolike “Zoja e Shkodrës” Dr. Ibrahim Rugova erdhi në SHBA. Ftesa u bë me rastin e simpoziumit për 300 vjetorin e Pjetër Bogdanit, ku dr. Rugova do të mbante një ligjeratë për eruditin Pjetër Bogdani , për të cilin ai kishte kryer studime të thella dhe e adhuronte autorin e “Çetës së Profetëve”. Pas simpoziumit të suksesshëm në Fordham University, Dr. Rugova, i shoqëruar nga intelektuali shqiptaro-amerikani Frank Shkreli, zyrtar i lartë në Zërin e Amerikës, vizitoi Uashingtonin, ku u takua me personalitete të Politikës Amerikane, senatorë e kongresmenë. Amerikanët e ofruan dr. Rugovën pasi vizioni i tij ishte perëndimor, dhe ai përcolli tek ata dramën tragjike që përjetonte Kosova dhe besimin e madh tek liria e popullit të tij, duke marrë me vete, premtimin e madh për mbështetje.
Edhe koha duket se punonte për lirinë e shqiptarëve të Kosovës. Me 9 Nëntor 1989 nisi shembja e murit të Berlinit që ndante dy Botë, Lindjen nga Perëndimi, mur që ishte ndërtuar që gusht të vitit 1961. Po binte perandoria e së keqes. Dr. Ibrahim Rugova së bashku me një grup intelektualësh me 23 Dhjetor 1989, themelojnë LDK- në, ndër Partitë e para që i parapriu pluralizmit në Ballkan dhe theu monopartizmin ndër trojet shqiptare.Rreth LDK-së dr. Rugova bashkoi shqiptarët e Kosovës dhe i priu luftës për Liri.
Edhe në Amerikë, shqiptarët kishin arritë ta sensibilizonin këtë shtet, mbrojtës të Lirive botërore. Në fillim të vitit 1990, një delegacion me shtatë senatorë,i kryesuar nga senatori republikan Bobe Dole, shkoi si vëzhgues në Kosovë. Senatorët vizituan Beogradin e më pas shkuan në Prishtinë, ku u takuan me intelektualë të Kosovës. Në qendër të takimeve ishte dr. Ibrahim Rugova, Kryetar i LDK dhe i Shoqatës së Shkrimtarëve. Dr. Rugova me kurajo dhe guxim, paraqiti para senatorëve gjendjen e mjerushme të Kosovës, pasigurinë e Jetës, represionin dhe dhunën, që ushtronte Millosheviqi me regjimin e tij diktatorial. Kreu i delegacionit, miku i shqiptarëve, Senatori Dole, u tërhoqi vërejtje serbëve për dhunën që ushtronin duke i paralajmëruar:”Edhe pse Ju, serbët, nuk e pëlqeni Demokracinë- Demokracia do të vijë!”
Një ngjarje tjetër që duhet përmendë, ishte dhe Dëshmia e prillit 1990 në Senatin Amerikan, ku morën pjesë 14 intelektualë të Kosovës, kryesuar nga Kryetari Rugova,si dhe 13 prijesa fetarë,përfshirë edhe politikani intelektual Dobriça Qosiç, qw deklaroi pas atkimit: E kemi tw humbur Kosovwn!. Dëshmia vërtetoi se e drejta ishte me shqiptarët, ndërsa gënjeshtra ishte në anën e serbëve.
Dr. Rugova nisi të bëhej përherë më i pranushëm dhe i besushëm për amerikanët dhe ftesat e Uashingtonit u bënë më të shpeshta: U ftua si kryetar i LDK-së, dhe më vonë , në vitin 1992,si Kryetar i Kosovës, i votuar nga shqiptarët, por i panjohur ende nga ndërkombëtarët.
LDK-ja në SHBA, u bë një urë lidhëse mes Kosovës dhe Amerikës dhe një forcë organizues e protestëve që denonconin dhunën policore të shtetit Jugosllav. Edhe pse shpenzimet ishin të mëdha, LDK-ja në SHBA nuk e uli tempin e protestave, që nga viti 1990. Gjithçka e përballonte LDK-ja e Amerikës, përfshi udhëtimet e delegacioneve, që vinin nga Kosova,fushatat për Lobim, përfshi ato të Senatorëve dhe Kongresistëve,fushatat presidenciale, mbajtja e Zyrës së LDK-së, Radio-Programi i LDK-së etj.
Të gjitha këto i ka përballuar anëtarësia e LDK-së dhe mbështetësit e saj në SHBA. Po përmend vetëm disa nga shumat e shpenzuara: Vetëm fushata e senatorit Bobe Dole për President i SHBA-ve na ka kushtuar 100 mijë dollarë dhe këtë shumë e kanë siguruar 100 persona, nga këta, 80 ishin anëtarë të LDK-së. Po ashtu kemi bërë fushatë dhe kemi mbledhë 50 mijë dollarë,(shumica nga LDK-ja) edhe për guvernatorin Bill Klinton, i cili ishte përballë Bobe Dole, si kandidat i demokratëve.
Po ashtu kemi marrë pjesë në Fushata për”Miqtë e Kosovës”, miq që e kanë mbrojtë Çështjen e Kosovës dhe çështjen Kombëtare si : senatorët Damato, Gingrich, Presley, (Pele), Liberman, si dhe kongresistët: Lantoss, Gilman, Engel, King, Keley, Crowley dhe shumë të tjerë, që i dolën në krah çështjes sonë kombëtare, veçanërisht Kosovës.
Lista e kontributorëve është e gjatë, por unë po përmend vetëm disa nga më të dalluarit: Xhim Xhema,Hajdar Bajraktari, Rrustem Gecaj, Agim Karagjozi, Agim Rexhaj, Marjan Cubi, Sabit Bitiçi, Lekë Gojçaj, Bruno Selimaj,Syl Lajçi, Demë Balidemaj, D. Gjon Buçaj, Ibrahim Kolari, Lavdrim Cami, Sali Lajçi, Mithat Gashi, Agim Mujaj e të tjerë.
Ne kemi tubuar fonde edhe për zona të ndryshme me qëllim që të ndihmohej Lufta: Me 6 Mars 1999 kemi dërguar ndihma në Zonën e Llapit. Shuma kapte shifrat prej 192 mijë Marka dhe 19 Mijë e 600 dollarë, të cilat, unë(Marjan Cubi) dhe Agim Rexhaj ia kemi dorëzuar përfaqësuesit të Zonës së Llapit, z. Ali Rama(e kemi ende dokumentin e nënshkruar). Kemi ndihmuar edhe zonën e Rugovës, kemi përkrahur Ministrin e Mbrojtjes Ahmet Krasniqi, Kolonel Tahir Zemaj, komandantët e Luftës Sali Çekaj, Agim Ramadani, Anton Cuni dhe shumë të tjerë.
…Suksesi ynë në politikën dhe ekzekutin amerikan, erdhi hap pas hapi: Ka qenë interesant fakti që kur më 1990, Kongresi Amerikan, aprovonte Rezolutën:”Heqja e Prioritetit të Jugosllavisë”, ne na dukej se kjo ishte shumë pak,krahasuar me lirinë e plotë- dhe nuk ishim të kënaqur, pork ur erdhi koha që në vitin 1999, Senati kërkoi që të përdoren”Të gjitha forcat e nevojshme për të larguar forcat serbe nga Kosova”, natyrisht ne ishim shumë të kënaqur. Për këtë kishim luftuar, protestuar dhe shpenzuar milionë dollarë.
Mbaj mend se kur disa nga ne, përfaqësuesit e Komunitetit shqiptar në SHBA, gjendeshim në State Departmant në vitin 1998, në takimin me përfaqësuesin e shtetit Amerikan, Stenberg, ai na tregoi se:” ne, amerikanët e dimë se Ju, shqiptarët kërkoni që ta ndajmë Kosovën nga Serbia, por në Departamentin e Shtetit po mundohemi si ta largojmë Serbinë nga Kosova.”Ishet e njëjta gjë që ne kërkonim.
Dhe ne e pamë me sytë tanë se çfarë ndodhi. Kronologjia e ngjarjeve ishte si njj reaksion zinxhir: Në vitin 1991 nisi Lufta ën Slloveni, Kroaci dhe pastaj në Bosnjë -Hercegovinë. Vdiqën me qindra mijëra, u plagosën e u gjymtuan me qindra mijëra të tjerë, u shpërngulën nga vatrat e tyre miliona njerëz…Tragjedia po i afrohej Kosovës së pambrojtur. Mund të kishte ndodhë e njëjta tragjedi me përmasa si në Bosnjë, por largpamësia e Kryetari Rugova, shmangu përmasat e tragjedisë, duke i shtyrë ngjarjet me strategjinë e Rezistencës Paqësore, duke kërkuar publikisht “Ne, shqiptarët, duam atë që të fitojnë sllovenët dhe kroatët!”.
Kjo qëndresë Paqësore fitoi simpatinë e Amerikës, ç’ka u pasqyrua në dhënien e Vijës së Kuqe Serbisë nga Presidenti George Bush(Bushi i vjetër). Kjo e tërboi Millosheviçin,i cili e rriti represionin dhe shtypjen në veri. Natyrisht përballja me makinerinë shtypse të Millosheviçit ishte e pabarabartë. Arritja e një marrëveshjeje paqeje nga ambasadori Hollbrook më 1995, shmangu më të keqen mes tri republikave:Serbe,Kroate, sllovene, nderkophe qe per Kosoven ende nuk ishte gjetur zgjidhja. Edhe pse ende nuk ishte gjendur zgjidhja e konfliktit, Hollbrook vazhdoi të takohej me Millosheviçin në kërkim të gjetjes së një marrëveshjeje me dialog për të tërhequr forcat serbe nga Kosova dhe dhënien e të drejtave të mohuara shqiptarëve të Kosovës.Pas shumë përpjekjeve , Hollbrook propozoi nënshkrimin e një marrëveshjeje në Rambuje të Francës, ku të takoheshin e nënshkruanin të dy palët. Marrëveshja synonte hyrjen e forcave ndërkombëtare të NATO-s ose UN, për ta menaxhuar situatën për një periudhe 3-5 vjeçare dhe pastaj të vendoste populli i Kosvës. Ky do të ishte një protektorat Ndërkombëtar, që dr. Rugova e kërkonte në vazhdimësi për të shmangur gjakderdhjen.
Kam pasë fatin që ta përjetoj nga afër Takimin e Rambujes. Në mbledhjen e parë nuk u arrit nënshkrimi, nga serbët, Jo se Jo, por as nga shqiptarët. U vendos që pas tri javësh të vazhdohej në Paris. Mendoj, se ato 3 Javë, i kushtuan shtrenjët Kosovës. Millosheviçi shtoi trupat, rriti represionin,dhe shkatoi shumë viktima… nisi shpërgnuljen e dhunshme, duke detyruar shqiptarët të braktisnin shtëpitë dhe pasuritë e tyre. Popullsia u gjend në një situatë tepër të vështirë dhe u vetëmbrojt si dhe sa mundi. Ndërkohë, në Paris u nënshkrua marrëveshja nga shqiptarët, por jo nga serbët. Kjo i dha mundësi NATO-s dhe SHBA-ve, që të përshkallëzojnë presionin tek Millosheviçi dhe ta kërcënonin atë me përdorim force, duke qenë se ai i kishte mbyllë rrugët e dialogut dhe diplomacisë.
Makineria represive ushtarake e Millosheviçit me 15 Janar 1999, kreu masakrën e përgjakshme të Reçakut, duke masakruar shumë fëmijë, gra , pleq dhe të rinj të pa armatosur.Ambasadori Walker, kryesues i vëzhguesëve ndërkombëtarë, denoncoi publikisht masakrën, duke e cilësuar: Gjenocid… dhe katastrofë Humanitare! Nga ana e tij Ambasadori Hollbrook, deklaroi se Millosheviçi nuk kishte pranuar zgjidhje diplomatike. Ishin mbyllur kështu rrugët e marrëveshjes me bisedime dhe mbeti zgjidhja me ndërhyrje ushtarake.
…Dhe erdhi kështu dita e 24 Marsit 1999, kur NATO, filloi bombardimet kundër bazave ushtarake terroriste të Serbisë. Nga ana e saj edhe UÇK-ja vazhdoi misionin e saj në tokë, duke kombinuar aksionet e saj me sulmet nga ajri të NATOS.
12 Qershori 1999 shënoi kapitullimin e Serbisë. Ajo e pranoi më së fundi tërheqjene trupave pushtuse nga Kosova. Hyën Trupat e NATO-s dhe Kosova fitoi Lirinë, pas shumë përpjekjesh, sakrificash, rezistence dhe me shumë viktima, një pjesë e të cilëve ende konsiderohen të humbur dhe nuk u dihen vorret. Nisi rrugëtimi i vështirë i ndërtimit të Demokracisë. Me 17 Shkurt 2008, Kuvendi i Kosovës shpalli Pavarësinë, proces që deri tani ka siguruar njohjen e 113 shteteve në Botë. Në themelet e Lirisë dhe Pavarësisë së Kosovës është edhe gjaku i dëshmorëve të Luftës, është edhe Heroi Adem Jashari, janë dhe heronjët e të gjithë Kosovës. Prandaj e kemi të shenjtë Pavarësinë!..
Ndërsa kemi pasur një mbështetje të fortë nga SHBA, ka ende shtete të Bashkimit Europian, që nuk e kanë njohur shtetin e ri. Kjo edhe për luftën e ashpër që bënë Diplomacia dhe shteti i Serbisë, që gjithëmonë ngre kurthe për ta rrezikuar Pavarësinë. Arrestimi i Komandantit të UÇK-së, ish kryeministrit Ramush Haradinaj, me fletë arreste të skaduara të Beogradit, na tregon se Kosova jonë ka ende vështirësi në rrugëtimin e saj demokratik drejt Lirisë së Plotë.
Ta nderuar bashkatdhetarë, le të shpresojmë se betejën e vështirë me Serbinë nga një anë, dhe atë korrupsionit të zyrtarëve tanë nga ana tjetër, do t’i fitojmë dhe kosova jonë do të ecë përpara drejt Demokracisë!
Vëllezër dhe motra, Gëzuar Festën!
Zoti Ju bekoftë të gjithëve, Kosovën, popullin shqiptar, kudo që gjendet në SHBA.
* Fjala përshëndetse e mbajtur në festimin e 9 vjetorit të pavarësisë së Kosovës, organizuar nga Shoqata”Kosova” në Detroit, 12 Shkurt, 2017
***
NJOFTIMI
SHOQATA”KOSOVA” NË MICHIGAN FESTOI 9 VJETORIN E PAVARËSISË SË KOSOVËS
*Shoqata “Kosova” në Michigan, gjatë darkës festive të 9 vjetorit të Pavarësisë, nderoi anëtarin e Kryesisë së Vatrës,drejtor i Qendrës Kulturore”Nëna Tereze” pranë Kishës Katolike Shqiptare”Zoja e Shkodrës”, z. Marjan Cubi me “MIRËNJOHJE”.
Me 11 Shkurt 2017, Shoqata “Kosova” në Michigan, me kryetar z. Mikel Demaj, organizoi darkë festive kushtuar 9 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës. Darka festive u organizua në sallën e Kishës Katolike Shqiptare”Shën Pali” në Rochester Hills dhe u moderuar nga Petrit Musolli dhe Elizabet Markaj.
Në këtë veprimtari festive morën pjesë si mysafirë nderi: klerikët Don Fred Kalaj-famullitar i Kishës Katolike Shqiptare” Shën Pali”, Don Ndue Gjergji-famullitar i Kishës “Zoja Pajtore”, kandidatja për në Kongresin Amerikan znj, Suzanna Shkreli, Senatori i shtetit të Michiganit David Knezek.
I ftuari nderit i darkës dhe folësi kryesor ishte z. Marjan Cubi, anëtar i Kryesisë së Vatrës, njëkohësisht drejtor i Qendrës Kulturore”Nëna Terezë” pranë Kishës Katolike Shqiptare”Zoja e Shkodrës” në Nju Jork.
Veprimtarinë e mbështeti edhe dega e Vatrës në Michigan. Nënkryetari Mondi Rrakaj ishte një ndër sponsorët e veprimtarisë, ndërsa vatrani Luvigj Stërbyci dhe vatrani veteran Vasel Ujkaj, ishin flamurmbajtësit gjatë festës. Nënkryetari i degës së Vatrës, z.Mondi Rakaj përshëndeti pjesmarrësit dhe uroi pavarësinë e Kosovës. Edhe shoqata”Malësia e Madhe” me kryetarin e saj Tony Vulaj, ishin mysafirë të nderuar në këtë darkë festive.Nën interpretimin e artistes Ermelinda Paparisto u përcollën Hymnet Kombëtare. Darka u bekua nga dom Fred Kalaj, ndërsa Don Ndue Gjergji përshëndeti dhe uroi festën.
Grupi i valltareve te vegjël të Kishës së Shën Palit, nën drejtimin e koreografes Joli Paparisto, dhuruan emocione dhe fituan duartrokitje në interpretimin e valleve të bukura tradicionale shqiptare, duke filluar me vallen e Kosovës. Programi artistik që shoqëroi veprimtarinë festive u pëlqye dhe u duartrokit. Këngëtarja Albina Nrejaj u prit me duartrokitje e shoqëruar në keaboard nga Beku Gjelaj. Shoqata “Kosova” në Michigan, gjatë darkës festive, nderoi anëtarin e Kryesisë së Vatrës, z. Marjan Cubi me “MIRËNJOHJE”.(Korresp i Diellit sipas bisedes me z. Marjan Cubi. Botoi Dielli ne Print, Shkurt 2017)