Tiranë, 21 prill 2021 – Një përfaqësi së Federatës Panshqiptare të Amerikës“Vatra” vizitoi sot Autoritetin për Informimin për Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit.
Kryetari i “Vatrës”, z. Elmi Berisha, znj. Nazo Veliu, sekretare e Federatës, Dr. Pashko Camaj(Zv.Kryetar), z. Adriatik Spahiu(Zv/Kryetar), z. Mondi Rakaj, z. Anton Raja, anëtarë të kryesisë, u njohën me veprimtarinë e Autoritetit, shtyllat ku mbështetet puna e institucionit dhe sfidat e përditshme.
Kryetarja e Autoritetit, znj. Gentiana Sula dhe ekipi bënë një pasqyrë të zgjeruar të aktivitetit të AIDSSH, që nga kërkesat individuale, studimore dhe institucionale, te projektet aktuale që institucioni koordinon në bashkëpunim me partnerë dhe përballja me të shkuarën, me të gjitha aspektet e saj që ndikojnë të sotmen e të ardhmen tonë.
Në takim, znj. Sula e vuri theksin edhe në çështjen e mijëra të zhdukurve me forcë në komunizëm dhe veprimtarinë e AIDSSH për qartësimin e fatit të tyre. Përtej hapave konkretë në këtë drejtim dhe projekteve të ndërmarra, po koordinohet me institucionet që të lehtësohet procesi i kërkimit, identifikimit dhe zhvarrimit të viktimave dhe bashkërendohet puna e gjithsecilit.
AIDSSH dhe “Vatra” bashkëpunojnë që kur institucioni u krijua, bashkëpunim që është konsoliduar me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të Autoritetit në aktivitete të ndryshme të diasporës në SHBA, të organizuara nga “Vatra”. Po ashtu, zbatimi i projektit të dëshmive gojore mbi përndjekjen e komunitetit shqiptar në Shtetet e Bashkuara, të realizuara në marrëveshje me Zërin e Amerikës.
Fusha të tjera u propozuan për ta zgjeruar këtë bashkëpunim, duke përfshirë mbështetjen e studimeve mbi të shkuarën komuniste, bazuar në dokumente arkivore, përkrahjen e nismave për kthimin në vendkujtese të vendeve të vuajtjes së dënimit dhe ndëshkimit gjatë diktaturës, mbështetjen e iniciativave për qartësim të rolit të propagandës gjatë regjimit dhe dizinformimit të shoqërisë përmes mjeteve të komunikimit publik, qasje në arkiva personale dhe institucionale që ndihmojnë plotësimin e kuadrit historik të periudhës 1944-1991, etj.
Për sa më sipër, Autoriteti u ftua të njohë e prezantojë projektet e veta, po ashtu të bashkëpunojë me “Vatrën” dhe komunitetin shqiptar në SHBA, duke u dhënë jetë propozimeve për bashkërendim aktivitetesh.
Autoriteti ka vënë në dispozicion të Vatrës dosjet në tre vëllime të Sigurimit të Shtetit, që e survejoi për gjysmë shekulli organizatën, duke mbledhur mbi 800 faqe informacione për anëtarët e saj dhe komunitetin shqiptar në SHBA.
Një studim i zgjeruar për historikun e Federatës Panshqiptare “Vatra” po përgatitet, i cili do të hedhë dritë në dokumente arkivore dhe ngjarje ku “Vatra” ka luajtur rol të rëndësishëm.
Dosjet për “Vatrën” janë pjesë e fondit të dokumenteve arkivore që përmbajnë dhe trajtojnë informacione e të dhëna rreth emigracionit politik shqiptar, të arratisurve jashtë vendit, grupeve diversante, organizatave të ndryshme politike të krijuara nga emigracioni shqiptar në Europë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vende të tjera. Dokumentet ruhen si raporte, statistika dhe informata mbi veprimtarinë e emigracionit shqiptar në vende të ndryshme, relacione dhe raporte mbi bandat e diversantët që operonin kryesisht në Jugosllavi, etj., relacione dhe statistika për të arratisurit, të dhëna dhe dosje për emigrantët politikë e ekonomikë, etj., në arkivat e Autoritetit.
Dokumentet përllogariten të jenë afërsisht 90 mijë dosje e fashikuj dhe i përkasin periudhës 1944-1991; një pjesë e mirë e tyre janë bërë publike për herë të parë për qytetarët dhe studiuesit në konferencën ndërkombëtare shkencore me temë “Emigracioni politik shqiptar në vitet 1944-1990”, të mbajtur më 19 shkurt 2019 nga Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, në bashkëpunim me Institutin e Historisë pranë Akademisë së Studimeve Albanologjike, Institutin për Studimin e Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, Institutin për Integrimin e ish-të Përndjekurve Politikë, Muzeun Historik Kombëtar, Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Europës, ku një pjesë e mirë e tyre u vunë në dispozicion të studiuesve, dhe u ekspozuan për të interesuarit, në bashkëpunim me MEPJ.(AIDSSH)