Nga CLAUDIO DEL FRATE
Çfarë nënkupton Moska për denazifikim? Jo vetëm thyerjen e plotë në fushën e betejës të kundërshtarëve ukrainas por edhe një vepër të mëtejshme “pastrimi” të gjithë aparateve shtetërorë, politikë e ushtarakë, riedukimin e popullsisë “për së paku një brez”, fshirjen e përgjithëshme të emrit Ukrainë. Burimi është përmbi çdo dyshim sepse e llahtarshmja “road map” është botuar në siton e agjensisë “Novosti”, të një respektimi të ngushtë putinian
Plani I llahtarshëm e shtazëror I pastrimit është treguar në një artikull të gjatë, të nënëshkruar nga editorialisti Timofej Sergeicev, me titull “Çfarë duhet të bëjë Rusia me Ukrainën”, të botuar në të njëjtat orë në të cilat bota zbulonte tmerret e masakrave mbi civilët në Busha.
Denazifikimi është një kërkesë që Kremlini e quan të pakthyeshme, edhe se deri më sot nuk ishte shpjeguar në imtësi. “Denazifikimi është i nevojshëm sepse një pjesë e madhe e popullit – me gjasë shumica – është e zotëruar dhe e joshur nga regjimi nazist” sulmon Novosti. Pra synimi i parë është që “nazistët që kanë marrë armët duhet të shkatërrohen së shumti në fushën e betejës”. Vlen të kujtohet se Putini në më shumë se një rrethanë ka krahasuar Zelenskin dhe qeverinë e tij, ushtrinë e rregulltë të Ukrainës që kundërshton mësymjen ruse me batalionet -si Azov- që imitojnë simbologjinë naziste.
Të gjithë në të njëjtin kazan. Pra, “përveç drejtuesve, janë fajtorë edhe një pjesë e rëndësishme e masave, që janë naziste pasive, bashkëpuntore të nazizmit”.
Operacioni i pastrimit, nuk duhet të jetë vetëm fizik e ushtarak por të përfshijë edhe sferën e kulturës e të edukimit”që sendërtohet nëpërmjet shtypjes ideologjike (Shfarosje) të qëndrimeve naziste dhe një çensure të rreptë: jo vetëm në fushën politike, por edhe detyrimisht në atë të kulturës e të arsimit”. Për nënëshkruesin e artikullit kuptohet vetvetiu se “denazifikimi mund të bëhet vetëm nga fituesi”. Aspak forca paqeje ndërkombëtare, aspak OKB. Bëhet fjalë për një larje hesapesh, e gjitha brënda përmbrënda Rusisë. E siç sqarohet pak më tutje, “nuk mund të kryhet me një kompromis, mbi bazën e një formule si “NATO-jo, BE-po”.
Një synim i një përmase të tillë nuk arrihet me sot e me nesër “Kohët e denazifikimit n’asnjë mënyrë nuk mund të jenë më të pakta se një brez”, mbasi nazifikimi i Ukrainës ka vazhduar për më shumë se tridhjetë vite, së paku duke filluar që nga 1989”. Në ç’drejtim? “Veçoria e Ukrainës bashkëkohore të nazifikuar qëndron në mungesën e karakterit e në dyvlershmërinë, që i lejojnë nazizmit të fshihet në dëshirën për “pavarësi” e për një rrugë “evropiane” (perëndimore, filoamerikane) të “zhvillimit”. Pra si duhet vazhduar? “Emri “Ukrainë” nuk mund të mbahet si tiull i çfarëdo njësie shtetërore krejtësisht të denazifikuar në një territor të liruar”, por këtu Novosti le të hapur mundësinë që për territor të liruar të mos mendohet i gjithë Vëndi i sotëm, por vetëm pjesa e tij lindore. Do të këtheheshim kështu në shembëlltyrën e një kohe të Luftës së ftohtë, me dy Ukraina simbas modelit të dy Gjermanive. Mbetet se “në ndryshim, për shembull nga Gjeorgjia apo Vëndet balltike, Ukraina, siç ka vërtetuar historia, është e pamundur si shtet kombëtar dhe përpjekjet për të “ndërtuar një” çojnë natyrisht në nazizëm”. Pra “denazifikimi i Ukrainës është edhe de-evropianizimi i pashmangëshëmi i saj”.
Në kohë paqeje, denazifikimi duhet të shkojë gjatë disa drejtuesve: zhdukje e formacioneve të armatosura naziste…. krijim i organeve të vetëqeverisjes publike e të milicive… instalim i hapësirës informative ruse… tërheqje e materialeve mësimore dhe ndalim i programeve edukative në të gjithë nivelet që përmbajnë udhëzime ideologjike naziste…publikim i emrave të bashkëpuntorëve të regjimit nazist, duke i përfshirë në punët e detyrueshme për rindreqjen e infrastrukturave… krijim i organizmave të përherëshme të denazifikimit për një periudhë prej 25 vitesh”. Një shpëlarje truri në rregull të plotë.
Mbyllja përfundimtare: “Për të vënë në jetë planin e denazifikimit të Ukrainës, vetë Rusia më së fundi duhet të ndahet nga miklimet filo-evropiane e filo-perëndimore, të sendërtohet si aspirata e fundit për të nbrojtur e ruajtur vlerat e Evropës historike”. Shkurt, mesazhi nuk vlen vetëm për ukrainasit nën bomba.
“Corriere della Sera”, 4 prill 2022 Përktheu Eugjen Merlika