Në Konferencën për shtyp mbajtur në Tetovë, përfaqësuesja e PPD, Teuta Kamberi-Llalla denoncojë problemet në arsim si dhe çështjen e Abetares.
Partia për Prosperitet Demokratik me dëshprim të madh i priti deklarimet publike të ministres Jankullovska se zëvendësministri i saj dhe kuadrot e BDI nuk i njohin fare ligjet dhe me dëshprim edhe më të madh i ka pritur deklarimet e përsëritura disa herë të kryeministrit Gruevski se BDI në ekzekutiv emëron kuadro profesionalisht të paafta, andaj i sugjeron liderit të BDI-së Ali Ahmetit (që në bazë të ingerencave të mëdha që ia lejon Statuti i partisë së tij) ti largojë sa më shpejt nga ekzekutivi kuadrot e paaftë, paaftësia e të cilëve e vë në pyetje dinjitetin shqiptar në ekzekutiv dhe i sjell dëme çështjes sonë kombëtare.
Sugjerimi ynë mbështetet në konstatimin e zotit Ahmeti se edhe kuadrot e kësaj partie “nuk janë melaqe dhe e keqpërdorin pushtetin” si dhe nga dëshprimi për kaosin e vërtetë që kuadrot e BDI-së e kanë krijuar me vite në lëmin e arsimit në përgjithësi dhe arsimit sipëror në veçanti, si dhe në lëmitë tjera me të cilat ata kanë udhëhequr gjatë dhjetë viteve të fundit.
PPD është e bindur se ndër shqiptarë ka kuadro të afta dhe me përvojë të madhe nga shkencat pedagogjike të cilët mund të udhëheqin me Ministrinë e arsimit në vend të ministrit aktual Abdilaqim Ademi.
Në lidhje me deklarimet publike të publicistit Kastriot Myftaraj për vërtetësinë e diplomës së ministrit Ademi, PPD konsideron se do të ishte mirë ministri ti përgjigjet ftesës së publicistit Myftaraj për ballafaqim gjyqësor në mënyrë që të hiqen dyshimet e plasuara në opinion dhe e vërteta të bëhet publike.
PPD gjithashtu konsideron se do të ishte e pëlqyeshme, që si adhurues i madh i cilësisë në arsim, siç mëton ministri ta quaj veten, e me qëllim ti demantojë thashethemet, (poqese ministri nuk ngre padi) zoti Ademi ti nënshtrohej provimit shtetëror apo testit ekstern (si të dojë le ta quaj!) në Universitetin e Shkupit para Këshillit për Akreditim, ku na merr mendja se do të vërtetoheshin dituritë e fituara të tij në Universitetin e Tiranës dhe në rast dështimi në provim të dorëhiqej nga posti i ministrit duke shprehur kështu një gjest të etikës prej funksionari.
Në lidhje me problemin shumë të aktualizuar të Abetares, PPD e rikujton Ministrin Ademi se fëmijët shqiptarë kanë patur libër të Abetares nga e cila i kanë mësuar shkronjat e bukura shqipe edhe në kohën kur ai vetë ka qenë në klasën e parë fillore, ndërsa ka disa vite që Abetarja shqipe është hequr nga qarkullimi. Bëhet fjalë për Abetaren e lejuar nga Ministria e Arsimit të Maqedonisë e jo për Abetaren unike për të cilën ministri mundohet të arsyetohet se e ndalon Ligji.
Tetovë, 25. 11. 2014
Zyra për Informim e PPD