
Rafaela Prifti/
Një qarkore e brendshme për avokatët e Departamentit të Drejtësisë e datës 11 qershor udhëzon se ata lejohen ta ndjekin këtë taktikë që vë në shënjestër nënshtetasit të cilët nuk janë lindur në Amerikë. Në thelb është heqja e nënshtetësisë për ata që mund të kenë gënjyer në formular për dënimet ligjore ose nuk kanë deklaruar anëtarësinë në grupime si partia naziste apo komuniste si gjatë makarthizmit. Sipas të dhënave të vitit 2023, rreth 25 milionë emigrantë janë nënshtetas të natyralizuar, raportojnë agjencitë e lajmeve.
Denatyralizimi është taktikë e përdorur në masë gjatë periudhës së Makarthit në fund të viteve ’40 dhe fillimi i ’50. Gjatë presidencës së Obamës u zgjerua në kontekstin e terrorizmit dhe shkoi edhe më tej në mandatin e parë të Trumpit.
Fokusi në denatyralizim është një hap tjetër i administratës Tramp për ta riformuluar sistemin e emigracionit në të gjitha nivelet dhe për ta vendosur atë në qendër të vëmendjes për shumë agjenci federale, duke filluar me përkufizimin se kush lejohet të hyjë në Shtetet e Bashkuara dhe kush ka të drejtë të jetë amerikan. Qëkur është kthyer në Shtëpinë e Bardhë, presidenti po kërkon ta eliminojë marrjen e nënshtetësisë vetëm se ke lindur në Amerikë si edhe të shkurtojë shumë nga programet për refugjatët.
Sipas Departamentit të Drejtësisë, procesi do ndjekë rrugën ligjore të çështjeve civile. Por në proceset civile, personit, që është subjekt i denatyralizimit, nuk i njihet e drejta e përfaqësimit d.m.th. duhet ta paguajë vetë avokatin dhe së dyti, nuk kërkohet shumë nga ana e prokurorisë për të arritur përfundimin e çështjes. Sipas disa ekspertëve, kjo përbën shkelje të procesit ligjor dhe garancive të njohura nga Amendamenti 14. Shtëpia e Bardhë nuk ka dhënë koment.
Kriteret e caktuara nga Qarkorja
Qarkorja zgjeron kriteret për individët që janë në rrezik të humbjes së nënshtetësisë, duke përfshirë akte që rrezikojnë sigurinë kombëtare, edhe mosdeklarime si psh në programe huaje të pagesave, dhe/ose programe asistence si Medicaid dhe Medicare. Tendenca e administratës për ta shtrirë aktivitetin në sfera të pacekura më parë është për tu shqetësuar, vënë në dukje ekspertët e organizatës Qendra e Burimeve Ligjore për Emigrantët. Veç kësaj, qarkorja nuk i cakton limite Divizionit Civil edhe për raste që i referohen zyrës dhe të cilat ky Divizion mund të vendosë t’i procedojë. Faktikisht, gjuha e përdorur është e tillë që i jep dorë të lirë krahut të qeverisë të ndjekë penalisht personat që do t’i ketë në shënjestër.
Revokimi i nënshtetësisë
Për fëmijët që janë lindur nga prindër të natyralizuar, ky akt mund të ketë pasoja afatgjata. Amerikanët që deri tani mendonin se ishin të sigurtë tashmë mund të jenë në rrezik të humbasin nënshtetësinë. Dhe pastaj çfarë ndodh me një individ që mbetet pa nënshtetësi, pasi i është mohuar ajo, pyesin ekspertët e të drejtave civile. Sipas ligjit, individi kthehet në statusin e mëparshëm të banorit rezident të përhershëm (Green Card) dhe si i tillë, personi mund të jetë subjekt deportimi.
Në javët e fundit, njoftohet se të paktën një personi i është hequr nënshtetësia – Elliot Duke, i cili vjen nga Mbretëria e Bashkuar, ka kryer shërbimin ushtarak në ushtrinë amerikane dhe ka qenë i dënuar për shpërndarje materialesh që kanë të bëjnë me abuzim seksual të fëmijëve, gjë që personi e ka pranuar se ishte akt i kryer përpara se të merrte nënshtetësinë.
Denatyralizimi ishte mekanizëm politik shumë i preferuar në periudhën e Mekarthit. Në kulmin e vet arriti të kishte 22 mijë raste për denatyralizimin në një kohë kur popullsia ishte më e vogël. Në vitin 1967 vendimi i Gjykatës së Lartë vërente se “denatyralizimi nuk është konsistent me formën e demokracisë amerikane sepse krijon dy kasta të nënshtetësisë.” Prej atëherë, rastet e revokimit ranë në 10 a 15 , sipas ekspertëve. Por kjo ndryshoi gjatë administratës së Obamës, kur u vunë në përdorim metoda digjitale për rastet e shkeljeve financiare të kryera shumë vite më parë, me arsyetimin se paraqisnin rrezikshmëri ndaj interesave të sigurisë kombëtare, meqë kishin lidhje potenciale me akte terrorizmi. Administrata e mandatit të parë të Trump-it bëri përpjekje për ta zgjeruar përdorimin e denatyralizimit nga ana e qeverisë duke e aplikuar atë në gjykatën civile në vend të asaj të krimeve penale.
Pyetja është sa raste të tilla mund të ketë që plotësojnë kriteret e denatyralizimit dhe sa burime do ketë në dispozicion administrata për të ndjekur çdo rast. Në përfundim, subjektet mund të jenë individë për të cilët nuk ekzistojnë prova por mundësia për të bërë shkelje, që mund të merret si bazë për heqjen e nënshtetësisë. Sipas analistëve, është tregues fakti që gjykatat kanë prapësuar deportime të ndërmarra nga zelli i administratës në praktikimin e masave të emigracionit.
Hapja e çështjes penale për ata që e kanë fituar nënshtetësinë sjell shumë probleme të tjera si edhe krijimin e mundësisë së dallimeve në rastet kur për disa “hapen dosjet e për disa jo.” Një masë e ngjashme ka përfshirë një numër të shteteve evropiane që kanë aktivizuar akte të revokimit të nënshtetësisë për çështje të sigurisë së vendit, figurës morale të individit e të tjera.