
Gjëja më interesante e ditës së djeshme, madje edhe më e vlefshme gjithashtu pas vazhdimit të protestës së rinisë shqiptare, padyshim që ishte largimi nga rreshti i tretë i batalionit të parë të Partisë Socialiste i ish- deputetes se sajē , Marjana Koçeku.
Marjana Koçeku deklaroi: Nuk ua kam marrë unē peng mandatin e deputetit. Ma keni marrë ju mue, për 10 muej rresht.
Tash mandati ka ardhë në vend të vet, duke e sfiduar estabilishmentin e partise me zgjedhje tē reja.
Gjëja më e keqe që i ka ndodhur politikës shqiptare është kthimi i partive politike shqiptare në reparte ushtarake, i iniciuar dhe i realizuar nga binomi Berisha-Rama në vitin 2008 , 2024 e ne vazhdim .
Kthimi i partive politike në reparte ushtarake dhe shkatërrimi edhe i asaj pak demokracie të brendshme në planin politik prodhoi këtë realitet që ekziston sot, ku në njërën anë hapur adhurohet pronari i Partisë Demokratike, ndërsa në anën tjetër nuk është fare nevoja të bëhen zgjedhje, pasi dihet kush është trashëgimtari i Enverit.
Nuk po ndalem tek Parlamenti apo qeveria, pasi shihet jo vetëm cilësia, por edhe modeli i përfaqësimit, ku nuk i njeh askush. Produkti ndihet në jetën dhe në kurrizin e shqiptarëve, pasi politikanët të gjithë së bashku me shume i ngjajnë një reje karkalecash qe fshijne gjithçka ju del perpara sesa përfaqësuesve dhe menaxherëve të taksave të shqiptarëve.
Shikoni me vëmendje reagimin e të gjithëve, duke përfshirë edhe mediat, për faqen e zezë të tyre për largimin e deputetes Koçeku nga rreshti i partisë.
Pothuajse në kor i bëjnë thirrje të dorëzojë mandatin, pasi ai është mandati i partisë.
Kjo jo se nuk është e vërtetë, por shikoni se si ka degraduar partia në pushtet që nga viti 2013, kur lideri i tyre Rama deklaronte se “ne jemi shërbëtorët e popullit”, ndërsa sot nëpërmjet tellallëve të tij deklaron pronësinë edhe mbi deputetët e zgjedhur gjoja nga populli, kurse për popullin thotë se edhe 500 mijë në dalshin në shesh, nuk ia ndien fare.
Protesta masive e popullit shqiptar në rrugët e Shqipërisë dhe të Perëndimit është treguesi më i mirë i delegjitimimit të politikës shqiptare, së bashku me pushtetin e shtetin e tyre, ku grabitjen e pasurive mbitokësore dhe nëntokësore përgjatë 36 viteve të fundit mundohen ta mbulojnë me propagandën bajate se shqiptarët janë kundër investimeve të huaja, kur dihet se shqiptarët kanë mbushur rrugët e Shqipërisë kundër abuzimit të tyre shumëdimensional.
Largimi i deputetes Koçeku nga banda e grabitësve me siguri do të pasohet edhe nga të tjerë në krejt politikën shqiptare, pasi sado që ka degraduar krejt spektri politik, prapë kanë mbetur disa të pa bërë pis.
Shikojeni se si e mbrojnë zv/kryeministren nga drejtësia që kanë ngritur vetë, ku të gjithë të bashkuar rreth hajnisë dhe poshtërsisë as që e morën mundimin të bënin publike bemat e saj, pasi me siguri i kanë hesapet bashkë.
Sistemi politik së bashku me komponentët e tij është pak të thuash se ka rënë, pasi ka kohë që është kalbur dhe nuk mund ta mbajë në këmbë asgjë, madje as propaganda bajate e mediave të pushtetit me lehaqenët e tij, pasi populli fatmirësisht është zgjuar.
Shkalla më e lartë e dekompozimit të politikës shqiptare, së bashku me të gjithë derivatet e saj, është pretendimi i hapur dhe i paturpshëm i pronësisë mbi të ashtuquajturit përfaqësues të popullit, të zgjedhur gjoja prej tij, por që realisht as nuk janë zgjedhur nga populli dhe as nuk i përkasin popullit. Kjo gjithnjë në vija të përgjithshme, pasi ditët në vazhdim do të tregojnë më qartë se kush janë përfaqësuesit e popullit dhe kush shërbëtorët e politikës antishqiptare dhe antikombëtare.
Në këtë kuadër i sugjeroj drejtuesve të protestës kombëtare që ta ndihmojnë këtë proces seleksionimi duke premtuar një ligj që në 10 vitet e ardhshme nuk do të lejohet të përfshihet asnjë nga anëtarët e kësaj bande të stërmadhe politike që kanë qenë në shërbim të partisë dhe pushtetit ditën kur të shpallet rrëzimi i pushtetit dhe zgjedhjet e reja.
Shqiptarët treguan këto ditë se e ardhmja u përket atyre dhe jo antishqiptarëve.
Të vjedhësh bukën në sofrën e shqiptarëve për pangopësinë tënde dhe si haraç për të huajt që të mbajnë në zverk të shqiptarëve, veç shqiptar nuk je.
Shpreh bindjen se shqiptarët i njohin hajdutët e pasurisë së tyre dhe me siguri do t’u japin atë çfarë u takon.
I kujtoj sundimtarëve shqiptarë se Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, të cilën e keni shqyer dhe dhunuar disa herë, prapë në nenin 2, pika 2, thotë: “Populli e ushtron sovranitetin nëpërmjet përfaqësuesve të tij ose drejtpërdrejt.”
Jeni të lutur të mos shkoni tek “vrima e fundit” drejtpërdrejt.
Historia ka treguar se kur përplaset populli me sundimtarët e tij, megjithëse shkaktohen dëme, prapë në fund fiton populli dhe nuk do të ndodhë ndryshe as kësaj here me këtë rini të mrekullueshme që ka mbushur sheshet.
Zoti e bekoftë Shqipërinë.
Ajet Delaj, New York