Të mërkurën me 16 tetor 2013,deputetja e Parlamentit të Kosovës Teuta Haxhiu, e cila ndodhet për vizitë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, së bashku me bashkëshortin, vizituan Shtëpinë e Vatrës. Deputetja Haxhiu u prit nga editori i Gazetës DIELLI, Dalip Greca. Në takim mori pjesë edhe biznesmeni i njohur, anëtar i Këshillit të Vatrës z, Rrustem Gecaj si dhe dr. Hasan Ademaj, anëtar i Këshillit të Vatrës.
Deputetja Teuta Haxhiu tha se nuk mund të kthehej në Kosovë pa vizituar Shtëpinë e Vatrës Shqiptare, emrin e së cilës e kishte mësuar që në bangat e shkollës. Vatra, tha ajo,ma bëri një nder, kur më ftoi me rastin e 100 vjetorit të themelimit të saj në prillin e vitit të shkuar, por atë kohë veprimtaria ime parlamentare nuk më lejoi që të isha këtu dhe të festoja bashkë me vatranët. Është një arsye më shumë kjo që më nxiti që të vizitoj Shtëpinë e Vatranëve dhe t’i shpreh falenderimet e mia si deputete e Kosovës për çfarë ka bërë dhe bënë Vatra dhe vatranët për Kombin shqiptar.
Editori i Gazetës Dielli, u tregoi mysafirëve rrugën 101 vjeçare që ka përshkuar Vatra dhe rrugën 104 vjeçare që ka përshkuar gazeta e saj Dielli, më e vjetra gazetë e shqiptarëve në botim. Deputetja u ndal gjatë para dy fotografive, asaj të 4 korrikut 1918, ku Fan S Noli, në emër të Vatrës shqiptare , së bashku me udhëheqësit e shoqatave më të njohura të Kombeve në SHBA, u takua me Presidentin Wilson, i cili i premtoi Peshkop Nolit se do ta shpëtonte Shqipërinë; fotografia tjetër, ku u ndal deputetja ishte ajo e përfaqësuesëve të diasporës shqiptare me presidentin Clinton dhe shtabin e mbrojtjes dhe Sigurisë para bombardimit të Kosovës.
-Është fat për ne , tha ajo, që Amerikën e kemi pasë dhe e kemi në krah në çastet më të vështira të egzistencës tonë kombëtare.
Më pas, përmes vizitës në ekspozitën “100 vitet e Vatrës në shërbim të Kombit”, deputetja dhe mysafirët që e shoqëronin, u njohën me rrugën që ka përshkuar Vatra, që nga themelimi i saj më 28 Prill 1912 e deri në 100 vjetorin e festuar me madhështi nga shqiptarët e Amerikës dhe përfaqësues nga të gjitha trojet etnike, në praninë edhe të udhëheqësve fetarë të të gjithë besimeve, nga vendlindja dhe diaspora. Editori tregoi dokumentetet origjinale të dy fushatave të mëdha që ka bërë Vatra në shërbim të Kombit, atë që nisi me 3 qershorit 1917, ku u mblodhën 150 mijë dollarë , dhe atë të Huasë Kombëtare të 1920-23, ku Vatranët dhuruan të gjitha kursimet e tyre dhe mbushën arkën e boshatisur të Qeverisë që kishte dalë nga Kongresi i Lushnjës. Të gjithë emrat e dhuruesëve të rreth 200 mijë dollarëve, ruhen në arkivin e Vatrës.
Vatra krenohet edhe me Bandën e saj muzikore dhe 200 Trupat vullnetare që shkuan nga Amerika në Shqipëri për të mbrojtur kufijtë jugorë të Shqipërisë dhe për të marrë pjesë në Luftën e Vlorës.
Në Bibliotekën e Vatrës, deputetja Teuta Haxhiu u njoh me librat origjinal të Im Zot Nolit, të Faik Konicës dhe me fondin e pasur të letërsisë artistike dhe asaj dokumentare.
Në arkivin e Vatrës, deputetja u njoh me eksponate, ditare, libra-protokolli, formularë, regjistra, që nga viti 1910 dokumente të Shqoërisë Besa-Besën, si dhe dokumente origjinale të themelimit të Vatrës, 1912.
Pas vizitës deputetja Haxhiu i la mbresat e saj me shkrim në librin e Vatrës. Ndër të tjera ajo shkroi se ndjehej e privilegjuar që i ishte dhënë mundësia që të vizitonte Shtëpinë e Vatrës. Unë kam mendimin, shkroi deputetja, se ky është një thesar i çmuar i historisë sonë Kombëtare, të cilin duhet ta vizitojnë dhe ta prekin të gjithë shqiptarët që vijnë në Amerikë. Këtu pashë fotografi të para 100 viteve, dokumente 100 vjeçare, që janë ruajtur mjaft mirë. Përgëzime vatranëve për çfarë kanë bërë dhe bëjnë për Kombin!(Dielli)