Dr. Paulin Marku/
Dervish Hima është një personalitet i njohur dhe me kontribute të ndryshme atdhetarie, në fushën publicistike e botuese dhe me veprimtari të madhe patriotike, brenda dhe jashtë vendi. Ai luajti një rol të rëndësishëm prej Rilindjes Kombëtare deri në shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë. Nëpërmjet shkrimeve e botimeve të shumta, informonte opinionin publik rreth gjendjes së shqiptarëve dhe për rrezikun e madh që i kanosej tokave shqiptare. Ai jetoi e veproi sa ne mërgim e sa në atdhe por nuk e ndaloi veprimtarinë patriotike. Për një fare kohe iu ndalua hyrja në atdhe sepse autoritet e Stambollit e dënuan për shkak të veprimtarisë nacionaliste. Qëndrimet e tij ishin shfaqur hapur nëpër grupime të ndryshme shqiptarësh dhe në shtypin e kohës.
Dervish Hima njihet si një kundërshtar i absolutizmit të Abdyl Hamidit II dhe mënyrës së sundimin të tij në tokat shqiptare. Ai organizoi manifestime e protesta të ndryshme. Shqiptarët kundërshtuan urdhrat e reformat perandorake sa herë shikon se rrezikohej copëtimi i tokave shqiptare apo shtypja e popullsisë. Në vitin 1896 grupi i reformave qeverisëse u kundërshtua në Manastir dhe brenda pak kohëve, Komisioni i reformave u detyrua të largohej për shkak të rezistencës së shqiptarëve në Vilajetin e Manastirit, në Shqipërinë e Mesme, në Dibër, Ohër, Strugë, Elbasan, Tiranë, Lezhë, Shkodër, Prizren, Pejë, Gjakovë, Gjilan, Shkup, e në shumë qendra të tjera. Përgjithësisht ato u kundërshtuan dhe nuk u zbatuan në vilajetet shqiptare. Një ndër kundërshtarët dhe organizatoret e këtyre qëndrimeve ishte edhe Dervish Hima. Një grup atdhetar shqiptar i dorëzuan kryetarit të komisionit të reformave, një promemorie ku shprehnin pakënaqësitë e tyre dhe argumentonin edhe pretendimet e shqiptarëve, (ku mendohet se ishte hartuar nga Dervish Hima).
Në vitin 1897 disa nacionalist krijuan ne Bukuresht një organizatë të fshehtë me emrin “Autonomia”, ku ndër bashkëthemelues ishte edhe Dervish Hima. Ky grupim nacionalistësh jetonte e vepronte në Rumani, të cilët ishin të përkushtuar në zhvillimin e arsimit, historisë, kulturës e vlerave shqiptare. Dokumenti i 31 korrikut 1899 nga Bukuresht, pohon se thirrja e popullit shqiptar për mbledhjen e kongresit që do të shqyrtojë çështjen e krijimit të një shtetit autonom shqiptar u hartua nga intelektual shqiptar dhe u publikua ne gazeta e revista te ndryshme, si: “La Nazione Albanese”, “O agon”, etj…, në gjuhë të ndryshme për të njohur opinionit publik evropian me çështjen shqiptare. Nënshkruar nga Jorgji K. Meksi, Dervish Hima, Jashar S. Erebara.
Po ashtu, ne vitin 1899 u botua në gjuhën turke një tjetër thirrje “Rruga e shpëtimit është në Besa-Besën” ku i kërkonin kuvendit të Pejës të bashkëpunonin me të gjithë shqiptarët, gegë e toskë, myslimanë e të krishterë për të qenë gjithëpërfshirëse me katër vilajetet, Kosovë, Shkodër, Manastir e Janinë, të cilat formojnë vendin Shqipëri. Ndër iniciatorët e hartues kryesor ishte Dervish Hima, në bashkëpunim me atdhetar të tjerë. Shqiptarët i bashkonte qëllimi i autonomisë dhe lufta kundër pushtetit absolut të Abdyl Hamitit II. Me përmbysjen e regjimit hamidian dhe me rënien e tij nga fronti perandor, shqiptaret synonin të fitonin autonominë. Një linjë e re opozitare kundër regjimit hamidian ishte lëvizja xhonturke. Nisma “Bashkim e Përparim” u mbështet fillimisht edhe nga shqiptarët. Lëvizjes opozitare iu bashkuan shume intelektual shqiptar, si Ibrahim Temo, Ismail Qemali, Dervish Hima, etj…
Por intelektualët shqiptar, me në krye Ismail Qemalin, shumë shpejt e kuptuan se xhonturqit kishin qellim të mbanin të paprekur Perandorinë Osmane dhe nuk lejonin shkëputjen e tokave shqiptare. Ata e kuptuan se po i përdornin për qëllime politike dhe se nuk kishin qëllim të jepnin të drejtë autonomie apo pavarësie shqiptareve dhe u larguan. Në një kohë të shkurtër shumë intelektualë ishin opozitarë të Turqve të Rinj, mund të përmendim, Ismail Qemali, Hasan Prishtina, Negjip Draga, Aziz pasha Vrioni, Syrja bej Vlora, Dervish Hima, të cilët kishin qellim një platformë gjithëpërfshirëse për katër vilajetet dhe me karakter kombëtar.
Dervish Hima fillimisht u angazhua dhe në fushatën politike te vitit 1912. Raporti i konsullit Halla njofton nga Manastiri për eprorin e tij në Vjenë, Kontin Aehrenthal lidhur me situatën zgjedhore në këtë sanxhak. Ai përshkruante gjendjen e fushatës zgjedhore dhe kandidaturat e mundshme. Po ashtu, ndërmjet kandidatëve jozyrtarë por të mbështetur nga popullata ishte edhe emri i Dervish Himës.
Qysh në zgjedhjet parlamentare të vitit 1908 ai kishte pasur një numër të konsiderueshëm mbështetësish. Në dokumentin e 6 marsit 1912 diplomati Halla referonte për Vjenën se publicisti shqiptar, Dervish Hima arriti para dy ditësh në Manastir dhe do të bëjë një turne për gjashtë javë nëpër Shqipëri me qellim për të organizuar bashkatdhetarët e tij për zgjedhjet politike. Fakti se ai ishte deklaruar kundërshtarë i xhonturqve, si dhe për shkak të pakënaqësive të shtuara ndaj qeverisë, kishte besim se shqiptaret nuk do të bashkëpunojnë me komitetin xhonturk por do të mbështesin grupin nacionalist shqiptar. Dervish Hima kishte përgatitur një liste të personaliteteve, shoqëruar me biografi që pritej të shpërndahej në të gjithë Shqipërinë. Njëri prej mbështetësit e tij, ishte Murat Bej Toptani, vëllai i Refik Bej Toptanit.
Në një intervistë që Dervish Hima kishte dhënë për gazetën “L’indipendent” që botohej në Selanik, gazetari e përshkruan si një nga flamurtarët më të dukshëm të mendimit shqiptar. Ai kishte bindje se bashkëkombësit e tij, do të veprojnë në mënyrë të pavarur dhe me shumë mend në kokë në mënyrë që të dërgojnë në parlament njerëz me ndjeshmëri te pastër dhe të përmbushin mandatin për nevoja të zgjedhësve dhe të vendit në përgjithësi. Gazetari e pyeti se çfarë qëndrimi do të mbajnë shqiptarët persa i përket marrëdhënieve me serbët dhe a do të mbështesnin njëri-tjetrin? Ai u pyet dhe nëse do të bashkëpunojnë shqiptarët me serbët gjatë fushatës elektorale të vitit 1912? Përgjigja që mori nga Hima ishte se shqiptarët nuk do të bashkëpunojnë me ta sepse qëllimet midis tyre janë të ndryshme dhe do të pengojmë rritjen e influencës së tyre politike.
Ndër të tjera, Dervish Hima pohonte: “Ne duhet të tregojmë se emri i “Serbisë së vjetër” këtej e tutje duhet ti përkasë vetëm historisë. Ne nuk mund të pranojmë që serbët të marrin prapë (të kërkojnë) provincat tona si zotërimet e vjetra të tyre.” Pikëpamjet politike në qëndrimin e Dervish Himes ishte për një përfaqësi të denjët deputetesh, me një platformë gjithëpërfshirëse për shqiptarët me interesa kombëtare, në mënyrë që kandidatët për deputetë të jenë një zë i fortë në Parlament në Stamboll për të kërkuar të drejtat e bashkëkombësve. Po ashtu, ai ishte kundër bashkëpunimit politik me xhonturqit dhe nuk besonte aspak në premtimet e shumta të tyre elektorale.
Telegrami i 16 shkurtit 1912, diplomati italian në Korfuz, njoftonte ministrin e Jashtëm San Giuliano rreth fushatës elektorale në Durrës, Elbasan dhe Korçë ku pohonte, citoj: “Në Elbasan zhvillohet një luftë e gjallë mes Partisë “Nacionaliste” e cila dëshiron propaganduesin e njohur Dervish Hima dhe xhonturqve që e duan të konfirmohet hoxha i vjetër, Haxhi Ali. Të dyja palët kanë filluar tashmë dhunën dhe nuk përjashtohet mundësia e një konflikti të armatosur. Edhe nga Korça më vijnë lajme për një konflikt të dhunshëm, ku xhonturqit kërkojnë të anashkalojnë nacionalistin Shain bej Kolonja.”
Dervish Hima u përfshi dhe në kryengritje e vitit 1912 dhe organizoi çetën studenteve. Ai njihet si një revolucionar dhe nismëtar për të filluar lëvizjen shqiptare. Në njoftimin e diplomatit italian, Labia thuhet se “i mirënjohuri Dervish Hima ndodhet akoma këtu duke mbajtur një qëndrim gjithmonë e më shumë revolucionar, në pritje të rasteve të volitshme. Bashkë me të gjenden edhe dhjetëra të tjerë dezertorë dhe një zyrtar i xhandarmërisë shqiptare”. Qëndrimet e tij i kishte paraqitur para diplomateve të huaj, dhe në shtypin e shkruar.
Intelektualët e drejtuesit shqiptar nuk ishin në një qëndrim të përbashkët edhe për shkak të ndikimeve të shteteve të ndryshme. Hasan Prishtina, Nexhip Draga, Dervish Hima e disa nacionalist të tjerë kishin marrëdhënie të mira me Austro-Hungarinë për shkak të komunikimeve dhe takimeve që kishin me diplomatët e tyre. Ismail Qemali ishte i orientuar nga politika britanike dhe e konsideronte si të vetmin shtet që mund të ndalonte zgjerimin sllav në Ballkan, ku padyshim që me ekspansionizmin e tyre dëmtoheshin interesat shqiptare. Po ashtu, kishte marrëdhënie të mira edhe me Italinë e Greqinë. Ismail Qemali dhe Luigj Gurakuqi shiheshin me dyshim nga ana e Vjenës për shkak te lidhjeve që ata kishin me shtete të tjera. Ministri i Jashtëm i Italisë, San Giuliano (që më parë kishte mbajtur postin e ambasadorit në Londër) e njihte personalisht Ismail Qemalin. Disa intelektual dhe klerik shqiptar mbanin marrëdhënie të mira me Italinë dhe ishin në kontakt me diplomat italian. Ndaj mund të pohojmë se nacionalistët shqiptar në aspektin diplomatik shfrytëzonin njohjet dhe lidhjet personale. Kjo mund të ishte edhe një strategji për të pasur mbështetje dhe bashkëpunim sa më të gjerë në rrafshin ndërkombëtarë.
Dervish Hima ishte botues i gazetës “Shqiptari” dhe disa herë qëndrimet e tij shkonin në kundërshtim me politikat e qeverisë së Stambollit. Për këtë arsye gazeta e tij u mbyll për një farë kohe por gjithsesi ai nuk ndaloi se shkruajturi dhe vepruar në komunitet. Në një qëndrim në Selanik, në muajin qershor 1912 ai ishte shprehur se nëse qeveria nuk jep prova dhe vepron seriozisht për zbatimin e premtimeve dhëna për shqiptarët, si në Kosovë ashtu edhe tek malësoret, situata do të përkeqësohet dhe për rrjedhojë të pakënaqësive do të bashkohen edhe fise të tjera nga jug i Shqipërisë, Gjirokastër, Kaninë e Çamëri. Nga Selaniku, konsulli i Vjenës, Kral, njoftonte mbi publikimin e një thirrje të një shoqërie studentore shqiptare nga Korfuzi për fillimin e një kryengritje në Shqipëri. Në dokument thuhet se një repart kryesohet nga Dervish Hima, të cilin shqiptaret e ndjekin me entuziazëm të veçantë. Thirrja e studentëve revolucionar shqiptar: “Komiteti i shqiptarëve të rinj” dhe mban vulën me pushkë e penë si emblemë dhe mbishkrim “Shoqëria për lirinë e vërtetë, 1888”, dega e shoqërisë studenteske.
Dervish Hima i shoqëruar nga shumë studentë u përfshi në kryengritje e 1912 dhe zhvilloi një veprimtari të gjallë agjitacioni në sanxhakun e Gjirokastrës. Ai bashkëpunonte me krerë të ndryshëm si: Muhamet Reshitin nga Filati, Tajari (bej Tetova), Zija Beun dhe shumë nacionalistë toskë dhe bënë përpjekje të shfrytëzojnë situatën pasi ishte e trazuar edhe për shkak të lëvizjes së oficerëve dhe dezertimit të ushtarëve në radhët e ushtrisë.
Dervish Hima dërgoi letër Ministrisë së Jashtme të Austro-Hungarisë për veprimtarinë e tij në sanxhakun e Gjirokastrës; për mitingun e shqiptareve në Jug të Shqipërisë dhe solidarizohej me kërkesat e shqiptarëve të Veriut. Ai informonte Vjenën për përmasat që kryengritja kishte marrë në tokat shqiptare dhe kërkonte ndihmë diplomatike nga qeveria austro-hungareze në mbështetje të çështjes shqiptare. Ai iu lutej Vjenës që të mbështesnin çështjen shqiptare, të paktën iu kërkonte ta bëni në rrugë diplomatike dhe e mbyllte letrën “kini mirësinë të pranoni, Zotëri dhe mik, konsideratën time të lartë” Dervish Hima. Por nuk vonoi shumë kohë dhe i vjen përgjigje nga Vjena, ku e falënderojnë për letrën dhe i pohojnë: “për t’ju thënë me siguri se miqtë tanë nuk do t’i harrojnë, shqiptarët”.
Ndërkohë që lufta ballkanike kishte shpërthyer, tokat shqiptare ishin shesh beteje dhe në rrezik të madh për tu copëtuar, vjen një tjetër letër me datë 12 nëntor 1912 nga Vjena, Artur Rableri, i drejtohej Dervish Himes dhe e rekomandonte që shqiptaret të shpallin përmes shtypit evropian vendimin për ruajtjen e integritetit territorial të Shqipërisë. Aty shkruhej “I shtrenjti zotëri, ka ardhur koha që bashkatdhetarët tuaj ta shpallin nëpërmjet shtypit evropian vendimin e tyre të patundur për të ruajtur integritetin e territorit të tyre kombëtar. Qëndrimi i Austro-Hungarisë ishte në përkrahje të shqiptarëve. Këtë e dëshmon edhe raporti i ambasadorit të Vjenës në Stamboll, Pallavicini drejtuar kontit Berchtold në lidhje me qëndrimin e shqiptarëve për të ardhmen e Shqipërisë. Ai e informon eprorin në Vjenë për takimin e patur me një delegacion shqiptar, ndër ta edhe ish deputeti Basri Beu dhe publicisti shqiptar, Dervish Hima. Pallavicini pohonte se këshilla e tij për shqiptarët ishte të lënë mënjanë hollësirat dhe të gjithë të bashkuar t’i tregojnë qartë botës se ata nuk do të lejojnë ne asnjë mënyrë copëtimin e tokave shqiptare por do t’i mbrojnë kundër të gjithë armiqve.
Ndonëse Italia kishte konflikt të hapur me Perandorinë Osmane, ajo mbështeste linje e Austro-Hungarisë dhe çështjen shqiptare në tërësi. Në kushte dhe rrethana të trazuara për shqiptarët, ku forca të shumta ushtarake gjendeshin në tokat shqiptare, e vetmja zgjidhje e drejtë dhe imediate ishte Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë. Shumë intelektualë e atdhetarë të shquar shqiptar arritën në përfundimin se të shpallej sa më parë, Shqipëria e Lirë dhe e Pavarur. Pasi edhe Berchtold kishte njoftuar Ismail Qemalin se Vjena ishte për një Shqipëri autonome. Intelektualë, krerë të zonave të ndryshme shqiptare e patriotë të shumtë u bashkuan në Vlorë. Kështu, më 28 nëntor 1912 në Vlorë u ngrit flamuri i Pavarësisë së Shqipërisë dhe u hap kuvendi kombëtar. Dervish Hima ka kontribut të jashtëzakonshëm në udhëtimin e këtij procesi të vështirë e të mundimshëm për shqiptarët, të cilët kishin luftuar me shekuj për një Shqipëri të Lirë.