Prof. dr. Musa AHMETI
Center for Albanian Studies
Budapest
(Pjesa e parë)
Ribotimi i korpusit Illyricum Sacrum nuk ishte ide e re dhe as e para. Përpjekje dhe iniciativa për ribotim ka pasur edhe më parë, por të gjitha kanë mbetur vetëm të tilla. Paraqitja e tyre në mënyrë kronologjike është mjaft interesante, sepse na dëshmon zhvillime të çuditshme, prapaskena e drama të cilat mund të ndodhnin vetëm në Ballkan. I kemi ndjekur një për një të gjitha këto përpjekje, duke shfletuar dokumenta, dorëshkrime, letërkëmbim si dhe shkrime e studime të botuara të vetë pjesëmarrësve në këto ngjarje, por edhe të atyre që nuk kanë qenë drejtpërdrejtë të kyçur në to, duke u bërë dëshmitarë të momenteve shumë të rëndësishme ose thënë ndryshe pjesë e pandarë e kësaj kryevepre.
Qëllimi ynë kryesor në këtë rast, është që me korrektësi dhe paanshmëri të paraqesim ato ndodhi dhe ngjarje deri në momentin e daljes nga shtypshkronja të ekzemplarëve të parë të ribotimit fototipik-anastatik të Illyricum Sacrum në shkurt të vitit 2005. Sipas dokumenteve dhe dorëshkrimeve ekzistuese, i pari që kishte planifikuar një ribotim të mundshëm të korpusit Illyricum Sacrum, ishte njëri nga autorët e kësaj vepre, pikërisht ai që edhe e përfundoi atë, at Jakob Koleti. Mirëpo nga një ide e tillë, atë e largoi vdekja.
Duke studiuar dorëshkrimet e at Koletit, një tjetër personalitet i rëndësishëm për korpusin Illyricum Sacrum, don Frane Buliq, i bëri përpjekjet e para për një ribotim të mundshëm që në vitin 1902, për t’i vazhduar ato edhe zyrtarisht në vitin 1906. Megjithëse nuk i arrin rezultatet e dëshiruara përkatësisht ribotimin e Illyricum Sacrum që me përpjekjet e para, ai nuk u dekurajua. Përkundrazi e la për më vonë, duke pritur momentin më të favorshëm për një gjë të tillë. Gjithmonë shpresonte se do të mund të realizonte një ribotim serioz dhe në nivel ashtu siç ishte edhe vetë vepra dhe për këtë gjë bisedoi madje edhe me një botues nga Parisi.
Duke e vlerësuar si një vepër me rëndësi të veçantë dhe tepër të rrallë, e cila vështirë se gjendej për t’u konsultuar, don F. Buliqi mendon që ta botojë Illyricum Sacrum në mënyrë fototipike-anastatike. Megjithatë, në një moment të caktuar, pasi u bë i vetëdijshëm për problemet e shumta, që nga ato financiare e deri te te ato profesionale, por gjithashtu edhe nga zhvillimet politike të kohës, ai tërhiqet nga ideja e parë, duke planifikuar tashmë një botim komplet të ri, me autorë të tjerë, të një “Illyricum Sacrum-i” tjetër. Për një ide të tillë, sa ambicioze aq edhe të parealizueshme, [Ne mbështesim mendimin me prof. V. Novakun, kur pohon se: “don F. Buliqit i mungonte ndihma e papëve, për një ndërmarrje të tillë,” ndërkohë që të tre jezuitët: Riçeputi, Farlati e Koleti, e patën atë, por jo vetëm kjo ndihmë, ishin edhe rrethanat politike dhe shoqërore ato që u bënë pengesa kryesore për të realizuar një ndërmarrje të tillë. Novak, në studimin e tij, sjell edhe këtë të dhënë: “Në vitin 1918, papa Benedikti i XV, studiuesit françez, R. Graffin, i kishte dhënë 20.000 franga frenge për botimin e Serbia Sacra.” Një gjë e tillë, tregon interesimin e vazhdueshëm që kishin papët dhe Vatikani për të ashtuquajturën “Iliri të lashtë”] don F. Buliqi bën edhe veprimet e para. Më 29 dhjetor 1918, ai u dërgon të gjithë ipeshkëve të Jugosllavisë së atëhershme dhe të Shqipërisë një letër-qarkore, në të cilën u lutet atyre që të mbledhin dhe sigurojnë burime, dorëshkrime dhe dokumente, për të rishkruar një histori të madhe të kishës, si dhe botimin e ri të “Illyricum Sacrum” nga kohërat më të lashta deri në fillim të shekullit XX.
Një veprim tjetër i rëndësishëm ishte mbështetja e historianit serb Stanoje Stanojeviq, me të cilin don F. Buliq bisedon gjatë verës së vitin 1920 në Rogashka Sllatinë, duke u dakorduar që një ndërmarrje e tillë, të ketë karakter ndërkombëtar dhe për të, të ftoheshin të gjithë historianët e kishës, qofshin ata katolikë, ortodoksë apo laikë jugosllavë, por edhe emra të nderuar të shkencës ndërkombëtare. I pari që u ftua nga studiuesit e huaj ishte don G. Morin, pasi don F. Buliq gjeti mbështetjen e ndihmën e kryeipeshkvit të Zagrebit imzot Anton Bauerit, imzot S. Ritigut, prof. F. Shishiqit, prof. V. Klaiqit dhe at J. Jeleniqit. Për këtë qëllim, don G. Morin arrin në Zagreb më 20 janar të viti 1921 dhe qëndron deri me 24 korrik të vitit 1921. Gatishmëria e don G. Morinit ishte një nxitje jo vetëm për don F. Buliqin por edhe për të tjerët, ngase emri dhe veprat e tij ishin shumë të njohura në mbarë Evropën.
Takimi i parë për fillimin e punës në projektin e ri “Illyricum Sacrum” u mbajt në Akademinë e Arteve dhe Shkencave Jugosllave të Zagrebit, [JAZU-Zagreb] në Zagreb, më 26 janar 1921, [Procesverbali i takimit me 26 janar 1921 në JAZU, të cilin e kishte mbajtur imzot Svetozar Ritig, është i daktilografuar në dy faqe makine, ndërsa faqja e tretë ka disa shënime me dorë të S. Ritigut. (HDA, Zagreb, fondi 816, “Osobni fond Svetozara Ritiga”)] me pjesëmarrjen e don F. Buliqit, prof. Klaiqit, prof. Shishiqit, at Jeleniqit, imzot Ritigut, Hertlingut, don Morinit dhe prof. Kovaçeviqit nga Maribori. Në këtë takim përcaktohen orientimet kryesore programore, duke theksuar se duhej të rishkruhej historia laike dhe kishtare e Ilirikut deri në shekullin e IX. Me këtë rast, për drejtues të përkohshëm të projektit të pranishmit emërojnë don F. Buliqin, ndërsa për sekretar at Jeleniqin. Imzot Ritigu propozon që menjëherë të formohen komisionet përkatëse, të cilat do të fillonin punët pa humbur kohë. Prof. Klaiqi propozon emrat e disa studiuesve që duhej të ftoheshin për të punuar në këtë projekt, me këtë renditje: nga Beogradi: dr. S. Stanojeviq; dr. J. Radoniq, A. Anastasijeviq dhe dr. Vl. Qoroviq; nga Lublana: dr. Hauptman, dr. F. Kos, dr. M. Kos, dr. Zorea, dr. N. Radojçiq; nga Sarajeva: dr. M. Vanino, dr. Q. Truhelka; nga Vjena: dr. K. Patsch; nga Djakovo: M. Paviq dhe nga Hercegovina: at P. Dragiçeviqi. Këtu poashtu propozohet që don G. Morin të jetë organi ekzekutiv në këtë projekt dhe ndërkohë ai duhet të punojë në përgatitjen e studimit për kalendarin e shën Jeronimit në të cilin dalin emrat e disa shenjtorëve nga Iliria e lashtë.
Duke analizuar me vëmendje diskutimet, propozimet dhe përfundimet e nxjerra nga takimi i parë inicues, fillimisht për ribotimin fototipik-anastatik të Illyricum Sacrum, pastaj edhe idenë e botimit të një vepre të re me titull të njejtë, ku do të pasqyrohej historia e të dyja kishave [asaj perëndimore dhe lindore] deri në ndarjen përfundimtare të tyre, konkludojmë se qëllimi kryesor ishte rishkrimi i një historie të Ilirisë kishtare dhe civile nga kohërat më të lashta deri në mesin e shekullit XI, duke plotësuar Farlatin me burime dhe të dhëna të reja për popujt që kishin banuar në ato territore.
Don F. Buliq, me t’u kthyer në Split, përpilon një letër-qarkore për ministrin e Kulturës së Jugosllavisë së atëhershme, Svetozar Pribiqeviq, duke zbërthyer idenë e ribotimit ose shkrimit të një vepre të re, me shpresë se do të gjente mbështetjen financiare. Meqenëse është dokument me një rëndësi të veçantë, si për sa i takon konceptit dhe pikëpamjeve të don F. Buliqit, lojës së dyfishtë që ai bënte duke u përpjekur t’u shmangej ndikimeve politike dhe nacionalizmit serb e në anën tjetër duke ruajtur krenarinë kroate, ashtu edhe për shkak të paraqitjes reale të gjendjes rreth korpusit Illyricum Sacrum ne e sjellim në vazhdim atë të përkthyer në gjuhen shqipe (Origjinali është shkruar në gjuhën kroate, jo serbo-kroate dhe ruhet në HDA, O. F. S. Ritig, kut. 2. Këtë letër me disa shkurtime e ka botuar edhe V. Novak, duke i bërë një koment të njëanshëm, veçanërisht, duke i interpretuar në mënyrë tendencioze idetë dhe qëndrimet e don F. Buliqit):
“Zoti ministër,
Gjatë vitit 1906, kur unë i nëshkruari, kisha provuar me një botues parisien që të ribotoja me metodën anastatike disa nga vëllimet e veprës Illyricum Sacrum të shtypura nga jezuitët Farlati e Koleti në Venedik gjatë viteve 1751-1819, për të cilën vepër një pjesë të materialit e kishte mbledhur më herët Riçeputi, i ndihmuar nga Pacifik Bica prej Rabi (më vonë kryeipeshkv i Splitit 1746-1756), vepër e cila në fakt kishte mangësi, posaçërisht në dy vëllimet e fundit VII e VIII që trajtonin ipeshkvitë e Duklës, Tivarit, Ulqinit, Durrësit, Sriemit, Shkupit, Beogradit, Ohrit etj. dhe këto për shkak se ishin të shtypura në numër të kufizuar ekzemplarësh; ashtu edhe para vitit 1906, përkatësisht në vitin 1902 kur i nëshkruari ka botuar në disa vite në vazhdim (1902-1910) në revistën e tij shkencore “Bullettino di archeologia e storia dalmata,” korrigjimet dhe përmirësimet, të cilat vetë Koleti i kishte bërë për ribotimin e kësaj vepre madhore dhe më vonë gjatë viteve 1911-1912, kur i nënshkruari, kishte botuar “Kronotaksu Solinskih Biskupa od III.-VII. Vijeka uz dodatatk Kronotaksa Splitskih Nadbiskupa od razorenja Solina do polovice XI. vijeka,” kishte ëndërruar ai, se do ishte shumë mirë, që në bazë të gërmimeve arkeologjike të kryera përgjatë gjithë vendit tonë, në dekadat e fundit, në bazë të hulumtimeve historike nëpër arkivat evropiane si dhe në bazë të studimeve të shkencëtarëve dhe hulumtuesve të historisë sonë të ribotonte Illyricum Sacrum të korrigjuar, të plotësuar në botimin e dytë, ose ç’ka do të ishte më mirë sikur të shkruhej krejtësisht i ri, për historinë kishtare të Ilirisë në kuptimin e gjerë të fjalës, e cila vepër do të na pasqyronte depërtimin e krishtërimit dhe shtrirjen e tij në territoret tona deri në shekullin e nëntë dhe pastaj deri në ditët e sotme.
Me rastin e përkujtimit të 1500 vjetorit të Ediktit të Milanos në vitin 1913 si dhe të vdekjes së Dioklecianit në pallatin e tij këtu (313-1913), manifestimi solemn u bë në varrin e martirëve të Diokleciatit dhe në pallatin e tij në Peristil të Splitit dhe me rastin e po këtij manifestimi në vitin 1914 në Nish, në qytetin e lindjes së perandorit Konstantin, i nënshkruari, ka botuar një studim për këta perandorë me shpresën se pas luftërave ballkanike do të mund të eliminohej ndarja e cila ekzistonte që prej nëntë shekujsh mes Lindjes dhe Perëndimit. Kjo ndarje në mes të lindjes dhe perëndimit, në kuptimin politik është eliminuar në shtetin tonë dhe do të përfundojë edhe në mes të kishave me rastin e rregullimit të situatës dhe në një gjendje të tillë mund të kontribuojë kjo letër e nëshkruar nga unë.
I nënshkruari, mendon se ka ardhur momenti që të arrihet qëllimi i tij. Që nga viti 1881, ai ka gjetur një ftesë të shkruar nga kleri dalmatinas ku ndër të tjera thuhej “kur tani ndarja në mes të Lindjes dhe Perëndimit, e thelluar gjatë rrjedhës së historisë dhe konflikeve të brendshme, përkatësisht ndërmjet Romës dhe Bizantit nuk ka më arsye të ekzistojë, tani që në gërmadhat e trungut bizantin kthehen qëllimet sllave etj.; tani kur – vazhdon autori i letrës – sllavët e Lindjes kanë pranuar të jetojnë nën ndikimin e kulturës së Perëndimit, e cila mund t’u sjellë atyre shumë të mira për fiset e tyre sllave, dhe po kjo mund t’i kontribuojë kulturës së Perëndimit, ndërkohë që sllavët e Perëndimit ndjejnë kërkesë jetësore të thellohen në burimet shkencore të Lindjes, të cilat na njoftojnë për kulturën dhe jetën e përbashkët, për historinë tonë të përbashkët deri në shekullin e nëntë,” tani, i nënshkruari, mendon se ka ardhur momenti që të realizohen qëllimet kryesore të cilat i kishte menduar vite me rradhë. (…) Para dy vitesh, shkrimtari i njohur francez Don Germain Morin, anëtar i Urdhërit Benediktin në kuvendin Maredsous në Belgjikë ka marrë lejen nga udhëheqësi i Urdhërit të tij që të vijë lirisht në shtetin tonë për kërkime shkencore. Morin është i njohur në botën shkencore si njëri ndër hulumtuesit më të mirë të historisë së vjetër kishtare në tërë Evropën. Me artikujt e tij studimorë është dalluar deri në kohë të luftës në Revue Bénédictine, të cilën e ka botuar kuvendi i Maredsous. Edhe në periodikë të tjerë të Evropës ka studime të tij shkencore. Para Luftës dhe gjatë saj ka punuar në Bibliotekën Mbretërore të Monakos, ku edhe ishte laureuar. Studimet e tij për homelitë e Shën Augustinit i boton në fund të vitit 1917 në një libër mjaft voluminoz. Në hulumtimet e tij, herë pas here ai është marrë edhe me Ballkanin dhe p.sh. ka ndriçuar figurën e Niketës, ipeshkvit të Remesianës (Ak-ili, Bella-Pallanka) në Serbinë e vjetër, mikut të madh të Shën Paulinit nga Nola, duke vërtetuar se ishte ipeshkv i këtij qyteti dhe jo i Akuilesë (rreth vitit 410), dhe sipas të gjitha gjasave ai ka krijuar njërin nga himnet më të bukura të kishës perëndimore “Te Deum laudamus”. Janë të njohura hulumtimet e tij për veprat e shën Çezarit, d’Arles, dhe për Amalariun, për ipeshkvin Treverskom, i cili në vitin 813 ishte anëtar i legatës së Karlit të Madh dërguar Mihalit, perandorit të Bizantit, për të cilat qëllime ka ardhur në Zarë në vitin 805 dhe ishin në legatën e parë kur kaluan tek Karli i Madh i shenjtë, Dogji i Venedikut, Pali, duka i Zarës dhe Donati (i treti me këtë emër) ipeshkv i Zarës. Me Morinin njihem që prej 20 vjetësh, dhe kemi bashkëpunuar në fusha të ndryshme shkencore. (…) G. Morin ka pranuar që para dy vjetësh të punojë në fushën e historisë së kishës jugosllave. Edhe pse është 59 vjeç, ai është i freskët, i kthjellët e i shkathët. Me dashamirësinë e shkëlqesisë së tij, kryeipeshkvit të Zagrebit, dr. A. Bauer, drejtuesit të Akademisë së Shkencave dhe Arteve Jugosllave të Zagrebit, në Zagreb, i është mundësuar që më 21 janar të vitit 1921, Morin të arrijë në Zagreb nga kuvendi Monserrat afër Barcelonës, ku kishte qëndruar muajt e fundit. Këtu, më datë 26 janar është mbajtur një takim që të shihej në është e mundur që të realizohet një aksion shkencor për qëllimin e lartpërmendur. Në të kanë marrë pjesë një numër i vogël ideatorësh të këshillit të përkohshëm, përkatësisht disa personalitete nga Kroacia, Dalmacia, Sllovenia dhe Bosnia. Profesori i universitetit të Beogradit, Stanoje Stanojeviq, i cili kishte premtuar se do të vinte, nuk mundi të marrë pjesë për shkak të obligimeve zyrtare. Në fillim u vendos që para se të fillohej me punët konkrete të kujdeseshim për sigurimin e mjeteve materiale që i nënshkruari, si kryetar i përkohshëm i këshillit organizues të udhëtonte për në Beograd dhe të vinte te ju me kërkesë, zoti ministër, që për vitin 1921/1922 të futet në buxhetin shtetëror shuma prej 60.000 dinarësh për nevojat e këtij aksioni si p.sh. udhëtime të të nënshkruarit ose të anëtarëve të tjerë me Morinin, në të gjitha ipeshkëvitë e shtetit tonë, në të gjitha kuvendet kryesore që me prelatët kishtarë të njërës dhe të kishës tjetër, të bisedojë gojarisht për nevojat e këtij aksioni, që t’i informojë për të, dhe të kërkojë prej tyre ndihmë materiale e morale, pastaj për ata të cilët do të mund të merrnin pjesë si ndihmës ose anëtarë të rregullt, si dhe nëpër urdhërat e kuvendeve, të zgjidhte ndonjërin nga priftërinjtë dhe kallugjerët për bashkëpunëtorë, që të shikonte bibliotekat e kuvendeve dhe ato të universiteteve si dhe arkivat në kanë apo jo ende materiale të pabotuara, i cili do të mund të shërbente për botim, etj. Don Germain Morin, i cili megjithatë ndenji në Zagreb, mori urdhër që të punojë me burimet dhe librat të cilat ndodhen në bibliotekat e atjeshme dhe të tjerat që do t’i silleshin nga Biblioteka e Muzeut Arkeologjik të Splitit t’i nxjerrë dhe t’i shënojë të gjithë martirët, shenjtorët e të gjithë Ilirisë së vjetër dhe të përgatisë bibliografinë si fillim i punës së këtij aksioni, dhe në bazë të kësaj të krijohet baza e re në këshillin organizativ me specialistë të cilët do të duhej të takoheshin në prill ose maj të këtij viti, për një marrëveshje për të punuar secili në drejtimin e tij. Për një aksion të tillë është e domosdoshme edhe një bibliotekë e veçantë profesionale. Në Zagreb ka plot gjëra si në Bibliotekën Universitare, në Bibliotekën e Akademisë, si dhe në bibliotekat e Beogradit, Lubjanës, dhe në ato të kuvendeve, ipeshkvive etj. Edhe në Bibliotekën e Muzeut Arkeologjik të Splitit ka diçka të mirë, që është siguruar në bazë të rezultateve të kërkimeve në fushën e historisë kishtare dhe të gërmimeve arkeologjike në Solin, por e gjithë kjo është pak, duke i krahasuar ato me nevojat e këtij aksioni. Duhen edhe plot gjëra të tjera të specializuara. Veçanërisht ftojmë instrumentum, eruditët dhe historianët e kishës. Për këtë qëllim, tani për tani na duhen 20 000 dinarë, të cilat janë të llogaritur në shumën e lartcekur prej 60 000 dinarësh. Duhet theksuar se kjo bibliotekë e specializuar, e cila do të krijohej tani, do të mbetej në shtetin tonë për nevoja të ardhëshme, ndërsa më vonë do të vendosej se cilës bibliotekë universitare ose biblioteke tjetër do t’i dhurohej. Para se autori i kësaj letre të vijë personalisht në Beograd që të paraqesë gojarisht këtë ide të tij dhe të këshillit organizativ, e ka konsideruar të domosdoshme që lutjen t’ia dërgojë në formë të shkruar personalitetit tuaj, zoti ministër, që ju ta lexoni e ta shqyrtoni me shpresën që do ta merrni parasysh.
Kjo është një punë e ngatërruar, të cilën e kemi filluar për shtetin tonë, por është filluar me shpresën e mirë se do të përfundojë me sukses. Një pjesë studiuesish ka filluar të punojë në fushën e hagjiografisë, ndërsa pjesa tjetër e studiuesve që do të angazhohen në historinë e shenjtë kishtare të vendeve tona do të jenë profesorë nga universitetet dhe nga fakultetet teologjike; nga Serbia: J. Radoniqi, S. Stanojeviqi, D., Anastasijeviq, Vl. Çoroviq, I. Ruvarac; nga Kroacia: F. Shishiq, V. Klaiq, S. Ritig; nga Bosnia: Dr. Jeleniq (tani në Zagreb); nga Gjakova Dr. M. Paviq, nga Mostari, Dr. P. Dragiçeviq; nga Sarajeva: Truhellka; nga Maribori: dr. Kovaçiq; nga Lubjana: prof. Srebrniq, të dy profesorët Kos, at e bir, prof. Grifc si dhe shumë të tjerë, të cilët do t’i bashkangjiten këshillit të zgjeruar kur një të parashikohej se do të fillonte aksioni konkret dhe kur mund të llogarisnim në ndihmën Tuaj financiare.
Kemi shpresë se ky projekt do të ketë sukses edhe nga këndvështrimi tjetër. Nuk është se kjo fushë është krejt e pahulumtuar, dhe se në këtë punë nuk është provuar edhe më parë të shkruhej. Në dekadat e fundit është shkruar për historinë kishtare në revista, në studime të veçanta nga ana e serbëve, kroatëve dhe sllovenëve. Ekziston edhe ndonjë studim i veçantë për hagjiografinë e vendeve tona, por ka edhe të huaj, të cilët janë marrë me këtë çështje. Megjithatë, e gjithë kjo është sipërfaqësore, pa një qëllim të caktuar, sipas rastit, ose siç kërkojnë kërkimet arkeologjike që të shkruhet për këtë apo atë eksponat. Për historinë e krishtërimit në Dalmaci ekzistojnë mjaft studime të cilat janë botuar në të lartpërmendurin Bulletino, i cili duhet thënë se nga viti 1920 e në vazhdim botohet në gjuhën serbo-kroate si dhe me një rezume të shkurtër në gjuhën frenge në fund të çdo artikulli të rëndësishëm.
Një pjesë e madhe e historisë sonë, e asaj të shenjtë e kishtare, ndodhet ende nën tokë. Duhet hapur “Almae Matris Telluris,” që ajo të na japë atë që historianët e asaj kohe kanë shënuar në mënyrë të përgjithshme e të kujdesshme. Së bashku me Frushka Gorën, e pasur është edhe rrethina e famullisë së Shën Dhimitrit në Mitrovicë si dhe rrethina e kishës së rrënuar pravosllave, të varrit të Shën Gjergjit etj.
Nga lufta e tmerrshme që kaloi, nga pasojat e së cilës ka vuajtur i gjithë njerëzimi, ndërsa nga këndvështrimi socio-kulturor do të ketë pasoja të paparashikueshme për të gjithë popujt, e sidomos për ne. Amerika do të pushtojë ekonominë e Evropës, ndërsa kjo, e veçanërisht perëndimi do të provojë të pushtojë edhe më tutje e sidomos në planin e kulturës Ballkanin, e veçanërisht shtetin tonë të ri, si urë në mes të dy botërave. Dëshmi për këtë është profesori parizien Jacques Zeiller, i cili përfshin në veprën e tij të fundit të lartpërmendur të gjithë territoret nga Korushka e Krajinës deri në Detin e Zi. Ne, le të na pushtojë Perëndimi, por deri në një masë të caktuar. Le të merren me historinë tonë historianët e Perëndimit, por deri në një kufi të caktuar. Ne, ne duhet të jemi të parët në fushën tonë, e pas nesh Evropa perëndimore. Të mos jemi shpirtngushtë dhe t’i mbyllim dyert librit tonë në Evropë, por të jemi të parët: nil de nobis sine nobis. Ne duhet që ta hulumtojmë çdo fushë të diturisë, dhe pas nesh të tjerët. Me ndihmën tonë, ata të bëjnë çfarë të duan.
Don Germain Morin do të jetë në këtë vepër organ ekzekutiv i këshillit, dhe do të drejtojë të gjitha punët. Puna jonë duhet të jetë e pranishme në Evropë. Për këtë shkak, do të ishte mirë që krahas gjuhës serbo-kroate, e tërë vepra të jetë e shtypur p.sh. edhe në gjuhën frënge. Don Germain Morin është një stilist dhe specialist për punime të tilla në gjuhën frënge. Varianti i punës do të mbajë titullin sipas përmbajtjes, por pjesa kryesore do të ketë titullin Fastes écclesiastique della Yougoslavie, e ngjashme me titullin e historisë kishtare të Duchesne Fastes épiscopau della Gaule.
Ky studim ka për qëllim që të ngrejë shpirtrat dhe interestin e njerëzve dhe kishës për studime më të larta. Do të ishte e preferueshme që G. Morinit t’i mundësohej hapja e katedrave të patrologjisë në tre universitetet e vendit tonë. Ai është specialist për këtë, por kjo patrologji duhet të kufizohet në atë kishtare. Etërit dhe shkrimtarët e tjerë të cilët do të merreshin me kishat tona qofshin ato të lindjes apo të Perëndimit, do të njiheshin më për së afërmi me këtë fushë, sepse patrologjia e përgjithshme e kishës studiohet tashmë në fakultet tona teologjike. Në këtë mënyrë, kleri i ri do të informohej me gjithë literaturën patristike të vendeve tona. Don Morini, i cili ka filluar të mësojë edhe gjuhën tonë, do të mbajë leksione në gjuhën latine ose frenge dhe kryesisht në semestrin veror ose dimëror në Lubjanë, Beograd, ose Zagreb. Një punë e tillë e Morinit do të shërbejë për të afruar shpirtrat e rinj të studentëve, të fakulteteve teologjike, të cilët nuk do të gjenin vetëm ushqim shpirtëror në burimet teologjike, por do të njiheshin më mirë me ta.
Që ky aksion të mund të përparojë, do të ishte e domosdoshme që – siç e kemi cekur më lart – nga buxheti shtetëror për vitin 1921/1922 të ndahej shuma 40.000 dinarësh për nevoja fillestare të Morinit për udhëtimet e tij, dhe të anëtarëve të tjerë të këshillit organizues, ndërsa 20.000 dinarë për nevojat e bibliotekës së specializuar.
I nënshkruari, është i vetëdijshëm për rëndësinë e kësaj çështje si dhe për problemet me të cilat do të ballafaqohet ai në fushën profesionale dhe në atë ekonomike. Megjithatë, nga studimi i përgjithshëm dhe specifik i këtij problemi, shpresojmë se pak nga pak aksioni do të përparojë. Shteti ynë i ri, i cili duhet të ecë përpara në të gjitha drejtimet, nuk duhet të dështojë në aspektin kulturor. Nuk guxon të lejojë ose të shikojë me gjakftohtësi që studiuesit e huaj të na pushtojnë: ne nuk jemi as një lloj kolonie ballkanike për Perëndimin. Në shtetin prej 12 milionë banorësh do të gjenden specialistë të mirë nga këto fusha, rreth të cilëve do të mblidhen gjeneratat e reja, por ato duhen edukuar. Zoti ministër, në duart Tuaja është realizimi i kësaj pune të rëndësishme. Duke shpresuar për mirë, zoti ministër, pranoni me këtë rast përshëndetjet dhe respektin tim.
Monsg. F. Buliq. Drejtor i Muzeut Arkeologjik Shtetëror.”
[Meqenëse e kemi sjellë letër-qarkoren, nuk menduam se është e domosdoshme të lëshoheshim në komente dhe analiza të veçanta të këtij dokumenti, edhe pse mendojmë se ka vend për të tilla. Lexuesi dhe studiuesi i nderuar le të gjykojë dhe analizojë vetë, për të gjitha ato që shkruan don F. Buliq].
Duke qenë shumë energjik dhe këmbëngulës, don F. Buliq cakton takimin e dytë për të analizuar dhe kontrolluar mbarëvajtjen e punëve rreth Illyricum Sacrum. Takimi i dytë mbahet në Zagreb, në famullinë e Shën Markut, në appartamentin e dr. Ritigut më 17 shkurt 1921. Të pranishëm ishin: dr. F. Shishiq, dr. S. Stanojeviq, dr. S. Ritig dhe don G. Morin. Për shkak të motit të lig dhe borës së madhe, don F. Buliq nuk arrin të marrë pjesë. Në këtë takim, S. Stanojeviq, propozon që me botimin e Illyricum Sacrum duhet të shkohet jo vetëm deri në shekullin e IX, por deri në të XVI. Këtë e mbështet F. Shishiq dhe S. Ritig, duke shtuar se do ishte më se e arsyshme të shkohej deri në periudhën osmane! Është me rëndësi të theksohet se që në këtë takim vërehen tendencat e studiuesve serbë, për të zënë funksione sa më të favorshme, duke bërë ndryshime të ndjeshme, në vendimet që ishin marrë në takimin e parë, më 26 janar 1921. S. Stanojeviq, në këtë kohë, ishtë nënkryetar i don F. Buliq, dhe zëvendës i tij në të gjitha punërat, ndërsa për vete rezervon të gjitha të drejtat për kontakte me botën shkencore brenda dhe jashtë Jugosllavisë. Ai gjithashtu merr përsipër të bëjë të gjitha ndërhyrjet pranë qeverisë dhe të dyja kishave, asaj lindore dhe perëndimore. Me këtë rast emërohet formalisht edhe nënkryetari i dytë, dr. F. Kovaçeviq. Sekretar emërohet dr. V. Novak duke zëvendësuar dr. J. Jeleniq, ndërsa arkëtar emërohet Vl. Qoroviq. Emrat e anëtarëve të tjerë të Këshillit për botimin e Illyricum Sacrum mbesin të njejtë, ndërkohë që propozohen emra të rinj të studiuesve dhe dijetarëve të huaj si: J. Zeiller, Louispetit, Duchesne, Vasiljev, Lebedjev, Patch. Në këtë takim don. G. Morin, shpreh pakënaqësitë e veta rreth pengesave dhe problemeve me të cilat ballafaqohet gjatë punës së tij në Zagreb. Ai lexon edhe një letër të cilën ia kishte dërguar don F. Buliqit, ku e njoftonte për këto probleme. Në të ai shprehte edhe pikëpamjet dhe rezervat e tij rreth projektit Illyricum Sacrum. Shumë i rëndësishëm duhet të ketë qenë takimi i tretë i mbajtur në Beograd më 27 shkurt 1921. Në këtë takim, nga ana e studiuesve dhe dijetarëve kroatë, merr pjesë vetëm F. Shishiq ndërsa nga ana e serbëve janë të pranishëm: prof. N. Vuliq, J. Radoniq, D. Anastasieviq, Vl. Qoroviq, V. Novak dhe disa studiues dhe intelektualë të tjerë serbë. Në këtë takim, sipas prof. V. Novakut që ishte dhe vetë pjesëmarrës, është marrë qëndrim i prerë: që i gjithë projekti duhet të organizohet në atë formë që të botohen vetëm burimet dhe studimet nga fusha e historisë kishtare e të dy kishave, asaj lindore dhe perëndimore, pra me këtë rast, kemi një shmangie nga ideja kryesore që kishte shprehur në fillim don F. Buliq. Duke shfrytëzuar mungesën e don F. Buliqit, prof. S. Stanojeviq dhe të tjerët, ndër ta edhe prof. F. Shishiq nga Zagrebi, bëjnë ndarjen e sektoreve përkatës dhe formojnë grupet e punës me një përbërje të çuditshme, duke shfaqur hapur tendencën e marrjes së kompetencave grupit të Zagrebit si edhe dështimin e krejt projektit. Në këtë takim, i tërë projekti ndahet në gjashtë seri të mëdha, për t’u ndarë më vonë në nënseri e kështu me radhë. Është shumë domethënëse përbërja e serive, përkatësisht përcaktimi i autoriteve shkencore që do merren me hulumtimin, studimin dhe shkrimin e veprës.
Seria e parë do të kishte për titull pune: “Krishtërimi deri në ardhjen e sllavëve në Iliri.” Shkencëtarët që duhej të përgatisnin këtë seri ishin: don G. Morin, në nënserinë: Legjendat, Martirët dhe dogmat kishtare; N. Vuliq, në nënserinë: Historia politike dhe burimet historike; don F. Buliq, në nënserinë: Salona. Seria e dytë do të kishte për titull pune: “Krishterimi deri në gjysmën e shekullit të shek. IX.” Shkencëtarët që duhej të përgatisnin këtë seri ishin: prof. F. Kos, në nënserinë: Historia e Sllovenisë; prof. D. Anastasjeviq, në nënserinë: Legjenda e shën Dhimitrit nga Selaniku dhe historianët e shkrimtarët bizantinë. Seria e tretë do të kishte për titull pune: “Shën Qirili dhe Metodi.” Ndërsa do e përgatisnin: prof. F. Shishiq dhe F. Grivec në nënserinë Burimet, literatura dhe legjendat. Seria e katërt do të kishte për titull pune: “Krishtërimi nga fillimi i shekullit të X deri në vitin 1054.” Në këtë seri do të punonin shkencëtarët dhe historianët: D. Anastasieviq dhe don F. Buliq në nënserinë: Shkaqet e ndarjes së kishave në atë të lindjes dhe perëndimit. Burimet dhe literatura. Seria e pestë do të kishte për titull pune: “Krishtërimi nga viti 1054 deri në vitin 1198.” Për këtë seri dhe nënseritë e saj, bashkëpunëtorët nuk ishin përcaktuar me arsyetimin që do të caktoheshin më vonë, dhe përkatësisht do të inkorporoheshin edhe studiuesit e huaj. Seria e gjashtë do të kishte këtë titull pune: “Bogumilët.” Në këtë seri do të punonte vetëm prof. Vl. Qoroviq, dhe atë në nënserinë: Bogumilët, historia, literatura dhe burimet.
Nga një vështrim i kujdeshëm i ndarjes së serive dhe nënserive marrim vesh se periudha osmane nuk është prekur fare, edhe pse ishte vendosur në takimin paraprak të Zagrebit më 27 shkurt 1921 dhe se ishin shmangur jo vetëm studiuesit kroatë, por edhe ata të huaj. Duke qenë konsekuent dhe parimor me idenë fillestare, don F. Buliq reagon shumë ashpër kur informohet për një gjë të tillë, duke kërkuar llogari nga V. Novaku dhe F. Shishiq, se cilat ishin arsyet e shmangies së emrave të: V. Klaiqit, S. Ritigut, Jeleniqit, Hauptmanit, F. e M. Kosit, Zoreas, Vaninos, Truhelkës, Paviq, Dragiçeviq dhe të huajve: J. Zeiller, Louispetit, Duchesnes, Vasiljev, Lebedjev, Patch, etj? Ndërsa ishte shumë i befasuar kur kishte vërejtur se ai ishte përcaktuar të punonte në serinë e katërt dhe atë në nënserinë “Shkaqet e ndarjes së kishave në atë të lindjes dhe perëndimit, burimet dhe literatura.” Shqetësimet e tij i vërejmë në një letër që i drejton prof. Viktor Novakut, ku ndër të tjera shkruan: “zotërinjtë me siguri kanë harruar se unë tashmë jam i lodhur dhe kam 75 vjet dhe se “aetas vergit ad occasum.” Përveç kësaj obligimet e shumta administrative rreth themelimit të Muzeut Arkeologjik të Splitit më marrin shumë kohë, puna rreth botimit të Bullettino…si dhe më e rëndësishmja obligimet rreth botimit të dytë të Illyricum Sacrum më lënë shumë pak mundësi ose aspak fare që të shkruaj studime dhe nënseri të veçanta…”
Situata e krijuar ishte shumë e pafavorshme për projektin e don F. Buliqit, kështu që ai, menjëherë cakton një takim tjetër, të katërtin më 24 maj 1921. Takimi mbahet në Zagreb, në famullinë e Shën Markut, në appartamentin e dr. Ritigut ku të pranishëm ishin: F. Buliq, S. Stanojeviq, N. Radojçiq, J. Jeleniq, S. Ritig, V. Novak, G. Morin. Që në fillim të takimit, fillon një debat i ashpër dhe shumë i rreptë nga ana e don F. Buliqit. Këtij i kundërvihet S. Stanojeviq i mbështetur nga N. Radojçiq. Përfundimisht rrëzohen vendimet e takimit të Beogradit më 27 shkurt 1921, duke u kthyer në konceptin ideor fillestar të don F. Buliqit. Tashmë i gjithë projekti ndahet në tre seri të mëdha.
Seria e parë titullohet: Ballkani deri në ardhjen e sllavëve, të cilën do e përgatisnin don G. Morin, don F. Buliq dhe prof. N. Vuliq. Pas shumë debatesh, kjo seri ndahet në katër nënseri të reja. Nënseria e parë do të ndahej pastaj në këto vëllime: a) Hagjiografi; b) Kultet e shenjtorëve; c) Martirologji, dhe d) Burimet dokumentare. [Duhet theksuar me këtë rast se një ndarje e tillë, në katër nënseri, u propozua dhe u zbërthye në mënyrë shumë profesionale dhe me përgjegjësi nga don G. Morin, i cili kishte parasysh Ilirinë e lashtë si term gjeografik, e jo atë për të cilën u përcaktua S. Stanojeviq. Me këtë rast don G. Morin, në mënyrë të hapur shpreh mospajtimet dhe shqetësimet e tij. Ky moment ishte një shenjë paralajmëruese për tërheqjen e tij nga projekti. Një gjë të tillë, ai e bën më 24 korrik të vitit 1921]. Me këtë rast janë zhvilluar diskutime të shumta dhe thelbësore se çfarë nënkuptohet me Illyricum Sacrum? Përfundimisht, të pranishmit janë pajtuar me mendimin e prof. S. Stanojeviq, se me Illyricum Sacrum kuptohen: “të gjitha ato territore në të cilat sot banojnë serbët, kroatët dhe sllovenët, por edhe ato territore në të cilat dikur kanë jetuar sllavët e jugut. Pos këtyre edhe ato territore në të cilat sot nuk jetojnë sllavët. Shtrirja historike e emrit Illyricum Sacrum nuk përputhet me gjendjen e sotme, pra duhet kuptuar ashtu siç u cek më lart.” [Me këtë rast, ne nuk do të bënim ndonjë koment të veçantë, pos që mund të themi, se këto janë idetë dhe qëllimet e serbëve gjatë gjithë historisë. Jemi të mendimit se ribotimi i Illyricum Sacrum në shkurt të vitit 2005, është përgjigja më e mirë për të gjithë sllavët, në përgjithësi dhe serbët në veçanti]. Edhe pse V. Novak ishte i pranishëm në këtë debat dhe pajtohet me një përkufizim të tillë, ai në shkrimin e tij “Illyricum Sacrum” të botuar me 17 korrik 1921, për këtë çështje shkruan: “Në kuptimin e gjërë të fjalës me termin Iliri, në kohën e perandorëve romakë nënkuptoheshin njësitë administrative romake, për gadishullin Ballkanik, ndërsa Illyricum Sacrum është titulli i veprës së Daniel Farlatit në të cilën vepër është paraqitur historia e popujve të Ballkanit e ndarë sipas shtrirjes së ipeshkëvive ekzistuese” duke shprehur një qëndrim disi të ndryshëm nga ai që u mor në takimin e katërt të Zagrebit. Nënseria e dytë do të ndahej në këto vëllime: a) Fasti episcopales; b) Koncilet me të gjitha dokumentat përkatëse dhe studimet kritike. Nënseria e tretë do ndahej në këto vëllime: a) Shtrirja gjeografike e krishterimit në Iliri; b) Mbishkrimet epigrafike dhe rezultatet e reja të gërmimeve arkeologjike në Maqedoni e Mitrovicë të Sriemit. Nënseria e katërt do të ndahej në këto vëllime: a) Historia politike dhe burimet historike; b) Salona.
Seria e dytë titullohet: Deri në ardhjen e turqve në Ballkan, në përgatitjen e së cilës do të duhej të punonin: S. Ritig, Hauptman, S. Stanojeviq, F. Shishiq, D. Anastasijeviq, N. Radojçiq, Vl. Qoroviq, dhe V. Novak. Kjo seri ndahej në këto nënseri: Nënseria e parë do të ndahej në këto vëllime a) Sllavët e jugut deri në gjysmën e shekullit të IX; ky vëllim do të përgatitej nga prof. Hauptman b) Historia e Sllovenisë, ndërsa ky vëllim nga N. Radojçiq; c) Legjenda e shën Dhimitrit nga Selaniku. Ky vëllim do të përgatitej nga D. Anastasijeviq. Nënseria e dytë do të ndahej në këto vëllime: a) Shën Qirili dhe Metodi; për të cilin vëllim nuk ka shënime se kush mund ta përgatiste; b) Burimet, literatura, bibliografija, veprimtaria dhe legjendat që kanë të bëjnë me Illyricum Sacrum. Ky vëllim do përgatitej nga F. Shishiq; c) Historia e riteve dhe e shërbesave fetare. Ky vëllim do të përgatitej nga S. Ritig. Nënseria e tretë do të kishte vetëm një vëllim: Nga fillimet e krishtërimit deri në fillim të shekullit të X. Ky vëllim do përgatitej nga S. Stanojeviq dhe D. Anastasjeviq. Nënseria e katërt do të kishte vetëm një vëllim: Krishtërimi nga viti 1054 deri në vitin 1198. Ky vëllim do të përgatitej nga V. Novak dhe S. Stanojeviq. Nënseria e pestë do të kishte këto vëllime: a) “Pravoslavlje” në shtetin Nemanid. Ky vëllim do të përgatitej nga N. Radojçiq; b) “Pravoslavlje” dhe krishtërimi në Bosnie nga Kulin bani deri në zhdukjen e Bosnies. Ky vëllim do përgatitej nga J. Jeleniq; c) Dalmacia dhe Dubrovniku. d) Kroacia, Slavonia dhe ish-Hungaria Jugore në shekujt XIII-XV. Ky vëllim do përgatitej nga M. Paviq. Nënseria e gjashtë do të kishte vetëm një vëllim: Bogumilët, historia, literatura, bibliografija, burimet dhe studimi kritik. Ky vëllim do të përgatitej nga Vl. Qoroviq.
Për serinë e tretë, atë të periudhës turke, debatuesit nuk kishin arritur të merreshin vesh, prandaj kishte mbetur që në një nga takimet e ardhëshme të përcaktoheshin për nënseritë, vëllimet dhe emrat e studiuesve që do përgatisnin vëllimet. Këtu ishte vënë theks i veçantë në hipotezën se në këtë seri do të angazhoheshin studiues dhe dijetarë të huaj. Si pjesë plotësuese për të gjitha seritë, nënseritë dhe vëllimet u pranua që të jetë: Urdhërat kishtare dhe prelatët kishtarë të të dy kishave atë lindjes dhe perëndimit.
Përpjekjeve të don F. Buliqit u vjen fundi. Ai cakton takimin e pestë dhe të fundit më 5 dhjetor 1921, i cili mbahet në Zagreb, në famullinë e Shën Markut, në appartamentin e dr. Ritigut ku të pranishëm ishin: F. Buliq, F. Shishiq, S. Ritig, M. Abramiq dhe V. Novak, pra vetëm dijetarët kroatë. Mungonin serbët, sllovenët dhe të tjerët. Takimi nuk zgjati shumë dhe don F. Buliq, detyrohet që të pranojë njërin nga dështimet më të rënda në jetën e tij. I ndodhur para sfidave nga më të ndryshmet, abuzimeve dhe prapaskenave; largimit të bashkëpunëtorëve të huaj, të cilët ishin bartësit më të rëndësishëm të projektit Ribotimi i Illyricum Sacrum-it, ai bën një rikapitullim të të gjitha përpjekjeve të veta për të shpëtuar këtë kryevepër, përpjekje këto që e kishin nismën në vitin 1902, për të vazhduar pastaj në vitet 1906, 1912, 1918 dhe përfundimisht vitin 1921, vit i cili përmbyll një kapitull të “ngjarjeve të zakonshme për Ballkanin, por aspak të arsyeshme dhe të kuptueshme për Evropën.”