
Frano Kulli/
Shënime për romanin Klasiku V i Ndue Dedajt.
Ndue Dedaj, ndoshta është sot autori i vetëm “rregulltar” në lëvrimin e reportazhit, kësaj gjinie mirëfilli e publicistikës, reportazhit letrar gjithashtu, e ndërmjetmja që ndërlidh të parën me letërsinë. Në krye të herës, Ndueja është shfaqur si poet në letrat shqipe. Më se tri dekada më parë. Duke dizenjuar gjurmën e tij të përvetçme në këtë fushë. Por ka lëvruar njëherësh edhe prozën e shkurtë, me po të njëjtën mirëpritje, ku shprehësia poetike, ka qenë gjithëherë e pranishme, madje gati rregull estetik në prozën e autorit. Tregimet interesante, dalluar për narrativën origjinale kanë shënuar linja të reja në profilin krijues të tij edhe në zhandrrin e prozës së shkurtë të viteve të fundit.
Kërkues e ngulmues në stilin e tij shkrimor, Ndue Dedaj nuk krijon mirëfilli realitete artistike, ai përzgjedh e modelon artistikisht gjëndje reale, të ndodhura këtu , në njerëzinë e në peisazhin e këtushëm. Pa e shtrirë fantazinë krijuese në “galaktika të tjera”. Nuk e ka ndjerë e as nuk e ndjen të nevojëshme këtë, falë plotënisë së vehtjes krijuese me përjetime, të cilat vijnë në tryezën e shkrimit mbas eksplorimit të thellë nëpër realitete e ngjarje, që shumëkush kishte me ja pasë lakmi. E së njëjtës hulli është romani KLASIKU V . Një dëshmi besnike e kohës që rrok; nga vitet ’60 deri në vitet ’90 të shekullit të shkuar e përimtuar me shije nëpër laboratorin krijues të autorit e duke e sjellë atë në formë të receptueshme e masandej të obserbueshme lehtas e me ndezullí emocionuese te lexuesi. Me shenja të dallueshme mirëpritjeje.
Piketat që ndërlidhin ngjarjet janë në tri pika përbashkuese: malësia, qyteti industrial i Pirustit me “minierën në pranga” dhe Tirana në fillimmetamorfozën e atyre viteve. Ngjarjet që lëvrijnë nëpërmjet këtyre enëve komunikuese janë të lidhura gërshet dhe si të tilla vijnë të njinjishme, të pashkëputura. Spunton intriguese e marrin nga një shpoti e tre djemve tiranas në kafe “Flora”. Me shakanë e tyre prekin të paprekshmen; katërshes së klasikëve, që asokohe kishin pushtuar subkoshiencën publike, i “shtojnë e i heqin” të pestin, që lëvrinte si ëndërra e paranojës së prijësit të gjithëfuqishëm. Shakaja paguhet shtrenjtë; Arseni përfundon në kampin e të dënuarve politik në Dyfandorë, afër qytezës së Pirustit, kurse e shoqja Justina, mbartëse e një traume pas përdhunimit mizor. Bindëse deri në bestyt, ngjarjet. Se vijnë prej një autori me njohje-përjetime të detajuara deri në skaj. Lënda nga e shkuara e afërt edhe pse e trajtuar vetëm si fiction vjen e bindëshme e pa kurrfarë mëdyzje. Plot kërshëri për lexuesin me moshë të papikëtakueshme me kohën romanore, po gati si makabritet përtej besueshmërisë i personazheve të ngjarjeve. Kurse lexuesit mocatar me ngjarjet i dhembin në palcë ato ; gjithsecili gjen diçka e shumçka të vetën në to. Vjen aty koha e vëzhguar me të gjitha shqisat krijuese të autorit, endur në personazhe – karaktere si: Justina, Arsen Petrela, Bib’dod Orosi me lesh në vesh, Holta D., nëna e Andon Moravës, shefi i burgut Hetem Borani, i plotfuqishmi përdhunues, Prokop Vrana, Ruta Përshpali, Shpendi, i arratisuri me të dashurën në Korab . Drama e personazheve objekte të saj përjetohet edhe si dramë për këtë kategori të lexuesit. Realja dhe surrealja këtu ndahen prej një lëmazë (fije e hollë) qepe; xhelati dhe viktima gjënden ngjitas dhe vjen një çast kur përdhunuesi shpallet hero. Vuajtja e viktimës gjakon në të brendëshmen e “dëshmitarit” lexues.
Drama në vetvehte vjen e shtresëzuar si tri dimensionale, sipas gjeografisë së teatrit ku zhvillohen ngjarjet, por, megjithate kulmon kurdoherë në një të përbashkët: denatyrimi i njeriut normal dhe i etnosit të tij e përpjekja e rregjimit për ta zëvendësuar me njeriun-tip laboratorik, homosapiensi i ri socialist. Një përpjekje që e kërkon me ngulm ta materializoje, paranoja e Klasikut V. Aq e thellë e ngulmuese sa e kish fashitur e më pas asgjësuar vetë Jezusin në subkoshiencën e tij e kish zbritur këtu ndër ne si vetë mesia për shpëtimin e njerëzisë së këtushme. Me synimin për të krijuar vëllazërinë e …të mjerëve. Në trup e në shpirt. Krijimin e qenies së mëdyshtë; njëra pjesë për jashtë e tjetra ajo e vërteta për mbrenda mureve të shtëpisë e “mureve” të vetvehtes. Aq e vetvetishme vjen e gjitha kjo, mjafton përsjellja e përpjesëshme në rendin e leximit e shumësisë së fjalësit që lëvrin në bashkëbisedën e personazheve:
– në dhomë qanin vajtojcat, në dhomën tjetër këndoheshin ninullat
– teshat e dekës?… me më fal Amerikën, jo nuk i shes.
Dikund tjetër janë “prangat që rrinin varur në ajër”. Tek metafora e prangave në ajër rri varur në zgrip të jetës qenia njerëzore. Përqasja e dhunimit të Justinës me legjendën e Tringë Meshurdhit, është sureale. Sipas legjendës Tringa e vrau pashën turk përdhunues për mos me ra në dorë të tij e mandej u hodh prej shkambit. Kurse Justina … heshtja, pafuqia e saj ndaj përdhunuesit është vetë sindromi i Stokholmit. (Do të vinte siraja që përdhunuesi të shpallej hero) O tempora o mores! – do të ligjëronte përsëri Ciceroni. Po, a s’ishte e gjithë marëdhënia e njerëzisë së këtushme me KLASIKUN e V-të një sindrom i Stokholmit?! A s’e duartrokitën kur ai u hoqi vetë Zotin prej shtëpisë së tij? Dhe e duatrokitën, e duartrokitën kur kishin mbetë kockë e lëkurë, pa mish e pa shpirt, prej dhunës e përdhunës së tij?! Ata, të përdhunuarit të cilëve ai, të afërmit ua kish dënuar për së vdekuri, ua kish lënë pa varr?! Se trupi i të vdekurit të dënuar nuk mund të tërhiqej pa mbaruar dënimi. E ata, vetë ata e përcollën me lot përfaqe për në varr KLASIKUN paranojak !
-Jo, kullat tona burgun e kanë pas veç për gjanë e gjallë, kurse gjeveria ua ka shtrue udhën me hithër shqiptarëve. Ku të linte Kuvendi i Maleve më ia mbyll gojën burrit, le pastaj me e mbyll atë vetë në vathë si berrin – fliste me vehte Bib’doda urtak.
– Nuk fluturojnë më mbi ato karma zogj. Nuk këndojnë. Kanë turitur. I vetmi shpend që dëgjohet atje është qyqja.
– në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” ishte lustra, mashtrimi, farsa, asgjëja.
– Një hero përdhunues…
– barinjtë sogjetarë (roje)… që ruanin kufirin prej shkelësve më shumë se bagëtitë…
Shfytyrimi dramatik i njeriut prej rregjimit, i cilësdo shtresë a etnitet kulturor qoftë; kryeqytetas, malësor a malësore, qytetas i Pirustit industrial a skllav i “minierës-burg”, rrokulliset me një temporitëm që të përpin, një densitet emocional që shkon krah me ngasjen emocionuese të lexuesit. Por që se arrin asnjëherë “pikën e vlimit”. Valvula që shfryn densitetin dramatik është shtjella satirike forma e epërme e kualitetit artistik, një humor i zi e satirë e hollë, e mprehtë, që ther deri në palcë…
-zinxhiri i pantallonave të Holta D… bëhet objekt qortimi në Komitetin e partisë.
-përveç raportit zyrtar për Byronë Politike t’Ju dërgoj dhe këtë raport kofidencial: Një mësuese dhe një nëpunëse kanë bërë kopila këtë vit dhe i kanë mbajtur t’i rrisin vetë, s’duan t’i çojnë në shtëpinë e fëmijës.
-Shoku i radiolojës i Andon Moravës dënohet dy vjet më pak sepse në lojë kishte pasë rol pozitiv.
– në Komitetin Ekzekutiv plasi sherri pasi, për vitin e ardhshëm, në të gjithë rrethin nuk ishte planifikuar të blihej asnjë gomar? E si do të mbarseshin pelat dhe gomaricat?…
“U mblodh shtabi i luftës kundër shfaqjeve të huaja dhe nuk vuri gjumë në sy, për gjithë natën. Aty nga ora tre pa dalë drita, u futën në Komitet berberët e qytetit, për një takim urgjent me sekretarin e parë. etj, etj, etj.”
Ajo anekdoda për shiun, e njohur për usullin e pagjindshëm të katundarëve që do e duan e do tjerë se duan është e herëshme. “Qe verë e thatë asohere, rrëfen anektoda, e Zoti s’po falte shi. Katundarët bahen bashkë e shkojnë te prifti me ia paraqitë atij lutjet që I lumi prej së nalti të falte shi. Mirëpo, ishte kohë të korrash e ato që ende se kishin korrë grurin do prej tyre, s’po e duan shiun. Të tjerët që donin me mbjellë lypshin shi . E atëhere prifti u thotë:
– Bajuni në nji mendje ju ndërmjet vedit e atëhere hajdeni e unë atëherë ia paraqes lutjen tuaj Atij…, mbyllet anektoda. Kurse për stërvitjen ushtarake “shiu është gjithherë i dobishëm për kalitjen e ushtarëve e zboristëve”, kumton njëri prej personazheve groteskë të romanit. Edhe ai mbrojtës i idiotësisë, siç ishte groteske e gjithë udhëheqësia e mbrojtjes prej armiqve imagjinarë nën mbretërinë e Klasikut të V-të…
Letërsia e vërtetë e tejkalon realitetin, dihet, por letërsia me mjetet e saj edhe e dëshmon kohën, atë pjesë kohë që brendashkruan. Madje pretendon ta ndikojë atë. Dhe letërsinë e mirë, posë të tjerash e bën edhe gjuha e zgjedhur. Ndue Dedaj, një lëmues i sprovuar i saj është njëri prej tyre që spikat.
