Sylë Ukshini/
Libri i shkrimtares së njohur kroate Sllavenka Drakuliq “Kriminelët e luftës para gjyqit në Hagë”, pos tmerreve që parqet, ofron edhe shpresë se drejtësia u ofron brezave të ardhshëm mundësinë për t’i shpëtuar hijes të kaluar. Ky libër përshkruan krimet serbe në Kroaci dhe në Bosnjë, si dhe arsyen përse u themelua Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë (ICTY).Shpërbërja e Jugosllavisë në vitin 1990 solli me vete një mizori dhe brutalitet që pakkush mendonte se Evropa do ta shihte prapë. Romancierja dhe gazetarja e njohur kroate Sllavenka Drakuliq raporton nga Gjykata e Krimeve të Luftës në Hagë, në përpjekje për të mësuar dhe kuptuar rreth këtyre ngjarjeve.Përveçse është dëshmitarja e gjyqit të Sllobodan Milosheviqit, ajo fokusohet te njerëzit më me pak peshë, individët e zakonshëm, pushteti i të cilëve nuk shtrihej përtej kufijve të fshatit apo qytetit të tyre. Burrat si Goran Jelisiq, një polic vullnetar, i cili ekzekutoi shumë nga të burgosurit e tij, ose Drazhën Erdemoviqi, një pjesëmarrës në masakrën e mbi shtatë mijë myslimanëve në Srebrenicë. Është thjeshtësia e tyre që i bën krimet e tyre kaq tronditëse: fakti që krimet nuk janë kryer nga ushtarë të rregullt, por nga ish-kamerierl, shoferë dhe peshkatarë.“Në Bosnjë, ku serbët, kroatët dhe myslimanët jetonin së bashku, lufta filloi në prill të vitit 1992. Për shkak të popullatës së përzier, ajo mori edhe karakteristikat e një lufte civile. Minoriteti serb atje, i “mbrojtur” nga Millosheviqi, shpalli shtetin e pavarur të Republikës Sërpska. Duke mos qenë në gjendje të parandalonte as Kroacinë dhe as Bosnjën që të largoheshin nga Jugosllavia, Millosheviqi – së bashku me serbët nga Republika Sërpska – tani filloi një luftë për një “Serbi të Madhe”. Pasoi rrethimi dyvjeçar i Sarajevës dhe, disa vite më vonë, enklava myslimane e Srebrenicës, e mbrojtur nga OKB-ja, ra në duart e ushtrisë së Republikës Sërpska. Rreth shtatë mijë myslimanë të paarmatosur u ekzekutuan – masakra më e madhe në Evropë që nga viti 1945”, kështu shkruan Sllavenka Drakuliq.