
Çerçiz Loloçi/
Promovohet në librari “Onufri” romani i shkrimtarit Bujar Skëndo.
Në takimin e organizuar para pak ditësh në Librarinë “Onufri”, në prani të kamerave të disa TV-ve, ishin të pranishëm shkrimtarë, studjues të letërsisë, poetë e lexues të shumtë, botuesja Enxhi Hudhri. Ishin, gjithashtu, bashkëshortja e këngëtarit të madh zonja Rozalba Merdani dhe djali Geri Merdani. Po ashtu, edhe motra e kompozitorit të famshëm Kastriot Gjini, zonja Luljeta Gërmenji.
Promovimin e moderoi redaktorja e romanit Kadia Dedja.
K. Dedja: Romani “Dëshmitari i rremë” merr shkas nga ngjarje të vërteta të ndodhura 54 vjet më parë, pikërisht pas Festivalit të 11-të të Këngës në Radio Televizion dhe që u pasua me dënimin dhe ndëshkimin e shumë protagonistëve të këtij festivali. Përse pritët kaq gjatë për ta shkruar?
B. Skëndo: Nuk kam një përgjigje të saktë për këtë pyetje. Dhe ndoshta, as nuk mund të ketë. Por në kujtesën time dhe të gjeneratës sime kjo ngjarje ka lënë shenja të forta, të pashlyeshme nga koha. Unë e ndieja praninë e saj, por nuk guxoja ta prekja. Dhuna e përbindshme ndaj artistëve, shtypja, fyerja e rëndë e qindra mijëra adhuruesve të këngëve të Sherif Merdanit, nga njëra anë dhe urrejtja ndaj artit e artistëve, arrestimi, dënimi me burg, syrgjynosja nëpër miniera e kantiere, ishte një tradhëti e pacipë e diktaturës ndaj një një brezi të tërë admiruesish për prirjet e reja të letërsisë e arteve dhe posaçërisht për këngëtarin Sherif Merdani dhe të këngët e tij. Nuk e tepëroj aspak të them se ai ishte “Xhon Lenoni” i brezit tonë. Romani lindi nga pakënaqësia e thellë, refuzimi, trishtimi, zemërimi ndaj asaj diktature të etur për dhunë e burgime artistësh. Vërtet tepër vonë, 54 vjet, por kur nisa ta shkruaj romanin, nuk m’u deshën më shumë se pesë muaj për ta mbaruar. Shkrimtari nuk shkruan kurrë nga lumturia. Nobelisti hungarez i këtij viti thoshte se shkruan nga pikëllimi për fatet e zymta të njerëzimit…
K. Dedja: Sandër Baraj (dëshmitari i rremë) dhe Seran Mejdani (Sherif Merdani), dy personazhet qëndrore të romanit, përfaqësojnë dy forma të kundërta përballë sistemit dhe vetvetes. Si e konceptuat këtë kontrast?
B. Skëndo: Janë dy figura antitezë që përballë njëri tjetrit zbulojnë vetveten dhe tjetrin. Kështu funksionon zakonisht në jetë dhe në letërsi. E mira përballë të ligës. Më e mira përballë më të ligës. Serani- Sandri janë dëshmi artistike të kësaj të fundit. Talenti nga njëra anë dhe mediokriteti nga ana tjetër. Njeriu i vlerave të larta dhe karikatura. Këngëtari me talent hyjnor, njeriu I vlerave të larta morale dhe dëshmitari i rremë, i pistë, mashtrues, shitës i shpirtit tek një blerës edhe më i pështirë, diktatura.
K. Dedja: Sa e rëndësishme është për juve të theksoni këtë kontrast?
B. Skëndo: Po ky kontrast është vetë romani. Kështu është konceptuar. Romani është një himn për këngëtarin e rinisë të viteve ’70- ’80 Sherif Merdani dhe të gjithë artistët e mëdhenj që u dënuan si Bujar Kapexhiu, Mihallaq e Edi Luarasi dhe dhjetra të tjerë nga teatri, drama, piktura… Dhe përballë tyre diktatura përplot me spiunë, dëshmitarë të rremë, sigurimsa, sekretarë të parë, hetues, prokurorë. Nga fundi i piramidës deri në majë të saj. Të gjithë të etur për dhunë, burgime e pushkatime, armiq të kulturës e artit. Një qarkore e partisë sipas së cilës çdo rreth, çdo qytet, siç ka planet e realizimit të korrje- shirjeve, duhet të ketë edhe planet e zbulimit dhe dënimit të armiqve të tij. Pas kësaj, në qytetin provincial të Librazhdit zorëron një klimë terrori, frike e ankthi të pandërprerë. Nisin arrestime, dënime të rënda. Përgatitje dosjesh për arrestime të reja, si dosjet e dy poetëve nga fshati Bërzeshtë që u pushkatuan për poezi gjoja armiqësore, moderrniste…
Diskuton Sadik Bejko, shkrimtar i mirënjohur, studjues, bashkëautor i parathënies: Romani “Dëshmitari i rremë” është një monument që Bujari i ka ngritur Sherif Merdanit. Por edhe një simbol për gjithë artistët e dënuar e të persekutuar nga diktatura pas Festivalit të 11-të. Por dëshiroj të theksoj se këta artistë nuk u dënuan vetëm nga diktatura, por edhe nga heshtja e shoqërisë së kohës. Romani është shkruar bukur, me stil të rrjedhshëm dhe gjetje interesante formash strukturore, sikundër edhe dy romanet e mëparshme. I uroj sukses Bujarit.
Fjala i jepet zonjës Rozalba Merdani, bashkëshortja e këngëtarit të madh: “Për mua dhe Gerin ishte shumë befasuese të merrnim vesh se një roman i ishte kushtuar njeriut tonë më të shtrenjtë. Nuk e kishim idenë se mund të ndodhte diçka e tillë: Të shkruhej një roman për Sherif Merdanin. Por ja që ishte e vërtetë. Zoti Skëndo ka shkruar një roman të shkëlqyer për një artist të madh si Sherifi. Nga dosja që kemi në shtëpi, kam kuptuar personin e vërtetë që fshihet pas titullit, personazhi Sandër Baraj. Në roman ndihet neveria për dëshmitarin e rremë, të cilin e kemi takuar një herë bashkë me Sherifin në Tiranë, pas viteve ‘90. Sikundër ndihet adhurimi në përshkrimet psikologjike dhe shumë detajeve artistike për këngëtarin e admiruar nga brezat e asaj kohe. Romani ka një vërtetësi rrëqethëse, stil dhe shumë dashuri në përshkrimin e heroit, Seran Mejdanit. Është vërtet një monument artistik që shkrimtari Bujar Skëndo i ka ngritur bashkëshortit tim, Sherif Merdanit. Për mua gjithçka ishte shumë prekëse. Duke e lexuar romanin kam përjetuar momente të paharrueshme. I jemi shumë mirënjohës shkrimtarit. Ka shkruar një roman të jashtëzakonshëm. E falënderoj”…
Luljeta Gërmenji, motra e kompozitorit Kastriot Gjini (që në roman vjen me emrin Olti), pasi e vlerësoi romanin, solli kujtimet e saj për një kartolinë që Sherif Merdani i kishte dërguar nga burgu i Burrelit kompozitorit të këngëve të tij, Kastriotit, me rastin e një Viti të Ri. “Kishte edhe katër vargje me nëntekst që vetëm Kastrioti i kuptonte, u shpreh ajo. – E kemi ruajtur atë kartolinë për vite të tëra. Por për fat të keq nuk e kemi më. Diku ka mbetur, gjatë transferimeve të familjes nga një shtëpi në tjetrën. Ndoshta është diku, në bibliotekë, por deri më sot, megjithë kërkimet, nuk e kemi gjetur. Faqet e librit në të cilat shkrimtari ka përshkruar një vizitë imagjinare të Oltit në qelinë e Seranit, ishin mjaft të ndjera, ishin të mrekullueshme. E përgëzoj shumë zotin Bujar Skëndo”.
K. Dedja: Në burg Seranit i shfaqet një ëndërr- hije, një vizitë e pazakontë nga miku dhe krijuesi i këngëve të tij, Olti, që ju e jepni me një togfjalësh shumë të bukur, “vizitë e ëndërrt”. Një gjetje interesante, mbresëlënëse.
B. Skëndo: Të falënderoj për vlerësimin. Kjo vizitë, si të thuash, prej ëndërre, e vetmja në qelinë e Seran Majdanit, ishte tepër mallëngjyese për këngëtarin. Mes përgjumjes dhe mosfjetjes ai dallon midis errësirës së qepallave dhe “natës së përhershme të qelisë”, hijen e mikut të tij të shtrenjtë. Një skenë plot mistere e kumte. I kishte bashkuar talenti, kjo dhunti e natyrës, kjo dhunti e Zotit. I kishte ndarë diktatura. Dhe njëkohësisht, u kishte burgosur edhe këngët e mrekullueshme. Atë ditë që jam ulur përpara laptopit, siç ndodh zakonisht me shkrimtarët, nuk e kisha idenë çfarë do shkruaja. Por pasi kisha shkruar dy- tre radhë pavetëdijshm, po kuptoja çfarë po shkruaja. Nuk po u besoja syve. Ndërkaq, vetëdijshëm kisha “dalë nga mjegulla”. U ndjeva aq i lumtur. I gëzuar për gjetjen e “vizitës së ëndërrt” dhe dialogut midis të burgosurit dhe hijes se kompozitorit më të talentuar të kohës. Iu riktheva sërish dhe shkrova pa ndërprerje, pa lëvizur nga vendi, ato dhjetë faqe të vizitës. Për mua, por edhe për disa lexues, janë nga faqet më të bukura të romanit. Në mos më të bukurat.
Diskuton Bardhosh Gaçe, Profesor Emeritues, Akademik: “E konsideroj një prurje të rëndësishme romanin ‘Dëshmimtari i rremë’ të Bujar Skëndos për disa arsye:
Së pari, romani është një prerje e imtë e kohës, ku raporti i individei me kohën ka qenë i censuruar, i kontrolluar dhe i orientuar nga ideologjia dhe mekanizmat e saj; Së dyti. romani, përveç kujtesës, njohjes për kohën që mbart bremda vetes, ai e pasuron me një ngjarje të një natyre tipike, brenda sublektit të romanit ka ngjarje e episode artistikisht të vërteta e realiste; Së treti, autori vazhdon të pasurojë profilin e tij prej romacieri, duke krijuar një lloj kredoje për shkakun e natyrës së thellë psikologjike e psikoanalitike të mjediseve, gjendjeve dhe karaktereve, të cilët përbëjnë tharmin e qëndrueshëm të një vepre”.
Diskuton shkrimtari Izet Duraku: “Romani ‘Dëshmitari i rremë’ është një vepër e shkruar me thellësi mendimi, stil dhe forma shprehëse të gjetura. Nxjerrja që në titull e “dëshmitarit të rremë”, është diçka e re në letërsinë tonë. Nuk e kam ndeshur kund. Romani ka skena dramatike, ankth, frikëra, por edhe grotesk. Të dyja me të njëjtin synim artistik: Zbulimin sa më të plotë të tërbimit dhe verbimit të diktaturës në shtypjen, dhunën ndaj qytetarëve të vet dhe armiqësinë ndaj artistëve të vërtetë e të talentuar. E uroj Bujarin për këtë roman mjaft të mirë”.
Në promovim folën edhe mjaft shkrimtarë të tjerë.