
Eduart Caka/
Shtete të shumta të Mesdheut, duke nisur nga Spanja për të vijuar drejt Francës, Italisë, Kroacisë, Greqisë, Turqisë, Egjiptit e shumë të tjerave e kanë të konsoliduar prej dekadash sektorin e turizmit, i cili nuk karakterizohet vetëm prej hoteleve të bukura e luksoze. Por nevojiten shumë elemente të tjera, në krye të së cilave pikësëpari vjen shërbimi, infrastruktura, personeli i mirëtrajnuar, shumëllojshmëria e aktiviteteve që i ofrohen pushuesit, çmimet konkurruese etj. Për më tepër, për t’u kthyer në një destinacion turistik në një rajon ku rivaliteti është goxha sfidues nëse do të kemi parasysh fqinjët tanë jugorë por edhe ata përtej Adriatikut, duhet që paketat turistike të përfshijnë të dymbëdhjetë muajt e vitit, jo një muaj e gjysmë apo dy muaj.
Me një përpjekje të sforcuar dhe shumëëë “reklamë”, edhe Shqipëria tenton prej 2-3 vjetësh të bëhet pjesë e “pastës së madhe” të të ardhurave që vijnë prej turizmit. Por, në vend që të mësonim prej vendeve me përvojë në këtë sektor, provuam t’i bijmë shkurt e shkurt me disa “male betoni” të zbukuruara dhe çmime marramendëse që garojnë me destinacionet më luksoze të botës. Sigurisht, kush e provoi një herë, nuk u kthye më…Ky vit nxorri në pah diçka interesante: ndërkohë që hotelet e shtrenjta të jugut mbetën zbrazur, qytetet tona me trashëgimi kulturore e arkitekturore duket janë plot. Duket se turistëve që vijnë këtu tek ne nuk u interesojnë malet prej betoni dhe çmimet e çmendura, por duan të shohin kalldrëmet e Gjirokastrës e Beratit, pazaret e Korçës e të Krujës, qendrat e vjetra të Elbasanit, Shkodrës e Vlorës.
Ka edhe një pjesë tjetër që vijnë për bukurinë e natyrës dhe të alpeve, por turizmi i tyre sivjet u ndërpre prej fadromave. A ka ardhur koha të ndërtojmë një strategji realiste të turizmit shqiptar?.. Sepse, ai elitari duket se përfundoi para se të fillonte…