Nga “Elco-ot” Amerikanë të Luftës së I-re Botërore, tek “ARChangelat” e 2010, Dhuratë e Departamentit të Shtetit të SHBA/
Nga Shefqet Kërcelli/
Eshte festuar keto dite 90 vjetori i Flotes Luftarake Shqiptare. Më datën 23 Dhjetor 2015, në molin numur 4 të portit të Durrësit, u zhvillua një ceremoni festive me rastin e 90 vjetorit të krijimit të Flotës Luftarake Shqiptare. Në këtë event të rëndësishëm jo vetëm për detarët por gjithë popullin shqiptar, morën pjesë ish kuadro dhe detarë që kanë shërbyer në Flotën tonë Luftarake, veteranë, përfaqësues të shoqatës “Adrijon” dhe institucioneve detare të vendit, efektiva të Forcës Detare, qytetarë të Durrësit dhe përfaqsues të medias. Gjithashtu festën e detarëve me uniformë e nderuan me pjesmarrjen e tyre, Ministre e Mbrojtjes zonja Mimi Kodheli, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Gjeneralmajor Jeronim Bazo, deputetë të Komisionit të Sigurisë e Mbrojtjes, atashe ushtarakë të akredituar në vendin tonë, etj. Atmosferës festive në sheshin e molit 4, ju shtua dhe bregëzimi në këtë mol i dy anijeve tona patrulluese, “Iliria” dhe “Lissus”. Mbas ekzekutimit të Hymnit Kombëtar, Gjeneralbrigade Ylber Dogjani, Komandant i Forcës Detare, i uroi detarëve shqiptarë festën e 90 vjetorit dhe bëri një rezyme të shkurtër të historisë së Flotës sonë Luftarake nga dita e krijimit. Më pas zoti Dogjani evidentoi dhe detyrat që kryejnë efektivat e Forcës Detare në zbatim të misionit të tyre, si ato të kërkim-shpëtimit, ashtu dhe ato për zbatimin e ligjshmërisë detare e kundër trafiqeve të ndryshme, të cilat janë evidente dhe kërkesë e kohës. Ndërsa Ministre e Mbrojtjes zonja Mimi Kodheli, në fjalën e saj theksoi se, “Është nder dhe kënaqësi e vecantë për mua të uroj detarët shqiptarë në këtë jubile të madh të 90 vjetorit të krijimit të Forcës sonë Detare. Populli shqiptar ka një traditë të spikatur të detarisë, përgjatë gjithë historisë shekullore, të vërtetuar e dokumentuar nga mjaft studjues vendas e të huaj. Në çdo periudhë, epokë apo ngjarje historike, roli i detarëve shqiptarë në Adriatik e Jon, ka qenë prezent, për vetë pozicionin gjeografik të vendit tonë. Sigurisht, në këtë histori të ndritur periudha mbas krijimit të shtetit shqiptar zë vend kryesor. Gjatë kësaj rruge shekullore, ku bashkohet kontributi i disa brezave, përfshihet dhe roli i pazvëndësueshëm i detarëve me uniformë, të cilët në vite, me sakrifica, vështirësi, guxim e heroizëm, duke u përballur me dallgët e detit, gjatë lundrimeve pa fund, ditë e natë, në mot të qetë e të trazuar, kanë shkruar historinë e tyre të lavdishme, si pjesë integrale e historisë së Popullit Shqiptar. Sot ne nderojmë dhe respektojmë aktin heroik të dy ekuipazheve të anijeve “Shqiponja” dhe “Skënderbeg”, të cilët me përvojën e tyre si detarë, më 25 dhjetor 1925, filluan patrullimin në ujërat tona, në emër të një qëllimi të madh, ruajtjes së kufirit detar të shtetit shqiptar. Në shtypin e asaj kohe shkruhet se dy anijet e bregëzuara në Currila u përshëndetën nga qytetarët e Durrësit dhe pasi u larguan një milje nga bregu, bënë tre të shtëna me topa. Nga ajo ditë e shënuar, Flota jonë Luftarake ka njohur transformime dhe zhvillime të rëndësishme, me uljet e ngritjet e saj, por duke ruajtur cdo kohë substancën e popopullit tonë, si popull detar”, theksoi zonja Kodheli. Në fund të fjalës përshëndetëse zonja Kodheli tha se, “Flota jonë Luftarake Detare, në këto 90 vite ka pasur zhvillime të rëndësishme në varësi të strategjisë dhe politikave të sigurisë të ndjekura nga shteti ynë. Efektivat e Flotës sonë Luftarake Detare në këto 90 vite janë dalluar për profesionalizmin, kulturën, vullnetin e përkushtimin në kryerjen e misionit fisnik për mbrojtjen e kufijve dhe zbatimin e ligjshmërisë detare, duke bashkëvepruar me strukturat e tjera të shtetit shqiptar. Detarët tanë shkruan me mund, djersë, gjak e sakrifica të panumurta, historinë e ndritur të Forcës Detare Shqiptare. Ndaj mundi, sakrificat dhe vështirësitë e kaluara në qindra lundrime, stërvitje apo operacione në hapësirën tonë detare nuk harrohen kurrë nga populli ynë dhe do përcillen nga brezi në brez. Dhe njëherë ju uroj: Gëzuar 90 vjetorin, ditën e krijimit të Forcës Detare!Respekt dhe mirënjohje për të gjithë detarët shqiptarë, me dhe pa uniformë, të cilët në shekuj janë hedhur mbi valët e detit, me të drejtën që i jep pozicioni gjeografik i vëndit të shqiponjave! Është gjë e bukur që festa e detarëve përkon dhe me festat e fundvitit! Ndaj gjej rastin t’ju uroj: Gëzuar Krishtlindjet dhe Festën e Vitit të Ri 2016! Suksese të mëtejshme në detyrat e përditëshme, shëndet e mbarësi në familjet Tuaja! Gjithashtu pjesmarrësit i përshëndeti dhe gjimnazisti Elio Cami, i cili shjegoi dhe ëndrrën e tij për tu bërë marinar si i ati.
Theksojmë se data 25 dhjetor 2015, u caktua si dita e krijimit të Flotës Luftarake, në një Vendim të Qeverisë Meksi, në Korrik të vitit 1992. Kjo erdhi si rezultat i një punë kërkimore, hulumutuese dhe shkencore në arkivat e shtetit shqiptar nga kryesia e Historianëve Ushtarakë, nën drejtimin e të ndjerit. Prof. Dr. Gjergj Titani. Pjesë e këtij komisioni isha dhe unë, ku ne si grup, me kujdes, bazuar në dokumenta autentike, propozuam të gjitha Festat e Forcave, Armëve e Shërbimeve, të shtrira në afate kohore që nga themelimi i Ushtrisë Shqiptare më 4 dhjetor 2015. Në përkujtim të këtij jubileu të madh për detarët shqiptarë, le të hedhim një vështrim të shkurtër të historisë së Flotës sonë Luftarake, bashkë me lexuesit tanë.
Në arkivat e Mbretit Zog shkruhet se, më 24.06.1928, u krijua Komanda e Marinës në Durrës, me komandant, kapidan Ahmet Kapidani, dhe u mblodhën rekrutët e parë për këtë armë. Po këtë vit në bazë të një marrëveshje ndërmjet qeverisë së asaj kohe dhe qeverisë italiane u sollën nga Venecia 5 (pesë) MV “Antisomergibile” të tipit “Elco” Amerikan, të cilat ishin përdorur gjatë Luftës së I-rë Botërore. Gjatë periudhës së Luftës së 2-të Botërore, pothuajse u rrënua gjithçka nga këto anije. Ndaj, çlirimi i vendit e gjeti Flotën Shqiptare në gjendje të mjerueshme, me pothuajse të gjitha anijet të mbytura në portet, bregdetin shqiptar, italian dhe dalmat. Ndërkohë fillimi i vitit 1945, shënoi përpjekjet e para për riorganizimin dhe ringritjen e Forcave Detare. Kështu më 23 shkurt 1945, pranë Komandës së Përgjithshme të UNÇLSH, u krijua Seksioni i Marinës Luftarake me shef seksioni, Kapiten i 1-rë, Abdi Mati. Nga dokumentacioni i kësaj komande vlejnë për tu përmendur urdhërat për thirrjen e oficerëve të marinës në detyrë, urdhër nr.44. dt.30.03.45, për riorganizimin e kantiereve të riparimit dhe funksionimin e kapitenerive të porteve nën kujdestarinë e seksionit të marinës, urdhëri nr.82. dt.04.05, “Për rikthimin e barkave shqiptare që ndodheshin në Itali”, etj.
-Më 15 gusht 1945, u bë përurimi i hedhjes në ujë të dy motoskafeve trofe me numër MS-10 dhe MS-12. Këto motoskafë u armatosën me mitraloz të lehtë dhe filluan patrullimin në ujërat tona bregdetare.
-Mbas viteve 60, u shënua fillimi i një etape të re zhvillimi të FLD, me pajisjen e tyre me silurhedhës e më vonë me Minaheqëse, Gjuajtësa Detarë, Nëndetëse dhe anije ndihmuese të llojeve të ndryshme. Për këtë u shfrytëzuan edhe konjukturat politike të kohës. Bëhet fjalë për lidhjet e bashkëpunimin në shumë fusha me vendet e ishkampit socialist, që i shërbyen dhe strategjisë e gjeopolitikës të këtij kampi.
-Mbas viteve 90, me mbështetjen e partnerëve tanë te NATO-s, veçmas SHBA, si dhe nën kujdesin e qeverisë dhe popullit shqiptar, Forca Detare ka bërë hapa para për realizimin e misionit kushtetues, mbrojtjen dhe zbatimin e ligjshmërise detare, mbajtjen në kontroll të kësaj hapësire nëpërmjet Sistemit të Ri të Vëzhgimit të saj si dhe krijimin e kapaciteteve te nevojshme operacionale për planifikimin dhe zhvillimin e operacioneve humanitare në ndihmë të komunitetit. Duke mbajtur një prezencë të përhershme dhe aktive në det, Forca Detare është tashmë një aktor i rëndësishëm dhe i vlerësuar nga opinioni, shteti shqiptar dhe partnerët tanë. Ndërkohë anëtarësimi i vendit tonë në NATO, solli nevojën e një teknologjie ndërvepruese e efikase me partnerët e FD dhe hartimin e një plani modernizimi racional, mbështetur në burimet ekonomike që afronte shteti shqiptar. Ky plan transformimi pёrfshiu modernizimin e FD me sisteme, pajisje e mjete detare, të shtrira në plane afatshkurtër, afatmesëm dhe afatgjatë, ku prioritet ka qenë kompletimi me mjete të reja që kryejnë misionin e Rojes Bregdetare. Në dekadën e fundit pajisja e FD me katër anije patrulluese të mëdha, në kuadër të zbatimit të kontratës me Kompaninë Hollandeze “Damen Shipyards”; me Motovedeta të shpejta “Archangel”, Dhuratë e Departamentit të Mbrojtjes së SHBA dhe anije antindotje që u blenë në Itali, ndërtimi i Sistemit të Vëzhgimit tё Hapësirës Detare nga firma prestigjioze Amerikane “Lockheed-Martin”, pajisja me sisteme tё vёzhgimit natёn dhe sistemin AIS të anijeve të Rojes Bregdetare, përmirësimet infrastrukturore të vendbazimeve detare, etj. janë hapa konkretë në zbatim të këtyre politikave zhvillimore të Forcës Detare. Në këtë kuadër projekti më i rëndësishëm për modernizimin e FD, ishte nënshkrimi më 13 nëntor 2007, i marëveshjes për pajisjen e FD me 4 anije Patrulluese STAN PETROL-4207. Ky projekt bëri të mundur që 6 vjet më parë më 5 Shtator 2008, në molin Nr.5 të Portit të Durrësit të bregëzohet anija ”Iliria”, (P-131), një trashëgimtare e denjë e ”Liburnes” dhe ”Lembes” ilire. Në vijim më 14 Maj 2009, filloi ndërtimi i anijes ”Oriku”, (P-132), e cila u lëshua në ujë më 13 shtator 2011 dhe më 3 dhjetor 2012 u lëshua në ujë anija e tretë, (P-133) ”Lissus”. Ndërkohë më 8 prill 2014 u lëshua në ujë anija e katërt, ”Butrinti” (P-134), që shënoi dhe përfundimin e këtij projekti.
Modernizimi i FD me pajisje, sisteme dhe anije për të zëvendësuar teknikën e vjetër me teknikë moderne e bashkëkohore, të ndërveprueshme me NATO-n, me qëllim rritjen e kapaciteteve operacionale për realizimin e misionit dhe detyrave të përcaktuara në ligj, janë hapa konkretë në zbatim të këtyre politikave zhvillimore e transformuese të këtyre viteve të fundit. Theksojmë se historikisht, përbërja, struktura dhe mjetet që kanë pasur në dispozicion Forcat Detare kanë ecur paralel me zhvillimin ekonomiko-shoqëror të vendit dhe mundësitë financiare të shtetit shqiptar, një mbështetje e cila ka qenë e vazhdueshme në këto 90 vite të ekzistencës. Krahas modernizimit është punuar për arësimimin dhe kualifikimin e kuadrove e personelit të anijeve si brenda dhe jashtë vendit. Gjatë këtyre 25 viteve, vetëm në SHBA, janë kualifikuar në shkolla dhe akademi të ndryshme detarie mbi 100 kuadro detarë të rangjeve të ndryshme, me një kosto miliona dollarë.
Sigurisht që anëtarësimi i vendit tonë në NATO, e bëri evident ndryshimin dhe reformimin e Forcës Detare, përmirësimin e legjislacionit detar, konsolidimin e strukturave, modernizmin dhe pajisjen me mjete të kohës, etj. Forca jonë Detare ka pasur një bashkëpunim të frutshëm me Komandën e Komponentit Detar të NATO-s në Napoli dhe Northwod, Angli, me Flotën e 6-të të SHBA në Mesdhe si dhe me Flotat partnere të vendeve anëtare të NATO-s, duke zhvilluar projekte të rëndësishme që kanë shtuar aftësitë dhe kapacitetet e tjera opracionale. Në këto vite FD ka bërë hapa para në realizimin e misionit kushtetues, mbrojtjen dhe zbatimin e ligjshmërise detare, mbajtjen në kontroll të kësaj hapësire nëpërmjet Sistemit të ri të Vëzhgimit të Hapësirës sonë ujore dhe zhvillimin e operacioneve të kërkim-shpëtimit. Zhvillimi e transformimi, kjo është simbolika e Forcës sonë Detare në këtë 90 vjetor.
Është fakt që ky përvjetor i 90-të i gjen Forcat Detare më të afta, më të pjekura dhe të maturuara, me një personel të motivuar e të aftë profesionalisht, me mjete të reja dhe infrastrukturë moderne. Zhvillimi dhe transformimi është karakteristikë kryesore e Forcës sonë Detare, e cila tashmë është një partnere denjë e Flotave të NATO-s. Vetëm gjatë këtyre viteve të fundit, efektivat tona kanë zhvilluar një sërë stërvitjesh të përbashkëta me vendet e NATO-s, brenda dhe jashtë vendit si:-“Adriatik-Phiblex”, “Adrijon-Livex”, “Albanian-Lion”, si dhe ato për zbatimin e ligjshmërisë detare dhe SAR, në bashkëpunim me Forcat e tjera të Ushtrisë dhe Institucionet tona detare si “Durrës-SAR-Ex”, “Vlora-SAR-Ex”, “Shqiponja e Lumtur”, “Delfini”, “Imponimi”, “Joni”, etj. Moto e detarëve tanë është, gatishmëri, aksion, prezencë dhe kontroll të hapësirës sonë detare gjatë gjithë kohës. Nën këtë moto ekuipazhet e anijeve të gatshme në vite kanë zhvilluar një sërë operacionesh humanitare nga jugu në veri, duke u vlerësuar nga opinioni dhe komuniteti ynë. Në zhvillimin e këtyre operacioneve Forca Detare bashkëpunon ngushtësisht me institucionet e tjera detare me interesa në det, si Kapiteneria e porteve, Policia Kufitare, Antikontrabanda Detare, Inspektoriati i peshkimit, Inspektoriati i mjedisit, Delta Forc, etj, në kuadër të QNOD. {Qendrës Ndërinstitucionale Operacionale Detare}. Natyrisht personeli i kësaj Force është i ndërgjegjshëm se në të ardhmen ka plot sfida e detyra konkrete, që kanë të bëjnë me transformimin dhe modernizimin e Forcës Detare si dhe monitorimin efikas të situatës detare, për të cilat detarët tanë kanë paracaktuar vizionin, objektivat e synime të qarta.
Shënim:-Të nderuar lexues, Historinë e plotë të Forcës Detare Shqiptare e gjeni tek “Antologjia e Detarisë Shqiptare”, vëllimi i 2-të dhe i 3-të.