
Bujar Leskaj/
Sot, datë 1 shtator 2025, është ndarë nga jeta kineasti i mirënjohur, Dhimitër Anagnosti, në moshën 89 vjeçare. Dhimitër Anagnosti përfaqëson një nga personalitet më të shquar shqiptar, një artist i madh; politikan, ministër kulture e deputet i Vlorës me integritet, si dhe një njeri i thjeshtë në jetën e përditshme, për të gjithë ata që e njohën dhe punuan me të nga afër.
Lindi në 23 janar 1936 në Vuno të Vlorës. Ai është një nga regjisorët shqiptarë më të rëndësishëm të shekullit XX. I vetmi regjisor shqiptar që ka patur guximin të meditojë publikisht mbi rolin e vet si kineast brenda propagandës së realizimit socialist, Dhimitër Anagnosti është njëkohësisht ndër ata që më pak se kushdo kanë qenë pjesë e kësaj propagande.
Filmat e tij janë ndër të paktit që edhe sot paraqesin interes nga ana artistike.
Viti 1991 e gjen të impenjuar në lëvizjen demokratike për pluralizmin në Shqipëri, motiv për të cilin zgjidhet edhe deputet i Partisë Demokratike në Kuvendin e Shqipërisë në Legjislaturën XIII(1991-1996), si deputet i Vlorës, i Partisë Demokratike. Në 12 prill 1992 u emërua ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, post të cilin e mbajti deri në 4 dhjetor 1994. Anagnosti ka qenë njeriu i mendimit të lirë, këmbëngulës në mbrojtjen e pikëpamjeve të tij, me një kurajë qytetare.
Në karrierën e tij 40-vjeçare ka realizuar 14 filma artistikë, 10 filma dokumentarë, ka fituar mjaft çmime në konkurse të ndryshme kombëtare e ndërkombëtare. Është autor e regjisor i 15 skenarëve dhe pothuajse në të gjithë filmat e tij skenarin e ka shkruar vetë. “Gjoleka, djali i Abazit” (2006), “Kthimi i ushtrisë së vdekur” (1989), “Përrallë nga e kaluara” (1987), “Gurët e shtëpisë sime” (1985), “Vëllezër dhe shokë” (1982), “Në shtëpinë tonë” (1979), “Monumenti” (1977), “Lulëkuqet mbi mure” (1976), “Cuca e maleve” (1974), “Plagë të vjetra” (1968), “Duel i heshtur” (1967) e shumë filma të tjerë.
Dhimitër Anagnosti ka pasur gjithmonë pasion për letërsinë. Ai ka botuar dy libra, romanin “Koburja nga Europa” (2017) dhe “Ulliri pema e dhembjes” (2019), në të cilin, i cili zbulon dy jetët e tij, atë të shkrimtarit dhe kineastit.
Për cilësitë e tij të rralla artistike, qëndrimin qytetar si dhe për veprat e tij dinjitoze është nderuar me titullin “Artist i Merituar”, “Artist i Popullit” dhe është vlerësuar me dekoratat “Nderi i Kombit” dhe “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”.
I shpreh ngushëllimet e mia të sinqerta familjarëve, miqve e dashamirësve të kineastit Dhimitër Anagnosti. I paharruar kujtimi i tij !