
Dr. Albulenë Halili/
Dhomat e Specializuara të Kosovës janë tabloja më e trishtë, për të mos thënë më poshtëruesja, ndaj çlirimtarëve, ndaj Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ndaj luftës tonë shekullore për çlirim nga okupatori më gjakatar në mes të Evropës së qytetëruar në prag të shekulli XXI, ndaj kombit shqiptar. Të gjitha doktrinat zyrtare serbe të cilat u zbatuan sistematikisht janë padyshim gjenocidale, sepse qëllimi final i tyre është shfarosja jonë kolektive. Caku i të gjitha doktrinave dhe luftërave të tyre është shqiptari si i tillë, pa dallime, fetare, moshe, gjinie… Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi, Hashim Thaçi e Kadri Veseli, bashkë me të gjithë ushtarët e tjerë e me heronjtë që s’rrojnë më, lanë shtëpitë e familjet e tyre dhe u nisën edhe për të mos u kthyer më, në luftën më të shenjtë që mund të bëjnë kombet, atë çlirimtaren. U nisën me betimin e ushtarit, flamurin shqiptar dhe amanetin e stërgjyshërve nga të gjitha trojet tona etnike. Ata, sikur edhe dëshmorët që dhanë jetën në këtë luftë, nuk janë ushtarë vetëm të Kosovës, nuk janë vetëm deputetë, politikanë, ish-presidentë të Kosovës. Ata janë ushtarët tanë çlirimtarë. Janë ushtarët e kombit tonë shqiptar. Janë ushtarët e Atdheut tonë të vetëm që kemi. Sot u dëshmua se edhe Tirana, Shkupi e Tetova i shohin si të tillë. Liria ka emër. Ajo quhet UÇK. UÇK është tërë kombi shqiptar.