Ne Foto: Driteroi,Driteroi me Sadijen dhe me Raimonda Moisiun/
Dielli e mimozat kurrë nuk kishin ndricuar më bukur se atë ditë……/
(Meditim -Esse) Nga Raimonda Moisiu/
Sa i kam dashur mimozat! Tërë jetën time i kam dashur marrëzisht këto lule që i quajnë budallaqe. Budallaqe, sic është dashuria – budallaqe. Dashuria ngjan shumë – shumë me mimozat. Mimoza, hmmm, ja, lulja ime më e dashur, sapo del pak diell, veshë fustanin e verdhë të vajzërisë dhe del në bulevardin e pemëve, të cilat ngurrojnë të nxjerin gjethe dhe lule.
Edhe dashuria nuk do të dijë as për ofiqe, as për para, as për rracë, as për shtresë shoqërore, por vetëm për ca rrahje zemrë; sikurse mimoza ca rreze diellore.
A nuk u ngjajmë pra ne mimozave, kur biem në dashuri?
A nuk është aq e brishtë dashuria, sikurse brishtësia e mimozave?
O, sa herë jam dehur prej këtyre budallackave të bukura!
Furgoni i Korcës më zbriti atë ditë para kinema “Partizanit “dikur.Nuk e kisha ndjerë rrugën aspak.Në Pogradec, u ndala për pak. Nuk largohesha dot nga liqeni i kthejllët si syri i trishtuar i një djali të rënë në dashuri me mimozat.
Pranë meje ishte një mimozë. Kish celur e tëra , sikur ishte mbuluar me florinj. M’u dhimbsen shumë. Mua, sa herë që shkoj në atdhe, kam një dhimbje të patreguar për të gjithë. Një herë kam hequr byzylykun tim të florinjtë dhe ia kam vënë në dorë një vajzë jetime me flokë të verdhë si prej lulelimozash.
Ndjeva…dhe ktheva kokën. Një miku im po i afrohej ato caste vetmisë sime ; më thërriti me emër. Më bënë përshtypje shumë sytë e tij ndërsa nxori si një madem të shtrenjtë dicka nga canta. Ishte një roman që fliste për një vrasje. Oh, mua më dhurojnë një roman që flet për vrasje dhe, për më tepër,në ditën e dashurisë?
U ndava me autorin pogradecar Bardhyl Berberi; e dija se, kushedi se kur do të shiheshim sërish. Por, nga mënyra se si buzëqeshte ai me vete, ndërsa më shkruante dicka si kujtim, e kuptova mirë se po më dhuronte një cikëz nga zëmra e tij dhe nga ajo mimozë që ishte pranë . Nga ajo mimozë që rrinte mbi mua, si një tufë e bukur që dashuria i dhuronte liqenit të Pogradecit. Atij që, sikurse edhe kjo mimozë mbi mua, kushedi se sa psherëtima dashurie do të kenë dëgjuar dhe ruajtur fshehur.
Tërë rrugës lexova romanin, që po më tërhiqte shumë – “Vrasje në Shën Valentin”.
Lexoja romanin e fundit të mikut tim, dhe më dukej se, qark mikrobuzit që rendëte me furi, nuk ishin gryka malesh dhe peme gjysëm të cveshura, por liqen, ujra dhe mimoza…
Dhe…arritëm në Tiranë.
Ngado – mimoza.
Tirana kish hapur krahët e mimozave për të më pritur mua, dashnoren e përjetëshme të atyre, të harlisur si ato .
Sa herë shoh mimozat më sjell nostalgjinë e dashurisë së parë.Në një pemë të madhe e të madhërishme, mbushur plot me mimoza,nën rrezet e verdha dhe aromën e tyre, kam provuar puthjen e parë. Një tufë mimoza kisha për jastëk, kur provova misterin e dashurisë; kur shijova castet e të qënit princeshë.
Qëndra e Tiranës gumëzhinte nga njerëzit e shumtë që lëviznin, borijet e makinave, motorët uturitës të autobuzëve, frenat e tyre, edhe hingëllimën e ndonjë kali, që tërhiqte karrocën, packa se ishte qëndër qyteti.Nuk kisha më shumë se një javë që kisha ardhur në atdhe, dhe po endesha në bulevardet e kryeqytetit tim, për të shijuar gjithcka që shikoja e më rrethonte, atë të dashurën, të shtrenjtën, -Aromën e Mëmëdheut.
Mundohesha të hetoja gjithshka, se cfarë kish ndryshuar në një vit.
-Një tufë mimoza, teta, a dëshironi,-dëgjova një zë të butë fëminor nga pas kurrizit. Ktheva kokën e para meje qëndronte një djalë, jo më shumë se 12 vjec. Kishte dy tufa të bukura me mimoza në duar. Donte t’i shiste.
Zilja e celularit më shkëputi një moment…
-Sa e ke një tufë mimoza, shpirti i tetës?
E pyes kot dhe i jap kartmonedhën më të madhe shqiptare që kam me vete.
– Po nuk kam kusur, moj teta.
– Nuk ka gjë, moj zemër.
Po më shihte me sy të habitur që u gëzuan shumë menjëherë.
– Mbaje kusurin dhe bli cokollata dhe një libër a dy.
E puth në faqe djalin nga atdheu im dhe ai i fshin faqet që ia kam bërë me të kuq me mëngën e dorës.
– Po pse nuk ke shkuar në shkollë sot?
– Po , po teta, po sot e bëmë pushim, festuam “Neëborn Kosova,”-një vjetorin e Pavarësisë.
– Uuu, sa mirë…Sa miiirëëëë….Dale, ti më dhurove mimoza dhe unë do të të dhuroj një libër për Kosovën.
Kujtohem se në cantë kam edhe dy tre kopje nga vëllimi i mikut tim shqiptaro-amerikan,poeti Mëhill Velaj – “Lule që rritemi në gurë” – dhe e nxjerr. Kujtoj Mëhillin zemërbardhë këta caste si dhe “zilinë” e tij të trishtuar, kur i thashë se do të shkoj në atdhe, në Tiranë. E kam mik të vjetër Mëhillin dhe e di se do të kishte lënë gjysmën e jetës , sikur të provonte këto caste kaq të bukura në atdhe, sikurse unë … – me këto mimoza të bukura në duar, nën këtë qiell të pastër si sy, nën këtë diell të ngrohtë dhe më këtë bukurosh të vogël nga atdheu si dhe…oh…Heroin tonë Komëbtar në krye të sheshit që mban emrin e tij…
– Po unë nuk ta dhurova tufën e mimozave, moj teta, por ta shita…. E di…nesër…Nesër do të mbledh mimoza prapë…ateherë është dhuratë…Sa e mirë që qënke, moj teta!
– Mirë, mirë…Nesër teta nuk është këtu…ja të të lexoj një poezi nga ky libri për Kosovën.
Dhe nis e i lexoj në syprinën e pasme të librit të Mëhillit duke përfytyruar se sa do të gëzohej ai , kur të merrte vesh se librin e tij ia kisha dhuruar një fëmije që kish festuar në mes të Tiranës ditën Pavarësisë të Kosovës së tij:
Oh,jetoj unë i mjeri, mes ujrash Atlantikut,
fshehur derdh lot më njelmët se ujrat e Adritatikut.
Përjashta lozin, qeshin, më pret gruaja, fëmijë,
c’bëhet te shpirti i babit, asnjeri, s’mund ta dijë!
Askush nuk mund ta dijë, pse zgjohem natën unë,
sirenat e atdheut më thërresin në gjumë!
Moj Kosovë, në u kthefsha te ty dhe njëherë,
a do më njohë njeri, sikur Ago Ymerin?
Ago Ymer Ulqini kish në llërë dhëmbë nga një kalë,
unë i mjeri s’kam tjetër, vec këta lotë të valë….
Celulari sërish.
Bukuroshi i vogël i mimozave vazhdoi te lexonte dhe unë…
“Erdha Kozata!”
Po vinte, ja, atje, te,kafja e intelektualëve e thërresin,kafe “Europa”, Kozeta Zavalani, Gruaja e Botës për vitin 2007, mikesha ime e vjetër e motra korcare.
Më duhej të nxitoja.
Ja, pak metro më tej është “Europa”
Ja ku po qeshnin një gup poetësh të Tiranës, që të gjithë të njohur dhe aq të këndëshëm në vargjet e tyre.
Mua më magjeps gjithcka sa herë që vij në atdhe. Edhe poezitë e këtyre poetëve; edhe vetë ata. Ata që, ja po qeshin me të madhe dhe janë në krah të një mimoze e të një manjole.
Janë Xhevahir Spahiu , Faslli Haliti dhe Riza Lahi.
– Oh, kush na qënka, Raimonda,-shpërtheu, Xhevahiri
Që të tre poetët gëzohen për praninë time me mënyrat e tyre. Xhevahir Spahiu me këtë klithëm gjithë hare, Faslli Haliti me sytë e qeshur dhe përpirës, Riza Lahi me buzëqeshjen e mrekullueshme melankolike.
Pastaj të qeshura sërish. Kalimtarët vështrojnë nga ne ; nga hareja jonë zëlartë..
Ja po vjen dhe Kozeta e veshur bukur, ylli I dikurëshem televizionit shqiptar…
– Ju të dyja me siguri që jeni korcare….A nuk kanë dicka nga blirët e Korcës sytë e këtyre korcarkave, more Faslli?
Xhevahir Spahiu e di përgjigjen që më parë të pasionantit të përjetëshëm, Faslli Haliti, që na vështron në thellësirat e syve Kozetën e bukur dhe mua.
Riza Lahi shikon me dhëmbshuri nga rudhat në fytyrën ekspresive të Xhevahirit pa e hedhur fare vështrimin e tij melankolik mbi sytë tanë, nga janë ngulur rrezet e syve plot adhurim, të dy poetëve të tjerë.
Më pas hymë në brëndësi të kafe “Europa”, e të tjerë miq e kolegë erdhën, poetja rebele e dashurisë ,e talentuara, gazetarja Fatime Kulli, gazetari,Afrim Himaj, analisti,studiuesi dhe një nga ish-liderët kryesorë të UCK-së, Kolonel Dilaver Goxhaj, botuesi Mehmet Gëzhilli,etj. Ishte ngrohtë dhe bashkuam tavolinat jashtë kafenesë. Të përfshirë në biseda të ndryshme me filxhanët me salep, përpara, tufa e mimozave mbi tavolinë, i dhurova miqve të mij librin e sapo botuar, romanin “Pafajsia e Evës”, dhe librin me poezi “Lule që rritemi në gurë”, të poetit dhe kolegut tim nga Kosova , Mëhill Velaj, të shoqëruar me autografe sipas porosisë nga vetë autori. Xhevahiri e shfletoi për një moment vëllimin me poezi të Mëhillit, duke bërë një vlerësim maksimal për kopërtinën e librin në përgjithësi, lexoi këto vargje:
OTRANTOS…KANALIT TË VDEKJES
Me dritëzën e hënës, me qerpikë të lagur ,
me ëndërra parajse e shumë shpresa në gji,
vërsulen si shtriganë të detit skafet natën,
skafistë…dallgë…det… frikë e lemeri.
“Mbahuni fort do arrijmë gjallë, të gjithë,
gjer në Brindizi fryj moj erë e mallkuar!”,
ulërijnë skafistët …Nuk qajnë dot me zë,
nëna me fëmijë, cifte të fejuar.
Nuk është peshkaqen , as janë dallgët e egra
si të ishte duke ardhur vetë vdekja me flotilje
po vjen një anije si fantazma e Eva Braunit*,
anije që vret njerëz me një emër vajze – Sibilia.
O përbindësh, më të zi se peshkaqenët e detit,
përse s’ia ndërruat emrin më parë anijes suaj,
të qe mes jush Sibilia, pasha shpirtin e nënës,
me viktimat e Otrantos do kish dhënë jetën në ujë.
I qetë pret kapiteni ndërsa njerëz përpin deti,
përpiu dhe të fundmen britmë : “Ika nanë”
Sibilia …Sibilia…si ke forcë të kthehesh në breg,
dhe të ankorohesh e qetë në Parajsën italiane…??!!
*Eva Brauni-dashnorja e Hitlerit.
-Ja se cfarë bën magjia e tridhjetegjashtëshkronjave, magjia e gjuhës shqipe, që nuk të bën të gabosh në përcaktimin e fuqisë së ndjenjave poetike, mbi bazën e shkëlqimit të vecantë të shpërthimit të tyre.Një poet duhet ta ketë të vetin këtë shpërthim të jashtëzakonshëm,-sepse poeti që në vargjet që sapo lexova ,dashuron jetën, njerëzit atdheun, bën të vetat vuajtjet e të tjerëve , i derdh në poezi, në vargëzime e gurgullon poetikisht shpirti njerëzor e ndjenja kombëtare e pasuruar me krenari, për historinë, heronjtë , atdheun,Kosovën.Gëzuar një vjetorin e Pavarësisë!- e mbylli patriarku i poezisë, Xhevahir Spahiu komentin rreth librit të Mëhillit.
Heshtje.Të gjithë dëgjonim poetin.
xxx
———– Po vjen Driteroi,Driteroi me Sadijen- u dëgjua zëri i ëmbël ,i butë i Kozetës .
Drejt nesh po vinte ai i madhi, ai Patriarku i letrave shqipe, Patriarku Devolli! Në krah të mjeshtrit Sadija, e dashura e tij,besnike dhe fisnike tërë jetën. Thinjat që e kishin zbardhur “malin’ krejt, krekoseshin hijshëm në shtatin e dy bashkëshortëve.
U cuam në këmbë.Me zërin e tij baritoni karakteristik, fytyrën e qeshur, cigaren në mes gishtave, i mbajtur nga krahu,nga Sadija e tij, iu afrua tavolinës.
Si zuri vëndin e nderit apo të “dollibashit”, në tavolinë ngrihem dhe e përqafoj fort Driteroin tonë të madh.Iu hodha sytë lulemimozave.Ndrisnin më shumë atë moment.Iu marr erë përsëri.Sa fat më sollët!-iu thashë, e i putha.Sa fat më solle o bohemi i vogël i Tiranës sime me këtë tufë mimozash!Ma bëre ditën më të bukur të jetës!Biseda u ndez më e zjarrtë.Fotot të shumta bëmë së bashku të gjithë sa ishim në tavolinë.Janë kujtime të përjetëshme e të paharruara.
Më pas me Kozeta Zavalanin,”motrën time korcare”-shkuam te shtëpia e Patriarkut devolli.Një shtëpi e bukur, ku mbizotëronte antikiteti, lulet shumëngjyrëshe, pikturat e bukura ,plot kolor të larmishëm e ndjenjë,kombinim i përkryer i modernes në lashtësi me modernen e kohës së sotme.Libra pafund.
Frymëzim pafund!
Një pritje shumë e ngrohtë, miqësore, një bisedë si prindi me bijtë rreth shumë temave të ndryshme. Me gotat e rakisë së rrushit përpara, që Driteroi ynë e pëlqen shumë, trokisnim ato “Gëzuar”,e bisedonim shtruar. Aq shpirtërore u bë biseda sa Sadija u ndje si një mike e hershme me ne sikur njiheshim prej vitesh-vitesh e na tregoi disa intimitete të jetës së saj, me Driteroin.Ato ishin një mesazh i bukur për ne,si nëna,bashkëshorte intelektuale.Pyetjes time se:
– A ka pasur raste të jesh ngritur natën, kur nuk ke gjumë, e frymëzimin e castit ta hedhësh në letër?
– Po ,poezia është si tështima.Kur të vjen nuk e mban dot.Duhet të tështish.Poeti duhet të flerë më laps,letër e gomë poshtë jastëkut.
– Po një poezi mund ta bësh në disa variante?- e pyeta përsëri.
– Po poezia ka delikatesë. Është një konfiguracion i gjërë që mund ta bësh në disa versione.
Biseda vazhdoi, rreth arësimit në Shqipëri e Amerikë, rreth arësimimit të nipërve e mbesave dhe Driteroi yne i madh na tregonte me një dashuri të madhe për nipin e mbesën e tij, ashtu sic dinë dhëmbshur të tregojnë gjyshërit.
I dhurova Mjeshtërit romanin tim të parë “Pafajsia e Evës”, dhe vëllimin me poezi të poetit, Mëhill Velaj.
– Më ke dhuruar një dhuratë shumë të bukur sot në një vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, -do të më thoshte Driteroi, ndërsa shikonte librin e Mëhillit.Të lutem uroje poetin e Kosovës tonë të dashur ;Urime dhe Suksese!
Edhe këtu bëmë fotot me ciftin Agolli, në shtëpinë e tyre.
Dolëm nga shtëpija e Patriarkut të letërsisë shqipe, duke bëlbëzuar këngën e kompozuar nga artisti korcar i serenatave Nonda Kajno,e kënduar nga këngëtarja korcare Ermira Kola në 70 -t vjetorin e ditëlindjes :
70 VJET DRITERO
Për mbi supe plot bilbila,
qënka zbardhur mali krejt.
Jo me thinjë por trëndafila
70 zjarre udhës ndez.
Lisi i lartë kur puthi tokën,
Deti tej nuk bëri zhurmë,
Gjithë shqiponjat ulën kokën,
kur poeti ra në gjunjë.
Nder i Kombit ty të bëri,
Vëndi yt o Dritero,
70 faqe historie
Ti ke shkruar o për të.
O Devoll, Devoll i bukur,
Prite, prite djalin tënd
70 faqe historie,
Ti ke shkruar o për të
O Devoll i trimërisë,
Prite, prite djalin tënd,
70 lule trendafili,
Biri yt po ti dhuron.
Nder i Kombit ty të bëri
Vëndi yt o Dritero,
70 faqe historije,
Ti ke shkruar o për t.
O Devoll i Shqipërisë,
Prite, prite djalin tënd,
70 lule trendafili.
Biri yt po ti dhuron.
Ajo ditë ishte nga më të bukurat e jetës sime.Kisha takuar atë që kisha ëndërr dikur.Më pas me miken time,Kozeta festuam një vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, mes bashkëkombasve tanë, dhe me mikeshat e tjera, te sheshi,”Nënë Tereza”.
Delli e mimozat kurrë nuk kishin ndricuar aq bukur si atë ditë….
Raimonda Moisiu
Hartford CT USA .
Pellumb Lamaj USA says
Gjithe jeten i kendoi perbindeshit
Kur ngordhi e qau ne c’do varg
Tani si pjelle e sllavokomunizmit
Si mbetet gje tjeter vec te peshtyje larte
E c’jane valle lolot e oborreve c’jane
Poete,deputete qe kockat lepijne
Gjithe jeten mbesin vec uturake
Mjerane qe s’e prekin dot Lirine….