
Katër vitet e ardhshme do të jenë përcaktuese për politikën e jashtme të Kosovës. Në një mjedis ndërkombëtar gjithnjë e më të paqëndrueshëm, Kosova përballet me sfidën për të ruajtur aleancat strategjike, për të avancuar dialogun me Serbinë dhe për të forcuar pozitën e saj në arenën ndërkombëtare.
Politika e jashtme e Kosovës nuk ka më luksin të jetë reaktive. Ajo duhet të jetë e menduar, koherente dhe e bazuar në interesa afatgjata shtetërore. Dialogu me Serbinë, i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, mbetet testi më i rëndësishëm diplomatik. Ky proces nuk është thjesht teknik apo politik; ai është thellësisht shtetformues. Çdo marrëveshje që nuk garanton barazi dhe funksionalitet institucional rrezikon të prodhojë më shumë paqartësi sesa stabilitet.
Njëkohësisht, Kosova duhet të investojë më shumë në konsolidimin e subjektivitetit ndërkombëtar. Anëtarësimi në organizata ndërkombëtare dhe rritja e njohjeve nuk janë vetëm çështje prestigji, por mekanizma konkretë për mbrojtjen e interesave shtetërore. Pa këtë prani, Kosova mbetet e cenueshme ndaj presioneve politike dhe gjeopolitike.
Marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe partnerët evropianë duhet të mbeten boshti i politikës së jashtme. Megjithatë, partneriteti nuk nënkupton nënshtrim politik. Ai kërkon dialog të sinqertë, koordinim strategjik dhe aftësi për të artikuluar qartë interesat kombëtare. Në këtë drejtim, diplomacia kosovare ka nevojë për profesionalizëm, vazhdimësi dhe konsensus të brendshëm politik.
Në planin rajonal, Kosova duhet të pozicionohet si faktor stabiliteti. Bashkëpunimi me fqinjët dhe pjesëmarrja aktive në nisma rajonale janë të domosdoshme, por vetëm nëse nuk cenojnë sovranitetin dhe rendin kushtetues të vendit. Dialogu rajonal duhet të jetë mjet për integrim, jo kompromis i dëmshëm.
Në fund, politika e jashtme nuk mund të shkëputet nga zhvillimi i brendshëm. Pa institucione funksionale, sundim të ligjit dhe ekonomi të qëndrueshme, çdo përpjekje diplomatike mbetet e brishtë. Katër vitet e ardhshme janë një dritare mundësie për ta vendosur Kosovën në një trajektore më të qartë ndërkombëtare , por vetëm nëse dialogu, diplomacia dhe interesi shtetëror ecin në të njëjtën linjë.
Prof.Dr.Nijazi Halili