
Dr. Faton Bislimi/
Si dikush që për më shumë se dy dekada ka punuar në Washington D.C., duke avokuar për kauzën tonë kombëtare shqiptare dhe për aleancën e përjetshme me Shtetet e Bashkuara, sot ndjej një emocion të veçantë dhe krenari të madhe për kandidaturën e Diamant Hysenajt në Distriktin 14 të Nju Jorkut.
Diamanti është me të vërtetë një diamant i rrallë i komunitetit tonë shqiptaro-amerikan — një shembull i gjallë i asaj që përfaqëson ëndrra amerikane. Nga një fëmijë që përjetoi barbarinë serbe në Kosovë, ai u rrit në dheun e lirisë amerikane me dinjitet, përkushtim, dhe punë të palodhur. Sot, ai është një familjar i përkushtuar, një biznesmen i suksesshëm, dhe mbi të gjitha, një patriot i sinqertë, që i mban rrënjët e tij shqiptare me nder dhe krenari.
Gara e tij në primaret republikane nuk është vetëm një sfidë politike — është një moment historik për shqiptarët në Amerikë. Fitorja e Diamantit, qoftë edhe brenda partisë, do ta shndërrojë atë në një figurë kombëtare që ngre lart imazhin e mbarë komunitetit tonë. Në zgjedhjet e përgjithshme, ai do të përballet me kongresisten demokrate Alexandria Ocasio-Cortez (AOC) — dhe kjo përbërje e bën garën e tij një mundësi të artë për të shfaqur qëndrueshmërinë, punën, dhe karakterin tonë kombëtar shqiptar drejtë kupolës se demokracisë amerikane.
Paramendojeni ballafaqimin në mes të Diamantit dhe AOC, dhe qysh tani mund të shihni kryetituj të panumërtë në mediat nacionale amerikane mbi djalin nga Kosova! Nuk ka promovim më të mirë për Kosovën e shqiptarët sesa të ndodhë një gjë e tillë. Ne bashkërisht mund ta arrijmë këtë sukses që përtej Diamantit është sukses yni i përbashkët!
Është obligim moral e kombëtar për komunitetin tonë në Nju Jork dhe në mbarë Amerikën që ta mbështesim Diamantin me të gjitha mënyrat e mundshme. Përmes tij, ne nuk përfaqësojmë vetëm një kandidat, por përfaqësojmë veten, historinë, vlerat dhe mirënjohjen tonë të përjetshme ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës — vendit që na çliroi, na përkrahu dhe na dha mundësi të pavarësohemi.
Diamant Hysenaj është shansi ynë i artë!
Ai është pasqyra jonë e suksesit!
Ai duhet të jetë zëri ynë në Kongresin Amerikan!