Arta punon si reportere dhe redaktore në magazinën e njohur “Nano” të televizionit gjerman 3sat/
Gazetarja e re shqiptare Arta Ramadani që prej disa vitesh punon në televizionet gjermane, është nominuar për çmimin prestigjioz që ndan qeveria e Gjermanisë për kontributet më të mira në lëmin e gazetarisë kushtuar migracionit, “Kausa 2012”.
Ajo është nominuar për kategorinë e televizionit, ndërsa çmimi do të ndahet në një solemnitet që mbahet më 5 dhjetor.
Arta punon si reportere dhe redaktore në magazinën e njohur “Nano” të televizionit gjerman 3sat.
E lindur në Prishtinë para 31 vitesh, Arta me prindërit ka ardhur të jetojë në Gjermani që në fëmijërinë e saj të hershme. Ajo ka studiuar për etnologji, politikë, medie dhe shkenca të komunikimit në Boston (SHBA) dhe Heidelberg e Mannheim.
Karrierën si gazetare e ka filluar në transmetuesin televiziv për të rinj “Sunshine Live” dhe ka kryer një numër praktikash dhe trajnimesh në televizionet si SWR dhe HR. Pastaj ka mbaruar një voluntariat (praktikë) njëvjeçare në ZDF.
Ndërsa, para se të kalonte në 3sat, Arta ka punuar si redaktore në emisionin e ZDF-së “Hallo Deutschland”.(Kortezi AlbInfo.ch)