-Mbahet Kuvendi Themelues për Mësimin Plotësues në Gjuhën Shqipe në Bavari/
MYNIH-GJERMANI, 24 Prill 2017-Gazeta DIELLI/ Nga qeveria e Kosovës, ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami dhe ministri i Diasporës, Valon Murati, kanë qëndruar për vizitë zyrtare në Mynih të Gjermanisë.Gjatë kësaj vizite, të dy ministrat kanë marrë pjesë në Kuvendin Themelues për Mësimin Plotësues në Gjuhën Shqipe në Bavari, i cili është organizuar nga Këshilli Nismëtar për Mësimin Plotësues në Gjuhën Shqipe në Bavari, në bashkëpunim me konsullatat e Kosovës dhe të Shqipërisë në Mynih, Ministrinë e Diasporës dhe me shoqatat, bizneset, mësuesit dhe prindërit që jetojnë në Bavari.Me këtë rast, ministri Bajrami premtoi mbështetjen e vazhdueshme të MAShT për arsimin plotësues në gjuhën shqipe në diasporë me tekste shkollore, kurrikula, si dhe trajnime për mësimdhënës.Ministri vlerësoi punën dhe angazhimet e Këshillit, e po ashtu edhe të mësimdhënësve dhe prindërve që po bëjnë punë të rëndësishme për organizimin e mësimit plotësues të gjuhës shqipe në diasporë.Duke folur për ndihmën që mund të japë Kosova në këtë drejtim, ndër të tjera, ministri Bajrami përmendi organizimin e përbashkët të Kosovës dhe Shqipërisë, pra Seminarin tradicional për Mësimin Plotësues në Gjuhën Shqipe në Diasporë, ku e ftoi mësimdhënësit që të jetë pjesëmarrës në seminarin e radhës, i cili këtë herë do të mbahet në Gjakovë.Gjatë punës së Kuvendit Themelues për Mësimin Plotësues në Gjuhën Shqipe në Bavari, u diskutua për procesin e hapjes së shkollave shqipe, projekt që ka për qëllim ruajtjen e kulturës, të gjuhës dhe të identitetit kombëtar për fëmijët shqiptarë që jetojnë në diasporë./b.j/