-Ministri kosovar i Diasporës takon bashkatdhetarët në Irlandë/
PRISHTINË, 14 Tetor 2015/Në kuadër të vizitës zyrtare në Republikën e Irlandës, minisitri kosovar i Diasporës, Valon Murati takoi sot një grup të bashkatdhetarëve tanë që jetojnë dhe veprojnë në Irlandë, ashtu që të dëgjohen të gjitha kërkesat, brengat por dhe idetë e tyre, si dhe t’i informojë për punën që Ministria e ka bërë nga viti 2011 deri sot, si dhe planet për të ardhmen.
Gjatë këtij takimi, thekson njoftimi i dërguar, ministri Murati i informoi bashkatdhetarët për punën e Ministrisë së Diasporës në përgjithësi, procesin e hartimit të regjistrit të diasporës dhe mërgatës, mësimin plotësues të gjuhës shqipe në diasporë si dhe projektet e krijimit të rrjeteve të bizneseve, të rinjve dhe studentëve.
Ministri Murati po ashtu i informoi bashkatdhetarët për takimet të cilat i ka pasur me përfaqësuesit e lartë të politikës irlandeze duke u shprehur i inkurajuar me mesazhet e marra nga ta për vendosjen e bashkëpunimit ndërinstitucional në të mirë edhe të komunitetit shqiptar në Irlandë por edhe shtetit të Kosovës dhe theksoi që shembulli i raportit të diasporës irlandeze me vendin e tyre është një model që duhet ndjekur.
“Ministria e Diasporës punën e vet e bazon në katër shtylla kryesore të cilat qëllim e kanë bashkëpunimin sa më të madh me diasporën tanë në shumë fusha. Hartimi i regjistrit të diasporës dhe mërgatës është një proces jashtëzakonisht i rëndësishëm për shtetin e Kosovës, mësimi plotësues i gjuhës shqipe në diasporë është një parakusht esencial për ruajtjen e identitetit kombëtar, ndërsa rrjetet e bizneseve dhe format e tjera të organizimit ndihmojnë që edhe ju të jeni pjesë e qeverisjes së Kosovës”, tha ministri Murati.
Bashkatdhetarët tanë u shprehën të kënaqur me vizitën e ministrit Murati në Dublin, edhe përkundër faktit që shqiptarët në Irlandë janë të shpërndarë në më shumë qytete, në vecanti në jug të Irlandës. Ata si kërkesë të rëndësishme e shtruan edhe nevojën e organizimit të bashkatdhetarëve në Irlandë nëpër shoqata të shqiptarëve pasi që një gjë e tillë mungon në Irlandë. /b.j/