


Nga Fuat Memelli, Boston/
(Mbresa në vitin e 16 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.)
“ Ajo që bëjmë për vete, vdes me ne, ajo që bëjmë për të tjerët, mbetet dhe është e pavdekëshme.” Albert Pike.
Ngjarjet e rënda që ndodhen në Kosovë në vitet 1999, me vrasjet, persekutimin dhe deportimin e rreth 1 milionë kosovarëve nga vatrat e tyre familjare, tronditën çdo zemër shqiptari. Dikush nga Shqipëria shkoi të luftojë në front tok me vëllezrit kosovarë. Kukësi u shndrrua në një nga vatrat kryesore të strehimit të familjeve të shpërngulura. Mijra familje të tjera u vendosën në Tiranë e qytete të tjerë të Shqipërisë, ndërsa një pjesë tjetër u sistemua në një kamp në Maqedoni. Ne ndiqnim me trishtim shpërnguljen e kosovarëve për të shpëtuar jetën. Ndiqnim edhe bombardimet e NATO-s kundër Sërbisë. Media në Shqipëri dhe nëpër botë, përcillte çdo ditë këtë situatë. Mbaj mend që sapo mbritën familjet kosovare që u strehuan në ish Pallatin e Sportit në Tiranë, shkova aty, bisedova me disa kosovarë, bëra fotografi dhe botova një shkrim te gazeta “Devolli”, që atë kohë isha edhe kryeredaktor i saj. Shkrimi kishte titullin:” Kosova- krenaria jonë, dhimbja jonë”. Por kjo situatë zgjati tre muaj dhe vetëm një publikim i tillë, më dukej pak. Bisedova me shokun tim, operatorin Fatos Loli, me të cilin punonim bashkë për të bërë edhe disa kronika si dhe ndonjë emision televiziv të veçantë për kosovarët e shpërngulur nga lufta. Fatosi u shpreh i gatshëm, pasi është patriot i veçantë. Veç kësaj, nëna e tij ishte me origjinë nga Gjakova e në dejet e tij rrjedh edhe gjaku kosovar, krahas atij përmetar nga e kishte me origjinë të jatin. Detyra jonë shtetërore ishte për pasqyrimin e punëve të bujqësisë dhe të fshatit, por ne e gjenim “shtegun” për të pasqyruar edhe jetën e kosovarëve të shpërngulur nga lufta. Niseshim në rrethet ku kishte kosovarë për të bërë filmime për bujqësinë dhe krahas tyre, bënim edhe kronika për ta. Kështu për shëmbull shkuam në Durrës dhe përgatitëm një kronikë në port ku dy amerikanë, një grua dhe një burrë, kishin sjellë ndihma për fëmijët kosovarë. Filmuam ndihmat e tyre, intervistuam dy amerikanët, bëmë edhe fotografi. Trasmetuam kronikën në Televizionin Shqiptar ku e kishim derën të hapur, ndërsa unë botova edhe një fotoreportazh. Dy amerikanët u sistemuan më hotel në Tiranë dhe qëndruan aty disa ditë. Ata shkonin dhe vinin në Durrës. Për të komunikuar më mirë në anglisht ( Fatosi e unë dinim pak) morëm shokun tonë, Veli Stafa, nip i Qemal Stafës, me profesion veteriner, i cili punonte në Ministrinë e Bujqësisë dhe e zotëronte mirë anglishten. U takuam 2-3 herë të tjera në Tiranë.
FATMIR KALLBAQI, DEVOLLIU QË STREHOI 80 KOSOVARË
Ato ditë ne mësuam se devolliu Fatmir Kallbaqi, pronar i një kompleksi serrash në rrethin e Durrësit, bashkë me gruan e tij, Luljetën me origjinë kosovare, kishin strehuar 80 vetë të ardhur nga Kosova. Ishte një rast i rrallë ky që tregonte shpirtin e tyre bujar. U nisëm me Fatosin dhe shkuam aty posaçërisht. Kishim qënë edhe më parë për të filmuar punën e tij, por këtë rradhë ishte fjala për strehimin që i kishte bërë kosovarëve. Inforamcioni që morëm, kishte qënë i saktë. –Shkova deri në Kukës ku ishin strehuar kosovarët dhe i solla në shtëpi në rrethin e Durrësit ku jetoj, na tha Fatmiri. Pasi biseduam me atë dhe bashkëshorten, na çoi për të parë strehimin e kosovarëve në kapanonet që kishte bërë posaçërisht, ku kishte krevatë, dyshekë, batanije, etj. Për të siguruar qumështin që i nevojitej për ta, kishte blerë edhe dy lopë. Mjeljen e lopëve e bënin me dëshirë dy gra kosovare. Disa burra kishin qef të punonin dhe i pamë duke mbledhur domate në serrë si dhe duke i seleksionuar ato. Intervistuam Fatmirin si dhe disa kosovarë. Kjo mikpritje e bërë nga ky çift, na befasoi. Shkuam në Tiranë dhe përgatitëm një emision prej 15-20 minutash, i cili trasmetua menjëherë si emision special në Televizionin Shqiptar dhe ishte parë kudo në Shqipëri e përtej kufijve nga kosovarët. Nëpërmjet televizionit ata mësonin fatin e njerëzve të afërt, pasi pjesëtarë të disa familjeve gjatë përpjekjes për të shpëtuar nga dhuna sërbe, ishin ndarë. Ky emision ishte parë edhe nga poeti e shkrimtari i shquar, Dritëro Agolli. Ai ishte çuditur se si një familje mund të mbajë 80 persona! Kishte gjetur numurin e telefonit të Fatmirit dhe e kishte pyetur: “Janë të vërteta ato që na thotë Fuati se ti mban 80 kosovarë?” “ Po, i kishte thënë Fatmiri. Po deshët, mund të vini t’i shikoni”. “ Ju besoj”- i kishte thënë Dritëroi. Dua të them se edhe familja e Dritëroit, kishte strehuar në shtëpinë e tyre disa kosovarë. Pasi kishin ikur kosovarët, unë shkova në familjen e tyre dhe bërë një shkrim të veçantë. Gruaja e tij fisnike, Sadie Agolli e cila u ndodh në shtëpi, më tregoi për ta. Ndër të tjera më tha se për të respektuar kosovarët e shpërngulur nga lufta, fëmijët e tyre flinin përdhe’, pasi krevatët e tyre i kishin lëshuar për mysafirët.
Kur mbaroi lufta, Fatmiri me gruan e tij i përcollën kosovarët deri në Kosovë, me flamurin shqiptar si dhe me këngë e valle si të ishte dasmë. I çuan deri në shtëpiat e tyre që i kishin në Pejë, Glinë, Deçan dhe Prizren. Miqësia e devolliut dhe gruas së tij me kosovarët, vazhdoi edhe pas luftës. Ata shkojnë e vijnë te njëri-tjetri. Ishte kjo një miqësi që u brumos në vitin e luftës së Kosovës.
YLLSON TOPALLI, NJË DEVOLLI TJETËR QË HAPI DYERT PËR KOSOVARËT
Yllson Topalli, me origjinë nga fshati Braçanj i Devollit por që jetonte në Tiranë, ishte devolliu tjetër që hapi dyert për kosovarët. Qysh kur mbritën në Tiranë kosovarët e parë, ai kishte shkuar te Pallati i Sportit ku u strehuan ata që mbritën në Tiranë dhe kishte marrë aty dy familje me 15 veta. -Me që ishin shumë, shkova me makinë dy-tre herë, thotë Yllsoni. Ai ishte veprimtar i Shoqatës “Devolli” dhe në takimet me ne, na kishte njoftuar për këtë fakt. Sapo e mora vesh lajmin, i thashë se do vij bashkë me operaorin për të bërë një kronikë.-Mirëse të vini!- më tha ai. Një fundjavë kur ishim të lirë shkuam tok me operatorin Fatos Loli te shtëpia e tij. Disa nga mysafitët ishin duke pushuar, ndërsa gratë e tyre mereshin me ndonjë punë. Vjollca, gruaja e Yllsonit, na tregoi se gratë kosovare kishin dëshirë të gatuanin dhe ajo i kishte vënë të hapin peta për byrekë e lakrorë si dhe punë të tjera grash. Na bëri përshtypje një djalë i plagosur dhe me një dorë. Ai na tregoi se si ishte bombarduar nga sërbët karvani i tyre duke ardhur në Shqipëri, ku disa njerëz ishin vrarë dhe ai ishte plagosur. Ky djalë i ri ishte një nga dëshmitarët e shumtë të krimeve sërbe. Mbaruam xhirimet, shkuam në televizion për ta trasmetuar dhe njoftuam Yllsonin për ta parë bashkë me miqtë kosovarë. Sapo u trasmetua kronika, ai na mori në telefon e na falenderoi edhe në emër të kosovarëve. Kjo kronikë ishte e shumta që mund të bënim për ta. Yllsoni na tregoi se i ndihmoi kosovarët për t’u lidhur me njerëzit e tyre kudo që ishin. Njoftoi kryefamiljarin e një prej familjeve që ishte në Gjermani, duke i thënë se njerëzit e tij ishin mirë dhe ndodheshin në shtëpinë e tij. Peroni në anën tjetër të telefonit nuk i mbajti dot lotët. Pastaj foli me pjesëtarët e familjes. Tha se do vinte në Tiranë pas katër ditësh. Dhe ashtu bëri. Yllsoni pa i thënë , kishte dalë ta priste në aeroportin e Rinasit. Nuk e njihte fare vetëm në fotografi e kishte parë. Kishte hyrë deri në pistën e aeroportit. E dalloi nga fotografia dhe sapo zbriti shkallët e avionit, i tha: ”Ti je filani ?” ”Po!”- u përgjigj ai. E çoi në shtëpi ku u përqafua me njerëzit e tij.Të gjithë nuk i mbanin dot lotët e gëzimit.
Më vonë kur mbaroi lufta, Yllsoni na tregoi se i kishte përcjellë deri në Kosovë mysafirët që u strehuan në shtëpinë e tij. Ata e vazhdojnë miqësinë e tyre dhe kanë shkuar disa herë te njëri-tjetri. Ishin nga Gjakova, thotë Yllsoni. Kam shkuar te ata jo vetëm me gruan por një herë i çova te ajo familje edhe disa anëtarë të Shoqatës “Devolli” kur ishim bashkë në Kosovë. Tek shkruaj këto rradhë, më kujtohet libri i Ismail Kadaresë për dramën kosovare me titull:” Ra ky mort e u pamë”.
***
Veç këtyre filmimeve, bashkë me Fatosin përgatitëm edhe kronika të tjera për ta siç ishte ajo për kosovarët e strehuar në kampin e punëtorëve në Korçë, atë te pularia e këtij qyteti ku njëri nga pronarët ishte me origjinë nga Devolli; përgatitëm në rrethin e Lushnjës ku kosovarët ishin strehuar në mjediset e ish SMT-së. Në këto shërbime më kanë mbetur në mendje njërëz të plagosur, dikush me një krah apo me një këmbë nga maskrat sërbe. Megjithatë në sytë e tyre vihej re shpresa se një ditë do ktheheshin në Kosovë. Këtë besim e kishin nga bombardimet që po bënte NATO-ja në Sërbi si dhe nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, UÇk-ja.
Më mbeti peng që nuk mora kosovarë për t’i strehuar në shtëpi. Pengesa ishte se familje ime ishte e madhe që tok me nënën bëheshim 7 vetë. Nga ana ekonomike gjithashtu ishim dobët, pasi gruaja kishte dalë nga puna sepse Uzina “Traktori” ku ajo punonte, ishte mbyllur dhe familja mbahej vetëm me rogën time. Megjithatë them se diçka bëmë me oprtarorin Fatos Loli për vëllezrit kosovarë të shpërngulur nga lufta, pasi media ishte “arma” jonë.