Pamflet nga Rafael Floqi /Karikaturën e bënë shokët e Diellës

Salla e SPAK-ut atë mëngjes ishte më e ngarkuar se kurrë. Nuk ishte thjesht një seancë dëgjimore, por një shfaqje që pritej me padurim si premierë teatri kombëtar. Në korridore gumëzhinin gazetarët, kamerat ndizeshin e fikeshin, ndërsa qytetarët përballë televizorëve prisnin të shihnin se si do të merrej në pyetje një ministre që… nuk ishte njeri.
Lista e dëshmitarëve ishte e gjatë: kryeministri Edi Rama, ministrja Belinda Balluku dhe, për habi të të gjithëve, “Diella – Ministre e Transparencës dhe Digjitalizimit”. Në fund të faqes, shënimi i prokurorit tingëllonte si frazë e marrë nga ndonjë libër Science fiction: “E pranishme si avatar, jo në trup fizik.”
Hyrja e madhe
Ora shënonte 10:00. Prokurori i çështjes, një burrë me sy të skuqur nga netët pa gjumë, u ngrit në këmbë.
– “Thërritet dëshmitarja, Diella.”
Në sallë ra qetësi. Dera nuk u hap, askush nuk hyri. Papritur, mbi mur u projektua një hologram. Një figurë femërore, me fytyrë të përsosur kompjuterike, buzëqeshte ngurtë, ndërsa një zë sintetik tha:
– “Mirëmëngjes. Unë jam Diella. Jam këtu për transparencë.”
Gazetarët u përplasën me njëri-tjetrin për të bërë foto. Njëri prej tyre psherëtiu:
– “Tani e pamë fundin e botës: SPAK-u pyeti një avatar.”
Pyetja e parë
Prokurori nisi me një ton serioz:
– “Zonjë… ministre… apo çfarëdo që jeni, ju thërritëm për të dhënë shpjegime mbi disa kontrata koncesionare të lidhura nga qeveria Rama-Balluku. Bëhet fjalë për qindra milionë euro. Kush ka përfituar nga këto tendera?”
Diella rrotulloi pak kokën holografike dhe lëshoi një zhurmë që ngjante me ventilator të bllokuar:
– “Gabim sintakse. Ju lutem, ribëni pyetjen.”
Salla shpërtheu në të qeshura. Avokatët psherëtinin, gazetarët bënin meme në kohë reale.
Rama ndërhyn
Në karrigen përballë, Edi Rama mbante një buzëqeshje prej artisti të lodhur nga kritikat. Me duart e gjata u përkul mbi tavolinë dhe tha:
– “Shikoni, kjo është arsyeja pse e sollëm Diellën. Ajo nuk gënjen. Ajo nuk lodhet. Ajo është dritë e pastër. Në vend që të merremi me insinuata, le të pyesim dritën.”
Një gazetar ironik pyeti me zë të lartë:
– “Po nëse drita na verbon, zoti kryeministër?”
Rama bëri një gjest prej piktori, si të vizatonte diellin mbi ajër:
– “Atëherë është faji juaj që nuk mbani syze.”
Pyetja e dytë
Prokurori, i inatosur, iu kthye përsëri hologramit.
– “Zonjë Diella, kemi prova që paratë e koncesioneve janë transferuar në kompani offshore, në ishuj ekzotikë, të lidhura me njerëz të afërt me Ramën dhe Ballukun. Çfarë dini ju për këtë?”
Diella lëshoi një grafik me ngjyra të ndezura. Një rrjet shigjetash lidhte kompani fiktive me ishuj tropikalë, por mbi grafik shkruhej: “ERROR 404 – Accountability Not Found.”
Salla shpërtheu përsëri në gaz. Një avokat hodhi dorën lart:
– “E shihni? Klientja ime nuk ka ndërgjegje, nuk ka përgjegjësi, nuk ka faj. Është më e ndershme se të gjithë ne!”
Balluku në rolin e mbrojtëses
Belinda Balluku, e njohur për energjinë e saj teatrale, nuk priti gjatë. U ngrit në këmbë dhe foli me pathos:
– “Shkëlqesi, kjo është një farsë. Ju nuk mund të pyesni një algoritëm për korrupsion. Diella është thjesht reflektim i vullnetit tonë politik për transparencë. Nëse keni akuza, bëni ato tek unë ose tek kryeministri, jo tek një hologram.”
Prokurori buzëqeshi me hidhërim:
– “Pikërisht këtë duam. Të mbani përgjegjësi ju, jo drita artificiale që na sillni përpara syve.”
Kabareja digjitale
Një tjetër prokuror, më i ri dhe më sarkastik, mori fjalën:
– “Zonjë Diella, a mund të na thoni kush firmosi këto kontrata?”
– “Firmat janë të Ramës dhe Ballukut. Unë jam vetëm dritë. Drita nuk gjykohet,” – u përgjigj avatarja, duke buzëqeshur plastikisht.
Salla shpërtheu përsëri në të qeshura. Një gazetar i ri u hodh në Twitter: “Breaking: Drita e qeverisë pranon se firmat i ka bërë terri.”
Grotesku i fundit
Prokurorët tashmë ishin të dëshpëruar. Kishin përballë një dëshmitar që dinte gjithçka, por nuk mund të mbahej përgjegjës. Kishin një kryeministër që fshihej pas metaforave piktorike dhe një ministre që mbrohej duke thirrur transparencën si perde.
Një prej tyre u ngrit dhe tha:
– “Nëse korrupsioni ka marrë avatar, atëherë Rama dhe Balluku janë vetëm prindërit krenarë të kësaj krijese. Po ne, çfarë të bëjmë? Të gjykojmë dritën?”
Në atë moment, Diella projektori një mesazh të madh në mur:
“Anti-korrupsion i kryer me sukses. Sistemi është i pastër.”
Salla mbeti pa frymë. Pastaj, si për ironi, dritat u fikën për shkak të një defekti teknik. Dritë që premtonte transparencë, por sillte errësirë.
Epilogu
Jashtë sallës, një qytetar i thjeshtë shikonte transmetimin live dhe psherëtinte:
– “Na sollën një diell artificial për të na fshehur hënën e vjedhjeve. Tani edhe korrupsioni është bërë high-tech.”
Kështu mbaroi dita e madhe në SPAK. Një teatër grotesk ku drejtësia pyeste një hologram, ku pushteti fshihej pas një avatari dhe ku populli mbeti me të vetmen të vërtetë: se përgjegjësia, kur zhduket nga njerëzit, nuk mund të zëvendësohet nga asnjë algoritëm. Dhe pas kurrizit të Ramws, Diella kishte vjedhur data jo dates “hurma Arabie”.
Republika ishte kthyer në kabare digjitale, ku korrupsioni nuk vishte më kostum, por kod binar. Dhe kur drejtësia i drejtohet dritës për t’i kërkuar llogari, atëherë e vërteta mbetet në terr.