Alban Gjata organizator i shkollës shqipe, në një intervistë me Editorin e Diellit të Federatës Vatra në New York, Sokol Paja, rrëfen organizimin e mësimit shqip në Milano të Italisë.
SHKOLLA SHQIPE “DORA E PAJTIMIT” NË MILANO, ITALI
Mësimi i gjuhës shqipe në Milano organizohet dhe mbahet pranë Shkollës Dora e Pajtimit prej muajit dhjetor 2022. Pas vetëm një muaji kemi 35 fëmijë që ndjekin mësimet e, midis tyre, 5 janë nga familje shqiptare me origjinë nga Mali i Zi. Klasat janë formuar në bazë të grupmoshave dhe nivelit të njohjes së gjuhës shqipe nga fëmijët:
⁃ mosha parashkollore (4-6 vjeç)
⁃ Grupi 1’ (7-9 vjeç)
⁃ Grupi 2’ (10-13 vjeç)
⁃ Grupi 3’ (14-17 vjeç)
⁃ Grupi 4’ (mosha e rritur 18-99 vjeç me kombësi të tjera që dëshirojnë të mësojnë shqip). Oraret për fënijët: Çdo të shtunë 10:00-12:00 (parashkollor/grupi 1) dhe 14:00-16:00 (grupi 2/3). Të rritur: E martë 19:00-21:00.
STAFI PEDAGOGJIK DHE BASHKËPUNIMI ME PRINDËRIT E KOMUNITETIN SHQIPTAR
Stafi pedagogjik përbëhet nga 5 mësues të diplomuar dhe me eksperiencë. Programi mësimor që ndjekim është një kombinim i kurrikulës së bazuar në tekstin e botuar nga Qendra e Botimeve për Diasporën dhe metodave që mbështeten në aktivitete të ndryshme që kanë në qendër nxënësin, si lojra e laboratore ndryshme, tema e aktivitete artistike. Një shembull: prezantimi i mullirit me gur që ndodhet në hapsirën e shkollës dhe tema lidhur me prodhimin e miellit e bukës. Fëmijët pregatitën shkronjat me brum buke dhe me to shkruan fjalë të ndryshme. I kushtojmë shumë kujdes punës së diferencuar brenda grupit sipas nivelit të secilit nxënës. Pjesë ndihmëse e stafit janë dhe artistë profesionistë që ndihmojnë për të bërë mësimin sa më tërheqës për fëmijët. Projekti për hapjen e shkollës lindi si një kërkesë e ndërgjegjshme e vetë komunitetit shqiptar në Milano. Shqiptarët në Milano respektohen e ndjehen pjesë e vendit ku jetojnë. Po jetojmë një kohë ku shqiptarët nuk shihen më vetëm si emigrantë ekonomik, ata janë ndër profesionistët më të mirë e plot energji në mjeksi, arte dhe sipërmarrje nga më të ndryshmet. Pra, promovimi i gjuhës dhe kulturës shqipe është një akt i vetndërgjegjësimit të komunitetit. Në mënyrë që projekti të ketë sukses duhet që të gjithë aktorët të luajnë rolin e tyre. Në radhë të parë familjet e më pas shteti shqiptar dhe organet lokale. Shoqata, në këtë kontekst, luan rolin e kordinimit dhe vënies në lëvizje të energjive pozitive.
MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI FORMË E RUAJTJES SË IDENTITETIT KOMBËTAR TË SHQIPTARËVE NË ITALI
Fakti që u arrit të realizohej projekti i shkollës shqipe të Milanos, vetëm pas 30 vjetësh të lëvizjes së mbi 500.00 shqiptarëve në Itali, është tregues i kompleksitetit e vështirësive në realizimin e misionit tonë fisnik. Nuk kanë munguar dëshira dhe perpjekjet këto 30 vjet. Milano ka komunitetin më të madh shqiptar në Itali ( rreth 20.000 rezidentë). Arsyet janë të ndryshme se përse nuk është e thjeshtë tëhapej shkolla në Milano; ritmet e jetës e impenjimet personale, vetë autonomia ekonomike që të siguron Milano, për absurd, nuk ndihmon në agregimin e nje komuniteti (në qytetet e vogla është ndryshe e kanë më shumë nevojë për njëri-tjetrin), vetë distancat janë më të gjata për të qenë afër shkollës e kjo kërkon kohë e sakrificë nga prindët e shumë arsye të tjera që i njohim mirë. Doja të permend në fund se jo pa rëndësi është organizimi dhe hapësira e një ambjenti me karakteristikat e nevojshme dhe dinjitoze për një shkollë. Kjo në Milano ka edhe kosto ekonomike të konsiderueshme. Jemi të motivuar nga entuziazmi i fëmijëve dhe familjeve ti kalojmë vështirësitë.
MËSIMI SHQIP NË MILANO
Aktivitet tona zhvillohen në një kontekst dashamirës falë besimit që kemi krijuar në autoritet lokale dhe shoqërisë ku veprojmë. Përsa i përket njohjës së gjuhës shqipe në kurrikulën që fëmijët ndjekin në shkollat italiane, jemi ende në një fazë fillestare të këtij objektivi të rëndësishëm. Kjo pikë vendimtare zgjidhet vetëm në nivele bilaterale midis shtetit shqiptar e atij italian. Po bëhen përpjekje në këtë drejtim. Një model shumë i vlefshëm është ai i shkollës zviceriane ku mësimi i gjuhës njihet nëkurrikulën shkollre të nxënësit. Megjithatë Milano njihet si kryeqyteti i krijimtarisë dhe inkurajon çdo iniciativë krijuese të tillë siç e konceptojmë ne shkollën tonë.
AKTIVITETET PATRIOTIKE DHE KULTURORE TË SHOQATËS DORA E PAJTIMIT
Faktori shqiptar në Itali ndodhet në një fazë vendimtare. Integrimi i mirë individual, për absurd, shkon paralel me rrezikun e asimilimit të kulturës e gjuhës në brezin e dytë të shqiptqrëve. Ndaj kërkohet një ndërgjegjësim dhe organizim më i mirë i komunitetit tonë që të bëhet një faktor me peshën që i përket, në jetën sociale e politike, në dy anët e Adriatikut. Pak fjalë për Shoqtën tonë Dora e Pajtimit: Shoqata është themeluar e drejtohet nga Besmir Rrjolli. Më konkretisht, që nga viti 2007, DeP nuk ka rreshtur së implementuari projekte bashkzhvillimi socio-kulturore mes Italisë dhe Shqipëris duke synuar gjithmonë promovimin e vlerave të vullnetarizmit dhe të vlerave shqiptare. Që nga viti 2022, në bashkpunim me 2 organizata, Deafal dhe Isola Solidale, ka marrë në menaxhim nga bashkia e Milanos një ambient të cilin e ka trasformuar në një qendër kultuore. Hapësira, Slow Mill, është një pikë referimi per Diasporën shqiptare në Milano ku përvec shkollës shqipe Dora e Pajtimit organizohen takime, shfaqe, koncerte dhe gjithcka që është në shërbim të komunitetit Shqiptar në Itali. Qendra SlowMill karakterizohet nga prezenca e një mulliri guri jo vetëm për të promovuar drithërat integrale dhe bluarjen e avashtë të tyre por edhe për të simbolizuar ndaljen e ritmeve te shpejta te jetës milaneze për të krijuar evente domethënse dhe cilësore. Ne synojmë ta kthejmë në një pikë referimi për komunitetin shqiptar dhe më gjërë të kontekstit ku vepron në qendër të Milanos.
MESAZHI PATRIOTIK PËR DIASPORËN SHQIPTARE NË USA
Misioni ynë është të vlerësojmë e të bëjmë të njohur vlerat e kulturës e gjuhës sonë të çmuar. Kemi shumë ç’të mësojmë nga ata që në historinë e kombit tonë kanë ditur, me pasion e sakrifica, të nderojnë figurën e shqiptarit nëpër botë, duke filluar nga arbëreshët e Italisë e deri tek Noli e Konica në Amerikë.
KUSH ËSHTË PATRIOTI DHE VEPRIMTARI ALBAN GJATA
Formimi im shkollor është një mix artistik e pedagogjik. Pas Liceut Artistik në Durrës, jam diplomuar në Universitetin e Shkodrës Luigj Gurakuqi. Në Milano kam frekuentuar kurset e Arkitekturës në Politecnico dhe Akademisë së Arteve Brera. Ndërkohë prej vitesh punoj në një nga Istitucionet më të njohura të teknologjisë botërore, STMicroeletronics. Aktivitetin tim në mësimdhënie e shoh si një mundësi për të falenderuar ato dhjetra mësues që janë kujdesur për mua gjatë jetës sime, duke filluar nga prindët e mi e të tjerë pjestarë të familjes edhe ata mësues të nderuar e rrespektuar. Personalisht ndjehem me fat që jam pjesë e këtij grupi të mrekullueshëm që arriti të realizojë hapjen e shkollës dhe të hapsirës kulturore në Milano e që më dha mundësinë të bëj atë që më pëlqen: promovimin e artit e kulturës në të gjtha format e tyre, me një fokus të veçantë bashkatdhetarët tanë. Dua të falenderoj koleget mësuese që me pasion e sakrifica realizojnë mësimin me fëmijët: Violeta Dërvishi, Ermira Bekteshi, Donika Zendeli, Fabiola Sali dhe Rozeta Zefi; kordinatoren për Diasporën Luljeta Çobanaj që nëpër vite është kthyer në pikë referimi për komunitetun shqiptar, sipërmarrësin Gjon Tucaj që realizoi punimet për Qendrën Sllowmill, Besmir Rrjollin e Shoqatës DeP që mundësoi hapësirën për shkollën dhe shumë miq pa ndihmën dhe entuziazmin e të cilëve nuk do realizonim këtë projekt madhor!