Pellumb Kulla/
Çdo natë, komshinjtë tanë ngrenë në këmbë lagjen, duke i bërtitur gjyshit të zgjohet, që t’i japin ilaçin e gjumit! (Koncert i Vitit të Ri, 1976)
Avash-avash, po piqet mendimi, se kjo lëvizja jonë për demokraci, nuk është veçse një përpjekje e gjerë, në të cilën komunistët e pakënaqur duan t’u zenë vendin komunistëve të kënaqur. (Thënë nga foltorja e aktivit të Partisë Demokratike, Teatri Kombëtar, 1992)
* * *
Duke përfituar nga errësira, Resuli e mbaroi me nota të larta shkollën e natës. (1979).
* * *
Edhe komshiu ynë pensionist botoi një libër këtë fundviti. Në libër, ai rri e kujton fije-për-pe se ç’ ka hequr gjatë diktaturës. Kujton fije-për-pe se çfarë i kanë bërë atij ata, zemërzinjtë, dhe si i ka përballur ai. I tregon me hollësirat më të imta. E nuk ka asnjë rëndësi, fakti që ato që tregon ai, nuk kanë ndodhur. Mrekullia është që ai i mban mend ngjarjet, fije-për-pe! (TemA, 2018)
* * *
Dashuria për vetveten është e vetmja dashuri që nuk vuan nga tradhtitë. (Shënime, 1984)
* * *
Pritjet për lirinë paskëshin qenë më të bukura, shumë më të bukura, nga vetë liria. (Në Cellino San Marco, Itali. Vizitë në shtëpinë e këngëtarit Albano Carrisi, 1991)
* * *
Në tërë ata vite, të jem i sinqertë, nuk shkrova dot asnjë fjalë kundër qeverisë. Banoja në një shtëpi përballë burgut dhe nuk desha kurrsesi të veja të banoja përballë shtëpisë! (Intervistë në gazetën italo-amerikane “Oggi”, 1998)
* * *
Të tëra shpresat për fitoret në zgjedhje mbështeten gjithnjë mbi fytyrat e fëlliqura të kundërshtarve. Kështu ka qenë dhe, mesa duket, kështu do të mbetet. Në atdheun tonë demokratik, një kundërshtar faqezi të nxjerr faqebardhë! (Shenime. 2012)
* * *
Dikur, një i përbuzur i pushtetit urrehej më shumë po të rastiste të shuante ndonjë zjarr, që rrezikonte të shkrumboste fabrikën, apo kombinatin. Parapëlqehej, …më mirë të digjej kombinati, se sa armiqtë e klasës të fillonin dhe të na shpëtonin kombinatet! (Intervistë dhënë Faruk Myrtajt, për gazetën “Zëri i Rinisë”, 1991)
* * *
Kur shtatzënave u vete mendja për kumbulla të tharta, apo manaferra, plakat dhe mjekët këshillojnë që duhet ngutur t‘u plotësohet dëshira. Kohët e fundit shtatzënave të deputetëve të Opozitës, s’ka ditë të mos u vejë mendja për… zgjedhje të parakohshme! (Pas zhurmës së madhe për hapjen e kutive të votimit, 2010)
* * *
Mbretërit shpesh zbrisnin nga maja e shtetit dhe duke fshehur identitetin, shkonin të bënin punë të rëndomta, si hamenj dhe pjatalarës, që të njihnin jetën poshtë. Tek ne po ndodh e kundërta: njerëz të rëndomtë, hamenj dhe pjatalarës, duke fshehur identitetin, venë në majë dhe udhëheqin punët e shtetit, që të njohin jetën lart… E pastaj, aha! – Nuk kthehen më poshtë! (Fjalë në festën e Flamurit. Hartford CT, 2010)
* * *
Është më mirë kur punët e shtetit i drejtojnë pasanikët. Për këtë ka dy rrugë: ose pasanikët të bëhen ministra, ose ministrat të bëhen pasanikë! Tek ne, në Shqipëri, po ndodh kjo e dyta. Edhe vjedhjet tek ne, bëhen me pikësynime të ndershme. (“Rrëfenjat e Amerikës”, 2002)
* * *
Nuk gjen vend në botë, si ky i yni, ku kriminelët i kërkon populli dhe i fsheh policia! (Në Kuvendin e FRD. 2013)
* * *
Shqipëria është i vetmi vend, ku të ndërtosh pa leje, shteti të dënon duke ta legalizuar ndërtimin e duke të dhënë tapinë! Dhe tjetra: të të zenë aty, tek je përplasur me makinë të vjedhur, në atdheun tim në vend të burgosjes, të pajisin me patentë! (Në faqen time të fejsbukut, 2009)
* * *
Enver Hoxhës nuk i gjen të dytë në histori. Më shumë se burrë shteti ai ngjante me një grua shtatzënë. Nuk pushoi së pjelli tradhtarët e vet deri sa mbylli sytë! (Debat elektoral në shtyp, 2021).
* * *
Në këtë vend të bekuar, ne mund të ngrejmë edhe hidroçentrale që prodhojnë errësirë, natë, terr të zi… Ja: deri më sot, kemi arritur të ngrejmë universitete, që me t’i kryer ata, hop, diplomohesh injorant. (“Lejlekët nuk vijnë më” 2003).
* * *
Njëherë vaktit, shteti i rripte lëkurën individit, për të mirën e përgjithëshme. Sot, për të mirë të tij, individi po i rrjep lëkurën e përgjithëshme shtetit!… (“Rrëfenjat”,2002)
* * *
Duhet mësuar gjuha e ligësisë, – ligësishtja. Jo për ta folur, por për ta kuptuar, kur e flasin të ligjtë. (Komedia “Shtëpia me të djeshmen pa fund”, 2013)
* * *
Njëzetepesë fije telash me gjemba e rrethonin Shqipërinë në një lartësi dy metra. Propaganda enveriane përligjte telat e ngritur, se ato do pengonin armiqtë që do deshin të hynin në territorin tonë. Në atë kohë në planetin tonë, vetëm rekordmeni olimpik John Tomas mund të kërcente përmbi dy metra. Ai nuk ishte armik. Ishte vetëm amerikan. Lartësia e telave nuk e pengonte, por Tomas bëri mirë që nuk u hodh në Shqipëri. (Nga ligjërata “E qeshura e ndaluar” mbajtur në Bibliotekën e Kongresit Amerikan, Uashington 9 tetor 2009)
* * *
Janë shumë të mira nënat shqiptare, por të gjitha ato kanë një dreq të mete: pjellin më shumë komandantë se ushtarë! (Jersey City, nga fjala në përvjetor të Kushtetutës së Kaçanikut, 1994)
* * *
Në atdheun tim, njerëzit duan më shumë udhëheqësin se udhën dhe e ndjekin atë udhëheqës, edhe kur ai e le udhën! (“Illyria” 1999)
* * *
Të këput shpirtin duke treguar, se plot dyzet vjet, vitet më të mirë të jetës së tij gjatë diktaturës së poshtër, ai i kaloi në burg! Por nuk thotë, asnjëherë që atje, ka qenë komandant i atij burgu! (Athinë. Ceremonia e promovimit të botimit në greqisht i “Lejlekët nuk vijnë më”, 2014)
* * *
Betimi nuk ka lindur për të ndihmuar të vërtetën, por si nevojë e gënjeshtrës, se asaj i shërben. Gënjeshtra e fut atë në përdorim që nga mëngjesi e deri sa vjen mëngjesi i ri. (Komedia “Shtëpia me të djeshmen pa fund” 2013)
* * *
Parlamentarët tanë e hoqën dënimin me vdekje. E hoqën për kriminelët, dhe e lanë për të gjithë shqiptarët pafajshëm. (Shekulli, 2006)
* * *
Njeriut që bën një akt heroik, thuajse i shuhet merita, po qe se gjatë atij akti ai nuk vdes! (Essé në “Shekulli”, 2006)
* * *
Shqipërisë më mirë t’i kishte mbetur komunizmi, se sa i mbetën komunistët. (Në Kuvendin e FRD, 2013)
* * *
Merita historike e çdo qeverie që ikën, janë shifrat, që ajo i lë qeverisë që vjen që kjo t’i përdorë për krahasime. Kjo është dhe në të mirë të kombit, bile, se vetëm kështu duket sikur kombi ynë përparon. (Në një takim me bashkatdhetarë në Cleveland, Ohio, 2010).
* * *
Shumë mirë që gazetat i kemi të pavarura! Do ishte më mirë akoma sikur disa botues gazetash, të mos i linin pa i varur! (Fb, 2014)
* * *
Kryeministri Rama është parë në disa maternitete të vendit. i shoqëruar nga drejtoreshat, teksa viziton kryesisht pavionet e bebeve-vajza . Meraku i tij për të vënë në rrugë të mbarë qeverinë e ardhshme është fare i dukshëm. (Pejzazhe të fjalës, 2013)
* * *
Politikanët e sotëm shqiptarë i shohin milionat e grumbulluara nga kundërshtarët, jo si objekte për t’i dënuar, por si objektiva për t’i tejkaluar. (Shënime, 2005)
* * *
Fqinji im e ka gjakun të ëmbël dhe numuron shumë miq. Ata, e paisën me patentën e automobilit, por akoma dhe sot automobilin ai nuk di ta ngasë. Nga miqtë mori edhe patentën për të ngarë avionat, por nuk ka fluturuar asnjëherë, se nuk di qysh t’i ngasë. Miqtë i dhanë edhe titullin “Nderi i Kombit”… Por fqinji im, as këtë nuk di ta ngasë! (Darkë miqsh gjatē Pandemisë, 2021).
* * *
Filmat e kineastëve tuaj të shquar italianë, mbi bëmat e mafias, mua shpesh më duken si katarsisi i juaj kombëtar, rrëfime, konfesione, si lypje ndjese. Këta lloj filmash, janë bërë shkolla të mafiozëve tanë të uritur. (Lecce, Universita di Salento, leksion studentëve mbi Filozofinë e së Drejtës, 19 prill 2017)
* * *
Në historinë e këtij planeti, revolucioni ynë do të jetë i pari revolucion i udhëhequr nga milionerët. (2018)
* * *
Kur la detyrën Presidenti ynë i fundit vumë re se në Shqipëri kishim më shumë Ndere Kombi se shqiptarë të vaksinuar! (2022)
* * *
Mjekësia falas?!… Nuk e kupton dot ti, vogëlushi i nënës?! Mjekësia quhet falas, kur nëna shtrohet në spital dhe infermierja i zgjat një gotë plot me ujë, që nëna ta pijë ilaçin, që sapo e ka blerë vetë në ndonjërën nga farmacitë e shumta rreth spitalit. Infermieres, nëna edhe i jep diçka… Pa për gotën me ujë, nëna nuk i paguan spitalit as edhe një qindarkë! ( 2023)
* * *
President bëhesh kollaj. Ish-President, qënka tmerrësisht e vështirë! (Bisedë me Muç Nanon, 2023)
* * *
Statistikat tregojnë se në Tiranë numërohen 654 të dënuar me arrest shtëpie dhe flitet se po shtohen shumë. E kjo ndihet, sepse trafiku në qytet është lehtësuar mjaft. (Komunikime në fb. 2024)