“Politika qëndron përmbi ndërgjegjen”/
William Shakespeare/
SHKRUAN: EUGJEN MERLIKA/
Ka disa ditë që opinion publik shqiptar, në Shqipëri e jashtë saj, po përtyp e ripërtyp një problem të krijuar nga klasa politike në nivelet e saj më të larta. Kryeministri Edi Rama i ka propozuar Presidentit Bujar Nishani emërimin e Visar Zhitit në postin e Ambasadorit të Shqipërisë në Vatikan, një vend vakant prej më shumë se një viti, gjë që shënon një mungesë të madhe në veprimtarinë e diplomacisë shqiptare. Ka shumë muaj që emërimi i ambasadorit në Vatikan është kthyer në “dilemën hamletiane” të burokracisë së lartë shqiptare. Për hir të së vërtetës duhet thënë se zgjedhjet e Kryeministrit për atë post të rëndësishëm kanë qenë, për mendimin tim, më të mirat e mundëshme. Por si prof. Ardian Ndreca si poeti Visar Zhiti nuk kanë gjetur miratimin e Presidentit. Arsyet i din më mirë ai vetë, ndoshta mund të jenë vetiake, mbasi deri tani në të dy rastet nuk ka dhënë një spjegim bindës e të qartë. Që duhet të ketë arsye vetiake, së paku për Ardian Ndrecën, është e dukëshme, sepse Nishani ka thyer edhe rregullat më parake të protokollit kur, në pritjen për nder të Papës Françesku gjatë vizitës së tij në Shqipëri, nuk e ka ftuar atë që ishte përfaqësuesi zyrtar i Shtetit të tij në atë të mikut të nderuar. Nuk po zgjatem me këtë episod, aspak të hijshëm, mbasi ai i përket së kaluarës.
Me daljet e fundit në Facebook (një mënyrë bashkëkohore për të bërë politikë), që pasojnë një bisedë telefonike “të stuhishme”, simbas shtypit, qëndrimet e dy autoriteteve të lartë duket se marrin një formë të përcaktuar mirë. Të dy mbeten në mendimet e tyre që janë në kundërshti njëri me tjetrin. Rama rithekson me bindje e, ndoshta, edhe me ndonjë dozë llogarie politike konceptin e tij për personalitetin e kandidatit që propozon : “Poet i rrallë, i burgosur politik i diktaturës, shqiptar edhe më i rrallë. I vetmi deputet e ministër i Partisë Demokratike që s’ka fyer kënd dhe as ka shpifur për askënd. Një periudhë shërbimi në diplomaci me kontribut për kulturën. Botues i një volumi dinjitoz në italisht në nderim të Nënë Terezës.” Portreti është i plotë, një curriculum vitae për t’u pasur zili, për pasojë propozimi nuk respekton përkatësinë politike, por meritokracinë, pra është një zgjedhje që i shërben interesit të Shtetit, për të qenë i përfaqësuar në nivel cilësor në Vatikan. Kjo konsideratë nuk mund të tjetërsohet nga stërhollime apo prirje demagogjike për të gjetur prapaskena.
Presidenti e hedh poshtë propozimin. Argumentat e tij ndryshojnë në vartësi edhe të qëndrimit të kishës katolike e cila, mbas një ngurimi të shprehur nga sekretari i përgjithshëm i Konferencës Ipeshkvnore, largon çdo pengesë për emrin në fjalë. Atëherë Presidenti shprehet kështu, duke ligjëruar vendimin e tij : “Visar Zhiti është propozuar prej Kryeministrit për ambasador në Vatikan pa kushtin themelor, ligjor e proçedural, të thënë, të njohur, të shpallur dhe të përsëritur, Konsultimin paraprak me Presidentin e Republikës.
“Kryeministri duhet të mësojë njëherë e përgjithmonë se dekretimi apo mos dekretimi i ambasadorëve është e drejtë ligjore dhe e patjetërsueshme e Presidentit të Republikës”
Ky është koncepti i Presidentit Nishani, por t’i hedhim një sy Kushtetutës, së cilës i referohet ai. Neni 92 i saj, që trajton kompetencat e Kryetarit të Shtetit, në gërmën “DH” shprehet kështu : “Me propozim të Kryeministrit, emëron dhe liron përfaqësuesit e plotfuqishëm të Republikës së Shqipërisë në shtetet e tjera dhe në organizma ndërkombëtare.” Në Kushtetutë nuk bëhet fjalë për “konsultim paraprak” për emërimet e përfaqësuesvet diplomatikë. Ndoshta mund të ketë ndonjë akt nënligjor n’atë drejtim, por do të ishte një mënyrë për të ligjëruar kompromise të ndryshme, në të cilat nuk dihet se ku mbaron publikja e ku fillon vetiakja. Normalisht nomenklaturat e diplomacisë kudo janë kompetenca të Ministrisë së Jashtëme. Kjo bën organigramën e përfaqësuesve të saj jashtë shtetit, në bashkëpunim me Kryeministrin. Presidenti ka funksionin ligjërues, për të zyrtarizuar këta vendime, por kushtetuta e jonë i njeh edhe të drejtën e diskutimit të tyre, madje edhe të mos miratimit. Kjo është praktika botërore për republikat parlamentare dhe diplomatët mund të ndryshojnë selitë e tyre, të emërohen apo të shkarkohen kur ndërrohen qeveritë, por jo kur ndërrohen kryetarët e shteteve.
Shkaku që nxjerr Nishani, për të mos dekretuar përsëri ish diplomatin Zhiti, nuk ka bazë ligjore, vendimi mbetet subjektiv. Ai vazhdon të ngulë këmbë në të edhe se kërkesat për t’a ndryshuar kanë ardhur nga të gjitha anët, duke filluar nga vendimi unanim i Komisionit të Jashtëm të Kuvendit, ku zonja Jozefina Topalli është shprehur pozitivisht me vlerësimin më të mirë për kandidatin. “Vetë Selia e Shenjtë, përmes Nuncit Apostolik në Tiranë, na përcjell mirëpritjen më të ngrohtë për propozimin, me fjalët më të mira për kandidaturën” shkruan Kryeministri. Në atë drejtim janë shprehur të gjithë përfaqësuesit e jetës publicistike të Vendit e bashkësive shqiptare jashtë, Shoqata e ish të Përndjekurve politikë në Shqipëri, “Vatra” e ShBA, kosovarët, arbëreshët, personalitete të politikës e kulturës italiane etj. Lind natyrshëm pyetja : cili është motivi i vërtetë i kundërshtimit të Presidentit dhe a është ai i vetëm në ngulmimin e tij ?
Hipotezat që mund të bëj janë tre llojesh : së pari do t’a konsideronja këtë kundërshtim si një “kushtrim të të parëve”, një reminishencë atavike të luftës së klasave të kujtesës enveriste, që një ish oficer i shkollës “Enver Hoxha” shfaq kundrejt një ish të dënuari politik, një nga përfaqësuesit më në zë të inteligjencës antikomuniste ; së dyti mund të jetë një përcjellje e vullnetit negativ të një pjese të ish partisë së tij, kundrejt së cilës ai mbetet gjithmonë i detyruar për postin e lartë që mban, pa patur asnjë meritë të veçantë ; së treti mund të jetë shprehje interesash vetiake, të lidhura me ndonjë emër të përveçëm të gazetarisë apo të biznesit.
Në të tre supozimet figura e Presidentit del tepër e dëmtuar për opinionin publik. Qëndrimi i tij kundrejt Visar Zhiti, si njeri, është një fyerje e rëndë dhe e drejtpërdrejtë që i bëhet dy shtresave të rëndësishme të shoqërisë shqiptare, të cilat diplomati poet i përfaqëson njëherësh më së miri, asaj të ish të përndjekurvet politikë të diktaturës dhe asaj të inteligjencës, jo rastësisht dy më të luftuarat nga regjimi i Enver Hoxhës. Në rastin e dytë të hamendjes kujtoj një shprehje të një shkrimtari e diplomati italian C. Dossi (1849 – 1910) : “Në politikë është si në teatër : janë autorët që shkruajnë veprat për t’u recituar dhe nuk duken në skenë dhe aktorët që e recitojnë në publik e nuk e kanë shkruar” Nëse Presidenti vazhdon të mbetet rob i segmenteve të caktuara të ish partisë së tij e që arrijnë të përcaktojnë edhe vendimet institucionale, nuk mund të kryejë funksionin e tij të arbitrit të pavarur, që i ngarkon kushtetuta. Supozimi i tretë do të ishte më pak i urueshmi se do të krijonte idenë se në krye të Shtetit është një njeri që mendon vetëm për interesat e tij vetiake.
“Visar Zhiti nuk është një nga poetët e”rrallë” të burgosur të diktaturës, por njëri prej tyre. Vetë Visar Zhitit i vjen turp nga vlerësimi “I rrallë”. Ky është gjykimi i Presidentit, një përzjerje padijeje në fushën e letërsisë e paaftësie në të njohurit e njerëzve. Visar Zhiti është i pranishëm në antologjitë poetike të shumë Vendeve të Evropës, veprat e tij në poezi e prozë janë të përkthyera në shumë gjuhë të kontinentit, çmimet ndërkombëtare të marra janë të shumta. Në gazetat italiane lexohen këto vlerësime të kritikëve : “Visar Zhiti, së bashku me Ismail Kadarenë konsiderohet një nga pikat më të larta të letërsisë bashkëkohore shqiptare..” “është padyshim absolutisht një nga poetët më të mëdhenj evropianë” “është një nga poetët më të mëdhenj të kohës sonë” “ poeti konsiderohet në atdhe e jashtë tij si zëri më i fuqishëm i gjithë poezisë bashkëkohore shqiptare.” Poeti irlandez Higgins porosit lexuesit : “Lexoni Visar Zhitin, se keni për të ndërruar vizionin për botën.”
Këta ishin disa nga vlerësimet e botës së huaj për shkrimtarin tonë të madh, besoj të mjaftueshme për të bindur Presidentin e painformuar për vlerën e tij, se nuk është “i rrallë”, siç e quan Rama, se është i vetmi, më i miri në gjininë e tij. Refuzimi i kandidaturës së tij nga Presidenti Nishani, për mendimin tim modest, është një dhunim që i bëhet vlerave të kulturës sonë dhe imazhit të Shqipërisë në botë, një dëm që i shkaktohet diplomacisë sonë në një nga pikat më nevralgjike të saj. Emërimi i një personaliteti si ai i Visar Zhitit si ambasador do të ishte një nder e kënaqësi për cilindo burrë shteti të botës. Uroj që edhe Presidenti i ynë të ndryshojë mendim sepse, siç thotë Franz Grillparzen (1791 – 1872), një poet e dramaturg gjerman : “Ka gjithmonë një ilaç për çdo faj : t’a njohësh atë.”
Shkurt 2015 Eugjen Merlika
L.Mirakaj says
Po të kisha aftësinë për të shkruajtur,nuk do ti hiqnja asnjë pikë shkrimit .E gjeti tamam me një ish të përndjekur për të bërë të fortin presidenti, që si duket nuk ndjehet mirë kur ka të bëjë me ish të persekutuar.Ky «konsultimi»mos nënkupton pazare bisedash kokë me kokë,apo paraqitje dokumentash ,të shkruar mbi bazën e të cilave ,AI I MADHI I PA GABUSHMI ,PARIMORI,ZEUS,është thirur për të vënë firmen
Ismai Kalemi says
Zoti Mirakaj pse nuk e ngrini zerin tuaj prane Departamentit te shtetit Amerikan per njerzit e sigurimit dhe komunistet qe kane bere krime ne shqiperi dhe sote jane strehuar ne Amerike dhe paisen me dokumenta menjeher..
Gezim Gazheli says
HEROIZMI PASIV KRIJON SKLLEVËR KRENARË
Historikisht populli shqiptar është shquar për rezistencën e tij të lartë jo vetëm ndaj vuajtjeve, por edhe ndaj krimeve. Humbja e 3/5 së territorit kombëtar është shoqëruar me masakra të llahtarshme si prej grekëve edhe prej serbëve. E megjithatë ne, si popull, jemi krenarë për historinë tonë të dështuar dhe nuk përjetojmë ligështim kur bëjmë bilancin e humbjeve në seri. Lëvdohemi si «tolerantë» e «paqësorë» (eufemizma të cilësorëve indiferentë e të gjunjëzuar), sepse gjithmonë na kanë vrarë të tjerët, ndërsa ne nuk i kemi vrarë dot ata as për tu vetëmbrojtur, por kemi gjetur si zgjidhje braktisjen e trojeve tanë kombëtarë, pjesën e mbetur të të cilëve politikanët (anti)shqiptarë të të dy anëve të kufirit e kanë nxjerrë tashmë në ankandin ballkanik të këtij fillimshekulli.
Në fakt të jesh i dobët, qoftë edhe për arsye objektive, nuk është krenari. Të mësohesh të jesh krenar edhe duke qenë përherë i mundur e i nëpërkëmbur do të thotë të përligjësh dështimin në jetë, të pajtohesh urtë e butë me të, të gënjesh veten për hir të një mbijetese të rëndomtë. Për shkak të këtij mentaliteti gjunjëzues, dështimi nuk na është ndarë ndonjëherë e as po na ndahet ne shqiptarëve, sepse historikisht kemi qenë gjithmonë të parapërgatitur psikologjikisht e shpirtërisht për të: asnjëherë nuk jemi rebeluar masivisht kundër dështimit të përbashkët, por shtrojmë kurrizin për ta duruar atë në çfarëdo forme e përmasash qoftë.
Sakrificat në përballimin e kalvarit 47 vjeçar diktatorial përbëjnë vërtet një sprovë heroike për ata që nuk u gjunjëzuan. Ata e meritojnë plotësisht respektin e popullit që i përkasin, sepse ai komunitet heronjsh, që përjetuan ndershmërisht ferrin me koston e jetës së tyre, mbrojtën njëherësh edhe dinjitetin e popullit shqiptar, i cili do të cilësohej me të drejtë «popull zvarranikësh», në qoftë se të gjithë bijtë dhe bijat e tij, që sakrifikoheshin prej Sigurimit, do të kishin përfunduar në vegla të verbëra të diktaturës. Veçse nuk duhet ta anashkalojmë faktin e pamohueshëm se ky është një heroizëm pasiv, për t’i rezistuar shtypjes në mbrojtje të dinjitetit njerëzor e të vlerave morale të individit. Si i tillë, ai ka një dallim cilësor të dukshëm prej heroizmit aktiv të një grupimi shoqëror apo të një populli të revoltuar që rebelohet kundër shtypjes e shfrytëzimit, i gatshëm për të dhënë jetën në përfytje me të.
Natyrisht, heroizmi pasiv transformohet në aktiv, kur i krijohen rrethanat e volitshme. Mirëpo për të ndodhur kjo është e domosdoshme që më shumë se gjysma e të shtypurve të mishërojnë realisht në vetvete vlerat pozitive të heroit pasiv. Pikërisht kjo mangësi bëri që në Shqipëri heroizmi pasiv disadekadësh të përfundonte në një flluskë sapuni. Kjo dukuri e përgjithshme mbarëpopullore ra më tepër në sy tek ish-të burgosurit e të persekutuarit politikë të diktaturës, një pjesë e të cilëve shërbyen e po shërbejnë (për interesa meskine personale e familjare) si garniturë e pushtetit neokomunist blu, duke u sjellë kështu një dëm të pariparueshëm moral, material e shoqëror bashkëvuajtësve dhe gjithë shtresës antikomuniste e më gjerë. Përveç gjynaheve të shumtë të Berishës në dëm të shtresës së persekutuar nga diktatura, do të kishte mjaftuar vetëm ruajtja e titullit «Hero i Popullit» i diktatorit shtazarak për dy dekada me radhë që ish-të persekutuarit politikë – garniturë perverse e pushtetit blu (me zemër të kuqe) – të distancoheshin prej tij. Gjithsesi duhet pranuar se nuk qe faktor vendimtar për fatet e popullit tonë sjellja sfiduese e këtij grupimi shoqëror, por mentaliteti nënshtrues mbarëpopullor shqiptar, i cili e ka zhytur në gjumë letargjik shumicën dërrmuese të shqiptarëve. Tekefundit edhe ata pjellë e këtij populli janë. E këtij populli që nuk lodhet duke duartrokitur e votuar vrasësit e tij mafiozë të ’97-’98 e në vazhdim, të cilët i ka zënë gjaku dhe e kanë humbur vetëkontrollin, duke dhënë spektakle turpi kontinental me trafik droge me avionë e helikopterë e duke bërë orgji me thesarin e Bankën e Shtetit – veprime që nuk i kryen asnjë pushtues. Megjithatë Paskal Milo & Co janë duke rishkruar «historinë e lavdishme» të «Heroit të Popullit» dhe PPSH – një tallje e hidhur me një popull që ka humbur ndjeshmërinë morale dhe kujtesën.
E pëlqej ·
Sadik Elshani says
Me siguri Noli do te thoshte: “Vaj vatani e mjere mileti”.
EMIGRANTI USA. says
Propozimi i kryeministrit Rama per emerimin e zotit ZHiti per ambasador ne Vatikan, a gezoi pa mase. Arsyet jane te shumta, pore ajo qe eshte me kryesorja mbetet karakteri, kultura e pergjitheshme, dhe ajo diplomatike, njeri i letrave, poet dhe shkrimtar, i denuar politik qe edhe ne burgjet famekeqe te diktatures, su gjunjezua para saj. Minister kulture ne qeverin Berisha, i vetmi person nga shtresa e te denuarve politik qe ju propozua prsidentit Nishani prane selise se shenjte dhe Nishani, ne vend qe ta dekretonte menjehere, zgjodhi pretendimin e moskonsultimit, thuajse skish kaluar asnje kantidature pa u konsultuar dhe emri i zotit ZHiti binte ndesh me kushtetuten. NJe kusht te tille jo vetem qe se permban kushtetuta, pore edhe sikur ta kerkonte, per askend te ose behej perjashtim, sic esht bere per ambasadorin tone ne NATO, ku propozimi i qeveris Rama u dekretua menjehere, pa konsultim, po nga ky president. Per zotin Visar duhej dekretin ta firmoste edhe naten, sepse e tille kantidature dhe begraundi i tije. Me kete veprim te turpshem tregoi se sa i vogel eshte ne ate detyre, sa i politizuar eshte, kure mendon se e propozon qeveria Rama dhe jo opozita, megjithese ne komisjonin e lidgjeve te gjithe ishin unanim, te majte e te djathte, biles zoti ZHiti i bashkoi. Turp njemije here per nje veprim te tille nga ana e presidentit. Kjo na indinjon pa mase.
Jakov from Israel says
Persona si kyMilua qe permendni ka plot ne Shqiperine akoma socjaliste qe u fryjne borijeve te Rames per te zene ndonje cep te ngrohte ne admini straten shqiptare .Ky cope mesues gjeogafije si i ka marr atu titij nderi Prof .Apo Dr.Ku dreqin i mori ato ?Eshte pikerisht ai qe mbrojti diktatorin EH ne emisjonin e Fevziut dhe qe u nxorr jasht ne plemikat me gazetarin e famshem qe e quajti edhe kriminel ,ate faqezi .Tani vjen dhe do te na shkruaj dhe historine e rinovuar te Shqiperise .Turp per keto qendrime .Kush mbron periudhem kriminale enveriste duhet ndeshkuar me ligj dhe jo tu ferkohen krahet te pafytyreve qe u dalin ne mbrojtje figurave hitlerjane qe duhen groposur ne historine e kombit.Per sa i perket emerimit te ambasadorit ne Vatikan ,kjo eshte nje e drejt e shtetit qe emeron dhe ska nevoje te miratohet nga vendi prites se duhet te jete katolik se sben .Mos ja rrisni hunden asaj kishe katolike qe ne shekuj ka bere krime monstruoze e ka vrare e djegur njerez ne turren e druve .S’kane asnje te drejt !