


Nga Roland Qafoku/
Xhelal Koprënckës i mjaftonte në jetën e tij vetëm ajo firmë e rëndë e hedhur më 28 nëtor të vitit 1912 për ta futur emrin e vetë në historinë e artë të Shqipërisë. 1 nga 40 firmëtarët e Aktit Themeltar të Shtetit Shqiptar, 1 nga 83 delegatët e Kuvendit të Vlorës dhe 1 nga 18 senatorët të zgjedhur në atë Kuvend, ai la për brezat pasardhës një shtet që e gëzuan, gëzojmë dhe e gëzojnë breza të tërë. Dhe të mendosh që ishte i vemti përfaqësues i Skraparit në atë Kuvend po aq sa Shkodra që kishte të vetmin firmëtar, Luigj Gurakuqin. Por dimensioni i Xhelal Koprënckës nuk ishte vetëm ai akt dhe dita e shenjtë e 28 nëntorit. I mirëarsimuar në “Robert College” në Stamboll dhe i diplomuar në Akademinë Ushtarake po në Stamboll, niveli i formimit të tij gjeneral ishte “high class”. Është e panjohur fare që Xhelal Koprëncka, përveçse ushtarak ishte edhe një poet. Në gazetën “Korça” të 20 marsit 1909 botohet një vjershtë e tij me nënshkrimin “Çelal Koprëncka”. (Kortezi e mikut tim Niko Kotherja). Shkronja Ç në vend të XH ndoshta lidhet me mungesën e saj në teknikën e shtypshkronjës.
Gazeta “Korça” ishte jo vetëm gazeta e parë e botuar në Shqipëri më 15 dhjetor 1908, por ajo u bë edhe gazeta kryesore në vend. Vetëm 3 muaj pas themelimit, ajo publikoi vjershën e Xhelal Koprënckës dhe kjo ka një domethënie po të mendosh se botues i saj ishte gazetari i njohur Sami Pojani dhe autorë të shkriemeve ishin Mihal Grameno, Hil Mosi dhe shumë emra të tjerë të penës.
Korpëncka ia kushtoi vjershën Korçës, është me dy strofa dhe secila ka nga katër vargje. Ky krijim e është se stilit të Rilindjes dhe Koprëncka ka përdorur fjalë të zgjedhura dhe tejet të ëmbla me një dashuri speciale për qytetin e Korçës. Përse për Korçën? Sepse lidhja e tij me atë qytet ishte tepër e veçantë. Xhelal Koprëncka kishte kryer shkollën fillore atje dhe kishte jetuar disa vjet në fëmijëri. Mbi të gjitha Korça ishte një lloj kryeqyteti për Skraparin fqinj. Sa e sa herë Xhelal Koprëncka ishte vënë në ndihmë për mbrojtjen e atij qyteti nga andartët grekë. Për ironi, edhe vrasja e tij më 21 tetor 1919 ndodhi teksa ishte duke shkuar me detachmentin e vet drejt “kryeqytetit” për ta mbrojtur po nga andartët grekë. Lexojeni dhe shijojeni këtë vjershë të shkruar 117 vjet më parë nga firmëtari Xhelal bej Koprëncka.
Korça lule-lulëzoj
Fletën Korça fort të bukur
Që të gjithë nga gëzoj
Për nga hera qoftë e lumtur
Ti mo fletë e bukur je
Mezi të ka Shqipëria
Se tregim të mirë ke
Më të faltë Perëndia