Nga Alma Liço
Një ditë e zakonshme dimri kjo për Heidelbergun. Teksa eci e shkujdesur, dëbora flokëdendur ndalet mbi trotuarin dhe bordurat e urës që ndodhet mbi lumin “Nectar”, duke krijuar një vello të mahnitshme që shformohet dhe shndërrohet me pas në bulëza të kristalta uji. Ndalem për një çast dhe hedh vështrimin drejt lumit. Rrjedha e tij është kaq e ngadaltë sot. Disi i përgjumur, ai përpiqet të mos trazojë magjinë që krijojnë flokët e bardhë që në mënyrë disi kaotike ndalen e humbasin mbi sipërfaqen e tij.
Papritmas ndjej disa mornica. Drithërima që nuk kanë asnjë lidhje me të ftohtin. Mendimet fluturojnë larg dhe ndalen në atdheun tim, i cila këto ditë dimri, po ashtu, është mbuluar nga dëbora. Por për bashkëqytetarët e mij, mrekullia e bardhë nuk mund të jetë kaq e magjishme. Nuk mund të jetë kurrsesi kaq joshëse. Teksa shtrëngojnë në kraharor ndonjë shishe plastike me ujë të ngrohtë, bashkëqytetarët e mi e vështrojnë atë nëpërmjet xhamave të dritareve të shtëpive të akullta. Në përpjekje për të ruajtur pakës ngrohtësi, njoh të moshuar që nuk ngrihen fare nga shtretërit. Përmes bëlbëzimeve, mezi arrijnë të artikulojnë modestisht nevojat e tyre. Sa pak kërkojnë…të mos jetojnë mes drithmash.
Mediat dhe portalet ofrojnë pamje dhe lajme të trishta. Shoh të mjerë që humbasin jetën të karbonizuar nga shpërthimi i ndonjë bombole gazi, apo të asfiksuar nga karboni që lëshojnë stufat prej llamarine të sajuara. Eshtë dëshpërimisht impresionuese dhe mallëngjyese të shohësh fëmijë që duke u dridhur shkojnë në shkollë me batanie mbi supe. Klasa të akullta. Vogëlushë që nën efektin e të ftohtit mezi arrijnë të bëlbëzojnë:
– Kemi ftohtë …
Eshtë torturuese kjo bardhësi për të miturit që enden rrugëve duke shtrirë duart e vogla, të ngrira në kërkim të ndonjë lëmoshe. Kalimtarët as që i vënë re. Me supe të mbledhura e duke nxituar, ata vuajnë gjithashtu të ftohtin e dimrit. Ndjehen të robëruar nga pamundësia e pagesës së faturave të kripura të energjisë elektrike.
Një lypës i moshuar që nuk i mbijeton dot natës së acartë. Gjendet i pajetë nën një strehe të rrënuar, mes kartonash që kanë shërbyer si mbulesë për trupin e tij të drobitur. I braktisur në vetminë e tij. Një roje nate po ashtu. I ngrirë. Viktima të mungesës së një strehe dhe pamundësisë për t’u ngrohur.
Papërgjegjshmëria dhe abuzimet galopante të politikës së postkomunizmit, si askund tjetër, u kanë mohuar bashkëqytetarëve të tyre nevojat më elementare për një jetë normale. Babëzia e paskrupullt për t’u pasuruar, duke grabitur çdo pasuri të atij vendi, ua ka errur tërësisht arsyen dhe orientimin përfaqësuesve të pushtetit, për të shfrytëzuar në mënyrë të llogjikshme e humane burimet e pafundme energjitike për ngrohje, që natyra aq bujarisht ja ka mundësuar Shqipërisë.
Pra, në këtë stinë të akullt, papunësisë dhe varfërisë në rritje u shtohet dhe përballimi me aq vështirësi i të ftohtit. Qindra, mijëra qytetarë ngrysen e gdhihen në mes të atij acari, pranë valixheve ku kanë vendosur ëndërrat e tyre të nëpërkëmbura. Një popull në arrati. Familjarë që duan të ikin, të rinj që duan t’ja mbathin…larg…larg vendit të tyre. Vërtet lebetitëse.
Shkëpus vështrimin nga rrjedha e ngadaltë e lumit. Vazhdoj rrugën e kthimit për në shtëpi. Sikur ta kenë kuptuar trishtimin tim, flokët e bardhë të dëborës tashmë ndalen duke ja lënë vendin një dielli të zbehtë që ngultas përpiqet të çajë kurorën e reve të përhimta. Sa do dëshiroja që këto rreze të derdhin ngrohtësinë e tyre në vendim tim të gjunjëzuar nën pushtetin e acarit. Ndihmoje Zot Shqipërinë e zhytur në vrazhdësinë dhe arrogancën e pushtetit që ua ka kthyer në ferr jetën qytetarëve të saj. Ndihmoji Zot shqiptarët të bashkojnë forcat e ndrydhura, e të reagojnë ndaj së keqes së madhe që ka mbërthyer jetët e tyre, shkaktarë të së cilës janë politikanët banditë të dalë tinëzisht e pabesisht nga kuzhinat çnjerëzore dhe labirintet e komunizmit.