
Arben Iliazi/
Më 20 gusht 2002 iku në amshim, në moshën 44 vjeçare, shkrimtari Teodor Keko. Lindur në Tiranë më 2 shtator 1958, Keko është një nga autorët më të lexuar shqiptarë. Me Dor Kekon na lidhi një miqësi e gjatë, që daton nga viti 1983, kur Dori sapo ishte emëruar redaktor në gazetën “Drita”, pas diplomimit për gjuhë – letërsi, dhe kur unë fillova të botoj poezitë e para në këtë gazetë të mirënjohur letrare. Gjatë viteve 1984-1988, kur vazhdoja studimet në fakultet, kalonim një pjesë të mirë të kohës bashkë. Dori ishte një tip i këndshëm, me një natyrë boheme e me humor të hollë, qytetar, njerëzor e i vërtetë, cilësi që jo çdokush ka fatin t’i ketë. Bota e tij shpirtërore ishte e e tejndjeshme dhe e pafundme. Siç shprehej një kolegu ynë asokohe: “E kishte në çdo qelizë mirësinë”. Gjatë viteve që punoi te gazeta “Drita” dhe më pas te revista “Nëntori” (1983-1990), Dori ishte një nga bashkëpunëtorët më intensivë të shtypit të kohës, ku trajtonte probleme të mprehta të letërsisë, artit dhe të realitetit social, që ishin tabu për mentalitetin shqiptar. Në korrik të vitit 1990 thirret në takimin e ish presidentit Ramiz Alia me intelektualët e vendit. Pas takimit shkroi vetëm dy vargje: “Unë s’jam pëllumb të ha thërrime/ as lakuriq qorr nëpër natë”.
Me idealin e përmbysjes së sistemit diktatorial, në dhjetor 1990, bashkohet me lëvizjen demokratike dhe, në vitin 1991, zgjidhet anëtar i Këshillit Botues të së parës gazetë opozitare “Rilindja Demokratike”. Në të njëjtën kohë, zgjidhet deputet i PD-së. Fjalimet e tij në parlament mbeten edhe sot modele të oratorisë dhe guximit qytetar, që shpesh shoqëroheshin edhe me vargje si: “Pluralizmi ja na mbiu, me përmbysje të mëdha/ Zogjtë po thonë:ciu, ciu, janë mbretër po ata”. Gjatë viteve 1992-1996 ishte kryetar i Komisionit Parlamentar të Medias. Në vitin 1996 largohet përfundimisht, me vullnetin e tij, nga politika zyrtare, për të gjetur strehim te bota e tij e lirë e krijimtarisë.
Gjatë viteve më pas bashkëpunon me gazetat kryesore të kohës si: “Koha Jonë”, (ku ishte kryeredaktor në vitin 1994), “Gazeta Shqiptare”, “Korrieri”, “Spektër”, “Klan” etj. ku spikat e çmohet nga publiku profesionalizmi i tij si gazetar. Në vitin 1995 ishte kryeredaktor i gazetës kulturore-letrare AKS. Në vitin 1998-1999 punonte me honorare te gazeta që drejtoja unë asokohe, “Republika”, ku shkroi disa editoriale, që shquheshin për thellësinë e mendimit dhe forcën e fjalës. Më kujtohet shkrimi me titull “Rekomandim për miqtë e mi të kulturës” (Republika, 7 Maj 1999), i cili pati mjaft vëmendje në opinionin publik.
***
Dori spikati qysh herët, që nga viti 1981, si një talent rebel. Seç kishe një paqetësi të përhershme, që shoqërohej me një dehje e dalldisje. Të dukej sikur e kish fituar lirinë qysh atëhere. Kishte reflekse të befasishme, ndriçime të papritua dhe një gulç spazmatik të shpirtit qysh në poezitë e para. Shkruante për gjërat me të cilat ishte i lidhur shpirtërisht dhe frymëzohej prej unit të tij vetiak. Që me librin e parë “Pas provimeve” (1981) iku nga poezia e fortifikuar drejt shpirtërores.
Keko i përket asaj race shkrimtarësh, që shembën me rrëmbim kufijtë e vënë nga jeta. Tek ai u ndërfutën forma rebele dhe, në dalldinë e teprimit të shfrenuar, edhe mund të kishte humbur veten. E ndiente artin si pjesë të vetes, si një nga format e bukura të jetës. Nuk kishte asgjë të planifikuar, asgjë të skicuar, por shkruante spontanisht për çdo gjë që kufizone botën e gjërave të paqarta e pa formë, pa e çarë kokën për konvencionet shoqërore e politike.
Në harkun kohor të 19 viteve botoi 13 libra si: “Fjala fishkëllen” (1987), “Zemra nuk ka këmishë”, (1990), romani “Loja, 1990, “Lajmëtarja e vdekjeve”, 1990, “Pretenca”, 1994, “Shënimet e një gruaje”,1994. Në vitin 1996 boton vëllimin poetik “Unë të kam dashur por….” Në vitin 1997 poemën satirike “E të tjera e të tjera”, si dhe vëllimet me tregime e novela “Prostituta”, “12 shenjtorë, një profet e disa njerëz”. Në vitin 1998 tregimet dhe novelat “Made in Albania” dhe në vitin 2002 “Hollësira ftale”. Vëllimi me tregime “Amaneti” botohet pas vdekjes. Në vitin 2007 i jepet nga Presidenti Republikës medalja “Për Merita Civile” (dekret nr. 5375, 26 korrik 2007).
***
Ka vlerësime të shumta për poezinë e Teodor Kekos. Dritëro Agolli do të shkruante: “Sipërfaqja e vargut të Dor Kekos nuk ka shkëlqim estetizant. Brenda guaskës së një lloj molusku të detit fshihet perla. Guaska nuk ka asgjë shkëlqimtare”. Ndërsa Xhevahir Spahiu shprehej: “Mendimi i mirëfillë lirik i Kekos nuk rrëmbehet kurrsesi nga dukja, as nga metafora e qëllimt. “Ai jeton siç shkuan dhe shkruan siç jeton”, shprehej Visar Zhiti. Poeti Bardhyl Londo thoshte: “Poezia e tij i shëmbëllen primit të vetëtimës. Por me një ndryshim ë madh. Ndërsa vetëtima lëshon më parë dritën dhe më pas gjëmimin, poezia e Dorit i ka këto efekte të menjëhershme. “Ai është dashamirës dhe i çelët, ndoshta kjo është një nga magjitë që i shkakton popullaritetin, të ndërtuar në vargje”, shkruante poetja Natasha Lako.
Nuk do të ndalem në analizën e poezisë së Teodor Kekos, por do të shprehesha shkurt se në poezinë e tij ngrihet kulti i njëlloj lirie njerëzore, në sensin e superioritetit të species me ndërgjegje, që di të dalë nga humbjet, trishtimet. Në prizmin e së natyrshmes, të besueshmes në poezinë e Kekos ka një këndvështrim bipolar për jetën, ku brenda saj janë të mirat dhe të këqiat, ku ndërfuten edhe elementë hyjnorë, si përcjellës të përdëllimit.
Edhe për prozën e tij janë shprehur dhe kanë dhënë opinione studiues dhe autorë të njohur;
Profesor Shaban Sinani është shprehur: “Gjithë letërsia e Kekos është lëndë aletrare, lëndë prej rrugës. E pohoi letërsinë duke prishur kornizën. Imponoi zgjedhjen e tij ndaj e blejnë njerëzit. Bota e personazheve të tij është asimetrike”. Ditëro Agolli ka thënë se “Në tregimet e tij Dori shkroi me keqardhjen e shkrimtarit, i cili kërkon të ndryshojë shoqërinë…”. Ndërsa poeti Visar Zhiti ka shkruar: “Ka ca hollësira fatale që të bëjnë të vdesësh, por ka ca të tjera që s’të lënë të vdesësh. Teodor Keko ikën duke u kthyer vazhdimisht. Ai vet e mbush mungesën e tij”. Shkrimtari dhe studiuesi Agron Tufa ka bërë një konstatim tjetër: “Gjykuar nga truket narrative, situatat paradoksale e zgjidhjet ekscentrike, shumë krijime të T. Kekos janë shenjat e para të inagurimit të një letërsie postmoderniste shqipe”. “S’ka pikë dyshimi që Keko është qytetari më gojështhurur i Republikës së Letrave Shqipe”, shkruan shkrimtari Virgjil Muçi.
Sa i përket mendimit tim, ajo që është e dukshme në prozën e T. Kekos është vëmendja kryesisht ndaj tipit periferik të shoqërisë, njeriut të padukshëm në vorbullën e rrëmbyer të jetës, cilësuar ndryshe “njeriu margjinal”. Proza e Kekos, me një ndërthurje ligjërimesh, me njëlloj tharmi tragjik, shpërfill realitetin bardhezi dhe ndërton artistikisht një gjëndje ekzistenciale të një realiteti tjetër gri, boshti i të cilave është makthi, ngjyer me pak shpresë. Modeli më përfaqësues i prozës së tij është proza e shkurtër, me tipare të prozës vizuale me karakter poetik, karakteristikë e të cilës është fabula e thjeshtë, ku e papritura vjen si një teknikë e preferuar rrëfimi. Proza e Kekos është artikuluar me gjuhë të dendur, plot lokucione, me lakonizëm të brendshëm, me sinkopizëm e metaforikë të veçantë.
Teodor Keko i mbeti besnik vetëvetes gjatë gjithë jetës së tij dhe nuk e shkëmbeu shpirtin e tij të lirë me asgjë. Tërë personaliteti i tij letrar u përsos në zjarrin e fuqisë së fjalës, në të gjitha përvojat e tij krijuese, që nga më të zymtat, deri tek ato më ngazëllueset. Në tërë krijimtarinë e tij, si në një alkimi shpirtërore që i shndërron në art edhe manifestimet më të ulëta të poshtërsisë dhe të mjerimit njerëzor, ai vuri tërë zemën e tij, tërë dhembshurinë e tij, duke ilustruar më së miri nocionin e modernitetit, si artist zemërdhembshur e sarkastik, me lëvizje të kulluara të ndjeshmërisë, midis të rëndomtës dhe sublimes.Përpara njeriut vrapon emri i tij, shprehej Gëte. Unë mendoj se emri i T. Kekos do të mbetet i pamohueshëm dhe me dritshmëri ngashnjyese në letërsinë shqipe.