SHKRUAN:ALFONS GRISHAJ- Sa më tepër ballafaqohem më rritjen e mjeranizmin-përfolës… aq më tepër falemnderoj Zotin , që nuk i dha njeriut akses më të madh se 10-15 % të përdorimit të trurit. Sepse , po të realizohej një gjëmë e tillë , nuk do të kishte më tokësorë , por vetëm fluturakë që do fekondoheshin në ajër si hutini… dhe si pterosaurs do të hanin njeri-tjetrin pa rënë në tokë.
Përfolja si fenomen është një nga pikat e errëta të dobësisë së karakterit njerëzor që ashtu si gënjeshtra krijon një fryrje artificiale deri në ankth shpirtëror. Gjendje dhune psikologjike sistematike që e lodh dhe të fortin.
Përfolja është sëmundje e një shumice inferiore patrajtë që ngjiz llapazanllëkun si kroma në oazin e shoqërisë “moderne” ( mjafton të kujtosh “Komedinë Njerëzore” të Balzakut”) , duke e përpunuar në art zbavitës , si poemth hëne… bash në terrin e ndërgjegjes së kalbur. Përfolja është si frysa që mund t’a kthesh në çdo lloj forme për ti shërbyer momentit dhe përkohësisht qëllimit duke penetruar deri tek veshë “dembelë”, që nuk pranojnë leksione kurbani, por prapëseprapë si atomizer erëmojnë parfum fekalesh.
Disa mendimtarë , përfoljen e quajnë si objekt të një shoqërie të përkufizuar intelektuale, e cila plotëson honin e mosdijes dhe kohën e lirë e të bollshme. Ndërsa unë mendoj të kundërtën: vetë shoqëria jonë gjoja intelektuale prodhon përfoljen për qëllime denigrimi, përfitimi , shtypje, matrapazllëku , egoizmi dhe shformimi..
Përfolja nuk i shërben bariut, i cili është në dashuri me bagëtitë , fyellin , barin e njomë , yjet dhe pemët…, sepse bariu me këtë pasuri natyrore është një Perëndi në parajsën e vet. Por , i shërben hibriteve moderne … farërave të këqija që artificialisht mundohen të bëhen dragonj e udhëheqës… e dikushi nga askushi.
Sot , e keqja e dhimbshme është se shoqëria jonë ushqehet me jashtëqitjen e kafehaneve dhe paneleve mediokër, fb , opinioneve shterpë , “përkthyesve” gugëlianë dhe ca gazetarë teknefez, të cilët , duke u ushqyer si qentë nga sponsorë bakërxhinjë… flijojnë dhe glorifikojnë : ngrejnë haletë dhe “fikin” yjet. Sorrat i bëjnë pëllumba e pëllumbat minjë! Fallusin e bëjnë tra për të mbajtur peshën e shtetit… dhe burrin i shtetit … “legen e non grata”! Shokun e bëjnë kërmë për vulture. Hëm ! Ky është mjeranizmi i shoqërisë përfolëse konteporane , shoqëri pakurrëfarë principesh. Të prekur më thellë nga ky virus është shumica e ish -familjeve të privilegjuara gjatë rregjimit të kampit komunist në botë. Shumica e tyre …(të lurtuarit e asj kohe) janë si gjarpërinjë në gji , ku dhe nëse i afron …, ua jep mundësinë e ndryshimit, ato përsëri të kafshojnë në njëmijë mënyra.
Varfëria shpirtërore dhe intelektuale që ndjell ky nivel i ulët zbret si hije e zezë shtrigash në çdo aspekt të jetës dhe fatkeqësisht “inteligjenca moderne” i ushqen si Piranha-nët…që e zhveshin prehën deri në kockë.
Në këtë kontekst, kundër-arma më e fuqishme ndaj përfoljes është stoicizmi! Po i ike përfoljes , ajo të ndjek nga pas. Nëse i qëndron stoikisht … ajo tërhiqet nga ftohtësia e kështjellës së arsyes dhe shuplaka e virtytit.
Ka njerëz që dorëzohen në luftë me fantazmën e përfoljes, duke e braktisur njerëzisht betejën e kësaj murtaje. Por , njerzillëku i heshtjes nuk ia pret dot rrezen e veprimit përfoljes. Vdekja e saj vjen vetem pas transformimit të njeriut, nga i shformuar në qënie humane.
Disa të tjerë mendojnë se injorimi është një tjetër armë ndaj përfoljes, por shpesh injorimi nuk është fitorja ndaj të keqes por pakt i bërë me vetveten që sjell vetëm qetësi të shtirë .
Marcus Aurelius ( Perandor , luftëtar , filozof , i fundmi stoicist i antikitetit) në librin e tij “The Meditations”, na përcjell mesazhet e filozofisë stoike. Stoicizmi mbetet një mburojë që mund t’a përdorësh kudo. Sepse në thelb ka virtytin , natyralen , ligjin e arsyes , zgjuarsinë etj…
Stoicizmi lundron nëpër dallgë si delfini që gjiron rërën si tymnajë duke e kthyer sulmuesin vocërrak aventurier nga predator në prehë!